Te shqiptarët, fatkeqësisht, është modë që të vdekurit të lartësohen. Sa ishte gjallë Bujar Bukoshi, ishte ofenduar në formën më të ulët. Ndërsa vartësi i tij, Tahir Zemaj, ishte bërë hero. Tahir Zemaj gjithçka mund të jetë, pos hero. Të heroizohet veprimtaria e tij është të fundoset tërësisht historia!
Tahir Zemaj ishte vrarë më 4 janar të vitit 2003.
Dyshohej se mbrapa atentatit ndaj tij ka qëndruar grupi i Bedri Krasniqit dhe Florim Ejupit. Dyshimet nuk janë vërtetuar.
UNMIK kishte arrestuar disa persona në fillim, pastaj i kishte liruar.
Rasti sot përdoret për të goditur Thaçin, ndërsa familja Zemaj e di fare mirë që ai s’kishte lidhje me rastin.
Madje, hetuesi i UNMIK-ut, Terry Gallagher, ishte nervozuar pse nuk po mund ta lidhin në asnjë formë atentatin e Tahir Zemajt me Hashim Thaçin. S’mund ta lidhin, sepse s’ka lidhje. Asnjë formë e lidhjes.
Ana e panjohur e Tahir Zemajt
Tahir Zemaj ka lindur më 28 dhjetor të vitit 1951.
Ka të kryer Akademinë Ushtarake (drejtimi i këmbësorisë) në Beograd në vitet 1970-1974. Ka punuar si oficer i Ushtrisë Jugosllave në vende të ndryshme të Jugosllavisë me detyra të veçanta. Ka shërbyer një kohë në Zajeçar, Knježevac dhe Negotin.
Nga viti 1984-85, me gradën major, caktohet me detyrë në Prishtinë, ku për disa vite ka qenë kryeshef i Qendrës së Mbrojtjes Territoriale në Hajvali, i emëruar nga ana e serbëve, në krizën më të madhe për Kosovën.
Tahir Zemaj ka qenë komandant i Njësisë Speciale të Policisë Jugosllave me veprim në Kosovë, për shtypjen e “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”.
Tahir Zemaj ishte martuar me dy gra serbe.
E para ishte Gordana Travića – Zemaj, me të cilën ishte martuar gjatë shërbimit të tij në Knježevac dhe Negotin. Në Zajeçar martohet me një tjetër serbe. Emri i saj është Liljana Stanković – Zemaj. Me të kishte dy fëmijë, djalë e vajzë. Pas luftës u martua edhe me një shqiptare!
Krahas detyrave speciale ushtarake, Tahir Zemaj në fund të viteve ’80 lidhet ngushtë me nëntokën jugosllave e ruse në Gjermani, duke hyrë thellë në rrjetin e trafikimit të drogës që i sillte fitime të mëdha. Për këtë, më 4.5.1988, Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë kishte ngritur aktpadi kundër grupit të Tahir Zemajt, të cilët e mbanin linjën kryesore të kontrabandës me drogë në relacionin Stamboll – Prishtinë – Beograd – Madrid – SHBA. Destinacioni bazë i kësaj vije të trafikimit të drogës ishte Italia.
Gjykata e kishte dënuar me gjashtë (6) vjet burg dhe ia kishin llogaritur edhe kohën sa ishte në paraburgim, nga data 8.02.1988. Tahir Zemaj e kishte pranuar veprën, por kishte thënë se kinse ka qenë i infiltruar në atë grup nga SBPF (shërbim inteligjent serb brenda policisë). Gjykata e kishte refuzuar me arsyetimin se Zemaj po gënjen për t’i ikur përgjegjësisë penale. Prokurori i cili i kishte mbledhur provat ishte Reshat Millaku.
Dokumentet zyrtare do t’i publikoj në koment.
Kur ushtari i UÇK-së, Agim Zeneli, e kishte rrëzuar një helikopter serb në Çeskovë, Tahir Zemaj e kishte urdhëruar arrestimin e tij me arsyetimin se e ka thyer “besatimin” me serbët, kishte treguar Ramadan Gashi, bashkëluftëtar i Agim Zenelit. Agim Zeneli është dëshmor i kombit.
Tahir Zemaj organizoi dorëzimin masiv të armëve të fshatrave të Rrafshit të Dukagjinit në Isniq dhe formimin e „policisë lokale serbe“, ku pjesa dërrmuese e njerëzve që i kishte caktuar Tahir Zemaj në kuadër të Mbrojtjes Territoriale pas 15 gushtit 1998 për t’iu bërë barazpeshë UÇK-së nëpër fshatra, në shtator policia serbe do t’i emërojë përgjegjës në radhët e „policisë lokale serbe“ personat: Brahim Tetaj, Elez Balaj, Maxhun Muçaj, Naser Hoxhaj, Sali Haxhosaj etj.
Përgjegjësia e Tahir Zemajt për vdekjen nga plagët e gjeneralmajor Skënder Çekut
Praktikisht, Beteja e Loxhës ishte udhëhequr nga dëshmori Skënder Çeku. Tahir Zemaj nga zyret kishte premtuar se në rast se ndonjë ushtar plagoset, ai ka kontaktuar me doktorët dhe mund të trajtohen e shërohen. Skënder Çeku ishte plagosur rëndë. Kusheriri i Skënder Çekut, Sami Çeku, po ashtu ushtar i Betejës së Loxhës, kishte shkuar e Prapaqan ku ishte Tahir Zemaj për të kërkuar ndihmë. Fillimisht i kishin thënë “koloneli është i zënë”, e pastaj i kishin thënë “Pse e lëshuat Loxhën, ka qenë e lehtë të rrezohen ata aeroplanë e helikopterë”. Samiu u kishte thënë “po pse ju nuk erdhët t’i rrëzoni, por po rrini të mbyllur në kazermë”.
Samiu kishte insistuar që Skënder Çeku të shkonte në Lug të Drinit, ngase kishte dëgjuar se atje ka shokë që mund ta sigurojnë urologun Ramë Salihu. Tahir Zemaj, pas daljes nga kazermë, u kishte thënë “Ramë Salihu gjendet në Ulqin dhe se me të unë personalisht kam pasur kontakt në telefon”. Xhipat ishin nisur për Kryshec dhe u kishte thënë nisuni për Drenicë, sepse në Kryshec nuk ka asnjë doktor e as nuk ka të plagosur. Në fakt, në Kryshec kishte shumë të plagosur. Asnjë i plagosur me xhipat e Tahir Zemajt nuk shkoi në Drenicë, por nga spitali i Kryshecit u transferuan për në Semetishtë. Të nesërmen, Skënder Çeku vdes.
Pas çlirimit të Kosovës, Samiu e kishte pyetur urologun Ramë Salihu se a kishte qenë në Ulqin siç i kishte thënë Tahir Zemaj; Ramë Salihu i kishte thënë “kam qenë në spital duke punuar dhe kurrë Tahir Zemaj nuk më ka kontaktuar”.
Më 8 shtator, ora 17:00, ikja nga kazermat ishte bërë pa ndonjë arsye dhe pa u zbrazur asnjë fishek. Të gjithë ikën me urdhër të Tahir Zemajt, pa i njoftuar bile as ushtarët që ishin nëpër pika. Kur ushtarët e pyetën “çfarë të bëjmë me të plagosurit”, Tahir Zemaj u kishte thënë “Ushtria nuk ka mundësi të merret me ta”. Në mesin e të plagosurve ishte edhe vëllai i Ramush Haradinajt, Enver Haradinaj dhe Faruk Xhemajli.
Në mëngjes, me të arritur në pikën kufitare, hasin në forcat serbe. Aty e pesojnë ushtarët: Shpëtim Bobi nga Lybeniqi dhe Sadri Vishaj nga Belegu. Shpëtim Bobi paraprakisht kishte bërtitur “na tradhtuat”.
Babai i dëshmorit Ylli Morina fajëson Tahir Zemajn
Në shtatorin e dezertimit të madh, Tahir Zemaj kishte lënë 17 të plagosur në Spitalin e Kryshecit, në mesin e të cilëve edhe Ylli Morina. Ai ishte kapur nga forcat serbe dhe ishte dërguar në Spitalin e Prishtinës. Pas gjashtë muajsh tortura, nga Spitali i Prishtinës në Novi Sad, kishte vdekur. Avdullah Morina, babai i Ylli Morinës, kishte deklaruar në vitin 2001: “Duhet ta dijë Tahir Zemaj, se jo vetëm mua, por tërë Kosovës i ka borxh”.
Pas dezertimit, ai u dekorua nga Ahmet Krasniqi dhe shumëkush thotë se këtë dekorim e kishte marrë nën kërcënime të shumta. Si mund të dekorohet, çmohet dhe vlerësohet dezertimi?
Pas luftës, presidenti Ibrahim Rugova e kishte refuzuar emërimin e tij si këshilltar i tij. Këtë e kishin transmetuar edhe mediumet ndërkombëtare. Arsyetimi i Rugovës ishte se procedurat administrative po marrin kohë, por, në fakt, ishte arsyetim për të mos e emëruar.
Ka ardhë koha të flasim. Dhe do të flasim. Ka ende shumë…
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!