Nënkolonel (R).
©Të gjitha të drejtat të rezervuara.Lejohet shpërndarja me të drejtën e autorit.
_____
Analizë strategjike operacionale:
Diversion, akte terrori, sabotim, lufta hibride dhe rrezik për konflikte etnike e fetare në Ballkan.
*****
Europa po përballet me një formë konflikti që nuk ngjan me luftën klasike.
Nuk ka domosdoshmërisht fronte, divizione tankesh apo shpallje lufte. Në vend të tyre shfaqen zjarre në fabrika ushtarake, sabotime, sulme kibernetike, ndërhyrje informative, dezinformim dhe përdorim i personave lokalë si ndërmjetës.
Më 23–24 gusht 2026, The Telegraph dhe më pas media italiane Open raportuan, duke iu referuar burimeve perëndimore të inteligjencës, se Moska dyshohet se po zhvillon një model të ri operacionesh kundër industrisë europiane të mbrojtjes: në vend të agjentëve rusë të ekspozuar drejtpërdrejt, përdoren proxy – ndërmjetës lokalë, përfshirë elementë kriminalë, me synim dëmtimin e zinxhirit që furnizon Ukrainën dhe ruajtjen e mundësisë së mohimit të përgjegjësisë.
Por studimi serioz kërkon një dallim që duhet mbajtur gjatë gjithë analizës:
ekzistenca e fushatës ruse të sabotimit është e dokumentuar; atribuimi i çdo zjarri apo shpërthimi të veçantë Rusisë nuk është se duket hapur.
Ky dallim midis faktit, dyshimit hetimor dhe skenarit strategjik është themelor.
I. DIVERSIONI DHE SABOTIMI RUS NË EUROPË NUK ËSHTË MË VETËM HIPOTEZË
NATO deklaron zyrtarisht se Rusia ka intensifikuar veprimet hibride kundër vendeve aleate, përfshirë veprimet përmes ndërmjetësve, dhe rendit ndër instrumentet e përdorura sabotimin, dhunën, aktivitetet kibernetike, ndërhyrjen elektronike, dezinformimin, ndikimin politik dhe presionin ekonomik.
Në korrik 2026, Këshilli i Atlantikut të Veriut dënoi gjithashtu aktivitetet e vazhdueshme kibernetike ruse kundër infrastrukturës kritike dhe institucioneve qeveritare të vendeve të NATO-s.
Kjo do të thotë se nuk kemi më thjesht një akuzë mediatike. Vetë NATO pranon ekzistencën e një fushate hibride ruse në territorin euroatlantik.
Studimi i Center for Strategic and International Studies – CSIS, Russia’s Shadow War Against the West, arrin në një përfundim edhe më të drejtpërdrejtë.
Sipas bazës së të dhënave të CSIS, sulmet ruse të sabotimit dhe subversionit në Europë pothuajse u trefishuan nga viti 2023 në vitin 2024. Objektivat përfshinin transportin, institucionet shtetërore, infrastrukturën kritike dhe industrinë; rreth 21 për qind e rasteve të analizuara prekën industrinë dhe 21 për qind infrastrukturën kritike.
Edhe Royal United Services Institute “RUSI” në studimin e marsit 2026 e trajton sabotimin rus si problem të drejtpërdrejtë për aftësinë logjistike të NATO-s dhe paralajmëron për cenueshmërinë e hekurudhave, transportit dhe zinxhirëve civilë që do të mbështesnin operacionet ushtarake të Aleancës.
II. MODELI I RI NË DUKJE POR I VJETER NË METODË: AGJENTI DIVERSIONIST MUND TË MOS JETË RUS, POR VENDAS.
Këtu qëndron një nga zhvillimet më të rëndësishme.
Hetimi ndërkombëtar i publikuar nga Shërbimi i Sigurisë së Shtetit të Lituanisë – VSD, më 6 mars 2026, dokumentoi një strukturë ku krimet organizoheshin nga persona të lidhur me shërbimet e inteligjencës ushtarake të Federatës Ruse, por ekzekutimi ndahej ndërmjet shumë personave që shpesh nuk njiheshin me njëri-tjetrin.
Sipas hetuesve lituanezë, për detyra të veçanta u përdorën shtetas rusë, letonezë, estonezë, lituanezë dhe ukrainas; shpesh persona socialisht të cenueshëm, të rekrutuar përmes njohjeve ose Telegram-it, me shpërblime që mund të paguheshin edhe në kriptomonedha.
Ky është një ndryshim themelor në kundërzbulim.
Pyetja nuk duhet të jetë më vetëm:
“Ku është agjenti rus?”
Por:
“Kush e rekrutoi autorin lokal? Kush e pagoi? Kush ia caktoi objektivin? Përmes cilit ndërmjetës kaloi urdhri?”
Kjo krijon atë që në inteligjencë quhet plausible deniability – mohueshmëri e besueshme.
III. NË ESTONI ÇEKI, BULLGARI.DHE ITALI: JO TË GJITHA RASTET JANË NJËSOJ
Rasti i Milrem Robotics në Estoni është ndër më domethënësit e gushtit 2026. Pas zjarrvënies së 15 gushtit, Shërbimi Letonez i Sigurisë, VDD, arrestoi tre shtetas letonezë.
Procedimi u hap edhe mbi dyshimin për dhënie ndihme një shteti të huaj në një veprim të drejtuar kundër një shteti tjetër.
Megjithatë, dokumenti zyrtar i VDD-së nuk e emërton ende publikisht Rusinë si atë “shtet të huaj”.
Prandaj lidhja është shumë serioze, por hetimi duhet të përfundojë.
Në Çeki, zjarri i marsit 2026 në objektet e LPP Holding, kompani e lidhur me prodhimin e dronëve për Ukrainën, u trajtua si sulm i qëllimshëm. U arrestuan disa persona dhe autoritetet shqyrtuan edhe një pistë të mundshme ruse, por kjo pistë nuk ishte konfirmuar përfundimisht.
Në Bullgari, më 10 gusht 2026 u dogj një magazinë municioni e EMCO-s pranë Belitsa-s. Por ministri bullgar i Brendshëm deklaroi atë ditë se nuk kishte prova për ndërhyrje të huaj.
Edhe më i rëndësishëm për disiplinën e analizës është rasti italian.
Më 13 gusht 2026 një shpërthim goditi fabrikën KNDS Ammo Italy në Colleferro, pranë Romës.
Por më 17 gusht ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto deklaroi se qeveria nuk kishte asnjë element që të tregonte përgjegjësi ruse dhe se të dhënat e atëhershme çonin drejt një problemi të brendshëm të impiantit.Por hetimet vazhdojnë.
Pra:
fushata ruse e sabotimit është reale;
por Colleferro dhe EMCO nuk mund të paraqiten sot si sabotime ruse të provuara.
Kjo është mënyra e vetme shkencore për ta trajtuar çështjen.
IV. QËLLIMI STRATEGJIK: TË GODITET DHE SISTEMI, JO VETËM FABRIKAT
Në luftën moderne nuk është e domosdoshme të shkatërrosh një tank në front.
Mund të godasësh fabrikën që prodhon municionin, hekurudhën që e transporton, portin nga ku niset, rrjetin elektrik që furnizon fabrikën ose sistemin kompjuterik që drejton logjistikën.
Prandaj një zjarr relativisht i kufizuar mund të prodhojë pasoja shumë më të mëdha:
ndalim prodhimi – hetim – masa sigurie – rritje kostosh – vonesa furnizimi – presion politik – pasiguri publike.
RUSI ( institut studimesh strategjike) e lidh drejtpërdrejt këtë problem me cenueshmërinë e transportit dhe logjistikës së NATO-s.
Kjo është zona gri ndërmjet paqes dhe luftës.
NATO e përkufizon kërcënimin hibrid pikërisht si kombinim mjetesh ushtarake dhe jo-ushtarake që synojnë destabilizimin e shoqërisë dhe mjegullimin e kufirit ndërmjet luftës dhe paqes.
V. NENI 5 I NATO-s?
Këtu duhet shmangur një keqkuptim.
Nuk ekziston një formulë automatike sipas së cilës një sabotim “nuk arrin” Nenin 5.
NATO sqaron se ajo që përbën “armed attack” – sulm të armatosur vlerësohet rast pas rasti. Aleanca deklaron shprehimisht se edhe sulme të rëndësishme kibernetike ose hibride mund të konsiderohen sulm i armatosur.
Prandaj avantazhi strategjik i sabotimit nuk është se Neni 5 juridikisht përjashtohet, por se atributimi bëhet shumë më i vështirë.
Një raketë ruse që godet një bazë të NATO-s identifikohet relativisht shpejt.
Një magazinë e djegur nga një person lokal, i rekrutuar në Telegram, i paguar në kriptomonedhë dhe i lidhur me organizatorin përmes disa hallkave, krijon problem krejt tjetër.
VI. BALLKANI PERËNDIMOR: NJË TERREN EDHE MË DELIKAT
Në Ballkanin Perëndimor kërcënimi hibrid mund të jetë edhe më kompleks, sepse përveç infrastrukturës fizike ekzistojnë çarje historike, etnike, politike dhe fetare.
Hybrid CoE, në konferencën e zhvilluar në Tiranë në nëntor 2025, paralajmëroi se aktorët hibridë po shtojnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor.
Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë, Igli Tafa, theksoi se sulmet kibernetike, dezinformimi dhe spiunazhi dixhital nuk duhet parë më si fenomene të izoluara, por si pjesë e një strategjie që synon dobësimin e institucioneve dhe fragmentimin e unitetit shoqëror.
Hybrid CoE ka identifikuar prej kohësh “çarjet e cenueshme” të Ballkanit – pikërisht përzierjen e historisë, identiteteve, feve, konkurrencës gjeopolitike dhe institucioneve ende në konsolidim – si elemente që mund të shfrytëzohen nga aktorët e kërcënimeve hibride.
VII. SHQIPËRIA DHE KOSOVA: DY PROFILE TË NDRYSHME SIGURIE
Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mbulohet nga sistemi i mbrojtjes kolektive të Aleancës.
Kosova nuk është anëtare e NATO-s. Siguria e saj mbështetet edhe nga misioni KFOR, i cili vazhdon të veprojë sipas mandatit të tij për një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes.
Në gusht 2026 NATO filloi një proces gradual optimizimi të pranisë së KFOR-it, të kushtëzuar nga situata në terren. Më 10 gusht KFOR-i nisi edhe integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë rreth Manastirit të Deçanit, në koordinim me Kishën Ortodokse Serbe, EULEX-in dhe institucionet e Kosovës.
Fakti që një objekt fetar ka një arkitekturë të tillë të posaçme sigurie tregon vetë se trashëgimia fetare dhe kulturore në Kosovë është një çështje sigurie, jo vetëm kulture.
VIII. KOSOVA: RREZIKU QË KONFLIKTI ETNIK TË MARRË EDHE NGJYRIME FETARE
Problemi qendror në Kosovë mbetet politik, kombëtar dhe territorial – jo një luftë teologjike midis myslimanëve dhe të krishterëve.
Por ekziston një realitet që nuk mund të shpërfillet: identiteti etnik dhe ai fetar mbivendosen pjesërisht.
Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, me një komunitet historik katolik; ndërsa komuniteti serb është i lidhur kryesisht me Kishën Ortodokse Serbe.
Prandaj një incident politik ose etnik mund të marrë shumë shpejt simbolikë fetare.
OSBE-ja ka dokumentuar incidente që prekin objekte fetare dhe kulturore të të gjitha komuniteteve.
Të dhënat e saj tregojnë se në vitin 2023 policia kishte regjistruar 99 raste që preknin objekte fetare e kulturore, mes tyre objekte ortodokse serbe, myslimane dhe katolike. OSBE-ja gjithashtu paralajmëron se statistikat e incidenteve të urrejtjes nuk janë domosdoshmërisht të plota.
Kjo nuk provon një konflikt fetar në Kosovë.
Por tregon se objekti fetar mund të shndërrohet në simbol të konfliktit identitar.
Ambasadori Gerard McGurk, kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, paralajmëroi më 10 qershor 2026 se kur kanalet e dialogut mbyllen, boshllëkun e mbush thashethemi dhe se sot një fotografi e manipuluar apo një gënjeshtër mund të përhapet brenda pak minutash dhe të ndezë opinionin publik përpara verifikimit të fakteve.
Ky është pothuajse përkufizimi operacional i një skenari hibrid:
incident – video e manipuluar – akuzë etnike ose fetare – protesta – kundërreagim + dezinformim – krizë politike.
BE-ja e konsideron mjedisin informativ të Kosovës mjaft të rëndësishëm sa më 10 gusht 2026 hapi një procedurë të posaçme për forcimin e rezistencës ndaj Foreign Information Manipulation and Interference – FIMI.
IX. SHQIPËRIA: BASHKËJETESA FETARE ËSHTË EDHE ELEMENT I SIGURISË KOMBËTARE
Shqipëria ka një avantazh historik të veçantë: marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve sunitë, bektashinjve, katolikëve, ortodoksëve dhe komuniteteve të tjera janë ndërtuar mbi një ekuilibër ku përkatësia kombëtare nuk është identifikuar me një fe të vetme.
Ky ekuilibër është sanksionuar edhe juridikisht.
Neni 10 i Kushtetutës shqiptare përcakton se Shqipëria nuk ka fe zyrtare, shteti është neutral në çështjet e besimit dhe njeh barazinë e bashkësive fetare.
Prandaj bashkëjetesa fetare nuk është vetëm një slogan për t’u përdorur në konferenca ndërkombëtare.
Ajo është pjesë e arkitekturës së stabilitetit të shtetit shqiptar.
X. PROJEKTI I MIKRO-SHTETIT BEKTASHI: NGA ÇËSHTJE FETARE NË ÇËSHTJE KUSHTETUESE DHE SIGURIE
Në këtë kontekst duhet analizuar propozimi për krijimin në Tiranë të një entiteti sovran bektashi të modeluar pjesërisht mbi Vatikanin.
Kryeministri Edi Rama dhe udhëheqja e Kryegjyshatës Bektashiane e kanë mbështetur projektin. Reuters raportoi në janar 2025 se struktura e propozuar do të kishte administratën e vet, por jo ushtri apo polici, dhe se realizimi i saj kërkon miratimin e parlamentit shqiptar.
Por deri më 24 gusht 2026, mikro-shteti bektashi nuk është krijuar juridikisht.
Kemi projekt dhe dakordësi politike midis promovuesve të tij, jo një shtet tashmë të formuar.
Po kështu, nuk ka dokument publik që të dëshmojë se të gjitha komunitetet fetare shqiptare kanë miratuar krijimin e një entiteti të tillë sovran.
Përkundrazi, bashkëpunimi ndërfetar institucional vazhdon. Në janar 2026, drejtuesit myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj dhe ungjillorë u mblodhën në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe, sipas rotacionit të miratuar, drejtimi për vitin 2026 iu kalua Kryegjyshit Bektashi Edmond Brahimaj.
Pra nuk ekziston provë se bashkëjetesa fetare në Shqipëri është prishur.
Por kjo nuk e heq problemin që mund të krijojë perceptimi i privilegji.
XI. A MUND TË PRIVILEGJOHET NJË KOMUNITET PA PREKUR EKUILIBRIN?
Nëse një komunitet fetar merr status sovran ndërkombëtar, territor, administratë dhe eventualisht marrëdhënie diplomatike, ndërsa komunitetet e tjera mbeten persona juridikë fetarë brenda Republikës së Shqipërisë, lind një pyetje kushtetuese:
A vazhdon të perceptohet barazia e komuniteteve fetare?
Kjo nuk është kritikë ndaj bektashizmit.
Bektashinjtë janë pjesë e rëndësishme e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare.
Problemi është precedenti institucional.
Studimi BTI 2026 për Shqipërinë e përshkruan modelin shqiptar si sistem të ndërtuar mbi ndarjen dhe pavarësinë e shtetit dhe fesë, së bashku me barazinë institucionale të komuniteteve tradicionale.
I njëjti raport vëren se propozimi për një entitet të tipit Vatikan për bektashinjtë është kritikuar nga intelektualë shqiptarë pikërisht sepse mund të sfidojë këtë model të laicitetit.
Prandaj problemi nuk është:
“A janë bektashinjtë të denjë për respekt?”
Natyrisht që po.
Pyetja juridike është:
“A mundet shteti laik të transformojë një komunitet fetar në subjekt sovran pa ndryshuar ekuilibrin mbi të cilin janë organizuar marrëdhëniet me komunitetet e tjera?”
XII. PO VATIKANI? EDHE KËTU DUHET SAKTËSI
Në janar 2025 Papa Françesku priti në Vatikan delegacionin e drejtuar nga Baba Mondi.
Por komunikata zyrtare e Selisë së Shenjtë flet për dialogun ndërfetar, miqësinë, pajtimin dhe bashkëjetesën paqësore. Ajo nuk përmban një deklaratë të Papës që njeh ose miraton juridikisht krijimin e një shteti sovran bektashi.
Prandaj duhet bërë dallimi:
mbështetja për bektashinjtë dhe dialogun ndërfetar ndryshon nga njohja diplomatike e mikro-shtetit bektashi.
XIII. PSE PROJEKTI BEKTASHI LIDHET ME ANALIZËN E LUFTËS HIBRIDE?
Jo sepse ekziston provë që Rusia ose një fuqi tjetër e ka krijuar apo drejton këtë projekt.
Një provë e tillë nuk ekziston dhe nuk duhet pretenduar.
Lidhja qëndron diku tjetër.
Lufta hibride shpesh nuk krijon një konflikt nga zero. Ajo identifikon një debat ekzistues, e polarizon dhe e shumëfishon.
Nëse debati mbi mikro-shtetin shndërrohet në orjentimin:
“një fe po privilegjohet”; apo
“një komunitet po diskriminohet”;
“Shqipëria po humbet karakterin laik”;
“një fuqi e jashtme po kontrollon fenë”;
atëherë ai bëhet terren i përshtatshëm për dezinformim, profile të rreme, manipulim emocional dhe polarizim.
Hybrid CoE e përshkruan pikërisht fragmentimin shoqëror dhe dobësimin e besimit te institucionet si objektiva tipike të aktivitetit hibrid.
Pra projekti bektashi duhet parë edhe nga këndvështrimi i rezistencës kombëtare ndaj manipulimit të jashtëm.
XIV. ÇFARË DUHET TË MBROJNË SHQIPËRIA DHE KOSOVA?
Për Shqipërinë, prioriteti nuk duhet të jetë vetëm mbrojtja e reparteve ushtarake, por edhe e energjisë, porteve, aeroporteve, telekomunikacionit, rrjeteve shtetërore, bankave, transportit dhe zinxhirëve logjistikë.
Në të njëjtën kohë duhet mbrojtur edhe një infrastrukturë më pak e dukshme:
besimi shoqëror.
Për Kosovën kjo do të thotë mbrojtje e objekteve fetare e kulturore, koordinim KFOR–Polici–EULEX, luftë kundër dezinformimit dhe mekanizma të shpejtë për de-përshkallëzimin e incidenteve etnike.
Për Shqipërinë do të thotë ruajtja me kujdes e barazisë ndërfetare, konsultim real ndërmjet komuniteteve dhe transparencë e plotë për çdo ndryshim që prek raportin shtet–fe.
Në të dy vendet, kundërzbulimi duhet të kërkojë jo vetëm agjentët klasikë, por edhe rrjetet e ndërmjetësve, financimet e fshehta, rekrutimin online, kompanitë fasadë dhe lidhjet midis kriminalitetit dhe aktorëve shtetërorë të huaj.
XIV. PËRFUNDIM I PËRGJITHSHËM
Në Europën Veriore lufta hibride mund të shfaqet si zjarr në fabrikë, sabotim hekurudhor apo sulm kibernetik.
Në Kosovë ajo mund të jetë më e rrezikshme:
incident fizik + tension etnik + simbol fetar + dezinformim = krizë politike dhe sigurie.
Në Shqipëri ajo mund të përdorë një tjetër dobësi:
debat politik + perceptim privilegji fetar + dezinformim = goditje ndaj besimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve.
Prandaj Shqipëria duhet ta mbrojë bashkëjetesën fetare me të njëjtin seriozitet me të cilin mbron një port, aeroport apo central elektrik.
Sepse bashkëjetesa fetare është pjesë e infrastrukturës së sigurisë kombëtare shqiptare.
Edhe projekti për mikro-shtetin bektashi duhet shqyrtuar pikërisht nën këtë prizëm: jo me paragjykim ndaj bektashinjve (si një besim i dialogut mirkuptimit dhe vlerave atdhetare: vëllezrit Frasheri janë një tregues i qartë) por me analizë të plotë kushtetuese, juridike, diplomatike dhe të sigurisë, me transparencë dhe konsultim të të gjitha komuniteteve.
Në Kosovë duhet të shmanget me çdo kusht shndërrimi i konfliktit politik e etnik në konflikt fetar.
Dhe mbi të gjitha duhet kuptuar një parim themelor i luftës hibride:
Kundërshtari nuk ka nevojë të krijojë vetë çdo çarje.
Mjafton të gjejë një çarje që ekziston, ta zgjerojë, ta mbushë me dezinformim dhe ta kthejë kundër shoqërisë që dëshiron të dobësojë.
Në shekullin XXI, siguria kombëtare nuk fillon vetëm te kufiri.
Ajo fillon te fabrika, rrjeti elektrik, serveri, telefoni, media, objekti fetar dhe besimi që qytetarët kanë te njëri-tjetri.
SHËNIME/ REFERENCA
1). Joe Barnes, “Russia Sabotages Weapons Factories across Europe,” The Telegraph, August 23, 2026; Alba Romano, “Sabotaggi alle fabbriche d’armi europee: l’ombra della Russia dietro le esplosioni,” Open, August 24, 2026.
2). North Atlantic Treaty Organization, “Relations with Russia,” NATO, accessed August 24, 2026; North Atlantic Council, “Statement on Recent Russian Hybrid Activities,” May 2, 2024.
3). North Atlantic Council, “Statement of Condemnation of Russia’s Malicious Cyber Activities,” July 13, 2026.
4). Seth G. Jones, Russia’s Shadow War Against the West (Washington, DC: Center for Strategic and International Studies, March 18, 2025).
5). Emily Ferris, “Russian Sabotage of NATO Infrastructure: Identifying Alliance Vulnerabilities,” Royal United Services Institute, March 26, 2026.
Lithuanian State Security Department, “Case on Terror Acts Organised and Planned in Different Countries Referred to Court,” March 6, 2026.
6. State Security Service of Latvia, “VDD Detains Three Latvian Citizens on Suspicion of Arson in Estonia,” August 20, 2026.
7). Reuters, “Czechs Looking into Possible Russian Trail in Fire at Defence Factory,” March 23, 2026; Reuters, “Three U.S. and Czech Citizens Detained over Arson Attack on Czech Arms Producer,” March 24, 2026.
😎. Nikolay Trifonov and Metodi Yordanov, “No Evidence So Far of Foreign Interference in Ammunition Warehouse Fire in Central Bulgaria,” Bulgarian News Agency, August 10, 2026.
9). Crispian Balmer and Anna Uras, “Italy Sees No Sign of Russian Link to Colleferro Munitions Blast, Minister Says,” Reuters, August 17, 2026.
10). North Atlantic Treaty Organization, “Countering Hybrid Threats,” updated January 29, 2026.
North Atlantic Treaty Organization, “Collective Defence and Article 5,” NATO, accessed August 24, 2026.
11). European Centre of Excellence for Countering Hybrid Threats, “Western Balkans in Focus: Hybrid Threats and Countermeasures Explored in Tirana,” November 20, 2025.
12). Cristina Juola and Hanna Smith, eds., Hybrid CoE Trend Report 2: Western Balkans (Helsinki: European Centre of Excellence for Countering Hybrid Threats, 2020).
13). North Atlantic Treaty Organization, “NATO’s Role in Kosovo,” updated August 2026.
OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights, “Hate Crime Reporting: Kosovo,” accessed August 24, 2026.
14). Gerard McGurk, “Security Begins with Dialogue,” OSCE Mission in Kosovo, June 10, 2026.
15). European External Action Service, “Strengthening Information Integrity and Resilience against Foreign Information Manipulation and Interference in Kosovo,” August 10, 2026.
16). Republic of Albania, Constitution of the Republic of Albania, art. 10.
17). Reuters, “Albania to Create a Vatican-Style, Bektashi State in Tirana,” January 25, 2025.
18). Interfaith Council of Albania, “First Meeting of 2026 of the Presidency Board of the Interfaith Council of Albania,” Tirana, January 5, 2026.
19). Bertelsmann Stiftung, BTI 2026 Country Report: Albania (Gütersloh: Bertelsmann Stiftung, 2026).
20). Holy See Press Office, “Audience with Members of a Delegation from Albania,” January 16, 2025.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
