Lufta mes pozitës dhe opozitës shqiptare në “drzhavën Severna”!

02
Feb
2024
Shkruan: Medai Shaholli


Fushata parazgjedhore në për zgjedhjet parlamentare të 8 majit në “drzhavën Severna” tashmë ka filluar, ku si njëra palë ashtu edhe tjetra duan t’i “rrefehen” shqiptarëve se ne jemi ata që do ta sjellim ndryshimin.
Pozita shqiptare para disa ditësh përdori për efekt parazgjedhor zgjedhjen e premierit të ri”(T)Alat tehniçki” si një ndihmës që do ta përgatis vendin për zgjedhjet parlamentare me kohë të caktuar për tre muaj në krye të guvernës, duke e proklamuar atë si arritje historike të shqiptarëve por, në fakt “tehniçki (T)Alat” do të zbatojë vetëm kushtetutën e “drzhavës” urtë e butë dhe asgjë më shumë.
Nga ana tjetër opozita shqiptare duket shumë e ngazëllyer nga takimi që pati me kryeministrin Kurti, ku me shpërndarjen e fotografisë së përbashkët ata duan t’i thonë shqiptarëve se ne jemi ndryshimi, na mbështet Albini ndaj do të fitojmë dhe do ta mposhtim DUI-n!
Të dya palët duan t’ia hedhin popullit edhe këtë radhë dhe populli i ka besuar për tri dekada broçkullave dhe premtimeve pa mbulesë të partive politike.
Nëse opozita shqiptare me LEN i fiton zgjedhjet, gjë që nuk e besoj, por a mund ta sjellin ndryshimin këto parti servile me agjenda të huaja si lëvizje xhonturke në koalicion me komitët e Mickos në katër vitet që do të vijnë?
Sigurisht se jo!
Micko dhe komitët e tij nuk mund ta sjellin ndryshimin pasi nuk kanë predispozicion për ta hequr qafe nofkën e 20% nga kushtetuta.
Atëherë, zotërinj opozitarë të LEN-it, si Bili, Mexhiti, Gashi apo djathtisi Qoku që kërkon të përfaqësoj të majtën, ku do i gjeni votat e nevojshme për ta sjell ndryshimin dhe barazinë binacionale në kushtetutën e “drzhavës”?
Kuptohet pra se ato janë zotime dhe premtime pambulesë, ato janë thjesht fishekzjarre për efekt propagandistik.
Më 11 janar 2019, ishte guri i provës së patriotizmit tuaj të rrejshëm, ku ndryshimet kushtetuese u miratuan me votat e të gjitha partive politike shqiptare duke e lënë të pandryshuar nofkën e turpit si 20% i famshëm brenda saj, me surprizën e çastit nga grupi të komitëve të moderuar që u blenë dhe u shitën nga premieri Zajko në emër të integrimeve europiane.
Pozita shqiptare në krye me DUI-n, është dëshmuar tashmë prej dy dekadash kundër interesave kombëtare që nga dorëzimi i armëve gjatë konfliktit të 2001, me kapitullim pakushte dhe me miratimin e robërise së re në MO, e cila sanksionoi gjuhën shqipe si gjuhë të shifrave.
Dje Ali Ahmeti tha një gënjeshtër të madhe se: “Talati e kanë bërë kryeministër gjaku luftetareve të UÇK-së”!
Jo zoteri Ahmeti, atë gjak ju e shkelët me pranimin e robërisë në MO, ku luftetareve të lirisë u thatë se fituam lirinë dhe barazinë me 20% e turpit.
Ndaj, gjaku i dëshmorëve sot thëret: “Ne u tradhtuam nga renegatët tanë komandantë të katapultuar për ta devijuar idealin e lirisë në emër të paqes dhe stabilitetit me MO, e cila përdhosi identitetin tonë kombëtar”!
Sot DUI dhe Ali Ahmeti për të qënë e sigurt në koalicionin e radhës me SDSM-në e Dhimos, po kërkojnë të lidhin një “martesë” të re parazgjedhore me një listë të përbashkët si ajo që pamë para katër vitesh me besprerët e Bilit me një “Mozheme” të re.
Të dya së bashku, si opozita dhe pozita kanë dhënë prova të lojalizmit dhe të betimit ndaj pushtetit se nuk do ta cënojnë supremacinë e sllavo-maqedone të shtetit dhe të pushtetit, duke i lënë shqiptarët si kategori e dytë qytetarësh në mbretërinë e “drzhavës Severna”.
Ndaj, fushata parazgjedhore është një farsë që duhet të luhet para zgjedhësve me plotë shpresë për ndryshim, por që ky ndryshim nuk vjen me lëkurat e deleve që nën to fshihen ujqit e vjetër.
Përderisa nuk do të kemi një subjekt politik shqiptar që i thotë jo si Dhimos edhe Mickos se derisa ju do të përdhosni shqiptarët dhe identitetin tonë kombëtar në kushtetutë, nuk do të ketë më qeveri koalicioni dhe as çfarë qeveri dhe “dërzhave” funksionale!
Deri sot qeveritë e koalicionit u mbajtën në këmbë me paterica shqiptare, por që sot e tutje nuk do të ketë më!
Derisa të lind ajo parti e popullit për popullin do të rrjedh shumë ujë, ku partiçkat tona do të vazhdojnë me avazin e vjetër!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/02/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk