Kurti për median kroate: Nëse do të ketë luftë ose jo varet nga Beogradi; ne nuk frikësohemi!

27
Jul
2023

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën kroate “Veçernji List”.
Kurti, aty ka folur situatën e krijuar në veri, marrëdhëniet e tij “komplekse” me bashkësinë ndërkombëtare, serbët e Kosovës, gjykimin e ish liderëve të UÇK-së në Hagë e shumë tema të tjera.
Pyetja e parë që iu bë Kurtit nga Gazeta kroate ka të bëj pikërisht me situatën, që nga largimi i qytetarëve serbë nga institucionet e Kosovës, e gjithçka tjetër që pasoi.
Masat e BE-së, sipas Kurtit janë të pa drejta. Krejt kjo sipas Kryeministrit, sepse ShBA dhe BE, po e tolerojnë Vuçiqin e po e ndëshkojnë atë.
Tutje ai i ka thënë Gazetës kroate se nëse do të ketë luftë ose jo me Serbinë, ajo varet nga Beogradi, duke shtuar se “ne nuk frikësohemi”.
Kurti gjithashtu ka thënë se serbët në Kosovë jetojnë më mirë se ata në Serbi.
Intervista:
Veçernji List: Të gjithë ju sulmojnë, që bën të duket se jeni fajtori më i madh për gjithçka, kritikat vijnë nga të gjitha anët. Çfarë po ndodh në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar?
Kryeministri Kurti: “Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua.
Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim.”
Veçernji List: Pse vendosët t’i mbani zgjedhjet lokale përkundër faktit që bashkësia ndërkombëtare tha “mos i bëni”?
Kryeministri Kurti: Ne na është dashur t’i mbajmë zgjedhjet. Kjo nuk ishte zgjedhje e jonë, por dispozitë e kushtetutës sonë, kërkesë e ligjit tonë. Me këtë përfunduam me katër kryetarë shqiptarë të komunave, të cilët vërtetë kanë një legjitimitet të brishtë sepse përqindja e daljes në zgjedhje ishte shumë e ulët, por megjithatë ata kanë disa përqindje në zgjedhje, ndërsa të tjerët kanë zero. Në zyrën e kryetarit të komunës mund të futesh vetëm përmes zgjedhjeve, jo me sjellje të dhunshme, jo me dhunë ndaj NATO-s, policisë dhe gazetarëve tanë, jo me shok bomba dhe plumba. Jam i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të përkohshme. Për më tepër kam bërë një lëshim shtesë duke reduktuar me 25% praninë e policisë sonë brenda dhe përreth ndërtesave. Dhe krahas kësaj, ne do të mbajmë konsultime të rregullta çdo dy javë me KFOR-in dhe EULEX-in për të vlerësuar situatën e përgjithshme të sigurisë dhe për të zvogëluar praninë e policisë sonë.
Ne nuk po luftojmë kundër banorëve serbë, popullatës serbe, por kundër kriminelëve dhe kryerësve të krimeve të ndryshme, por jo vetëm serbë. Krimi i organizuar është multietnik. Në dy vitet e fundit kemi eliminuar 16 rrugë ilegale të kontrabandës në pjesën veriore të Kosovës. Më pas tetë laboratorë për prodhimin e barnave dhe pesë për prodhimin e kriptovalutave.
Veçernji List: Çfarë duan në të vërtete nga ju ShBA dhe BE? A e duan ata krijimin e Republika Srpska brenda Kosovës?
Kryeministri Kurti: Para së gjithash, ata duan deeskalimin e situatës në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe ne plotësisht pajtohemi me ta. Sa i përket deeskalimit, tërheqjes së policisë dhe zgjedhjeve të parakohshme, janë diçka që ata kanë kërkuar dhe ne jemi pozitivë për këtë, dhe i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese. Por unë nuk mund ta nxjerr menjëherë policinë nga ato ndërtesa sepse jashtë ekzistojnë elementë të ndryshëm ekstremë të krimit të organizuar dhe në të njëjtën kohë elemente të strukturave paralele ilegale të Serbisë. Prandaj i jam përgjigjur kërkesës së tyre duke ulur proporcionalisht dhe gradualisht numrin e policëve. Nga ana tjetër kam thënë se nuk mund të detyroj askënd të japë dorëheqje apo të largohet nga ndërtesat zyrtare që janë në fakt pronë e Republikës sonë, por ejani të bëjmë zgjedhje të parakohshme. Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale thotë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nëse 20% e elektoratit bëjnë peticion dhe më pas mbahet votimi. Nëse më shumë se 50% e votuesve votojnë kundër atij kryetari, praktikisht i merret mandati. Duhet të ecim ligjërisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.Bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se ka të bëjë me një Beograd zyrtar të ekstremit të djathtë, i cili në rotacion krijon probleme në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – çdo muaj njërit prej fqinjëve i vjen radha. Ne dëshirojmë drejtësi ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga destabilizimi dhe këtu ka një hendek.
Ky hendek zgjatet me një hendek tjetër kur komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të ulëta nga Vuçiqi në të tashmen, por megjithatë shpresa të mëdha në afat të mesëm. Prandaj, sa herë që Beogradi bën një gjest pozitiv, ata e zmadhojnë atë, sepse kanë pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta. Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar, paradoksalisht, është më optimist për Vuçiqin sesa për veten! Sigurisht unë jam optimisti më i madh, por unë jam optimist për Kosovën, për BE-në dhe NATO-n, por jo kur është fjala për Vuçiqin.
Veçernji List: Sa i jep kjo shtytje Vuçiqit, duke pasur parasysh se bashkësia ndërkombëtare po ju kritikon ju dhe jo atë? Po ashtu, lexova deklaratën e tij se ju ka krahasuar me Enver Hoxhën duke thënë se ju punoni si ai dhe se dëshironi të mos mbetet asnjë serb?
Kryeministri Kurti: Beogradi po zhvillon luftë hibride kundër Kosovës. Më thërrasin me emra të ndryshëm, sepse secila prej etiketave të tyre zbehet shpejt, kështu që duhet t’i zëvendësojnë. Çdo muaj lajmërojnë se muajin tjetër po fillon stuhi kundër serbëve në Kosovë. Nuk u vjen aspak turp që do të dalin gënjeshtarë sepse e dinë që askush nuk u çuditet më.
Ata shpeshherë dhe publikisht fantazojnë hakmarrjen e shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin e 21-të, sepse e dinë shumë mirë se çfarë kanë bërë në Kosovë gjatë shekullit të 20-të. Ne duam dhe qëndrojmë për drejtësi pa hakmarrje dhe kundër hakmarrjes. Serbët janë qytetarë të Kosovës me të drejta dhe nevoja njerëzore dhe qytetare. Unë jam kryeministër i të gjithë atyre që dëshirojnë dhe duhet t’u shërbej të gjithëve pa dallim. Për ministër kam Nenad Rashiqin, politikanin më të njohur serb në Kosovë. Vetëm atë e urren më shumë se mua pushteti në Serbi. Beogradi dëshiron që ata të vendosin se kush është serb dhe kush jo. Për shembull veturave të serbëve nga Kosova të cilët i kanë kthyer targat e tyre në RKS në shumë raste janë djegur, por asnjë fjalë nga Beogradi për këtë. Pra, nga këndvështrimi i Beogradit, ka serbë të mirë dhe të këqij. Ata që kanë kartën e anëtarësimit të partisë në pushtet janë të mirë, ndërsa të gjithë të tjerët të këqij.
Nga ana tjetër, ky është një konfrontim në mes të Republikës së re të Kosovës dhe një shteti që nominalisht është Republikë, por që në fakt do të dëshironte të kthehej në mbretëri. Jo vetëm demokracia, por edhe Republika po e shqetësojnë presidentin autoritar dhe ai do të donte të bëhej mbret. Nuk është rastësi që rrethi familjar i presidentit është bërë shumë më i rëndësishëm se hierarkia shtetërore dhe partia politike. Në veri të Kosovës kemi ditë të qeta dhe të mira kur nuk ka urdhër nga Beogradi për dhunë. Nga ana tjetër, në Serbi, në ekranet televizive, në reality shoë, e më pas në shkolla e rrugë, keni shumë dhunë dhe vrasje. Serbët në Kosovë jetojnë shumë më mirë se serbët në Serbi. Por kriminelët në Serbi jetojnë shumë më mirë sesa në Kosovë. E shihni që protestat e Vuçiqit në Kosovë janë të dhunshme, dhe protestat kundër Vuçiqit në Beograd janë paqësore. Jetën e serbëve në Kosovë ua vështirëson pikërisht Beogradi, i cili nuk i lejon ata të integrohen. Njerëzit që nuk integrohen nuk jetojnë më së miri, ndërsa ata që integrohen jetojnë më mirë.
Por Beogradi nuk dëshiron që ata të jetojnë më mirë, ai dëshiron të ushqejë disi tensionet dhe potencialin për destabilizimin. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët, dhe besoj se politika duhet t’u shërbejë publikish krejtve.
Veçernji List: A do të thotë kjo se Beogradi dëshiron ndarjen e Kosovës?
Kryeministri Kurti: Siç edhe duket kjo ide nuk ka vdekur. Para pesë vitesh projekti i ndarjes së Kosovës ishte brenda dialogut dhe paqësor, por sot është i dalë mendsh dhe i dhunshëm, sepse në dialog nuk mund të gjenin më interlokutor, pra bashkëbisedues, i cili do të diskutonte me qetësi për ndarjen. Dëmin më të madh në integrimin e serbëve në Kosovë e ka shkaktuar pikërisht ky projekt i ndarjes.
Unë tani dua normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë evropiane duke zbatuar marrëveshjen me të 11 pikat, për të cilën vendosëm në Bruksel më 27 shkurt, dhe kjo është para së gjithash njohje reciproke de facto. Kjo marrëveshje u bë gjithashtu pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian. Ne na duhet normalizimi dhe evropianizimi i marrëdhënieve me Serbinë, e cila si e tillë, për fat të keq, e reziston këtë fuqishëm. Fqinjësia e mirë do të thotë të gjithë në shtëpinë e tyre dhe të gjithë së bashku në lagjen evropiane. Por që nga dhjetori i vitit 2015, nuk ka pasur asnjë përparim në lidhje me kapitullin 35 në negociatat e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe ai kapitull i referohet fqinjësisë së mirë të Serbisë me Kosovën.
Veçernji List: A kishit frikë në një moment se do të kishte luftë, për shkak të gjithë këtyre tensioneve, dhe kur Vuçiq dërgoi ushtrinë në kufi?
Kryeministri Kurti: Nëse do të ketë një luftë apo jo, varet nga Beogradi. Në këtë kuptim, situata nuk ndryshon shumë nga tre dekada më parë. Ne jemi këtu për të qenë të kujdesshëm dhe të fortë, por kurrë nuk frikësohemi. Shtetet që kanë një kompleks superioriteti, kur tkurren ose dobësohen, bëhen të rrezikshme. Sërish, Serbia është si Rusia në këtë kuptim. Por rreziku i tyre për ne nuk kthehet në frikë nga ta, por në përpjekje shtesë për zhvillim dhe demokraci. Kosova është Republikë demokratike, e cila sipas të gjitha organizatave ndërkombëtare është e para në mesin e këtyre gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor sa i përket sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave, të drejtave të njeriut dhe luftës kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, përparimin demokratik e shoqëruam me zhvillim ekonomik. Kemi pasur një rritje ekonomike mesatare prej 7.35% të Bruto Produktit Vendor në këto dy vite, eksportet dhe investimet e huaja janë dyfishuar në të njëjtën kohë, kemi shtuar më shumë se një miliard euro në vit në ekonominë tonë, ndërsa para nesh janë nevojitur tre vjet për të arritur një miliard, buxheti i shtetit është 17% më i madh se ai i mëparshmi. Pra, Kosova është një histori e suksesit të dyfishtë, ekonomisë dhe demokracisë, dhe në anën tjetër, ne jemi histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s 24 vjet më parë për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk