KUSH ËSHTË ANTISHQIPTARI HARUN HASANI?

22
Aug
2023
Shkruajn: Bedri Halimi e Dr. Xhevat Hasani


Emri i Harun Hasanit është i njohur në vazhdimësi për qëndrimet e tij pro serbe. Në shtator të vitit 1989, ai së bashku me akademikët e ASHAS, u përpoq që nëpërmjet të manifestimit të “dasmës gorane” në disa qytete të Serbisë, ta bindë opinionin serbë se goranët janë me origjinë serbe.
Harun Hasani ka qenë bashkëpunëtor nga Gora në projektin e hulumtimeve serbe që janë bërë për Kosovën dhe në veçanti për Gorën nga ana ASHAS dhe “Institutit Gjeografik “Jovan Cvijić” në periudhën 1991-1994, kur regjimi i Millosheviqit ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj shqiptarëve, turqve, goranëve dhe joserbëve të tjerë në Kosovë. Në këtë projekt regjimi serb kishte angazhuar 95 “hulumtues”, nga hulumtimet e të cilëve pastaj ishin botuar tri vëllimet e librave të lartpërmendur, brenda të cilëve edhe “hulumtimet shkencore” të Harun Hasanit kishin zënë vend të “nderuar”! S`ka dyshim se projekti i tillë me 95 hulumtues të të gjitha fushave ka qenë një projekt tipik kolonizues i Serbisë ndaj Kosovës. Projekte të tilla të përmasave më të vogla për ta mbajtur Kosovën sa më gjatë koloni të saj Serbia ka zbatuar edhe disa herë të tjera.
Harun Hasani në punimin e tij “Migrimi i popullatës nga Gora e Bjeshkëve të Sharrit” të botuar në njërin nga tri vëllimet e ASHAS, në mënyrë të përsëritur i citon të dhënat e autorëve serbë, tanimë të njohur për antishqiptarizmin dhe antiboshnjakizmin e tyre, siç kishin qenë: Milivoje Lutovac, Jovan Cvijiq, Petar Kostiq, ashtu siç i citon edhe shkrimet e gazetës beogradase “Politika”, e cila vazhdimisht ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë urrejtje, shpifje dhe gënjeshtra kundër shqiptarëve.
Kur shkruan rreth shpërnguljes së goranëve, Harun Hasani qëllimisht nuk i përmend arsyet e vërteta të shpërnguljes së goranëve nga Gora, por i lidh ato me kurbetin, me gjendjen ekonomike dhe sidomos me vendosjen e disa shqiptarëve në qytezën e Dragashit, të cilët sipas tij kanë ushtruar presion ndaj goranëve, gjë që realisht nuk ka ndodhur.
Sipas Hasanit, periudha e parë e shpërnguljes së popullatës gorane ka filluar “me fillimin e islamizimit të goranëve” në dy drejtime: në njërin drejtim drejt Prizrenit dhe bjeshkëve të Siriniqit, dhe në drejtimin tjetër drejtë Tetovës në fshatrat Dolno, Palqishte, dhe Tearce” . Konstatimi i tillë i Harun Hasanit është shumë vetëdemaskues, sepse shtrohet pyetja, nëse goranët e kanë lëshuar Gorën për shkak të procesit të islamizimit, si është e mundur që ata janë vendosur në ambiente edhe më të islamizuara se Gora, siç ka qenë asokohe Prizreni, Tetova etj.? Më tej, duke pasur parasysh se Hasani thotë se goranët para islamizimit të tyre ishin serbë, shtrohet pyetja pse atëherë goranët në fillim të procesit të islamizimit, duke qenë serb, siç thotë ai, nuk u vendosën në ambiente serbe në Serbi, por u vendosën në ambiente shqiptare të islamizuara, si në Prizren e në Tetovë?
E tëra flet se kur ka filluar procesi i islamizimit, goranët për vet faktin se nuk janë shpërngulur në Serbi, ata nuk kanë qenë serbë. Duke u vendosur në qytete si Prizreni dhe Tetova, ku procesi i islamizimit ka qenë më i shprehur se në Gorë, kjo flet se ata nuk janë shpërngulur nga procesi i tillë. Përfundimisht, del se goranët asokohe janë shpërngulur në qytete të afërta për shkaqe të rëndomta të natyrave të ndryshme. Shtrohet pyetja, pse Harun Hasani shpërnguljen e goranëve e lidh me fillimin procesit të islamizimit? Për asgjë tjetër, vetëm sa për të thënë se goranët para këtij procesi kanë qenë serbë.
Më tej, Harun Hasani pohon se “Shpërngulja e dytë e madhe e goranëve ka pasuar pas luftës së parë Ballkanike, respektivisht pas çlirimit të vitit 1912” .
Duke pasur parasysh se pas Luftës së Parë Ballkanike ushtritë serbe e kanë okupuar Kosovën, duke ushtruar masakra ndaj shqiptarëve, goranëve dhe joserbëve të tjerë, shtrohet pyetja, çfarë paraqet për Hasnin togfjalëshi “pas çlirimit të vitit 1912”?.
Nëse ai me këtë togfjalësh nënkupton çlirimin Kosovës e bashkë me të edhe të Gorës nga sundimi turk, shtrohet pyetja pse atëherë goranët nuk qëndruan në Gorë për ta gëzuar lirinë, përkatësisht pse ata pas luftërave ballkanike ishin shpërngulur duke u vendosur pikërisht në Turqi? E vërteta historike flet se shkaku i shpërnguljes së goranëve nga Gora dhe i shqiptarëve nga Opoja dhe nga e tërë Kosova pas luftërave ballkanike, ka ndodhur për shkak të krimeve dhe masakrave të ushtruara ndaj tyre nga ushtritë dhe xhandarmëritë e Mbretërisë serbe! Shqiptarët dhe goranët asokohe u shpërngulën për Turqi, sepse midis dy të këqijave (Serbisë dhe Turqisë) e zgjodhën më pak të keqën, Turqinë! Këtë e di mirë edhe Harun Hasani bashkë me padronët e tij, akademikët serbë të ASHAS.
Tanimë janë të njohura masakrat serbe të ushtruara ndër ato vite në trevat e Gorës, të Opojës dhe të Lumës në Shqipëri, të cilat ishin shkaku kryesor pse banorët e këtyre trevave u shpërngulën në Turqi, ashtu siç janë të njohura edhe lëvizjet çlirimtare shqiptare kundër okupimit të Kosovës nga Serbia pas luftërave ballkanike, lëvizje këto në të cilat kanë marrë pjesë edhe shumë goranë. Sa për ilustrim po i përmendim këtu personalitetet e shquara të trevës së Gorës, si Arif Krusha, Nail Hyseni, Rasim Zapodi, Dajlan Xhemë Basha, Murat Adem Murati, Rrahman Ali Murati, Qamil Mehmet Beqa etj., të cilët duke luftuar bashkë me shqiptarët kundër okupimit të Kosovës nga Mbretëia e Serbisë gjatë e pas luftërave ballkanike, u vranë nga ushtritë dhe xhandarmëritë serbe.
Se në çfarë mase ishin shpërngulur goranët për shkak të ushtrimit të masakrave ndaj tyre nga ana e Serbisë gjatë e pas luftërave ballkanike, tregojnë edhe të dhënat statistikore të atyre kohëve të paraqitura nga Sadik Idriz në mënyrë tabelore.
Tabela e numrit të popullsisë
Vendbanimi Numri i banorëve më 1913 Numri i banorëve më 1921
Baqka 410 167
Brodi 2.624 1.863
Vranishta 634 509
Globoqica 607 391
Dikanca 458 162
Dragashi (Krakoshta) 244 137
Zlipotoki 914 264
Kërsteci (i epër dhe i poshtmi) 637 299
Krusha 405 126
Kukajoni 506 361
Leshtani 417 336
Lybevishti 316 211
Mliki 326 260
Orqusha 376 242
Radesha 467 447
Rapqa (e epërme dhe e poshtme) 711 622
Restelica 2.279 745
Gjithsej 12.331 7.177
Më tej, Harun Hasani konkludon se shpërngulja e tretë e madhe e goranëve në qytete të afërta dhe në Turqi ka ndodhur “Pas Luftës së Dytë Botërore (LDB-së)”, siç shprehet ai, “për shkak të marrëdhënieve të reja ekonomiko-shoqërore, moszhvillimit ekonomik, vendosjes së kolektivizimit dhe ‘otkupit’ në fshat, një numër i madh i familjeve gorane përgjithmonë e lëshon vendlindjen e vet…Disa shkojnë në qytetet më të afërta: Prizren, Prishtinë, Tetovë, Shkup, Beograd, të tjerët shpërngulen në Turqi” .
Është e vërtetë se pas LDB-së, si goranët, ashtu edhe shqiptarët e kanë lëshuar Kosovën edhe për shkaqet të cilat i përmend Harun Hasani, por shkaqet e tilla nuk kanë qenë shkaku kryesor pse asokohe shqiptarët dhe goranët janë shpërngulur në Turqi. Pikërisht shkakun e tillë kryesor të shpërngulje së goranëve dhe të shqiptarëve për në Turqi pas LDB-së nuk e tregon “demografi” ynë Harun Hasani, sepse ky shkak vjen në kundërshtim me politikën proserbe që e bën.
Por e tha e s`e tha Harun Hasani, tanimë dihet botërisht se pas LDB-së, një pjesë e goranëve të Gorës bashkë me një pjesë të shqiptarëve të Opojës dhe të gjithë Kosovës, janë shpërngulur për në Turqi për shkak të padrejtësive, ndjekjeve, torturave dhe deri edhe vrasjeve që ishin ushtruar, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj goranëve, nga segmente të caktuara të njësive partizane serbo-jugosllave në mesin e të cilave kishte pasur edhe çetnikë, krejt kjo me qëllim që Jugosllavia dhe Serbia ta pushtonin Kosovën edhe me 1945 si dikur në vitin 1912. Sidomos në dy dekadat e para pas LDB-së, përkatësisht midis viteve 1945- 1966, shqiptarët dhe goranët janë shpërngulur në Turqi për shkak të dhunës, përndjekjeve dhe burgosjeve që kishin ushtruar ndaj tyre, “Njësitë e Mbrojtjes Popullore” (serbisht, “Odeljenje za Zaštitu Naroda- OZN-a”), dhe strukturat e “Sigurimit të Brendshëm të Shtetit” (serbisht, “Unutrašnja Deržavna Bezbedonost-UDB”), të mbizotëruara nga serbë e malazezë dhe të drejtuara nga serbi Aleksandër Rankoviq, asokohe Ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë.
Harun Hasani s’e përmend këtë shkak kryesor të shpërnguljes së goranëve në Turqi, sepse mendon se po ta përmend dhe ta paranojë këtë shkak, goranët e kuptojnë se nuk janë serbë. Kjo thjesht sepse sikur goranët të kishin qenë serbë, siç deklaron Harun Hasani, strukturat serbe të OZN-as dhe të UDB-së nuk do të kishin ushtruar ndaj tyre dhunë policore, tortura, burgosje e deri edhe vrasje njësoj si ndaj shqiptarëve.
Më tej, Harun Hasani duke shkruar se shkak i shpërnguljes së goranëve në Turqi pas LDB-së kishin qenë edhe “plaçkitësit (hamamxhinjtë – kaçakët) nga Shqipëria (Luma) ”, përpiqet që dhunën serbe të lartpërmendur ta maskojë nëpërmjet të një grushti hajdutësh nga krahina e Lumës në Shqipëri, të cilët herë pas here, kryesisht para LDB-së, si fshatarëve të Gorës, ashtu edhe atyre të Opojës, ua kishin vjedhur ndonjë bagëti, ndërkohë që regjimi shqiptar i asaj kohe hajdutët e tillë i kishte ndjekur dhe luftuar edhe në Gorë 6.
Si dëshmi që shpërngulja e goranëve për Turqi pas LDB-së ka qenë rezultat i presionit serb, më poshtë po japim një dokument me emra e mbiemra të goranëve të dënuar “për kriminalitet politik, i cili është hasur në zyrat e UDB-së në Dragash pas ikjes së forcave serbe në qershorin e vitit 1999.
Dokumenti mban titullin:
“Personat që janë dënuar për kriminalitet politik nga Brodi në rrethin e Gorës”
1. Nokaq Ebilja Asan, lindur 1917, 3 muaj burg në vitin1951. Është dënuar për shkak të paraqitjes armiqësore dhe fyerjeve të udhëheqësve të lartë. Më pas ka jetuar në Pejë.
2. Kalje Ragipa Jakup, lindur më 1922, është dënuar më 1957 me 6 muaj burg, për shkak të tentimit për ta kaluar kufirin ilegalisht.
3.Maslar Abidin Ismail, lindur më 1925. Është dënuar më 1956 me 6 muaj burg, për shkak të fyerjeve ndaj shtetit. Ka vdekur më 1990.
4. Paljosh Selima Shaqir, lindur më 1924. Është dënuar më 1946 me 4 vjet e 2 muaj si infornbyrorsit. Pastaj ka jetuar në Tetovë.
5.Paljosh Selima Ramadan, lindur më 1921, është dënuar më 1951 me 2 vjet burg si informbyroist. Pastaj ka jetuar me familje në Shkup.
6. Kapetanoviq Mustafa Sherif, lindur më 1923. Është dënuar më 1955 me 1 vit burg si informbyroist. Pastaj ka jetuar me familjen në Pejë.
7. Maslar Abidin Mamut, lindur më 1928. Është dënuar për veprimtari armiqësore.
8. Caro Qazima Jonuz, lindur më 1924. Është dënuar me 3 muaj burg, sepse thuhet që ishte në anën e Informbyrosë.
9. Blkan Beqir Jaish, lindur më 1939. Më 1985 është dënuar për veprimtari armiqësore sipas nenit 114 me 3 vjet burg. Pastaj ka jetuar në Prizren.
10. Kozar Beqir Jahija, lindur më 1927. Është dënuar më 1951 me 6 muaj për shkak të kalimit ilegal të kufirit. Pastaj është shpërngulur për Turqi.
11. Cako Jahija Sherif, lindur më 1916. Është dënuar në vitin 1949 me 9 muaj burg, për shkak se e ka “shkatërruar kooperativën”. Ka vdekur më 1989.
12. Mehmedi Memeda Selim, lindur më 1927. Është dënuar më 1949 me 6 muaj burg, për shkak të shkaktimit të urrejtjes nacionale. Ka vdekur me 1989.
13. Moukoq Ebilj Alija, lindur me 1910. Është dënuar më 1950 me 6 muaj burg, për shkak të akuzave ndaj udhëheqësve të lartë. Është i vdekur.
14. Djulderen Emin Ibraim, lindur më 1908. Është dënuar për shkak të fyerjes së personalitetit të Titos dhe udhëheqësve tjerë shtetëror. Është i vdekur.
15. Gunga Tefik Irfan, lindur më 1929. Është dënuar me 8 muaj burg, për shkak të veprimtarisë armiqësore. Është i vdekur.
16. Pupe Amit Arun, lindur më 1908. Është dënuar dy herë. Herën e parë me 3 muaj burg, herën e dytë me 6 muaj burg, për shkak të fyerjeve që i ka bërë figurës së Titos, Fadil Hoxhës dhe udhëheqësve tjerë të shtetit. Është i vdekur.
17. Shokar Mustafa Selim, lindur më 1917. Është dënuar me 2 vjet burg si informbyroist. Ka vdekur.
18. Osman Asan Gunga, lindur më 1913. Është dënuar me 3 muaj burg, për shkak të propagandës armiqësore në dobi të Bullgarisë. Ka vdekur” .
Si dëshmi se goranët janë përndjekur politikisht edhe në vitet e `70, të `80 dhe të `90, sërish po japim një dokument me emra dhe mbiemra të goranëve të dënuar për vepra “armiqësore”, i cili është gjetur në zyrat e UDB-së në qytezën e Dragashit pas ikjes së forcave serbe nga Kosova në verën e vitit 1999.
Dokumenti mbanë titullin:
“Lista e njerëzve që janë dënuar për shkak se kanë bërë paraqitje armiqësore publike në trevën e Gorës”
Dragash:
1. Alidini Zekrija
2. Sulejmani Ergin
3. Alidini Neat
4. Xheladini Nuredin
5. Selmani Sehadin
Radeshë
6. Ismajli Fazlija
7. Bekteshi Mestan
8. Jamini Asan
Lybevishtë
9. Pajaziti Sherif
10. Pajaziti Iso
Kukajan
11. Nexhipi Nexhip
Vraniq:
12. Rexhep Kamberi
13. Adilji Jasmidin
14. Memishi Rasima Rexhep, lindur me 1933, 15 ditë burg në vitin 1968
15. Osmani Raifa Muharem, lindur me 1933, 30 ditë burg në vitin 1968
16. Emini Eina Nafidin, lindur me 1941, 20 ditë burg në vitin 1969
17. Asllani Aruna Stmer, lindur me 1958, 20 ditë burg në vitin 1979
18. Muharemi Bajrama Fatima, lindur me 1950, 30.000 dinarë dënim në vitin 1987
19. Adili Ekrema Adilj, lindur me 1956, 20 ditë burg në vitin 1984
20. Ramadani Envera Asmir, lindur me 1969, 800 dinarë dënim në vitin 1990
21. Musa Raima Munafir, lindur me 1948, 300 dinarë dënim në vitin 1990
Mlik
22. Abdurrahmani Ibrahim
23. Murati Ahmeta Murat, lindur me 1954, 30 ditë burg në vitin 1973
24. Nasufi Szair Muidin, 30 ditë burg në vitin 1973
25. Abdurahman Demira Ibrahim, lindur me 1972, 30 ditë burg në vitin 1990 (29 nëntor 1990, rrahje)
Kërstec
26. Abdula Vlaznim
27. Selimi Mustafa Alija, lindur me 1947, i dënuar në vitin1971
Rapçë
28. Destani Sejran, lindur me 1956, i dënuar në vitin 1987
Orqushë
29. Shabani Almir
30. Kadri Adis
Në fund të punimit të tij Harun Hasani shkruan edhe lidhur me shpërnguljen e goranëve pas ikjes së forcave serbe nga Kosova dhe pas futjes së NATO-së në Kosovë. Sipas tij, “Fatkeqësisht nën presionin e terroristëve dhe separatistëve shqiptarë, gati të gjithë janë detyruar ta lëshonin vendlindjen e dytë. Pasurinë e tyre (shtëpitë, banesat, dyqanet) janë zotëruar, marrë, plaçkitur, shkatërruar. Strehim kanë kërkuar te të afërmit, miqtë, fqinjët, më së shpeshti në pjesën qendrore të Serbisë apo në Vojvodinë” .
Është e vërtetë se pas luftës disa elementë keqbërës kanë uzurpuar, jo vetëm disa dyqane të goranëve, por edhe prona të paluajtshme të shqiptarëve, por strukturat e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, bashkë me ato të UNMIK-ut dhe KFOR-it, si dyqanet e goranëve ashtu edhe pronat e shqiptarëve ua kanë kthyer të zotëve të tyre legjitim. Nga ana tjetër, sidomos kur ka qenë fjala për uzurpimin e disa dyqaneve të goranëve, në Kosovë si opinioni publik ashtu edhe ai publicistik ka treguar reagim të veçantë, gjë që popullatën gorane e ka inkurajuar që të jetojë në Kosovë. Duke i pasur të gjitha këto parasysh, nuk është e vërtet se shkaku kryesor i migrimit të popullatës gorane nga Gora pas luftës, ka ndodhur për shkak të uzurpimit të përkohshëm të disa dyqaneve të tyre nga disa keqbërës ordinerë, të cilët mund të gjinden në mesin e secilit popull, por që Harun Hasani i quan “terroristë shqiptarë”
Shkaku kryesor i migrimit (shpërnguljes) të një pjese të goranëve nga Gora pas qershorit të vitit 1999, ka pasur të bëjë me armatosjen dhe mobilizimin e dhunshëm të një pjese të goranëve brenda njësive ushtarako-policore serbe, si dëmet e shkaktuara nga një grusht i vogël goranësh keqbërës në shtëpitë e shqiptarëve, derisa ata kishin qenë të deportuar në pranverën e vitit 1999 nga ana e forcave serbe në Shqipëri. Kanë qenë armatosja, mobilizimi dhe dëmet e lartpërmendura, ato të cilat kanë bërë që një pjesë e goranëve, duke u ndier fajtor dhe pasur frikë nga përgjegjësia e mundshme e kanë lëshuar Gorën, duke u vendosur kryesisht në ambiente shqiptare të qyteteve të Kosovës, dhe pjesërisht në Serbi, kryesisht në ato vendbanime ku edhe më parë i kanë pasur dyqanet e tyre.
Duke pasur parasysh se tanimë ekzistojnë të dhëna zyrtare se Harun Hasani, Behadin Ahmetoviq, Vait Ibro dhe disa të tjerë si këta, kanë bashkëpunuar drejtpërdrejt me strukturat ushtarako-policore serbe për armatosjen dhe mobilizimin e goranëve, kjo do të thotë, se përgjegjës për shpërnguljen e kësaj pjese të goranëve në vitet e para pas luftës në Kosovë, menjëherë pas strukturave ushtarako-policore serbe, janë Harun Hasani, Behadin Ahmetoviqi, Vait Ibro dhe ndonjë tjetër si këta.
Një faktor tjetër ka qenë edhe fushata propaganduese e medieve serbe, sikur gjoja në Kosovë “terroristët dhe separatistët” shqiptarë po i vrisnin e masakronin serbët, boshnjako-myslimanët, goranët, turqit dhe romët, ajo e cila duke e shtuar frikën në mesin e goranëve, ka bërë që një pjesë e tyre ta lëshojë Kosovën. Natyrisht, se frikësimit të tillë të goranëve i kanë kontribuar edhe shpifjet e Behadin Ahmetoviqit dhe shokëve të tij në mediet serbe lidhur m situatën e pasluftës në Kosovë.
Vërtet, a mendojnë këta njerëz që tani na dalin me punime “shkencore” lidhur me goranët dhe Gorën, se një ditë kur Kosova të konsolidohet si shtet, dhe kur Serbia do të demokratizohet, ata mund të ekstradohen në Kosovë për të dalë para drejtësisë, si lidhur me armatosjen dhe mobilizimin e dhunshëm të goranëve brenda njësive ushtarako-policore serbe, ashtu edhe lidhur me krijimin e rrethanave që një pjesë e goranëve të shpërngulej nga Gora pas luftës. A e kuptojnë këta njerëz se në shekullin XXI në të cilin jetojmë, askush se duron shtypjen nga tjetri dhe gjërat ndryshojnë shumë shpejtë? Harun Hasani dhe Behadin Ahmetoviqi kurrë s`kanë besuar se Kosova do të bëhet shtet, por ja që u bë! A e dinë Harun Hasani dhe të tjerët si ai, se edhe Serbia nesër mund të ndryshojë, mund të jetë një Serbi tjetër, të cilën ata s`e dëshirojnë? A e din këta njerëz se sot janë dikush, e nesër mund të jenë kërkushi?! Vërtetë, a mendojnë këta njerëz edhe për nesër, apo jetojnë sot për sot?!
Më tej, Harun Hasanit, numri i goranëve të shpërngulur pas luftës nga fshatrat Mlik, Brod, Leshtan, Kukajan, Orqushë, Dikancë dhe Baçkë, i del të jetë më i madh se numri real i goranëve që në këto fshatra kanë jetuar para luftës.
Kështu, sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP-it serb), të cilat janë gjetur në qytezën e Dragashit pas ikjes së forcave serbe nga Kosova në qershorin e vitit 1999, thuhet se:
“Në qytetin e Dragashit ka pasur 1008 banorë, në Radeshë 1215, në Leshtan 666, në Lybevishtë 794, në Kukajon 629, në Vraniq 145 shtëpi me 731 banorë, në Orqushë 56 shtëpi me 221 banorë, në Mlik 76 shtëpi me 335 banorë, në Rapçë 293 shtëpi me 1781 banorë, në Kërstec 149 shtëpi me 837 banorë, në Brod 310 shtëpi me 1660 banorë, në Baçkë 54 shtëpi me 215 banorë, në Dikancë 66 shtëpi me 257 banorë, në Krushevë 184 shtëpi me 842 banorë, në Glloboqicë 224 shtëpi me 1005 banorë, në Zlipotok 128 shtëpi me 635 banorë, në Restelicë 615 shtëpi me 4011 banorë” .
Me që numri i goranëve të cilët Harun Hasani i praqet si të shpërngulur nga fshatrat e lartpërmendura pas luftës është më i madh se numri e goranëve të evidentuar nga MUP-i serb si banorë të këtyre fshatrave para luftës në Kosovë, shtrohet pyetja: Ku e ka gjetur Harun Hasani atë tepricë goranësh për t`a shpallur si të shpërngulur nga Gora, sipas tij, për shkak të presionit të “terroristëve shqiptarë” dhe të NATO-së! Po ku tjetër, përveçse në kuzhinën e shovinizmit serb, ku ai ka kohë që “punon” gratis!
Më tej, Harun Hasani si shkak të shpërnguljes të një pjese të goranëve nga Gora e përmend edhe vendosjen e disa familjeve shqiptare nga fshatrat e Opojës në qytezën e Dragashit! Por, a e di ky njeri se Opoja dhe Gora janë në Kosovë dhe jo në Serbi; se duke qenë Opoja dhe Gora në fqinjësi me njëra-tjetrën edhe lëvizjet reciproke të popullatave të tyre kanë ndodhur e do të ndodhin edhe në të ardhmen; se qyteza e Dragashi ka qenë dhe është qendra komunale edhe e Opojës edhe e Gorës; se e drejta e qytetarëve për të jetuar aty ku i krijojnë kushtet e jetës është e garantuar me konventa ndërkombëtare të të drejtave të njeriut; se qytezën e Dragashit goranët deri në prag të luftërave ballkanike e kanë quajtur Krahkosh, kurse pas luftërave ballanike administrata e mbretërisë serbe e ka emërtuar atë për herë të parë me toponimin serb si Dragash!
A e di ky njeri se lëvizjet demografike të popullatave të ndryshme brenda të të njëjtit vend askush s`mund t`i ndalojë, as edhe strukturat e regjimit të Milloshevqit, me gjithë përpjekjet e bëra në këtë drejtim, megjithatë, lëvizjet demografike të popullatave s`ka arritur t`i ndërpresë plotësisht! Çka do të ndodhte sikur qytetarët shumicë të Kosovës, shqiptarët, duke menduar si Harun Hasani, tani pas pavarësimit të Kosovës ta pengojnë vendosjen e goranëve me punë e dyqane në ambiente me shumicë shqiptare, si në Prizren, Prishtinë, Pejë etj. Të gjitha këto i di mirë Harun Hasani por shtiret sikur nuk i di!
Pse frikësohet Harun Hasani dhe shokët e tij të vendosur në Serbi, nga afrimi i shqiptarëve me goranët dhe nga afrimi i goranëve me shqiptarët?! Pse i trembët ai bashkëpunimit dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe goranëve?! Pse ai dhe shokët e tij si Behadin Ahmetoviqi dhe të tjerët në fund të viteve të `90 e iniciuan ndarjen e komunës së Dragashit, në mënyrë që prej saj të krijoheshin dy komuna, ajo e Gorës dhe ajo e Opojës?! Kush ia mësoi Harun Hasanit dhe shokëve të tij segregacionin e tillë etnik?! Nuk ka dyshim se segregacionin etnik ia ka mësuar atij “Partia Socialiste e Serbisë (SPS-i)” në krye me Milloshviqin, Borisav Joviqin dhe të tjerët si ata.
Deri sa regjimi serb pas pezullimit të autonomisë së Kosovës në marsin e vitit 1989 e kishte bërë segregimin e nxënësve në baza etnike nëpër shkolla, Harun Hasani, bashkë me shokët e tij si Behadin Ametviqi në fund të viteve të `90 segregacionin e tillë etnik e kanë bërë edhe midis të të vdekurve në varreza. Ata nuk kanë lejuar që të bëhet varrosja e shqiptarëve në varrezat e përbashkëta të goranëve dhe të shqiptarëve në qytezën e Dragashit! Ata goranët dhe shqiptarët s`kanë dashur t`i shohin pranë njëri-tjetrit as të gjallë e as të vdekur! Deri këtu ka shkuar shpirtligësia e Harun Hasanit dhe Behadin Ahmetoviqit!
Pse Harun Hasani i urren kaq shumë shqiptarët! Çfarë i kanë bërë atij shqiptarët! Duke qenë mjek stomatolog në qytezën e Dragashit, ai mbi gjysmën e pacienteve i ka pasur shqiptarë të Opojës. Nuk mbahet në mend që ai pacientëve të tij shqiptarë, qoftë edhe njëherë të vetme t`u ketë thënë një fjalë në gjuhën shqipe. Pse Harun Hasani e urren kaq shumë gjuhën shqipe! A e di ai se kur Krijuesi i ka krijuar gjuhët s’e ka parë të arsyeshme që ta krijojë vetëm gjuhën serbe, sepse kështu do të dëshironte Harun Hasani! A e kupton ai se kur Krijuesi kur i ka krijuar kombet s’e ka parë të arsyeshme që në këtë botë të krijojë vetëm kombin serb, sepse kështu do të dëshironte Harun Hasani! A i beson Krijuesit (Zotit) Harun Hasani, në mos si mysliman së paku si ortodoks!
Harun Hasani duke qenë i dhënë pas idesë së segregacionit etnik, ai shkruan në punimin e tij “shkencor”, se “edhe vet vendbanimi (Dragashi vr. jonë) është i ndarë në pjesën e epërme të Dragashit në të cilën jetojnë shqiptarët, dhe në pjesën e poshtme në të cilën jetojnë banorët e vjetër-goranët” .
Më tej, Harun Hasani kur flet për migrimin e goranëve nga Gora thotë: “Me vet faktin se Gora bën pjesë në mesin e vendeve më të pazhvilluara të Serbisë, mundësia e të shpërngulurve për t’u kthyer ka qenë e kufizuar” .
Duhet t`ia kujtojmë Harun Hasanit se Gora nuk është vend i Serbisë, por vend i Kosovës, ashtu siç duam t`ia kujtojmë se moszhvillimi ekonomiko-shoqëror ka pasur të bëjë jo vetëm me Gorën, por me tërë Kosovën, sepse resurset e shumta natyrore të Kosovës nuk janë shfrytëzuar për zhvillimin e saj, por për zhvillimin e Serbisë. Dhe së fundi duam t`ia kujtojmë Harun Hasanit, se si pasojë e moszhvillimit ekonomik të Kosovës dhe përndjekjes nga regjimi i Milloshviqit, qindra mijëra shqiptarë kanë marrë rrugët e botës duke u vendosur gjithandej vendeve të Evropës perëndimore së bashku me shumë goranë të rrethit të Gorës. Kështu, edhe migrimi i goranëve në qytete të Serbisë dhe në vendet e Evropës perëndimore nuk ka ndodhur për shkak të presionit të ushtruar nga “terroristët shqiptarë”, siç shprehet Harun Hasani për ta gënjyer opinionin serb, por ka ndodhur si për shkak të moszhvillimit ekonomik, ashtu edhe për shkak të përndjekjeve nga ana e regjimit serb.
Më tej Harun Hasani shkruan se “tani për fat të keq, kthimi i tyre dhe kthimi i përgjithshëm në Gorë varet nga ajo se a do të krijohen kushtet për sigurinë personale të qytetarëve dhe të pronës. Në të kundërtën, shumë goranë dhe popullata tjetër joshqiptare do të detyrohet t’i lëshojë vatrat e tyre, vetëm për arsye se flasin gjuhën serbe, apo pse Serbinë e ndjejnë si shtet të tyre” .
Harun Hasani e di mirë se në Kosovën e pavarur dhe të lirë, asnjë popullatë nuk e rrezikon tjetrën pse ajo flet këtë apo atë gjuhë, kurse qytetarëve të Kosovës të cilët duan që të “ndjejnë edhe Serbinë si shtet të tyre”, siç shprehet Harun Hasani, legjislacioni i Kosovës ua njeh të drejtën e dyshtetësisë. Ata mund të janë njëkohësisht shtetas të Kosovës dhe të Serbisë, ta kenë edhe pasaportën e Kosovës edhe të Serbisë etj. Harun Hasani mbase nuk e di se edhe ai vet, sikur të mos kishte ushtruar në Kosovë krim politik, do të jetonte në qytezën e Dragashit duke folur serbisht dhe duke i thënë vetës serb, bile po të donte edhe kinez!
Harun Hasani, Behadin Ahmetovqi, Vait Ibro, Orhan Dragashi e disa të tjerë si këta, gjatë tërë viteve të `90-ta të regjimit të Millosheviqit kanë bërë 1001 shpifje kundër shqiptarëve, akuza të rrejshme dhe ofendime në gazetat serbe e në ekranin televiziv të Beogradit, e megjithatë atyre nga shqiptarët s`u ka munguar as qimja e flokut! Shtrohet pyetja ku ishin ata “terroristë shqiptarë” për të cilët shkruajnë e flasin Harun Hasani dhe shokët e tij ditë e natë në Beograd. Ku ishin këta “terroristë” që s`ndërmorën asgjë kundër Harun Hasanit dhe shokëve të tij! Fakti se Harun Hasani, Behadin Ahmetoviqi, Vait Ibro dhe disa të tjerë edhe sot janë gjallë, fletë qartë se në Kosovë s`ka pasur terroristë shqiptarë.
Më tej, Harun Hasani në shkrimet e tij pohon se gjuha të cilën e flasin goranët i përket gjuhës serbe, por kështu nuk mendon dialektologu serb A. Belić , kurse P. Ivić edhe pse ky i fundit është njëri nga njohësit më të mirë të historisë së gjuhës serbe, megjithatë, ai rezervohet për ta konsideruar të folmen e Gorës si dialekt të gjuhës serbe (shih “Die Serbokroatischen Dialekte, ihre Struktur und Entwicklung, Mouton s’ Gravenhage 1958, fq. 44 ). Pse Harun Hasani dhe kompania e tij, duan të bëhen më gjuhëtarë se vetë gjuhëtarët serbë!
Është e çuditshme kërkesa e Harun Hasanit e vitit 1990 drejtuar strukturave të “Kishës Ortodokse Serbe” në Prizren, që ato të merrnin vendim që në vendin e quajtur “Vlashka” në Gorë të ndërtohej një kishë ortodokse. Me kërkesën e tij ishte çuditur asokohe edhe vet patriarku Pavle, i cili duke e refuzuar kërkesën e tillë ishte shprehur: “Ky është një budallallëk, ç`na duhet kisha ortodokse në ato mjedise ku s`ka asnjë serb!” . Me sa duket, patriarku Pavle ishte shprehur gabim kur kishte thënë, “ç`na duhet kisha ortodokse në ato mjedise ku s’ka asnjë serb”, sepse megjithatë, në krahinën e Gorës së paku Harun Hasani mund ta ndjejë vetën serb.
Përfundimisht, Harun Hasanin nuk e pengojnë vetëm shqiptarët, por edhe goranët të cilët nuk mendojnë si ai.
Kështu, ai e ka akuzuar edhe politikanin dhe intelektualin nga Gora, Sadik Idrizi, duke thënë se ai “e ka studiuar gjuhën serbe, kurse tash e mbron qëndrimin se goranët flasin boshnjakisht dhe ashtu të përcaktohen” , se “atë e përkrah kryeredaktorja e revistës boshnjake “Alem”, Nadira Avdiq – Vllasi, se krejt këtë e bën që sa më shumë njerëz të vendosin për shpërngulje”

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk