Diplomacia.dk

MBI LOGJIKËN E NJERËZVE TË KOHËS SË GURIT DHE SHPELLARËT E SOTËM TË PUSHTETIT DHE POLITIKËS

Shkruan: Dr.Prof. Abdulla Mehmeti
Reflekse
Edhe njerëzit primitivë që kanë jetuar nëpër shpella, kur e kanë parandier rrezikun nga bishat e egra dhe armiqtë, kanë ditur të mendojnë e të prodhojnë armë për t’u mbrojtur prej tyre, nuk e kanë menduar vetëm shkopin në dorë për të ikur, me idenë për ta braktisur shpellën, vatrën e jetës së fëmijëve e të familjes.
Po, këta shpellarët e pushtetit dhe politikës shqiptare të periudhës së demokracisë dhe tranzicionit, për çfarë do të kenë menduar në lidhje me çështjen e mbrojtjes dhe sigurisë së popullit të tyre gjatë kësaj periudhe?
Sa mirë dinë ta vajtojnë fatin e popullit, të masakruar nga hordhitë barbare serbe; sa mirë dinë ta vajtojnë fatin e mbi tre milionë shqiptarëve që e kanë braktisur atdheun e tyre gjatë kësaj periudhe; sa mirë dinë të identifikojnë dhe etiketojnë “tradhtarët” dhe “armiqtë e brendshëm” të popullit shqiptar nën regjimet e kaluara, edhe nën sundimet e huaja gjatë historisë; por, pse nuk ditkan t’i kërkojnë falje këtij populli të vuajtur e të shtypur për gabimet dhe dështimet e veta, për korrupsionin dhe vjedhjet e pashembullta, për krimet e rënda mbi popullin e tyre, për shitjen e pasurisë së shtetit dhe të territoreve etnike gjatë këtyre tri dekadave?!
O njerëz të mirë, shtatë Gjykata të Hagës nuk mundin t’i gjykojnë siç duhet dhe sa duhet këto krime, që sot pushteti, mediet dhe një pjesë e intelektualëve qelepurë mundohen t’i fshehin e mbulojnë me pluhurin e harresës; por, këto nuk do t’i harrojnë brezat e ardhshëm, nuk do t’i harrojë dhe do t’i gjykojë historia!
(20 janar 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

GJERGJ KASTRIOTI

Kategoria:

Botuar: 20/01/2023

© 2016 - 2023 | DIPLOMACIA.dk