Heu Shqipëri, moj nanë me vlerë,
shtrat i lashtë, gur i nderë,
me lot n’sy e zemër plagë,
thërret bijtë me za të madh.
–
Ku janë burrat si Skënderbeu,
që i dhanë dritë këtij dheu?
Ku asht Isa me flamur n’dorë,
ku asht Ademi n’kull me shokë?
–
Ku janë burrat që s’dridhen kurrë,
me pushkë, me fjalë, me zemër burrë?
Ku janë ata që me një betim,
bashkojnë gjakun, tokën, fisin?
–
Heu Shqipëri, ti thërret prej malit,
si zanë plakë n’rrënjë t’drurit t’lashtë;
të zgjohet gjaku i bijve t’ballit,
të shndritet harta me ngjyrë t’flamurtarit.
–
Ti don bij si rrufe qiellore,
që shkreptijnë zjarr mbi tradhti mizore;
ti don trima që bashkojnë vendin,
që s’e shesin kurrë, por e mbajnë nderin.
–
Të ngjiten prapë në kreshtë t’lisit,
të lidhen tok si varg i fisit,
të bëjnë një besë gegë e toskë,
me zemër shqipe, me gjak t’fortë.
–
Se pa burra, kombi tretet,
pa një za, Shqipnia shketet;
por me djem që ngrihen si gurë,
u ngjallë prapë e bahet nur.
–
Heu Shqipëri, moj nanë krenare,
bijtë e tu le t’ngrihen n’kambë,
me emna t’mëdhej, me hije drite,
me flamur n’ballë – deri n’pafundësi!
–
Ngrihu, Shqipni, me za t’nanës,
mos prit tjetër, mos lyp anës;
bijtë e tu si rrufe të marrin hak,
ta ndezin kombin, ta lëshojnë flakë!
—
✍️ Genci Sefa – Lushnja
I robëruar në emër të Atdheut
———————————————————
MALL PËR FËMIJËRINË
Si fëmijë, mezi presim të rritemi,
të mbajmë botën me duar të forta;
nga maja e viteve shpresojmë të shohim
qiellin më pranë, jetën ta njohim.
–
Por kur rritemi, shpejt e kuptojmë,
se lartësia s’është liri;
është barrë që shpatullat rëndon,
është mall për lojën, për fëmijëri.
–
Si fëmijë, me topin prej leckash,
vraponim zbathur në pluhur vere;
qeshnim me gjunjë të gërvishtur,
bota ishte e jona – plot lojë e hare.
–
Në prehrin e nënës flinim të qetë,
me përralla që natën e zbukuronin;
atëherë nuk njihnim barrën e ditëve,
as mallin që me vitet do ta kuptonim.
–
Fëmija ëndërron të bëhet burrë,
burri kthehet te koha e parë;
ashtu si lumi që shkon pa kthim,
në breg të humbur shikon me mall.
–
Në çdo stinë njeriu mbart
një mungesë që zemra e thërret:
një fëmijë që s’kthehet kurrë,
veç në kujtime buzëqesh.
–
Sekreti i jetës ndoshta qëndron,
fëmijën në zemër kur e mbajmë gjallë;
se vitet ikin, koha shkon,
po drita e ëndrrës s’vdes me mall.
–
Por kur shpirti rëndohet nga dita,
kujtoj lojën, zërin, prehrin ku u rrita;
më mbetet veç hija e asaj kohe,
se fëmijëria s’kthehet kurrë,
sado që mundohe.
—
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut 🇦🇱
Autori
Genc Sefa-Lushnja


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
