LUFTA PËR MBIJETESË E TËBANIT KOMBËTAR DHE SHKOLLËS SHQIPE PO VAZHDON…

08
Apr
2023

Shkruan: Syrja Etemi
(Shkrim i shkëputur nga monografia ime për shkollën dhe arsimin shqip në Sllatinë-me titull: “Rrëzëllimë drite ndër vite”, v. 2018 )
Vitet e tetëdhjeta për historikun e shkollës shqipe në Ish Jugosllavi,ashtu sikurse edhe te ne në Sllatinë,do të mbahen mend shumë gjatë si vite vendimtare “të jemi a të mos jemi”. Regjimi sllavokomunist i ndihmuar edhe nga kolaboracionistë shqipfolës, atakonte gati gjithçka që kundërmonte shqiptare. Ishte kjo një periudhë e errët për shqiptarët në përgjithësi.Presioni ishte i gjithanshëm: sulmohej identiteti ynë kombëtar, emërtimet e fëmijëve, toponimia, shkolla e gjuha shqipe. Edhe mbishkrimet në muret e shtëpive do të shkruhen në alfabetin cirilik.(Shih foton)
Idiotizmi obskurantist nuk kishte të ndalur. Mendja morbide e pinjollëve komunistë çka nuk “shpikte”. Ajo atakonte edhe traditën shqiptare në emër të të ashtuquajturit “emancipim e ndërgjegjësim komunist”, duke apeluar e urdhëruar që: “Muret e betonit të rrënohen, sepse pas tyre fshihen “armiqtë e pushtetit popullor!”. Dhe, popullata e varfër dhe e frikësuar se po të vepronte ndryshe, do të pasojnë burgosjet dhe gjobat maramendëse, me çekanin 12 kg. në duar, me ditë e javë të tëra do të thejë rrethojat e gurta apo muret e forta të betonit. Kjo të dukej se me këtë të rame bashkëfshatarët e mi i mëshojnë çmendurisë së pushtetit të sistemit totalitar jugosllav e sllavomaqedon.
Në këtë katrahurë, nuk mbeti pa u përdhosë edhe mësuesi shqiptar dhe shkolla shqipe në përgjithësi, sepse mësimdhënësit do të jenë të parët që do ta kuptojnë drejt dhe do të jenë në ballë të luftës kundër obskurantizmit sllavo-bizantin,duke u bërë shembull edhe për shtresat tjera të popullatës së kësaj anë, se si duhet t’i thuhet “Jo!” regjimit totalitar, regjimit famëkeq komunist. Këtu qëndron e tërë filozofia e fuqisë së dijes, jo si fuqi latente, por e organizuar mirë dhe drejt kah qëllimi final i dëshirës së zjarrtë për Dritë e Dije. Prandaj, do të thoshte Teki Dervishi në një rast: “ Sa më parë që shqiptarët të kuptojnë se janë të diskriminuar, aq më parë do të gjejnë rrugëdalje si të mbrohen nga dekulturimi që ushtrohet mbi ta! Dekulturim – do të thotë- shkombëtarizim, zhbërje, zhdukje, etnocid, racizëm i bardhë”.
Pasojnë vitet nëntëdhjeta. Çdo shqiptar do të ketë besimin në vete se diçka mund të bëj për të mirën kolektive. Prandaj, nuk thuhet kot: ‘’Ekzistojnë vetëm dy lloje budallallëqesh: budallallëku i parë është besimi se mund të bësh gjithçka, kurse tjetri është besimi se nuk mund të bësh asgjë…’’ (Andre Brink). Kështu, meqë brutalitetin e dhunës së “Demokratëve të rinj” do ta ndjejnë dhe përjetojnë edhe shumë nxënës e mësimdhënës të shkollës sonë, tani më tepër se kurrë kishte ardhur koha që secili të mendonte dhe të hudhte ide që të bashkuar të bënim diçka. Napoleon Hill, thotë: ‘’Idetë janë forca të paprekshme…Së pari ju u jepni jetë, energji dhe orientim, pastaj ato fitojnë fuqinë vetanake dhe mënjanojnë çdo gjë që u kundërvihet’’. Vitet e vështira për arsimin shqip, fatkeqësisht edhe mëtej do të zgjasin jetën, edhe pas ardhjes së Demokracisë : Dënimet për evidencën dhe dokumentacionin pedagogjik; Universiteti i Tetovës, etj. Vetëm ata mësimdhënës që kanë punuar në këtë periudhë janë në gjendje ta kuptojnë se sa e rëndë dhe e vështirë ishte ajo kohë, por, njëkohësisht, edhe asnjë mësimdhënës nuk do të jetë më krenar për vet faktin që i ka takuar të punojë në këtë kohë plot kthesa e krajata.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk