Nga: Dilaver Goxhaj
sesi Shërbimi i vogël Sekret Shqiptar theu operacionet e një
Shërbimi të madh, siç ishin
CIA dhe Shërbimi i Zbulimit Britanik.
Në muajin dhjetor të vitit 2022 doli në qarkullim libri i akademikut Irakli Koçollari: “Operacione sekrete. Shqipëria nën Luftën e Ftohtë”. Përmes këtij libri autori i sjell lexuesit shqiptar dhe të huaj veprimtarinë 10 vjeçare, 1948-1958, intrigat e ngjarjeve të asaj Lufte të Ftohtë kundër “Të mjerës Shqipëri, me kaq shumë armiq të fuqishëm dhe kaq pak miq!”, sikundër shprehet Profesoresha e Kembrixhit, Margaret MacMillan.
Vetëm për të shuar kureshtjen e lexuesit po paraqesim një ekstrat të shkurtër nga Kreu 1 i këtij libri dy vwllimwsh, prej 1038 faqe, mjaft të dokumentuar me 1590 referenca të deklasifikuara arkivore nga Arkivi i Shërbimit Sekret Britanik, Arkivi i Shërbimit të Zbulimit Amerikan-CIA, Arkivi i Shërbimit Sekret Sovjetik-KGB, Dokumete të Shërbmit Jugosllav-UDB, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipëisë, si dhe referime nga 62 autorë të huaj e shqiptrë dhe 35 gazeta të huaja dhe vendase. Autori, mes të tjerave, sqaron:
“Epoka e “Luftës së Ftohtë”, diku, dikur, mori dimensione më tronditëse dhe zhvillime më dramatike; madje, diku, dikur, ajo njohu ashpërsinë dhe cinizmin ekstrem si rrallë në ndonjë vend tjetër ku ajo shtriu tentakulat e saj. Diku gjetkë, dikur, ajo përqëndroi tërë fuqitë e saj, bile mobilizoi disa qindar spiunë, ndoshta më të fuqishmit që kishte pasur bota e asaj kohe, për t’i dhënë një goditje efektive dhe me pasojë domethënëse objektit që kishte shënjëstruar… që do të ishte çuditërisht një vend i vogël ballkanik, pak i njohur në hartat e botës, që banohej nga një prej popujve më të lashtë dhe më të varfër në Evropë, që thirrej SHQIPËRI… Dhe pikërisht ndaj këtij vendi të ashpër dhe malor, Perëndimi hartoi një plan të gjerë dhe tentoi përmes misioneve sekrete, pra, përmes Luftës së Ftohtë, përmbysjen e regjimit komunist, që kishte vetëm pak vite që ishte vendosur. Ky Plan mjaft kompleks dhe i bujshëm, prej vitesh tërheq vemendjen në të biografinë e kësaj “Lufte” dhe inventarin e kronikave policore që ajo mbart, në fondin e dosarëve të saj në arkiva!…
Tanimë është pranuar publikisht, që ky Plan u planifikua dhe u drejtua nga CIA, M16 (Shërbimi i Zbulimit Britanik) dhe u realizua në bashkëpunim me Shërbimet Sekrete greke, jugosllave, italiane dhe u emërtua “Djalli” dhe “I Vlefshmi”. Është pranuar gjithashtu publikisht se këto operacione, që vazhduan afërsisht 10 vite – dështuan!
Po kush ishte shkaku i vërtetë i dështimit?
Pikërisht, kjo dilemë mbeti për shumë dekada e tillë… një dilemë. Mes palëve vazhdon të tundet si lavjerës i kohëve… se kush ishte shkaku i vërtetë i dështimit të këtyre operacioneve:
– Ndihma e afruar nga Shërbimi Sekret Sovjetik, KGB?
– Tradhëtia e një superspiuni të thirrur Kim Filbi?
– Apo puna, profesionalizmi, shpirti dhe bindja e palëkundur në mbrojtje të Atdheut e një grupi oficerash të Shërbimit Sekret Shqiptar – Sigurimit, dhe njerëzve të thjeshtë të këtij vendi?
Por, përse për kaq kohë nuk iu dha përgjigje qartësisht kësaj dileme?
Përse humbësit heshtën?
Më pas, “kur petat e lakrorit filluan të hapen”, humbësit filluan të pretendonin se shkaku i dështimit të tyre ishte një kundërshtar potent, mjaft i njohur në skenat e betejave të Luftës së Ftohtë dhe të spiunazhit, sovjetikët, pra, KGB-ja?…
Dhe sigurisht, askush nuk do të bindej me dëshmitë se një Shërbim i vogël, pra, shqiptarët, kishin thyer operacionet e një Shërbimi të madh, siç ishte CIA dhe M16…
Megjithatë, për çudi, vetë ata, të cilëve u atribohen meritat e fitimtarit, sovjetikët, për këtë rast kishin heshtur! Për më tepër, ata nuk kishin pranuar të merrnin meritat dhe autorësinë e fitimtarëve dhe të fitores!….
Deri përpara pak kohësh, e tërë kjo “luftë”, këto operacione skrete, përballje të dhimbshme, të përgjakshme, të frikshme dhe rrënqethëse, mes njerëzve të inteligjencës së një vendi të vogël, Sigurimit dhe grupeve klandestine të një fuqie të hatashme ushtarake, intelektuale dhe institucionale, i ngjanë një skene biblike, gati të pabesueshme.
Për këto ngjarje, “aktorët” që i patën interpretuar ato në skenat e historisë, do të heshtnin për vite dhe dekada me radhë…
Vitet e fundit, CIA ka deklasifikuar planet dhe tërë materialet e operacioneve, që bëjnë fjalë për veprimtarinë agjenturore sekrete të planifikuara prej saj dhe aleatëve të tjerë Perëndimorë kundër Shqipërisë… Por ajo që është më e rëndësishme, pas viteve 2.000, u deklasifikuan dhe u bënë të aksesueshme për publikun dokumentet sekrete të Shërbimit të tyre Inteligjen – Sigurimit.
Pikërisht, ky material arkivor, i pasur dhe mjaft interesant i këasaj “lufte” të dhimbshme, i mbushur me ngjarje, operacione, informacione, dezinformacione, raporte agjentësh, denoncime nga populli, misione, kurthe, gabime,, dështime etj., vihen përballë dokumentacionit të Agjencive Perëndimore të Inteligjencës, që organizuan operacionet agjenturore ndaj vendit tonë të vogël ballkanbik, Shqipërisë”. ( f.42-45).
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!