ME UR(Ë)E’TJE TË TEJKALOJMË URREJTJEN

15
Sep
2023
Shkruan: Syrja Etemi


-Përkitazi me librin: “SI TA TEJKALOJMË URREJTJEN”, të autorit tetovar, Xhemil Zeqiri
Shkruan, Syrja ETEMI
Dhe, ja, në këto ditë me vapë vere, na vjen një libër i ri i autorit, Xhemil Zeqiri – veprimtar akoma aktiv në trojet tona mbarëshqiptare, jo vetëm në Tetovë e në RMV, por edhe në Kosovë, Shqipëri e në diasporë (në Danimarkë e përgjithësisht-në shtetet Skandinave), ku akoma vazhdon të jep kontributin e tij të palodhshëm e të vazhdueshëm. Është ky publikimi i radhës (dhe jo i fundit), i cili titullohet: “Si ta shpjegojmë këtë lloj urrejtje”, me recensim të Abdulla Mehmetit, dhe në botim të Shtëpisë botuese: “Libri im” – Pejë.
Libri, përgjithësisht, përmban shkrime të përzgjedhura e të mbarështruara, dhe i cili, në pjesën e parë karakterizohet për nga diskursi, sa polemizues e “konfrontues” me kategori protagonistësh të fushave të ndryshme në gjeografinë heteroforme shqiptare, e, po aq edhe sugjestiv e narativ – në pjesën e dytë, që shquhet me intervista të shumta dhënë televizioneve të shumta në hapësirat mbarëilirike. Në këtë rast do të veçonim intervistën “Alarm në trojet shqiptare” – të dhënë TV “Alpo” – Gjirokastër, Avantazh, të udhëhequr nga moderatori, Aristotel Petro, 27 gusht, 2022, duke tërhequr vërejtjen disa protagonistëve të politikës, por edhe të kulturës, arsimit e ekonomisë, të cilët , duke sakrifikuar e viktimizuar çështjen e integrimit dhe koherencës ndërshqiptare, dalldisen e shastisen mbas mostrumit të quajtur “globalizëm”, duke mos llogaritur, siç shprehet autori, se: “Globalizmi dhe Patriotizmi janë dy gjëra që gjithnjë janë në përplasje me njëra-tjetrën” (fq. 137).
Është për t’u theksuar edhe intervista më e hershme e autorit – të dhënë televizionit: “Koha” – Tetovë, e zhvilluar më 01.12.2021, të udhëhequr nga ana e moderatores, Ariana Ibrahimi, ku para telespektatorëve, e në këtë rast – para lexuesit, kur bëhet fjalë për rrjedhat e rropatjet politike në RMV, shpalos dhe shpërfaq shumë prapaskena dhe prapëti të politikanëve të tjetërsuar e “të dëgjueshëm” ndaj “punëdhënësve” të Shkupit , të cilët, pa bërë detyrat e veta të shtëpisë, mundohen t’i kryejnë detyrat e “bashkëqytetarëve tanë…” hileqarë, me të cilët bashkëjetojmë në këtë nënqiell, por nuk ka ditë që nuk na “fshikullojnë” me fallakun e “drxhavës” së sertë dhe agresive ndaj shqiptarëve, dhe duke na ngashënjyer e mashtruar me “bananet” e “miqve tanë” ndërkombëtarë, sipas të cilëve, Ne duhet të heqim dorë nga përpjekjet për integrim ndërshqiptar, e të “synojmë” integrimin në BEEEE – si maqedonasë, ku gjuha dhe identiteti maqedonas është i garantuar e, politikanët “tanë”, ende të mos jenë në gjendje të heqin kompozitën famoze nënshtruese e poshtëruese: si “gjuhë e 20% “ !!!
Përveç këtyre dy pjesëve të këtij libri që kemi objekt azhurnimi, ajo që e shton relevancën këtij materiali, është edhe shtojca e quajtur: Fotogaleria, ku jepen disa foto nga takimet që ka patur autori me shumë atdhetarë shqiptarë, duke filluar nga Adem Demaçi, madje – me njerëz të politikës, burrështetas dhe miq të vërtetë të shqiptarëve, sidomos ata danezë, si: Vebeke Sperling, analist dhe redaktor në Tv shtetërore daneze, madje , Lotte Rudorf Madsen, redaktore e gazetës së përditshme “Arbajderen”, përkthyese e gjuhës shqipe- në: shqip-danisht, dhe anëtare e Komitetit: “Miqtë e Kosovës”, Jorn Pedersen, Sekretar i këtij Komiteti, me deputeten e Partisë Social Demokrate Daneze, Hellen Bain, etj.
Dhe, së fundmi, unë këtu nuk do të futem më në detale e hollësi për përmbajtjen e librit dyqindenjëzetedy faqesh – në shpalosje, i cili mund të lexohet “me një frymë”, por do t’ia lë radhën lexuesit që t’i zbulojë këto finesa, kurse autorin e urojmë që të ketë shëndet e të na “kandisë” e gjazmojë me ndonjë titull tjetër të radhës.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk