LAJTHITJET E SHKRIMTARIT TONË KOZMOPOLIT!

14
Nov
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gaeta SOT, datë 13 Nëntor 2023-
Kur njeriu kalon njëfarë moshe, fillon e harron, dhe ndonjëherë edhe i ngatërron gjërat. Ne që i konstatojmë këto ngatërresa, apo “gafa”, themi për të moshuarin se, “paska lajthitur”. Mirëpo ky epitet nuk mund të përdoret, për shkrimtarin tonë, Ismail Kadarenë, kandidatin 35 vjeçar të çmimit “Nobel”. Intervista e tij dhënë këto ditë gazetës italiane, “La Stampa”, e që lidhej me Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk mund të quhet lajthitje. Kjo për dy arsye: Së pari shkrimtari ynë vijon të jetë aktiv në fushën e tij të krijimtarisë, çka eleminon epitetin e mësipërm. Së dyti, “lajthitjen”, që unë po përdor në këtë shkrim, ai e ka manifestuar të paktën që në moshen 54 vjeç, në kulmin e krijimtarisë së tij artistike, kur u arratis dhe mori azil politik në Francë. Dhe kjo, nuk mund të quhet lajthitje moshe, por “lajthitje politike”. Kjo lajthitje politike ndodhi në vitin 1990, kur “drejtuesi” i “diktaturës komuniste”, Ramiz Alia, kishte nisur të nxiste Ismailët, Salitë, Popët dhe disa intelektualë të tjerë, t’i bashkoheshin atij në përmbysjen e socializmit në Shqipëri.
Plot 33 vjet Kadareja sodit Parisin dhe shkruan romane në sheshin Elizé. Romanet e tij “pariziane” kanë mbërritur dhe në Shqipëri, por pjesa dërmuese e qytetarëve, nuk u ka parë as kopertinën. Se nuk i kanë lënë hallet dhe dertet e shkaktura nga “pluhuralizmi politik” dhe “gërrmërrkracia borgjeze”. Edhe vetë Kadareja ka ardhur ngandonjëherë në Shqipëri, për të parë “dy shtëpitë e tij muze”, në Tiranë dhe Gjirokastër, ngritur me taksat e qytetarëve shqiptarë. E në këto ardhje, ai nuk ka patur kohë të qante “hallet dhe dertet” e bashkëatdhetarëve. Ama, intervistat e tij, dhënë shtypit botëror, kanë mbërritur dhe qytetarët kanë mundur t’i shohin, duke i gjykuar, dikush si “arritje”, e dikush si “lajthitje”. Kështu ndodhi edhe me intervistën më të fundit, që bënte fjalë për marrëveshjen Rama – Meloni, për çështjen e emigrantëve. Në këtë rast, unë po cek disa nga “lajthitjet” e autorit, të cilat ngjajnë si dy pika ujë me gjithë lajthitjet e tjera që nuk kanë qenë të pakta:
. “Çfarë duhet të festojmë?” – është pyetja e parë e gazetës.
“9 Nëntorin, rënien e Murit të Berlinit, – thotë Kadare. Sot, si 34 vjet më parë, vijon ai, u mund komunizmi dhe u kthye ëndrra e lirisë”. Interesant! Pikërisht kur Kadare thoshte këtë frazë, në frontin e luftës Ukrainë – Rusi, në qendër të Europës, pëlcisnin predhat dhe raketat mbi teritore, të cilat banohen nga qytetarë të të gjitha moshave. Për të mos e zënë në gojë kasaphanën në Rripin e Gazës.
.“Çfarë mendoni për marrëveshjen Rama – Meloni, për të sjellë emigrantë në Shqipëri?”, – është një pyetje tjetër, ajo më kryesorja.
“Këto janë gjëra të vogla që ndodhin mes qeverive, nuk më interesojnë . . . Shqipëria dhe Italia janë tashmë të bashkuara; janë 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali, shumë italianë janë shpërngulur në Shqipëri . . . fëmijët tanë kanë baballarë italianë. Ku është problemi këtu?”, – pyet në mënyrë retorike Kadare.
Problemi është se deri tani, shqiptarët nuk kanë shprehur dëshirë të bashkohen me Italinë. Në vitin 1939 Italia na pushtoi dhe Shqipërinë e përfshiu në “Imperatorinë romake”, ku përfshiheshin Italia, Shqipëria dhe Etiopia”. Shqiptarëve iu desh një luftë 5 vjeçare për t’u çliruar nga kjo “imperatori” dhe për t’u shpallur Republikë Popullore e Shqipërisë. Jam i sigurtë, se sikur Ismail Kadare të ishte në moshë madhore në 14 prill 1939, do të rreshtohej në mërgatën e “intelektualëve” shqiptarë, që marshoi në Romë, për t’i dorëzuar Viktor Emanuelit, Kurorën e Skënderbeut! Ndërsa shprehjen “fëmijët tanë kanë baballarë italianë”, nuk mund ta lëçit as me shokun e tavolinës, ku pi kafen e mëngjezit.
Lajthitja e tretë e shkrimtarit tonë, lidhet me pyetjen: “A është e drejtë të ndalosh emigrantët jashtë Europës? A është njerëzore apo është çnjerëzore kjo politikë?”
“Evropa është një lagje e bukur dhe të gjithë duan të vinë këtu. Kjo është normale. Njerëzit kanë lëvizur gjithmonë, që nga kohët e lashta. Nuk e kuptoj askënd që nuk është dakort”. – përgjigjet hazërxhuvap, shkrimtari ynë i madh.
Është e vërtetë se Europa, është një lagje e bukur për Kadarenë, sepse falë “azilit politik” dhe pengut më të cilin e ka siguruar, mrekullinat e Parisit i shijojnë tmerrësisht. Por pyetja shtrohet: A është vërtet e bukur “lagja europiane” në të gjithë metër katrorët e saj, dhe për të gjithë ata që punojnë e jetojnë në këtë lagje të stërmadhe?! Shumica e emigrantëve shqiptarë, por edhe plot banorë vendas, nuk e konsiderojnë “lagje të bukur”, por një lagje me shumë probleme politike, ekonomike e sociale. Nga ana tjetër, po të pyeten banorët e vendeve të Europës, nuk besoj se do të pranonin t’i bashkonin vendet e tyre në një lagje të përbashkët. Madje disa nga vendet, si Spanja, për shembull, nuk e ka të sigurtë as “lagjen” e tij kombëtare, jo më të bëhet një lagje me të tjerët.
Ndërsa thelbit të pyetjes për njerëzoren apo jo njerëzoren e ndalimit të emigrantëve dhe vendosjen e tyre në Shqipëri, Kadare e kalon pa cekur konkretisht. Ai e din shumë mirë se vendosja e emigrantëve të Azisë dhe Magrepit në Shqipëri, çka përbën thelbin e marrëveshjes Rama – Meloni, jo vetëm përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, por edhe se këto kampe me emigrantë, që do të zgjasin me muaj e vite, do të quhen “kampe” të mirëfillta internimi apo izolimi, nofkë që do ta “gëzojë” Shqipëria, dhe jo Europa, drejt së cilës nisen par azil emigrantët në fjalë. Për më tepër, përveç nofkës në fjalë, shqiptarët do të “gëzojnë” edhe probleme të tjera kritike.
Kur diskutohet për çështjen e Bashkimit Kombëtar, liderët e politikës dhe intelektualët kozmopolitë si Kadare me shokë, këtej e matanë kufirit artificial “shqiptar – shqiptar”, na thonë se shqiptarët do të bashkohen pasi të hyjnë në Bashkimin Europian. Manovrat e Melonit të Italisë për çvendosjen nga Italia në Shqipëri të emigrantëve të vendeve të treta, që synojnë Italinë dhe Europën, na verteton më së miri, dyshimin e disa të “krisurve”, se nëse do të hyjmë në BE, sejcili shqiptar me “kerrin” e vet, me siguri, jo vetëm do të zëmë karriket e fundit, aty afër derës, por do të na “dhurojnë” edhe nga një fshesë, për të pastruar sallën e mbledhjeve të Bashkimit Europian.
Shqiptarët e zakonshëm, dhe që përbëjnë shumicën e banorëve të Shqipërisë, e kanë ende në mendje e në zemër shkrimtarin e tyre të madh. Por këtë pozicion, ai duhet ta meritojë. Shqipëria ka shumë halle e derte, ndaj presin nga Kadareja, t’i ngrohë me ndonjë propozim, me ndonjë fjalë dhe doemos me ndonjë vepër, e jo t’i ftohë gjer në palcë, me intervista kozmopolite të globalizmit. Se Globalizmi, vendet e vegjël, i kullufit si bombonet e kalamajve, nëse ato nuk i dalin zot vetes.
. . .
Poeti dhe shkrimtari i madh gjerman, Johan Volfang Gëte, për të nxjerrë vendin e tij nga prapambetja dhe kriza ekonomike, ku e kishte futur neglixhenca dhe injoranca e feudalëve vendas të shekullit 18-të, la mënjanë letrat e artit, dhe iu fut studimeve gjeologjike, duke përcaktuar shkëncërisht ligjësitë e mineraleve të dobishme dhe mundësinë e shfrytëzimit të tyre në interes të vendit. Jo vetëm kaq, por vullnetarisht mori detyrën e ministrit, duke rihapur e vënë në punë minierat, që shtetarët injorantë i kishin mbyllur si të panevojshme. Ishte ky veprim, i cili e nxori Gjermaninë nga kriza dhe e rreshtoi atë hap pas hapi, me ekonomitë e zhvilluara të Francës, Anglisë, etj.
A mund ta realizojë Gëten gjerman, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare?
Jeta është e shkurtër për të mbetur në histori, dhe shumë e gjatë për t’u turpëruar!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk