KUSHTRIMTARI I LIRISË, RAFI HALILI

07
Jun
2023

Shkruan: Berat Luzha
Sot shoqëria “LËVIZJA” organizoi në Tetovë zbulimin e pllakës përkujtimore – nderuese për veprimtarin Rafi HALILI. Para shtëpisë së familjes Halili sot ishin tubuar veprimtarë të shumtë nga të gjitha viset e Atdheut, përfshirë edhe Ali AHMETIN, kryetar i BDI-së. Pllaka përkujtimore u vendos në prag të shënimit të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, 50-vjetorit të themelimit të OMLK-së dhe 41-vjetorit të konfliktit të armatosur me milicinë e kohës, që ishin futur në shtëpi pa paralajmërim.
Rafiu ishte një hero i heshtur, por shumë aktiv në veprimtarinë ilegale atdhetare. Veprimtarisë ilegale i dha kuptim dhe orientim të drejt e të duhur. Ishte njëri ndër krerët e veçantë të rezistencës ilegale, veprimtaria e të cilit i bashkohet përpjekjeve të përgjithshme të shqiptarëve nën Jugosllavi për liri e bashkim kombëtar.
Si i ri Rafiu ishte betuar para flamurit që tërë jetën do të luftojë për liri e bashkim kombëtar, të cilit betim i ka ndejtur besnik deri në fund të jetës së tij. Qysh i ri ishte nxjerrë nga bankat shkollore, bashkë me shokun e bankës, Gafur Lokun, në vitin 1967, kur ishte nxënës i klasës së dytë të shkollës së mesme. Dhe, kishin përjetuar torturat më të rënda nëpër burgjet jugosllave. Burgun dhe torturat çnjerëzore i përjetoi edhe për shkak se kishte qëndruar në ballë të demonstratës të vitit 1968 në Tetovë, kur ishte përjashtuar nga shkolla. Ende si gjimnazist, me shokët e tij kishte hyrë në mjediset e gjimnazit të Tetovës për t’i rrëmbyer armët e shkollës, që shërbenin për mësim paraushtarak. Pastaj, ishte arrestuar për herë të katërt, sepse kishte formuar grupin ilegal “Kushtrimi i lirisë”, që shpërndante literaturë të ndaluar dhe shkruante gjithandej parulla “armiqësore”, me kërkesa për liri e bashkim të trojeve tona me shtetin amë. Në shtëpi kishte lënë nënën, gruan me tre fëmijët me emra të veçantë; Rinën, Shqipërikuqen dhe Shqipdëshmorin. Familja e tij gjithashtu kishte pësuar tortura e burgje.
Në burg Rafiu njihet dhe shoqërohet me të burgosur politikë, veçanërisht me Rexhep Malën, tash Hero i Popullit. Edhe pas lirimit nga burgu Rafiu kishte vendosur kontakte me Rexhep Malën dhe me shokë të tjerë të Kosovës, me qëllim të bashkëveprimit ilegal. Në shtator të vitit 1981 Rafiu kishte vendosur kontakte veprimtarie me OMLK-në në Prishtinë. Kontaktet me Rafiun i kanë mbajtur Shaip Ismaili, Bejtullah Tahiri e të tjerë. Pas vendosjes së lidhjeve me Prishtinën, “Kushtrimi i lirisë” furnizohet me literaturë ilegale, duke u bërë si një degë e OMLK-së në Tetovë.
Natën e 6 e 7 qershorit 1982, para plot 41 viteve, kur Rafiu ishte kthyer fshehurazi nga ilegaliteti në shtëpi, ishte rrethuar nga milicia, por nuk ishte dorëzuar, madje ishte përballur me armë zjarri, me ç’rast kishte plagosur tre milicë dhe ishte plagosur rëndë edhe vetë. Spitali e kishte larguar në gjendje të rëndë, kurse Gjykata e Shkupit e kishte dënuar me burg të përjetshëm.
Edhe pse u torturua rëndë shumë herë e u burgos katër herë, ai u mbijetoi vuajtjeve dhe kurrë nuk u nënshtrua. Asnjëherë nuk e zgjodhi arratisjen nga vendi, por e zgjodhi qëndresën, si një lis i fortë e i pathyeshëm. Ndaj, meriton ta quajmë simbol i rezistencës kombëtare në Maqedoninë shqiptare.
Pra, Rafiu ishte një idealist, një atdhetar dhe një revolucionar i devotshëm. Kudo e kurdo ishte i paepur dhe i vendosur deri në fund.
Për Rafiun kam dëgjuar para vitit 1981, si një shok me të cilin duhet ta bashkërendojmë veprimtarinë ilegale. Bashkë me Gursel Sylejmanin, tash Dëshmor i Kombit, e kam vizituar Rafiun në shtëpi, pas daljes së tij nga burgu. E kam takuar edhe herë të tjera nëpër veprimtaritë e organizuara gjithandej. Gjithnjë ishte mbresëlënës për përkushtimin e tij kombëtar. Të theksojmë se Rafiu ishte shok i ngushtë ideali dhe bashkëveprimtar edhe i tash Dëshmorëve të Kombit, Gafur Loku e Rexhep Mala dhe i shumë veprimtarëve tjerë.
Veprimtaria e Rafiut skalitet në antologjinë e persekutimeve të shqiptarëve nga regjimi antishqiptar dhe antipopullor titist.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Rafi Halili!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk