MAQEDONIA VERIORE – SHTET I SHITUR NGA FAKTORI POLITIK VENDËS DHE I TRADHTUAR NGA JASHTË

25
Dec
2023
Shkruan: Akademik Abdulla Mehmeti

Analizë
Ditëve të fundit, Ambasadori i Spanjës në Shkup, Hoze Luis Lozano Garsija, sipas intervistës së tij për Radion Evropa e Lirë, nuk ka përjashtuar mundësinë që në procesin e negociatave të hapen edhe kërkesa të reja nga vende tjera anëtare të BE-së, madje edhe nëse miratohen ndryshimet kushtetuese nga Maqedonia Veriore, nga të cilët varet mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare.
Edhe ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Marija Gabriel, ditëve të fundit ka deklaruar se, ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm i anëtarësimit të Maqedonisë veriore në BE. Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë Veriore, Bujar Osmanit, ka thënë se, korniza negociuese paraqet mur dhe qeveritë e ardhshme bullgare, qofshin ato edhe më nacionaliste, nuk do të mund të vendosin kushte të reja.
Këto dhe deklarata të ngjashme, jo vetëm gjatë ditëve të fundit, lënë për t’u kuptuar se edhe faktori ndërkombëtar, në radhë të parë shtetet e Bashkimit Evropian, nuk janë të qartë e të sigurt në planet dhe strategjinë e tyre për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Fuqitë e Mëdha të Evropës kanë pasur ndikimin e tyre të fuqishëm edhe gjatë shekullit XX, por popullsia sllave dhe ajo ortodokse shqiptare e Maqedonisë vetëm gjatë shekullit të fundit është detyruar me dhunë katër herë ta ndryshojë identitetin e tij etnik dhe fetar, dy herë gjatë një gjysmëshekulli të deklarohen jashtë vullnetit të tyre si bullgarë dhe dy herë të tjera të deklarohen si serbë, ndërsa kombësia maqedonase është njohur për herë të parë, edhe nga faktori ndërkombëtar, nga viti 1944/45.
Është tepër e tejdukshme politika ekspansioniste bullgaromadhe ndaj Maqedonisë Veriore dhe popullit të saj, por e gjithë kjo bëhet në mënyrë të orkestruara mes Bullgarisë, disa shteteve të fuqishme evropiane dhe të një pjese të faktorit politik vendës, jo vetëm të atij maqedonas, por edhe veglave të tyre proruse në radhët e disa partive të shqiptarëve.
Pavarësisht nëse plotësohet “kushti i vetëm”, me ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë Veriore, hapat e radhës nga pala bullgare do të jenë, pranimi i gjenocidit ndaj popullsisë Bullgare gjatë ish-regjimit komunist jugosllav, me këtë edhe kërkesa për rikthimin e bullgarëve të dëbuar me dhunë nga Maqedonia për në Bullgari dhe vende të tjera, ndryshimi i identitetit fetar sipas kërkesë së palës bullgare, kinse shkëputjen nga ndikimi i Kishës Serbe, rihapja e çështjes së historisë së përbashkët dhe gjuhës së njëjtë, asaj bullgare dhe maqedonase, deri në shpërfytyrimin e plotë të identitetit etnik të popullit maqedonas dhe me këtë ndryshimi i konceptit të shtetit, me pretendim të fundit, krijimin në mënyrë paqësore, hap pas hapi, të shtetit të dytë bullgar në Maqedoninë Veriore.
Për këtë kauzë rusomadhe ka kohë që punon edhe faktori politik vendës në Maqedoni, që nga pavarësimi i këtij shteti nga ish-Federata e Jugosllavisë. Si mund të kuptohet ndryshe fakti, edhe nga faktori ndërkombëtar, se dita e mbajtjes së Referendumit për pavarësinë e shtetit të Maqedonisë, është zgjedhur nga vetë faktori politik vendës, nuk është imponuar nga Bullgaria, që është edhe Dita e pavarësisë së këtij shteti, 8 Shtatori (1991), një datë që lidhet me 8 shtatorin e vitit 1944, krijimin e shtetit fashist të Maqedonisë bullgare të Vanço Mihajllovit në bashkëpunim me partnerë evropianë.
Si mund të kuptohet ndryshe edhe festimi i datë 3 Mars, i festës më të madhe kombëtare e shtetërore bullgare, si Dita e Komunës së Tetovës (si qendër më e madhe politike dhe kulturore e shqiptarëve dhe selia e partive politike më të mëdha të shqiptarëve nga viti 1990), nga viti 1992 deri më sot, si datë historike e Marrëveshjes së Shën Stefanit (1878), kur me krijimin e Bullgarisë rusomadhe u copëtuan trojet etnike shqiptare dhe u pushtuan nga Bullgaria krahina të tëra të banuara me shumicë të popullsisë shqiptare, mes tyre edhe rajoni i atëhershëm gjeografik i Maqedonisë, siç ka qenë nën Perandorinë Osmane, deri më 1913, para Marrëveshjes së Bukureshtit, më 10 gusht 1913*.
Gjithë ky mashtrim i qytetarëve të këtij shteti, për tri dekada me radhë, sidomos i popullsisë shqiptare, të mohuar me Kushtetutë dhe ligje, si pakicë kombëtare prej 20%, pa identitet dhe gjuhë të veten, jo popull shtetformues, që do të ishte një nga garancitë më të mira për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të këtij shteti, qëllimisht është sabotuar nga forcat politike vendëse, maqedonase edhe shqiptare, kryesisht për interesa rusomëdha, jo për të mirën e këtij shteti dhe qytetarëve të tij.
* Në po këtë datë, më 10 gusht 1920 u nënshkrua Marrëveshja e Seresit (Serves) në Francë për copëtimin dhe ndarjen (shitjen) e Perandorisë Osmane. Nënshkruesit e këtij akti të tradhtisë së madhe kanë qenë udhëheqës politik, ushtarak dhe diplomatë të Perandorisë Osmane, agjentë të Rusisë dhe të Fuqive të Mëdha evropiane, kryesisht me prejardhje shqiptare. Me këtë simbolikë të datave është nënshkruar edhe Marrëveshja kornizë e Ohrit, në vilën Biljana në Ohër, saktësisht më 10 gusht 2001, ndërsa është publikuar (kontrabanduar) në Shkup, tri ditë më vonë, më 13 gusht, për shkak të rrethanave të njohura, maskra në Karpallëk dhe masakra në katundin shqiptar Luboten të Shkupit, e para më 8 gusht dhe e dyta më 12 gusht 2001, sipas skenarit për sabotimin e kësaj Marrëveshje për ndërprerjen e konfliktit dhe pajtimin mes palëve.
(24 dhjetor 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk