ME APO PA ALBININ?! TË JESH APO TË MOS JESH?!

11
Jun
2026
Shkruan: Sahit Shala
■Miq të dashur, vëllezër dhe motra,
Me këtë shkrim unë nuk e kam ndër mend të luaj ndonjë rol prej analisti apo diç tjetër, por qëllimi im është që sado pak të vë në spikamë këtë padrejtësi shekullore që po zbrazet mbi kurriz të vendit tonë të vogël e të posalindur dhe mbi supet e Kosovës sonë martire.
S’do mend se si shkak i presionit që po i bëhet vendit tonë ditëve të fundit, interesimi për zhvillimet te ne të jetë në fokus të Europës, por edhe të opinionit të gjerë në botën mbarë. Pra, vëmendja të kthehet nga Kosova.
Situata në Kosovë, apo më mirë të themi, këmbëngulësia titanike e  kryeministrit tonë, Albin Kurti, që për herë të parë për shumë dekada, po përpiqet me tërë qenien t’ia thotë opozitës, por edhe ndërkombëtarëve se ne jemi shtet dhe si të tillë,  duhet ta shtrijmë pushtetin tonë kushtetues në tërë territorin e Kosovës.
Kosova- një vend i vogël në hartën gjeografike, por me shtrirjen e saj mu në zemër të Ballkanit është dhe do të mbetet mjaft tërheqëse për shumë vende dhe shtete, që dëshirojnë ta shtrijnë pushtetin e tyre në këto treva.
Qëndrimi i luhatur dhe kundërshtues nga opozitarët tanë, tashmë të sprovuar në politikë për mbi dy dekada, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, i hedh ata, dashtë e padashtë në taborin e njerëzve që na bëjnë të dyshojmë se sa shumë po e duakan Kosovën!.
Mitrovica e veriut ka qenë dhe mbetet “mollë sherri”. Këtë fakt, mbase e dimë mirë, sidomos ne shqiptarët, por reagimet që bëjnë, qoftë opozitarët, qoftë edhe të tjerët, nga vende të ndryshme, na bëjnë për t’u hamendur shumë, apo për të pyetur se përse u derdh tërë ai gjak në luftën tonë të shenjtë për liri e barazi.
Serbët, që jetojnë në ato treva (të veriut të Kosovës) gëzojnë të drejtat më të mëdha që ka pasur ndonjë popull minoritar, qëkur dihet domethënia e fjalës demokraci.
A thua çfarë duhet të themi për ta kuptuar se çfarë të drejtash gëzojnë vëllezërit tanë shqiptarë, që jetojnë në trojet e veta shekullore: në Medvegjë, Preshevë e Bujanovc, por edhe në viset e tjera, poashtu autoktone shqiptare në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi e gjetkë?!…
Ne e dimë po ashtu se pas luftës (1999), vendit tonë të posalindur iu shkëputën shumë nga pjesët e trojeve të veta, qoftë gjatë historisë sonë të së kaluarës së afërt, qoftë në periudhën e dekadave të fundit.
Mbase mjafton të përmendet Çamëria, pastaj trojet e mbetura nën Serbi, nën Mal të Zi, si dhe nën Maqedoni të Veriut. Se, çfarë të drejtash gëzojnë vëllezërit dhe motrat tona që jetojnë në trevat e lartpërmendura, besoj se secili prej nesh e di, jo mirë, por shumë mirë.
Ne, e dimë po ashtu se populli ynë është ndër popujt më pro-amerikan në mbarë Europën, por jam i bindur se as vetë shteti mik, Amerika nuk na do kështu të përçarë e të gatshëm për çdo lloj kompromisi, që do të shkojë në dëm të vendit tonë të vogël.
Në vend të shtrirjes së pushtetit në të gjithë territorin tonë, ne ua falëm pa rezistencë territoret me një sipërfaqe mjaft të konsiderueshme Maqedonisë së veriut, më herët, e viteve të fundit edhe Malit të Zi.
Populli vëlla i Shqipërisë e dëshmoi në luftën e fundit se si duhet të sillet vëllai me vëlla. Ata ndanë edhe kafshatën e fundit për të shpëtuar vëllezërit e tyre, që po digjeshin nga zjarri i luftës së pamëshirshme të vitit 1999.
A thua nuk mjafton kjo për ta bërë të pakuptimtë dhe të çoroditur veprimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili në vend që të bashkëbisedojë me vëllanë e tij kosovar, që njëherit është edhe kryeministër në gjysmën  tjetër, që mbeti padrejtësisht e ndarë nga trungu mëmë, ai zgjodhi ta dërgojë njëfarë draft-statuti te shteti francez, qëndrimi i të cilëve ndaj 2 / 2 çështjes sonë tashmë dihet mirëfilli nga çdo shqiptar që ka lexuar, qoftë edhe një fletë nga historia?!…
A thua kush e mban fajin për këto çrregullime raportesh që po ndodhin në periodën e pasluftës?!
A thua si do t’ia dalim, kështu si jemi të NDARË e të PËRÇARË, qoftë me, apo edhe pa Albinin?!…
Përse ne shqiptarët nuk dimë apo nuk duam ta shtrëngojmë përnjëmend grushtin tonë te vogël dhe t’i biem “malit që s’bëzanë”, për ta dridhur atë sado pak, se edhe ne meritojmë t’i kemi të drejtat tona shumë legjitime, të mbrojtura me kushtetutën tonë, që njihet si njëra ndër kushtetutat më demokratike në Europë e më gjerë.
A thua si do t’ia dalim, kështu siç jemi të ndarë e të përçarë, qoftë me, apo edhe pa Albinin, që mbeti gati grushti i vetëm që nuk di e nuk do të lëshojë pe, siç nuk bënë të tjerët, kohë më parë.
Mbase Europa apo edhe vendet e tjera janë mësuar se ne me lehtë e kundërshtojmë njëri- tjetrin, sesa të mbrojmë idealet tona të shenjta, për të cilat u derdh gjaku i bijave dhe bijve tanë, jo vetëm në luftën e fundit, por vazhdimisht gjatë shekujve.
Sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të qartë ndaj të gjitha qarqeve dhe ta themi tok fjalën tonë, të mbrojmë kryeministrin, i cili me tërë qenien po punon dhe po vepron tamam siç ia kërkon edhe kushtetuta, për një të ardhme të ndritur.
A po mos po duam që prapë ta lëmë çdo gjë në duart e të tjerëve, që u dëshmuan si zhvatës të këtij populli të stërlodhur?!..
TË JESH APO TË MOS JESH?!
TO BE OR NOT TO BE?!
ME, APO PA ALBININ?!…
10. 06. 2026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/06/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk