z.Marti Ahtisaari
President i Finlandës
Shkëlqesia Juaj!
Pasi keni bërë një punë të mirë si mediator ndërkombëtar për problemin e Kosovës, dhe duke qenë i bindur se Shkëlqesia juaj bën shumë për procesin e mëtejshëm të çështjes së Kosovës, jam i detyruar t’Ju dërgoj përsëri këtë letër.
Shkëlqesia Juaj!
Megjithëse të trajtuar në mënyrën më barbare, me mijëra kosovarë, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm, mezi presin një të ardhme më të mirë në shtetin demokratik, duke u përpjekur që të harrojnë dhe të falin.
Shkëlqesia Juaj!
Në qoftë se qytetarëve gjermanë u ishte ndaluar e drejta për t’iu afruar qytetit serb të Kragujevacit për atë çka kishin bërë baballarët e tyre 50 vjet më parë (duke vrarë 100 serbë), si mundet që kosovarët të jetojnë në paqe dhe siguri, derisa ushtria që ka bërë krime shumë të rënda mund të ecë lirisht dhe se paramilitarët akoma enden nëpër Kosovë.
Shkëlqesia Juaj!
Në emrin e mijëra nënave, baballarëve dhe bijve të Kosovës dhe në emrin e humanizmit, kërkoj nga Ju që të përdorni autoritetin tuaj për të liruar shqiptarët e pafajshëm nga burgjet serbe.
LETËR E HAPUR, NGA KËSHILLI KOSOVAR I TË DREJTAVE DHE TË LIRIVE TË NJERIUT, DEGA NË DANIMARK
Juaji sinqerisht,
Xhemil Zeqiri
Kopenhagë, 3 shtator 1999
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!