Letër e hapur për z. Rrustem Berisha dhe z. Rrahman Rama

22
Jun
2026
Shkruan: Majlinda Shala

Unë jam Majlinda, vajza e një invalidi të luftës së Kosovës. Po ju drejtohem publikisht pas shumë vitesh heshtjeje, sepse dhimbja për padrejtësinë që më është bërë nuk është shuar kurrë. Nuk po kërkoj privilegj, nuk po kërkoj mëshirë, por po kërkoj përgjigje dhe drejtësi.
Si është e mundur që unë, vajza e një invalidi të luftës, me dokumentacion të rregullt dhe me emrin në listat e propozuara nga shoqatat e invalidëve dhe dëshmorëve, mbeta jashtë, ndërsa persona të tjerë që nuk i plotësuan kriteret sot janë pjesë e ushtrisë?
Zoti Rrahman Rama, ju duhet të përgjigjeni para meje, para familjes sime dhe para opinionit publik. Kur jeni njoftuar për padrejtësitë që po ndodhnin në atë proces? Kush mori vendim që disa kandidatë të largoheshin pa asnjë arsye të bazuar?
Ajo që më dhemb më shumë është fakti se neve na kërkohej të nënshkruanim dokumente për të pranuar se mbeteshim jashtë procesit, pa na sjellë asnjë dëshmi, asnjë raport, asnjë vendim zyrtar dhe asnjë fakt që e arsyetonte largimin tonë. Na kërkohej të nënshkruanim verbërisht, pa pasur asnjë dokument përpara.
Personat zyrtarë që ishin prezentë, ndër ta edhe Fatmir Limes që na kërkonin me ngulm që ti nënshkruanim ato dokumente dhe të pranonim largimin tonë. Por unë nuk nënshkrova kurrë. Nuk mund të nënshkruaja një padrejtësi. Nuk mund të pranoja një vendim pa prova, pa fakte dhe pa asnjë sqarim.
Që nga dita kur u hap konkursi, ne e kuptuam se po bëheshin përpjekje për të na larguar. Kemi parë me sytë tanë se si kontrolloheshin dokumentet tona me një kujdes të veçantë, sikur kërkohej çdo arsye e mundshme për të na eliminuar nga gara. Ndërkohë, për disa të tjerë kriteret nuk vlefshin fare.
Ne nuk kërkuam asgjë më shumë se një proces të drejtë dhe transparent. Kërkuam vetëm që të vlerësoheshim sipas meritës. Por në vend të drejtësisë, u përballëm me presion, me heshtje dhe me mbyllje dyersh.
Më kujtohet se pas reagimeve tona na thatë se do të kishte sqarime. Na ftuat për takim në zyrë që të diskutonim për gjithë këto parregullsi. Ne erdhëm me shpresë se më në fund do të dëgjohej e vërteta. Por kur arritëm aty, ju nuk dolët fare në takim. Ne pritëm, por përgjigjja nuk erdhi kurrë.
Sot, pas kaq vitesh, duket sikur disa njerëz duan të sillen sikur nuk e njohin historinë tonë. Por si mund të harrohen familjet që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës? Si mund të harrohen invalidët e luftës, plagët e tyre dhe sakrifica e tyre?
Prindërit tanë nuk kërkuan pasuri. Ata morën armët për ta çliruar këtë vend. Luftuan që ne të kishim mundësi të barabarta, që fëmijët e tyre të jetonin me dinjitet në shtetin për të cilin derdhën gjak. Por në vend të respektit, ne u përballëm me pengesa, me padrejtësi dhe me vendime që edhe sot mbeten pa shpjegim.
Prandaj po ju pyes publikisht: Kush mori vendim që ne të mbeteshim jashtë? Ku janë dokumentet dhe dëshmitë që e arsyetojnë atë vendim? Pse na kërkohej të nënshkruanim pranimin e largimit pa na paraqitur asnjë provë? Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë proces?
Unë nuk do të hesht. Jo vetëm për veten time, por për çdo vajzë dhe djalë të familjeve të luftës që është ndjerë i diskriminuar dhe i harruar. E vërteta nuk vjetrohet dhe drejtësia nuk ka afat skadimi.
Kosova meriton institucione që respektojnë sakrificën e atyre që luftuan për të. Ndërsa ne meritojmë përgjigje për padrejtësitë që na janë bërë.Zoti Rrahman Rama, pyetja ime është e thjeshtë: Si arritët të harroni njerëzit me të cilët ndatë rrugën e luftës?
Ju e njihni shumë mirë babanë tim dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë. Bashkë me ta morët rrugën për Shqipëri, bashkë morët armatimin dhe bashkë vazhduat rrugën për çlirimin e Kosovës. Ishin vite të vështira, vite sakrifice, kur askush nuk pyeste për poste e pozita, por vetëm për lirinë e atdheut.
Prindërit tanë nuk kursyen as jetën për Kosovën. Ata besuan se pas luftës do të ndërtohej një shtet i drejtë, ku fëmijët e luftëtarëve dhe invalidëve do të trajtoheshin me dinjitet dhe barazi.
Por çfarë ndodhi në fund?
Kur erdhi koha që ne të kërkonim vetëm një mundësi të drejtë, u përballëm me diskriminim dhe padrejtësi. Na kërkuan të nënshkruanim dokumente për të pranuar largimin tonë pa na paraqitur asnjë dëshmi, asnjë fakt dhe asnjë vendim të argumentuar. Ne nuk nënshkruam, sepse nuk mund të pranonim një padrejtësi të tillë.Sot, pas kaq vitesh, duket sikur jeni bërë thuajse sikur nuk i njihni më familjet me të cilat ndatë rrugën e luftës. Sikur nuk i njihni ata që sakrifikuan gjithçka për këtë vend. Kjo dhemb më shumë se çdo padrejtësi tjetër.
Ndërsa ju, zoti Rrustem Berisha, duhet të jepni përgjigje për diskriminimin që është bërë ndaj shumë të rinjve e të rejave nga familjet e luftës. Askush nuk kërkoi favore. Kërkuam vetëm drejtësi, transparencë dhe trajtim të barabartë.
Koha kalon, por e vërteta mbetet. Ne nuk harrojmë sakrificën e prindërve tanë dhe nuk do të heshtim për padrejtësitë që na janë bërë. Ata luftuan për një Kosovë të lirë dhe të drejtë, jo për një Kosovë ku pushteti të harrojë rrënjët e veta.Sot mund të keni pasur pushtet dhe pozita, por pushteti kalon. Ajo që mbetet është ndërgjegjja dhe përgjegjësia para atyre që sakrifikuan për këtë vend.
Me respekt,
Majlinda Vajza e një invalidi të luftës së Kosovës

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/06/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk