LIDER DHE SUNDUES MUND TË BËHET SECILI, POR JO STRATEG DHE PRIJËS ME PËRMASA KOMBËTARE, PËR TË CILËT KA NEVOJË SOT KOMBI SHQIPTAR

14
Feb
2023

Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
Shipkovicë.14 shkurt 2023
Reflekse

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Botës shqiptare, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, as Mërgatës së madhe shqiptare, nuk u mungojnë burrat e ditur, ekspertët e fushave shkencore, akademikët, sidomos politikanët dhe liderët e partive politike, por i mungojnë STRATEGËT, PRIJËSIT e nivelit kombëtar, që për synim nuk e kanë vetëm pushtetin, progresin shoqëror dhe qeverisjen e vendit, por realizimin e aspiratave historike të kombit shqiptar, me ide, vepra dhe veprime, për rikthimin e lavdisë së humbur të kombit shqiptar gjatë shekujve të fundit.
Liderët mund të lindin dhe të kaliten përmes ndryshimeve shoqërore, të dalin në skenë përmes forcave politike vendëse dhe të krijuar nga kuzhinat e agjenturave të huaja, ndërsa strategët e mëdhenj dhe prijësit e formatit kombëtar modelohen nga tradita kombëtare, familjet me tradita atdhetare, kur ata përkrahen dhe ndihmohen edhe nga masat e gjera popullore, jashtë ndikimeve të huaja ideologjike dhe fetare.
Edukimi, kalitja dhe ngritja në pushtet e disa personaliteteve, që vazhdojnë t’i konsiderojnë të ndarë shqiptarët sipas besimit fetar, përkatësisë partiake, ndarjeve të dhunshme territoriale-administrative të trojeve etnike shqiptare, që shkollat në gjuhë të huaja i konsiderojnë si vatra edukimi dhe shkolla kombëtare; që mësimet dhe predikimet fetare në gjuhë të huaja i konsiderojnë besime të shenjta, vullnet dhe fjalë e Zotit, këta nuk mund të bëhen kurrë strategë dhe prijës të kombit të tyre, aq më pak të një kombi siç janë shqiptarët, me tradita kulturore, politike, shtetërore dhe qytetëruese mijëvjeçare.
Liderët ngrihen dhe qëndrojnë në skenën politike me përkrahjen e një mase më të madhe të njerëzve (përkrahësve, votuesve, medieve), kurse strategët dhe prijësit ngrihen përmes ideve të mëdha, duke i frymëzuar masat e gjera popullore me ideale të larta liridashëse, humane dhe njerëzore, që janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për idealet e lirisë, përparimin e kombit dhe forcimin e Atdheut, pa dyshimin më të vogël në aftësitë, moralin dhe virtytet e Prijësit të tyre, pararojën shpirtërore, frymëzuesin dhe mësuesin e tyre shpirtëror.
Nuk bëhen revolucionet (reformat e mëdha shoqërore dhe kombëtare) me koka e barqe të mëdha, por me shpirtra të mëdhenj!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk