LEZHË: KUR GODITET FISHTA, PLAGOSET KOMBI!

21
Oct
2026
Nga: Kol M. Marku [Studiues ish-ushtarak, Nënkolonel (R)]

 

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

21. 10.2026

[Dëmtimi i monumentit të “Lahutës së Malcis” në Lezhë – ndërmjet protestës demokratike, vandalizmit, provokimeve të mundshme dhe përgjegjësisë kombëtare]
©Të gjitha të drejtat e rezervuara autorit.
******
1.Kur zemërimi politik
godet edhe simbolet kulturore të kombit
Ngjarja e 19 tetorit 2026 në qytetin e Lezhës, ku gjatë një proteste u dëmtua monumenti kushtuar kryeveprës së At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcis”, përbën një shqetësim që tejkalon përmasat e një incidenti të zakonshëm.
Sipas raportimeve mediatike, rreth 50 të rinj morën pjesë në protestë. Gjatë saj u regjistruan dëmtime të objekteve publike, bllokime të qarkullimit dhe incidente me policinë.
Veçanërisht shqetësuese ishin pamjet e të rinjve që hipnin mbi monumentin në formën e një libri të hapur, të vendosur në nderim të Gjergj Fishtës.
Ky monument nuk përfaqëson një parti, një qeveri apo një kryetar bashkie. Ai simbolizon një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë dhe të kujtesës historike shqiptare.
E drejta për të protestuar nuk e përligj dhunën dhe as shkatërrimin e gjithçkaje që del përpara protestuesve.
2. At Gjergj Fishta – Homeri i kohëve
moderne për shqiptarët
At Gjergj Fishta (1871-1940) është quajtur me të drejtë, në traditën e kritikës letrare shqiptare, “Homeri shqiptar”, falë përmasave epike, historike dhe kombëtare të kryeveprës së tij “Lahuta e Malcis”.
Ashtu si Homeri i lashtësisë, që përjetësoi në vargje kujtesën heroike të botës së lashtë të kohes së Bronzit , Fishta i dha përmasa monumentale qëndresës, sakrificave, luftërave dhe përpjekjeve historike të shqiptarëve për liri e identitet kombëtar.
Vepra e tij, e botuar në formën përfundimtare në vitin 1937, përmban 30 këngë dhe përfaqëson një nga kulmet e epikës shqiptare.
Fishta nuk ishte vetëm poet. Ai nuk ishte vetem një prift i zakonshem por ai ishte mendimtar, veprimtar kulturor, publicist, diplomat, pedagog dhe një personalitet i rëndësishëm i jetës kombëtare.
Për këtë arsye, dëmtimi i monumentit kushtuar “Lahutës së Malcis” nuk është thjesht dëmtim i një objekti prej materiali ndërtimor. Në kuptimin simbolik, ai prek kujtesën historike të një kombi.
Historia na kujton se regjimi komunist e ndaloi veprën e Fishtës dhe goditi kujtimin e tij. Sot, në një shoqëri demokratike, është veçanërisht shqetësuese të shohësh të rinj arrogant me flamurin mbi shpatulla që dëmtojnë një monument kushtuar poetit kombëtar.
Një komb që harron mendimtarët, shkrimtarët dhe heronjtë e vet, dobëson lidhjet me historinë dhe identitetin e tij.
3. A mund të ketë provokime të
organizuara pas sulmeve ndaj simboleve kombëtare?
Ky është një aspekt që kërkon vëmendje të veçantë.Kur gjatë një proteste politike dëmtohen simbole të identitetit kombëtar, si monumentet e Gjergj Fishtës, të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut apo simbolet e flamurit kombëtar,(siç ka patur në disa raste më parë nga individë) para revoltave lind natyrshëm pyetja: a kemi të bëjmë vetëm me veprime spontane të disa individëve, apo mund të ketë edhe persona që synojnë të provokojnë, manipulojnë ose diskreditojnë protestën?
Në historinë e konflikteve politike njihen rastet kur provokatorë, grupe të organizuara ose individë me interesa të caktuara kanë shfrytëzuar trazirat për të shkaktuar dhunë dhe për ta zhvendosur vëmendjen nga kërkesat fillestare të protestuesve.
Për ngjarjen konkrete të Lezhës, nga burimet publike të konsultuara akoma nuk rezulton një provë e dokumentuar se dëmtimi i monumentit të Fishtës erdhi nga një qellim i tillë.
Prandaj, institucionet përkatëse duhet të përcaktojnë, nëpërmjet hetimeve të ligjshme, nëse veprimet ishin spontane, të nxitura nga persona të tjerë apo të organizuara.
Rinia duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme për të mos rënë në grackën e provokimeve të mundshme. Një individ që nxit dëmtimin e një simboli kulturor kombëtar mund të synojë edhe diskreditimin e një proteste të ligjshme, pavarësisht se cilës forcë politike i shërben.
Asnjë pakënaqësi ndaj qeverisë nuk duhet të shndërrohet në armiqësi ndaj simboleve që bashkojnë shqiptarët.
4. Prindërit dhe mësuesit – përgjegjësia
themelore për edukimin e brezit të ri
Ngjarja e Lezhës ngre një problem edhe më të thellë: çfarë edukimi historik, kulturor dhe qytetar po merr brezi i ri?
Familja është mjedisi i parë ku formohen vlerat njerëzore. Shkolla është institucioni ku këto vlera zhvillohen dhe ndërthuren me njohuritë historike, kulturore dhe shoqërore.
Prandaj, prindërit dhe mësuesit mbajnë një përgjegjësi themelore në edukimin e brezit të ri, edhe pse kjo përgjegjësi ndahet me institucionet, shoqërinë dhe vetë të rinjtë.
Një i ri mund të mos pajtohet me qeverinë, me politikën, me sistemin arsimor dhe me mënyrën si drejtohet vendi. Kjo është pjesë e lirisë së mendimit dhe ndërgjegjes demokratike.
Por ai duhet të mësojë dallimin midis kundërshtimit të pushtetit dhe dëmtimit të trashëgimisë së përbashkët.
Nuk mjafton t’u mësojmë fëmijëve datat e historisë. Duhet t’u shpjegojmë përse ekzistojnë monumentet, përse respektohen simbolet kombëtare dhe çfarë domethënieje kanë personalitetet që formësuan kulturën shqiptare. Kjo duhet të bëhet program në shkolla.
Një nxënës që e njeh veprën e Fishtës, historinë e Skënderbeut, apo figurave të tjera, përpjekjet për pavarësi dhe sakrificat e brezave të kaluar, ka më shumë mundësi të kuptojë pse këto simbole duhen mbrojtur edhe kur zemërimi politik është i madh.
Por edhe shkolla nuk mund të edukojë e vetme. Politika, institucionet dhe të rriturit duhet të japin shembullin e respektimit të ligjit dhe të dinjitetit njerëzor.
Nuk mund t’u kërkojmë të rinjve qytetari demokratike nëse vetë shoqëria u ofron çdo ditë modele dhune, fyerjeje dhe përçarjeje.
5. Protesta demokratike dhe
krahasimi me lëvizjen çartiste
Historia britanike njeh lëvizjen çartiste të shekullit XIX, e cila kërkonte reforma parlamentare dhe zgjerim të të drejtave politike. Në veprimtarinë e saj pati demonstrime paqësore, por edhe përplasje të dhunshme, veçanërisht në Newport më 1839.
Megjithatë, çartizmi ishte një lëvizje politike me program të përcaktuar dhe nuk mund të barazohet me vandalizmin e monumenteve.
Për këtë arsye, veprimet e dhunshme në Lezhë mund të përshkruhen më saktë si sjellje të çartura dhe të pakontrolluara, jo si çartizëm në kuptimin historik.
Sipas nenit 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, tubimet paqësore gëzojnë mbrojtje juridike.
Por të drejtat demokratike nuk e përjashtojnë përgjegjësinë për dëmtimin e pasurisë publike. Po kështu, veprimet e dhunshme të disa personave nuk e bëjnë automatikisht të dhunshëm gjithë tubimin dhe nuk justifikojnë shtypjen e protestuesve paqësorë.
Përgjegjësia duhet të përcaktohet individualisht, mbi bazën e provave.
6. Përfundime – Shqipëria nuk
mund të ndërtojë të ardhmen
duke dëmtuar kujtesën e saj
Ngjarja e Lezhës duhet të shërbejë si një reflektim serioz për familjen, shkollën, institucionet dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Protesta është një e drejtë demokratike. Ajo mund të jetë mjeti me të cilin qytetarët kërkojnë drejtësi, përgjegjshmëri dhe ndryshim politik.
Por vandalizmi nuk është argument politik dhe shkatërrimi i monumenteve nuk është dëshmi qytetarie. Nëse ekzistojnë dyshime për provokime, ato duhet të hetohen. Nëse ka përgjegjësi individuale, ato duhet të provohen. Nëse ka mungesë edukimi, ajo duhet të korrigjohet.
Kush kundërshton një qeveri, nuk ka pse të godasë historinë e kombit të vet.
Qeveritë vijnë e ikin, pushtetet ndërrohen, politikanët harrohen, por Homeri shqiptar, Gjergj Fishta, dhe vepra e tij “Lahuta e Malcis” mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore e shqiptarëve.
Të rinjtë duhet të jenë forcë e ndryshimit, jo viktima të provokimeve apo të zemërimit të pakontrolluar.
Një rini që nuk respekton kujtesën historike dhe vlerat kulturore të kombit, nuk shkatërron vetëm të kaluarën e vet, por i pret rrënjët së ardhmes që ëndërron të ndërtojë.
Sepse një popull pa kujtesë është si një pemë pa rrënjë: mund të qëndrojë për një çast në këmbë, por rrëzohet përpara stuhisë së parë të historisë.
Simbolet kulturore kombëtare janë shtylla kurrizore e identitetit dhe dinjitetit të një kombi. Kush i përdhos ato, nuk godet thjesht gurin e një monumenti, bronzin e një përmendoreje apo faqet e një libri; ai godet shpirtin, kujtesën dhe vaazhdimësinë historike të popullit të vet.
Dhe kur një kombi i thyhet shtylla kurrizore e identitetit, nuk ka paterica politike, premtime pushtetarësh apo pasuri materiale që mund t’ia rikthejnë dinjitetin e humbur!
Prandaj, o rini, ngrihu kundër padrejtësisë, por mos u ngri kurrë kundër historisë dhe kultures sate! Sepse pushtetet janë kalimtare, ndëarsa kombi është trashëgimia që duhet t’ua lësh të paprekur brezave që vijnë.
Po e mbyll me një thënë të Hasan Prishtines: “Njeriu pa kombin nuk është asgjë, ndërsa kombi pa rininë shuhet”
__________
Burime/Shenime/Bibliografi
1. Eriselda Doko, “Mbyllet protesta në Lezhë/ Rreth 50 të rinj në tubim, dëmtohen hapësirat publike dhe shkatërrohet monumenti i librit të Gjergj Fishtës,” Top Albania Radio, 19 tetor 2026; “Lezhë/ Protestuesit përdhosin monumentin ‘Lahuta e Malcisë’! Pjerin Ndreu publikon pamjet,” Shqiptarja.com, 19 tetor 2026.
2. “Gjergj Fishta,” Albanian Heritage, mbështetur në Fjalori enciklopedik i Kosovës, vëll. I (Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2018), 450–451; “Homeri i pavdekshëm shqiptar, At Gjergj Fishta në 150-vjetorin e lindjes,” Radio Televizioni Shqiptar, 2021.
3. UK Parliament, “The Chartist Movement,” Living Heritage, pa datë; The National Archives, “What Was Chartism?”, material historik mbi lëvizjen çartiste britanike.
4. Republika e Shqipërisë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 47; European Court of Human Rights, Guide on Article 11 of the European Convention on Human Rights: Freedom of Assembly and Association.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/10/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk