LETËR E HAPUR DREJTUAR KREUT TË SPAK-ut, zotit ALTIN DUMANI!

27
Jan
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, 26 Janar 2024-
Zoti Altin Dumani, Kryeprokuror i SPAK-ut:
Mga pozicioni i qytetarit të thjeshtë të Republikës, po ju drejtohem me këtë letër publike, me shpresën se do të mund ta lexoni nga faqet e shtypit të ditës. Jo njëherë kam trajtuar në organet e medias së shkruar, probleme që lidhen me ecurinë e Reformës në Drejtësi, e cila qysh në nisje mori përsipër të eleminonte mitin e pandëshkueshmërisë , manifestuar në tri dekada tranzicion, sidomos në radhet e elitës së lartë të politikës e të pushtetit në vendin tonë. Në të gjitha ato shkrime, kam qenë skeptik për rezultatet e pritshme të Reformës së Re në Drejtësi. Këtë skepticizëm e kam bazuar në faktin, se sistemi borgjez – kapitalist, i ngritur mbi krimin dhe korrupsionin, nuk mundet kurrsesi të dënojë gjer në fund këto dy fenomene, që janë pjellë e pashmangshme e tij.
Sigurisht, Struktura që ju drejtoni, ka patur edhe rezultate në zbulimin, hetimin dhe dënimin e disa prej të korruptuarëve, por këto rezultate kanë qenë minore, krahasuar me pritshmërinë e qytetarëve. Nëse do të bëjmë një llogaritje të thjeshtë të kohës, të shpenzimeve dhe të rezultateve, bilanci do të na dalë negativ. Vini re: Në vitin 2014 nisi ngritja e Komisionit Parlamntar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë; Në 2015 u përgatit Dokumenti Analitik, i cili kishte për qëllim aspektet e organizimit, funksionimit dhe administrimit të reformës së re; për të mbërritur në 21 Korrik 2016, ku 140 deputëtët e Kuvendit të Shqipërisë i dhanë jetë SPAK-ut dhe organeve të tij hetuese e gjykuese. Nga kjo date e fundit e gjer sot, kur SPAK-u mbushi 7,5 vjeç, nuk ka arritur të kapë, qoftë edhe një “peshk të madh” (siç thoshte ambasadori Donald Lu) nga krimi dhe korrupsioni. Çapi i tij, ka mbërritur vetëm tek një ministër në detyrë, i cili pas dy apo tri vitesh kaloi “arrest shtëpie”, dhe disa të tjerë të këtij niveli, të cilët janë dënuar, apo priten të dënohen, pasi kanë ikur nga postet, ku e patën realizuar krimin dhe korrupsionin. Me këtë ritëm prej “breshke” që po ecën SPAK-u, krahasuar më “revanin” e krimit dhe korrupsionit, shembja e mitit të pandëshkueshmërisë zor se do të ndodhë.
Shembullin e këtij “ritmi disproporcional”, e kemi parë këta muajt e fundit. Nga data 20 Tetor 2023, gjer në datën 24 Janar 2024, plot 95 ditë, iu desh SPAK-ut t’i mbushte mendjen Berishës, të shkojë në zyrat e tij për të deponuar, lidhur më Kompleksin e klubit “Partizani”, ku dyshohet se Saliu ka “ngjyer gishtin” me korrupsion. Imagjinoni se sa ditë, muaj, apo vite do t’i duhet SPAK-ut, të qepë dosjen në fjalë dhe të na thotë qartazi se kush i ka ngritur kullat korruptive mbi themelet e klubit sportiv.
Sikur të mos mjaftonte kjo kohë e tejzgjatur e hetimeve, gjykimeve dhe dënimeve nga ana e SPAK-ut, ja ku vjen edhe prononcimi më i fundit i juaj, në takimin me përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit, ku midis të tjerave, ankoheni se jeni vetëm 17 prokurorë, se keni një numër të kufizuar hetuesish, dhe se keni shumë çështje në hetim. Kjo, thoni ju, na ka sjellë vështirësi në ecurinë e punës. Megjithatë, ju na premtoni se: “Objektivat e SPAK në 5 vitet e ardhshme janë që të kemi dhënë prova, se në Shqipëri, ka rënë miti i pandëshkueshmërisë, që do thotë se zyrtarët e lartë, të mesëm dhe të ulët, do merren në pergjegjësi penale dhe do ketë vendime të formës së prerë ndaj tyre”.
Zoti Dumani, 5 vitet e ardhshme që ju premtoni, bashkuar me 8 vitet që kanë kaluar qysh nga nisja e kësaj pune, bëjnë plot 13 vjet, një kohë tepër e gjatë për të arritur “vrapin e korrupsionit”, fshehjen e të korruptuarve, apo azilin e tyre në vendet ku kanë fsheur “plaçkën” e korrupsionit. Nga ana tjetër premtimi juaj ka një pasaktësi teknike: Ju, iu mbeten vetëm edhe 2 vjet në mandatin e Kreut të SPAK-ut, kështu që tre vitet e tjera të premtimit, lerja kolegut që do të vijë në vendin tuaj, ashtu siç erdhët ju në vend të zotit Arben Kraja. Me këtë ritëm pune, unë mendoj se, fundi i mitit të pandëshkueshmërisë, të paktën për të korruptuarit e 33 viteve të “demokracisë”, nuk ka për t’u arritur sa të jenë gjallë këta të korruptuar. Pas vdekjes fizike e natyrore të tyre ndoshta, por atëhere do të jetë tepër vonë dhe pa dobi për qytetarët shpresëhumbur.
Nuk di nëse pranoni këshilla nga qytetarët e thjeshtë, megjithatë unë po e harxhoj “fishekun” tim. Ju e dini fort mirë, zoti Kryeprokuror i SPAK-ut, se Piramida e krimit dhe korrupsionit, ngritur në vendin tonë në këta 33 vite të “demokracisë borgjeze”, i ngjan Piramidës së Keopsit, me ndryshimin se në themelet e saj nuk prehen eshtrat e Faraonit, por fshihen pasuritë e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Që të shembet kjo “piramidë” moderne, mjafton t’i heqim kupolën, dhe ajo për disa ditë bie, si një kala prej rëre. Kjo kupolë ka në përbërje katër figura nga më të rëndësishmet e tranzicionit tonë të stërgjatur: Berishën, Bashën, Ramën dhe Metën. Ata janë personazhe të dukshme e të padukshme të shumë dosjeve korruptive, por ju zgjidhni njërën prej tyre dhe pikërisht Dosjen e 21 janarit të vitit 2011, ku këta katër liderë, janë personazhet kryesore të tragjedisë së vrasjeve në bulevard të katër qytetarëve të pafajshëm. Të katër këta persona, kush më shumë e kush më pak, do të dalin përgjegjës për kasaphanën e asaj date, dhe sipas meritës, do të zënë qelinë e burgut, ose më e pakta, qoshen e oxhakut të shtëpisë së tyre, duke e çliruar vendin nga kjo katërshe, që ka mbërthyer në fyt, jo vetëm demokracinë e premtuar, por edhe jetën private të çdo qytetari.
Nuk keni pse shqetësoheni për mungesën e hetuesve, mjafton të merrni në tavolinën e gjykimit pamjet e zakonshme filmike të televizioneve për atë datë kriminale, argumentet e të cilave janë të mjaftueshme, pa qenë nevoja të shoqërohen me ekspertiza plumbash e përralla të tjera, që mundohen të sajojnë avoketërit e krimit dhe të djallit. Dënimi i kësaj katërsheje myteberësh (jo muskëterësh), do t’i hapte rrugë, e do t’i jepte kurajë edhe gjykatësit më të thjeshtë të vihet plotësiht në gjykimin e mijëra dosjeve të krimit e korrupsionit, që prehen prej vitesh në sirtarët e Gjyqësorit tonë të të tri shkallëve.
Kjo, zoti Dumani, është më e pakta që mund të bëni, për të jusifikuar disi trajtimin special që u ka siguruar shteti, jo me lekët e tij, por me taksat e popullit. Nëse e shihni të pamundur këtë veprim, atëherë pranojeni pamundësinë tuaj dhe tërhiquni nga ajo detyrë, e cila nuk mund të mbahet, kur nuk je i zoti ta realizosh.
Të paktën nuk do të mbeteni në histori si “prestigjiatorë iluzionistë” të shpresës së humbur për drejtësi të qytetarëve.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk