KUSH I BIE REALISHT “TENEQES SË NDRYSHKUR” TË BALLIT KOMBËTAR KUNDËR LANÇ”?!

15
Jun
2023

-Intervistë dhënë Gazetës SOT, datë 15 Qershor 2023-
-Zoti Bruçi, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, vijon përbaltjen e LANÇ dhe Heronjëve e Dëshmorëve të saj. Kohët e fundit, zoti Hoxha ka sulmuar edhe Heroin e Popullit Kajo Karafili, të cilin e etiketon “vrasës me pagesë”?!
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, ka nxjerrë nga varri “teneqen e ndryshkur” të ballistëve të kohës së luftës, dhe si një pinjoll i denjë i kësaj skote bastarde të kombit tonë, i bie çdo ditë me rrapëllimë, duke shpifur e mallkuar LANÇ, Epokën më të ndritur të historisë së popullit shqiptar. Pasi nxori listën e parë me rreth 250 ish drejtues të Ushtrisë Partizane Nacional Çlirmtare, të cilët me një të rënë të lapsit i emërtoi “kriminelë”, shoqëruar edhe më një botim special me të dhëna po “speciale”, Çelua konstatoj se politikanët dhe pushtetarët që e kanë vendosur në krye të Institutit në fjalë, nuk u qederosën shumë, pasi e kishin mendjen tek tenderat dhe koncesionet. Nga kjo, ai mori vrull, si të parët e tij të djeshëm drejt kotecëve të pulave, duke u betuar e stërbetuar se këtë “mision” do ta vijojë, gjer sa të mos mbetet partizan i LANÇ pa u emërtuar “kriminel”, për t’i zëvendësuar në të pastajmen me ushtarët e Ballit të djeshëm, të cilët u vranë, vdiqën dhe u varrosën për kokën e Duxes dhe mustaqet e Adolf Hitlerit.
Inkursioni i tij baltosës shkoi këto ditë gjer tek Heroi i Popullit Kajo Karafili, i cili sipas Çelos, na paska qenë “një vrasës me pagesë”. Këtë epitet për heronjtë e vendit tonë e të tij, nuk e ka origjinal, por të huazuar nga intelektualë si puna e Fatos Lubonjës, i cili së bashku me studiuesin gjerman Shmid, na e nxori Gjergjin tonë të shekullit XV një komit plaçkitës; apo, për të ardhur në ditët tona kur deputetje Mesila Doda, në një panel opinionistësh të TV, e quajti Avni Rustemin, “vrasës me pagesë”. E me që shkoi tek Kajo Karafili, Çelo, nuk kurseu as Myslim Pezën, i cili e pati Kajon, luftëtarin dhe atentatorin e famshëm kundër nazifashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ballisto-zogistë.
Veprimet e Çelo Hoxhës, këtij pinjolli pervers të ballistëve të djeshëm, përveç urrejtjes organike që ushqen ndaj fitimtarëve të LANÇ, tregojnë edhe një demencë të theksuar e të trashëguar nga të parët, të cilët lindën, u rritën dhe jetuan gjithnjë nën hijen e të huajve, prej nga siguronin miradinat e pushtetit të pamerituar. Nga ky pozicion i trashëguar, ai nuk mund ta kuptojë, se gënjeshtra kur është trashanike, është e destinuar të pëlcasë në ferrën më të parë. Çelo dhe shokët e tij, mund të mashtrojnë e manipulojnë historinë për një, dy apo tre komandantë të LANÇ, por kur kjo shifër “made in Çelo,” përfshin armatën e çlirimtarëve dhe të vetë LANÇ, bëhet jo vetëm e pabesueshme, por edhe boomerang për vetë autorin dhe autorët. Ta zgjatësh majën e shigjetës helmuese gjer tek Heronj të tillë të mirënjohur në shkallë botërore, siç Qemal Stafa, Vojo Kushi, Vasil Shanto, Kajo Karafili, etj, etj., e gjer tek Babë Myslimi i fmashëm i Çetës së parë partizane në Europë, është një perversitet që asnjë lloj race njerëzore, qoftë edhe hasmi i drejtpërdrejtë i shqiptarëve, nuk do ta përtypte. Duket sheshit se Çelo Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij në Institutin famëkeq të Krimeve të Komunizmit, po tregohen më të avanzuar se ata që i paguajnë, duke realizuar zagarin e keq të stanit, i cili leh pa pushim, me qëllim që të dëgjojë i zoti e t’i sjellë gavetën e gjellës.
-Pak ditë më parë, Çelo Hoxha raportoi në Kuvendin e Shqipërisë për punën e IKK gjatë vitit 2022, raport që u miratua me 83 vota e dy abstenime në seancën plenare të Kuvendit. Ajo që bie në sy, është fakti se raporti në fjalë u votua me votat e PS, e cila pretendon se mbron LANÇ, ndërkohë lejojnë Çelo Hoxhën të hedhë baltë e të vjjellë vrerë mbi të. Keni një koment?
“Teneqes së ndryshkur”të Ballit Kombëtar kundër LANÇ nuk i bie Çelo Hoxha. Ai nuk ka këllqe të shpifë aq shumë, qoftë dhe në rrugicat e fshatit të tij, e jo bash në tribunën e Kuvendit. Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë e datës 8 qershor 2023, e sqaron saktë këtë çështje. Gjatë leximit të raportit në fjalë, në sallën e Kuvendit kishte vetëm 22 deputetë, të shpërndarë si “stërqokë” qosheve të sallës. Mungonin qeveritarët me kreun e tyre, por mungonte edhe Kryetarja e Kuvendit. Fajin për këtë “mungesë” e kishin kamerat televizive, të cilat mund të deskrititonin prezencën e tyre në këtë “spektakël pervers” të tipit ballisto-fashsit.
Jo njëherë, unë kam shkruar drejtpësërdrejti për hipokrizinë e Partisë Socialiste, e cila ditën dhe në mitingje me qytetarë, betohet dhe mallëngjehet për LANÇ, ndërsa natën dhe skutave të mbledhjeve, konferencave, takimeve dhe seancave, i bashkohet histerisë së ballistëve, kësaj race ekzemplare në fushën e tradhëtisë kombëtare. Në seancën në fjalë, diskutuan nja tre apo katër deputetë nga kontigjenti i opozitës, por asnjë nga PS, “mbrojtësja” e LANÇ. Ama, kur erdhi puna për votim, me “urdhër të kryetarit” të PS-së, raporti i Çelos mori 83 vota pro dhe vetëm dy abstenime. Sqarojmë, se për arsyen e “përçarjes” më shumë se njëvjeçare të PD, shumica dërmuese e shifrës 83 ishin të Partisë Socialiste, e cila pesë ditë më pas do të kishte përvjetorin e 32 të lindjes, por edhe vdekjen e dukshme dhe përfundimtare të saj si parti që pretendon se mbron LANÇ dhe Dëshmorët e Atdheut.
Fatkeqësisht, socialistët e thjeshtë, të tmerruar nga “bëmat” e Berishës me shokë, nuk e kanë kuptuar e nuk po e kuptojnë degradimin e partisë së tyre, të cilën e quajnë herë “socialiste” e herë “rilindje”. Këtë degradim, partia e tyre e kishte të pashmangshme, si parti në shërbim të sistemit kapitalist, por në rastin e PSSH, degradimin ia shpejtoi vetë kryetari i saj, Edi Rama, i cili është kthyer në një tiran partiak e shtetëror. Realisht, këto “cilësi”, ai i ka manifestuar qysh në “vigjilje” të veprimtarisë si politikan. Në vitin 1992, së bashku me të ndjerin Ardian Klosi, në librin “Refleksione”, shkruan e zeza në të bardhë, parullën: Komunistët në litar, veteranët në hanxhar!” Më ardhjen në krye të pushtetit qëndror, dhe pasi mori kartën e anëtarit të PS, e disa muaj më vonë edhe postin e kryetarit të saj, Rama deklaroi se “Unë jam përtej të majtës dhe të djathtës”, që do të thoshte as më shumë e as më pak, nazifashizëm. Pak më vonë, kur u stacionua mirë në karriken e KM, përuroi në kodrat e kryeqytetit bustin e Kryeballistit Mit’hat Frashëri, dhe u tha veteranëve “të ulnin kokën . . .”! Në vijim, nën pretekstin e rindërtimit të Stadiumit Kombëtar, i hoqi këtij emrin e heroit të Popullit, Qemal Stafa, që e mbante prej dekadash, dhe e zëvendësoj me “Air Albania”. Për të arritur tek fjalët domethënëse që Rama deklamoi në 32 vjetorin e krijimit të PS, kur midis të tjerave tha se “Duhet të shkojmë përtej Partisë Socialiste . . .”!
Anëtarësia e thjeshtë të Partisë Socialiste nuk po arrin t’i kuptojë këto veprime të Kryetarit tyre. Ndaj dhe Kryetari e Kryeministri Rama, së bashku me të kooptuarit e tij në parti e në pushtet, nuk pyesin as për LANÇ e Dëshmorët e saj, e as për çështjen tonë kombëtare, njësoj si simotra e saj PD. Objektivi i tyre është pasurimi në kurriz të popullit, dhe shitja e resurseve kombëtare të të huajve, me ndihmën e të cilëve marrin e mbajnë pushtetin e pamerituar.
-Keni një mesazh për Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha?
Po u drejtohem Çelo Hoxhës, dhe gjithë “Çelove” të ballistëve, socialistëve, demokratikasve dhe sorollopit të tyre, duke ju thënë se balta juaj mbi mermerin e kuq të LANÇ dhe Dëshmorëve e Luftëtarëve të saj, nuk mund të ngjisë kurrsesi. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, e organizuar dhe e udhëhequr nga Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Legjendari Enver Hoxha, ishte dhe mbetet Lufta më masive, më e organizuar, më unike dhe më kombëtare, në historinë shumëshekullore të shqiptarëve. Qëndrimi hipokrit i neoballistëve, demokratikasve dhe socialistëve, ndaj kësaj lufte, nuk është gjë tjetër veçse një antishqiptarizëm i kulluar, çka duhet demaskuar pa mëshirë nga të gjithë shqiptarët e vërtetë.
LANÇ ishte dhe do të mbetet një gurë i provës së zjarrtë të shqiptarëve ndër shekuj, që për Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë derdhën lumej të tërë gjaku. Dhe gjaku i shqiptarëve të vërtetë, nuk mund të bëhet ujë.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk