LETËR E HAPUR

06
Nov
2025
Shkruan: Genc Sefa – Lushnja


Për ata që mohojnë gjakun dhe sakrificën
Nuk po shkruaj për t’u justifikuar, por për t’ua kujtuar atyre që harrojnë:
Liria nuk u fitua me fjalë, por me gjak.
E gjaku nuk harrohet.
Kur lëngoja në spitalet e improvizuara të UÇK-së,
i plagosur në operacionet speciale diversante, në “Operacionin Shigjeta”, ata që kishin ikur nga lufta bënin festa nëpër Stankovec, Çegran, Kukës e gjetiu — besa edhe brenda Kosovës.
Unë luftoja në shi, në baltë e nën plumba;
ata rrinin në tenda e kafene, duke pritur
që t’u sillnim lirinë gati.
Më vonë, kur — me gjymtyrë të amputuar — u ktheva në male për të luftuar në Luginën e Preshevës, ata që kishin ikur tashmë po ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre si “veteranë”, me dokumente të fituara nëpër zyrat që s’kanë parë kurrë tymin e barutit.
Unë ngrita pika, përgatita qindra luftëtarë nga Dobrosini në Karadak, ndërtova me duart e mia Brigadën 115 “Nijazi Azemi”, ndërsa disa përdornin vërtetimet e luftës si patentë shoferi.
Unë isha përsëri në male — ata ishin nëpër kafene.
Kur shërbeva për profesionalizimin e liderëve të ardhshëm të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës,
si Instruktor i lartë i Shtabeve dhe Komandave (ligjërues në Qendrën Simulative TRADOK),
për të gjitha zonat e Kosovës dhe njësitë autonome, të tjerë përdornin librëzat e luftës
për përfitime personale, për punë të dyta apo për t’i shpëtuar ndonjë gjobe trafiku.
Harruan se ajo libreze ishte emblemë nderi,
jo privilegj.
I harruan betimet, shokët, idealet.
Për ta, Atdheu u kthye në treg.
Për të gjithë ata që sot bëjnë patriotizëm nga telefoni, që rrahin gjoksin nëpër rrjete sociale dhe fyejnë ata që kanë luftuar vërtet — respektin tim nuk do ta kenë kurrë.
Unë e di kush ishte në vijën e parë dhe kush në radhën e fundit të strehimit.
E di kush dha gjak dhe kush dha fjalë pas lufte.
Respekt të përjetshëm u jap luftëtarëve të vërtetë e të heshtur, që nuk kërkojnë lavdërime, por e mbajnë krenarinë në shpirt.
Ata janë gurët mbi të cilët ngrihet historia jonë.
E për ata që përpiqen të hedhin baltë mbi personalitetin tim — kujdes.
Balta që hidhni sot do t’ju kthehet nesër në bumerang.
Unë nuk kam frikë nga e vërteta — ajo është jeta ime, plagët e mia, gjaku im.
Dëshmitë e mia janë të verifikueshme në çdo institucion të Shqipërisë, të Kosovës, të Luginës
dhe kudo ku është zhvilluar lufta për liri.
Ju sfidoj ta bëni. Pyetni, kërkoni, verifikoni.
Unë s’kam nevojë të shpik asgjë —
sepse unë isha aty.
Në bashkëngjitje: video dhe dokumente që mbështesin çdo fjalë të kësaj letre.
Unë nuk u ndala në Kosovë për të bërë karrierë,
por vazhdova ashtu siç ishte Betimi i dhënë dhe amaneti i Dëshmorëve:
“Nuk do ta ndalim luftën deri në çlirimin e plotë të trojeve të pushtuara të Shqipërisë.”
Dhe këtë e bëra — edhe pse rrallë u shpërblye në emër të Atdhedashurisë — por e bëra sepse kështu ma kërkoi ndërgjegjja, nderi dhe besa shqiptare.
Të fala luftëtarëve të rrjeteve sociale,
mohuesve të gjakut e sakrificës dhe mercenarëve.
Me nder,
Genc Sefa – Lushnja
Ish-ushtarak (Instruktor me gradën kapiten, i liruar me nder dhe me medaljen për shërbim të merituar)
Luftëtar i lirisë në: UÇK (i plagosur),
UÇPMB, (i njohur si Komandant Lushnja)
Pjesëmarrës në Lagjen e Trimave, Kumanovë
(komploti i fundit kundër shqiptarëve —
i robëruar me 40 vite burgim për këtë ngjarje)

P.S.
Ky shkrim nuk është drejtuar shqiptarëve të vërtetë — atyre që me vlera të provuara dhe vuajtje shekullore kanë qëndruar pranë kauzës kombëtare dhe që e nderojnë sakrificën e dëshmorëve.
Fjalët e mia u drejtohen vetëm atyre që mohojnë gjakun dhe sakrificën, falsifikatorëve të kujtesës dhe atyre që, si skutha, përpiqen të zbehin figurën time dhe të shesin idealet për përfitime personale.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/11/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk