ME VEPRIMTARIN E ÇËSHTJES KOMBËTARE, XHEMIL ZEQIRIN

04
Feb
2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Intervistoi: Fadil SHYTI

Kohëve të fundit në të gjitha hapësirat shqiptare, po zhvillohen ca ngjarje ”të reja”, sa je në rrjedhat e këtyre situatave?

Përgjigje:

Po, ke të drejtë, kohëve të fundit po zhvillohen ngjarje ”të reja”, për faktin se politika shqiptare është në defensivë. Në radhë të parë andej nga Tirana, po ndodhin ngjarje tejet të pakëndshme për çdo shqiptar. Fjala vjen rreth atyre zgjedhjeve të para një viti, po bëhet aq problem hapja e atyre kutive, sikur opozita të kërkonte të hapej toka!
Në fillim qarqet ndërkombëtare nuk e morën shumë seriozisht këtë kërkesë, mirëpo vendosmëria e opozitës me protesta e greva, bëri që kjo çështje të internacionalizohet tej mase. Pastaj filloi ndërhyrja e ndërkombëtarëve që të stabilizohej situata. Kjo u bë si mbulesë për përkrahjen që ia dhanë ata S. Berishës, pra të mos komprometohen edhe ato qarqe evropiane. E faktoj këtë me një shembull: E keni parë disa herë në ekranet televizioneve se, sa herë që rrymat e djathta, pro-serbe në Evropë depërtojnë t´u japin përkrahje forcave të tyre në Tiranë, opozitën menjëherë e viziton ambasadori amerikan. Mbase kjo do të thotë se amerikanët po i shohin si lojëra të rrezikshme të këtyre forcave në Evropë, që po zhvillohen në Shqipërinë Londineze. Dhe, më tej, nga kjo konstatoj se, fatkeqësisht, fuqitë e mëdha po tallen me politikanët shqiptarë.
Sali Berisha dhe qeveria e tij si duket janë të interesuar vetëm t´i përçajnë shqiptarët dhe ta destabilizojnë Shqipërinë, për ta stabilizuar Ballkanin. Sipas “lojërave” politike: Sa më keq dhe më e destabilizuar që të jetë gjendja në Shqipëri, aq më shumë kjo u shkon përshtati armiqve që na rrethojnë. Bile, për këtë shërbim ndaj tyre, shumë forca antishqiptare e financojnë këtë qeveri antidemokratike.
Ngjarjet tragjike në Kosovë, në Iliridë e gjetiu në trojet tona etnike, aspak nuk po e tundin ”fronin” e pushtetit berishian. Përkundrazi, në sferën ndërkombëtare vetëm sa po e forcojnë më tej. Sa irritues është fakti kur ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, pa menduar gjatë, shkoi në Beograd, për t´ua nderë dorën serbëve. Dhe për më keq, atje pranoi në heshtje absurdin se kinse në Shqipëri paska një minoritet serb!
Nga kjo kujtoj me keqardhje se, vërtet me këtë vizitë të tij atje, çështja shqiptare u dëmtua rëndë. Si mund të shpjegohet fakti që policia maqedonase pa gjyqe po i vret shqiptarët, siç qe rasti i komandant Harun Aliut me shokë, ndërsa Tirana zyrtare të mos ketë madje as edhe një reagim për ato vrasje mizore?! Ndërsa krejt ndryshe po vepron qeveria e Beogradit.

Si i komentoni rrethanat e krijuara për shqiptarët në trojet e pushtuara kudo në Shqipërinë Etnike?

Përgjigje:

Çfarë të them ore?! Jam i detyruar të pohoj se vërtet mjerim politik! Po filloj me ngjarjet tejet tragjikomike lidhur me gjyqin e të madhit atdhetar, Albin Kurti. Gjithë ajo furtunë për të mbuluar tragjedinë e shkaktuar nga policia rumune e UNMIK-ut. Dhe në fund, si i thonë fjalës: “U trand mali, polli mi”. ”Fajtori” u gjet dhe u dënua me 9 muaj!! Qëllimi i ndërkombëtarëve dhe i politikanëve servilë ndaj tyre qe, vetëm të ndalohet hovi i protestave dhe i demonstratave që kishin suksese në terren, i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i politikës së saj të drejtë, me orientime për zhvillime të reja, vërtet në dobi të kombit shqiptar.
Pastaj, ende pa u tharë gjaku i katër atdhetarëve të UÇK-.së, të vrarë nga policia maqedonase, këto ditë e dëgjova në lajme një takim të stilit të ”vëllazërim-bashkimit” titist. Atje në malet e Sharrit, po mbahej një takim me ftesë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, me kryetarin e Maqedonisë dhe atë Malit të Zi. Bile aty u derdhën lot krokodilësh të “kombit jugosllav”, pse nuk ishte në mesin e tyre edhe kryetari i Serbisë ”paqësore”. U bë kjo mbledhje kinse për të ashtuquajturin ”mini-shengen” ballkanik.
Sa shumë po i hidhet hi syve – popullit shqiptar dhe popujve të tjerë në këto hapësira! Bëhet zhurmë, kinse shtetet e Ballkanit po e presin orën e madhe të bashkimit në Bruksel! Pastaj, atje gjithçka do të zgjidhet drejt dhe gjithçka do të rrjedhë si vaj ulliri!
Duke bërë zhurmë kinse për integrime evropiane, po mbulohen qëllimisht problemet tejet të pazgjidhura të kombit shqiptar, po injorohet me cinizëm integrimi i shqiptarëve. Mos të harrojmë se shqiptarët i bënë tri luftëra për t´u ribashkuar në mes tyre, e jo për t´u ribashkuar me Evropën, sepse në Evropë ishim dhe jemi.
Pastaj, hiç më e mirë gjendja nuk është në Maqedoni. Atje politikanët shqiptarë, me në krye Ali Ahmetin, po tallen me çështjen shqiptare. Tani shtroj pyetjen: Pse politikanët shqiptarë nuk e zgjidhin problemin e çështjes shqiptare?! Bile as e shtrojnë këtë problem për zgjidhje, ndërsa Greqia, përkundër problemeve të brendshme, si kriza ekonomike që e turbullon për më tepër se një vit, nuk lejon dot që pa u zgjidhur drejt problemi i emrit të Maqedonisë, të ecën kjo përpara në BE.

Ku i shihni përparësitë e diplomacisë shqiptare dhe prapakthimet e kësaj politike?

Përgjigje:

Po ç´përparësi ore vëlla ka politika shqiptare?! Kjo politikë prapakthimi, në fakt ka vetëm një “përparësi”. E ka servilizmin e tejskajshëm ndaj ndërkombëtarëve të të gjitha ngjyrave. Po, sa po mund të kuptoj, fakti qëndron aty se që kur e mori pushtetin me mashtrime, hajni e dhunë S. Berisha dhe bandat e tij, Shqipërinë e mjerë e dogjën dhe e shkatërruan, popullin e në veçanti rininë – e varfëruan, e lanë rrugëve, e “çliruan” të ikën, të përjashtuar nëpër Evropë e gjetiu. Kujto vitin 1997 kur popullit i erdhi zullumi në majë të hundës nga kjo qeverisje servile serbo-greke. Gjendja shkoi deri aty, sa u detyrua të rebelohej për hajninë që e bëri me piramidat. Njerëzit humbën shumë pasuri dhe pastaj, me pushkë në dorë e rrëzuan nga pushteti Sali Ramë Berishën.
Pas asaj lufte qytetare, apo si ta quajmë, forca të vërteta demokratike shqiptare mezi e qetësuan popullin, duke e detyruar për të dhënë dorëheqje nga pushteti që e ktheu në anarki, me marrëzitë e tij vetë S. Berisha. Pastaj u zhvilluan zgjedhjet. Dihet se në ato zgjedhje fitoi PS-ja dhe me të gjitha hallet që kishte Shqipëria dhe kombi shqiptar, përsëri dinte ta drejtonte timonin nga ardhmëria. Jo se PS-ja ishte aq shumë e angazhuar që të plotësonte amanetin e heronjve të gjakosur dhe të burgosur për 100 vitet e fundit, por vërtet bëri aq sa diti e mundi. Edhe në ato kushte tepër të rënda që ishin krijuar.
Unë mendoj se njëra ndër arritjet më të mëdha në fushën e politikës shqiptare gjatë asaj kohe, ka qenë dhe do të mbetet aprovimi i Kushtetutës shqiptare. Sot Shqipëria e ka një Kushtetutë, vërtet demokratike. Mirëpo, këtë fitore armiqtë tanë si zagarët e nuhatën dhe i ranë në gjurmë. Pastaj kanë bërë çdo gjë që miqtë e tyre serbë, si Damir Fazlliqi e viçër të tjerë sllavë të vijnë në pushtet, bashkë me forcat e djathta, me Berishën “në krye”, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kishin terren nga përkrahja e tij që të rriten interesat serbo-greke në Ballkan. Dhe ja argumenti: Në zgjedhjet e parafundit politika e S. Berishës e pranoi statusin e pavarësisë së kushtëzuar, nëpërmjet ministrit të tij të Jashtëm B. Mustafaj, që do të thotë se tani e më tej, nëse realizohet kjo pavarësi e gjymtuar, atëherë Kosova do të jetë e varur në shumë aspekte (si tregtia, kontrabanda, enklavat etj) nga Serbia dhe më tej e pavarur nga Shqipëria.

Më shtrove pyetjen për përparësitë! Po çfarë përparësish ore? Sot e kësaj dite shqiptarët janë të izoluar edhe pas gjithë kësaj zhurme të madhe, kur po trumbetojnë se jemi në Evropën politike, se do t´i heqim vizat. Mirëpo kur jemi këtu, kujtoj se neve shqiptarëve vizat nuk na i heqin lehtë, por edhe nëse na i heqin, Evropa kurvë do t´i formojë disa rregulla, me kushte speciale për Shqipërinë. Mos mendoni se ata e futën Shqipërinë nën ombrellën e NATO-s se iu dogjën zemrat dhe për të mirën tonë. Ata duan që shqiptarët vetëm të jenë shërbëtorë të huaj, ndërsa Shqipërinë nuk janë në gjendje ta mbrojnë nga askush. Fatkeqësia e madhe qëndron aty se në të ardhmen ushtria shqiptare do të përdoret “mish për top”, duke shkuar në vende të huaja për t´i zgjidhur çështjet e pazgjidhura për botën, ndërsa ende çështja shqiptare ka mbetur tejet e pasigurt!
Ja, në këtë farfuri që e ka futur Shqipërinë dhe në këto borxhe që e ka zhytur Shqipërinë në bankat e huaja, NATO-ja e detyron që atje ku ata e kanë humbur luftën, ta paguajnë popujt e varfër! Tani Shqipëria duhet të rregullojë 5 shkolla dhe 200 studentë i shkolloi në Tiranë dhe shumë obligime të tjera, me gjakun dhe me shpenzimet e shqiptarëve, ndërsa qe besa, kjo nuk ndodhi në kohën e socializmit. Kujtoj këtu faktin që asnjë metelik BRSS-ja nuk e shfrytëzoi nga Shqipëria. Përkundrazi, Shqipërinë komunistët shqiptarë e bënë një kala të pamposhtur!

Intervistuesi:

Por, megjithatë, mos nga ky anëtarësim a do të kemi ca përfitime?

Lëri dhe injoroi tani matrapazët dhe servilët se çfarë deklarojnë! Mendoj se këto deklarata që janë “për t´i mëshiruar” politikanët e sotëm, i bëjnë nën trysninë e ambasadave të huaja që tani janë bërë “zonja” shtëpie në Tiranë. Gjithashtu S. Berisha, për t´i humbur gjurmët e tradhtisë së vet, tani ka ngritur “në rend dite”, tragjedinë e Tivarit dhe natyrisht që po e harron tragjedinë e Gërdecit e të gërdecave të tjerë si Otranto dhe për më tepër e harron tragjedinë e shqiptarëve gjatë tri luftërave shqiptare. Por është një ide gjeniale kur thuhet: “Sulmi është mbrojta më e mirë”!

Çka ju ka nxitur më shumë në veprimtarinë tënde dhe çka ju step në këtë rrugë, të shtruar jo kurdoherë me ”dafina” ?

Përgjigje:

Ke të drejtë, nuk ka qenë e shtruar me dafina, sepse çdo lëvizje, takim e të tjera, në radhë të parë përmbante rreziqe, sepse jo më kot thotë populli se “politika, shpesh është shpatë me dy tehe”. Prandaj, të lëvrosh në hullitë e saj, nuk duhet vetëm trimëri por kërkohet më shumë se gjithçka, shumë mençuri! Dihet fakti se, duke përfituar nga gjendja jonë e rëndë, qarqe të ndryshme ndërkombëtare, qoftë edhe ato përparimtare, nuk bëjnë dot ndonjë hap përpara, pa i nxitur ndonjë individ apo faktorët tanë politikë, me takime, darka etj. Natyrisht se të gjitha këto kërkojnë shpenzime materiale dhe për t´i arritur objektivat tonë, pothuaj tërë kohën është dashur që këto shpenzime t´i kem bërë me djersën time, pra me lekët e mia.
Paramendoje faktin kur në Këshillin për Politikë të Jashtme, me ne në Parlamentin danez ka qenë nënkryetari i përgjithshëm LPK-së, Muhamet Kelmendi dhe pas shumë aktiviteteve të tjera, intervistave e të tjera, u detyrova t´i them Muhametit se po kam probleme me këta “pehlivanët politikanë” shqiptarë këtu në mërgim, për faktin se po më sabotojnë dhe tani e tutje nuk do të mund t´ i njoftoj për veprimtarinë siç qe kjo e sotmja. Natyrisht, Muhameti ishte shumë i kënaqur për ato takime dhe me tha: “Ti vazhdo punën, ndërsa ata le të bëjnë çfarë të duan”!
Po kështu dhe me po ashtu! Unë gjithnjë kam dashur t´u imponohem institucioneve daneze. Dhe nëpërmjet meje kanë qenë në Danimarkë, për punë politike dhe shtetërore, Bujar Bukoshi, pastaj më vonë përfaqësuesi i Zyrës së Qeverisë së Kosovës në Stokholm, që e përfshinte edhe Danimarkën. Është ftuar zyrtarisht Dr. Shaqir Shaqiri. Pasi e bëri vizitën e pa se ç´mundësi kishte në Danimarkë. Atëbotë Sh. Shaqiri e dha një vlerësim për punën time aty të cilin vlerësim e kam të botuar në librin tim: ”Në mbrojtje diplomatike të çështjes shqiptare”.
Gjithashtu, kam organizuar disa konferenca ballkanike dhe debate publike. Paramendojeni faktin që në atë kohë në Parlamentin danez organizova një debat publik për situatën politike. Pasi doli në skenë e lavdishmja UÇK, përfaqësuesit politikë u ftuan të vijnë dhe të debatojnë në atë debat. Aty pati ligjërues edhe nga Unioni i studentëve të Prishtinës, ishin të ftuar dhe disa të tjerë që, mjerisht nuk erdhën. Pati në debat edhe politikanë të pozitës edhe të opozitës , gazetarë edhe analistë dhe të tjerë që merrnin pjesë. Shumë organizata e përcillnin debatin, mirëpo përfaqësuesi i UÇK-së nuk erdhi, sepse s´pati kohë.
Do të dëshiroja të theksoj faktin se gjatë luftës sonë çlirimtare dhe bombardimeve të NATO-s, në Kosovë u krijua Qeveria e përkohshme nga delegacioni që përfaqësuan në Rambuje. Kryeministër e bënë H. Thaçin. Në një takim të Partisë Social Demokrate daneze me të cilën kisha një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, kërkova prej tyre dy gjera:

1. Të bëjnë përpjekje të dihet ku është Ukshin Hoti dhe të lirohet menjëherë.
2. Të organizohet një vizitë këtu në Danimarkë, për kryeministrin H. Thaçi.

Sekretari gjeneral, Erik Bool që ka qenë dhe në Shkup, Tetovë, Prishtinë, Tiranë etj., më tha: “Për z. Ukshin, ne nuk e kemi më ambasadën tonë në Jugosllavi, mirëpo do të interesohemi të dimë si është gjendja dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ta shpëtojmë nga burgu dhe pastaj do ta sjellim për shërim këtu, në spitalet daneze. Ndërsa për kryeministrin tuaj, nuk e kemi lehtë ta sjellim këtu, sepse Kosova nuk është subjekt-shtet i njohur ndërkombëtarisht, por ka ndonjë mundësi tjetër që do bëjmë. E kuptoj se është shumë mirë dhe një hap shumë i fort diplomatik. Ti bisedo me të dhe atje të caktojnë një datë kur do ai të vizitojë Danimarkën. Ne ia bëjmë atij një pritje zyrtare dhe një takim zyrtar edhe me kryeministrin tonë që është kryetar i Partisë – Paul N. Rasmusen-in. Pastaj do ketë takim edhe me ministrin e Jashtëm danez dhe me atë të Drejtësisë. Do të ketë takime me gazetarë. Këto të gjitha unë i marr në përgjegjësinë time”.
Unë dëshiroja që kjo vizitë të ketë sukses, nuk e humba kohën, por menjëherë i telefonova Ibrahim Kelmendit dhe i tregova se këtu është kjo mundësi. Ai menjëherë e pranoi idenë dhe tha se kjo është shumë punë e mirë! Atë e pyeta: “A ke mundësi që Ti ta sigurosh me Thaçin, sa më shpejt që të jetë e mundur. Dëshiroj të jetë kjo vizitë, bile pas shtatë ditësh”.
Ibrahim Kelmendi si kurdoherë, si një veprimtar i palodhur për çështjen kombëtare, aty për aty ma ktheu: “Ja ku e ke, bisedo vetë”! Bisedova me H. Thaçin. Atëbotë, unë kujtoja se ai është në luftë, por në fakt ai ishte në Bochum të Gjermanisë, atë ditë.
Ia shpjegova rastin për takimin me aq rëndësi të madhe dhe natyrisht që pranoi. Mirëpo më tha: “Ja ku e ke këshilltarin tim, Bilall Sherifin. Merruni vesh me të, për datën e të tjera”.
  Bisedova me Bilallin, i shpjegova fort mirë. Bilalli më tha: ‘Mirë pra, e lëmë të vijmë nesër një javë’. Duke folur, e ndërpreva bisedën dhe i them Erikut: ‘A bën nesër një javë’? Ai bëri me shenjë se bën dhe e vazhdova bisedën duke ia shpjeguar takimet që do t’i organizojë Bilalli. Më dha edhe një numër telefoni ku do t’i mbajmë kontaktet. Sa e mbylla telefonin, Eriku më tha: ‘U bë mirë dhe ja edhe e-maili i Paul Nyrup Rasmussenit’. Erdhi dhe më tha: ‘Xhemil, ti ri i qetë, mos u shqetëso fare. Unë do të bëj që ky takim të ketë sukses të madh’. Të faleminderit – i thash.
Sa dola jashtë dhe më hipën ca djersë të ftohta. Mendoja: Po sikur të mos vijnë e të më komprometojnë, edhe mua, edhe Partinë Socialdemokrate edhe Kryeministrin danez, etj. Për tri ditë rresht e kam thirrur në telefon, bile njëqind herë, po se po! Pas tri ditësh, aty nga ora 001 pas mesnate e hapi telefonin Bilalli. E thirra: ”O, ku jeni bre burra, se jam mbytur duke telefonuar”?!
Pse – tha Bilalli?!!
Po dua të merremi vesh o vëlla, se ç´do të bëjmë, do vini vërtet, apo… Mos më komprometoni me danezët, sepse është shumë nivel i lartë takimi, prandaj dua të jem i sigurt.
Bilalli më tha: Të treguam datën dhe më nuk ka nevojë të bësh telefon, sepse atje e kemi kryetarin e LPK-së, Ibrahim Xhemajlin.
Obobo – sa u dëshpërova! Pastaj atij i tregova: ‘Ai nuk di për këto punë more, sa nga kujdesi prej UDB-ës, aq edhe për faktin që ai nuk merr vesh në rrjetin politik e diplomatik të Danimarkës’.
Aty për aty, për një çast mendova t´i them: “Unë do ta ndërpres këtë punë”! Mendova kështu edhe për faktin se unë atëbotë qëndroja shumë ftohtë me I. Xhemajlin, për shkak të një interviste prej meje që bëri “bujë politike”, kur një gazetar danez e lëshoi një lapsus krejt kot, kur shkroi se unë paskam deklaruar: “Shqiptarët po mbledhin lekë për UÇK-n dhe po përgatiten për luftë”! etj.
Për këtë lëshim, “gabim të madh diplomatik”, ndaj meje disa herë e pat ngritur tonin lart, më bërtiste pa lidhje, ashtu si të isha fëmija i tij. Mirëpo, as unë nuk ia varja shumë veshin, pasi e dija se ai nuk merr vesh shumë në ato punë. E dija se gjuajtjet e mia me shigjeta në diplomaci në marrëdhëniet me miqtë danezë, vrisnin dhe vrasin larg, e këtë ai nuk e kuptonte. Por, njëkohësisht më vinte keq për të, sepse e dija që kishte vuajtur shumë në burgjet serbe.
Pasi ishin bombardimet, doja që lufta të ketë sukses dhe të mohohet ajo marrëveshja diplomatike. Shpresoja që takimin e H. Thaçit ta shfrytëzojmë në diplomacinë daneze kundër marrëveshjes së turpit të Rambujesë. Duke menduar dhe duke u kujtuar, menjëherë i telefonova Shaqir Shaqirit në Stokholm. E njoftova për këtë aktivitet të radhës. Ai burrë, si njeri intelektual dhe patriot që është, e kuptoi drejt qëllimin tim. Pastaj e ftova që të vinte dhe ta shoqëronte delegacionin e H. Thaçit. Unë do ta pres biletën, i thash.
Jo – tha ai! – Në Danimarkë vij me lekë të mia, sepse jam i bindur se vërtet ke shumë miq nëpër institucionet daneze.
Bile me një rast u tha që këtu ta ndërpresin këtë fushatë ndaj meje, sepse ”Politika” ka shkruar ashtu, për ndihmë UÇK-së. Ç´është e vërteta, gazetari i “Politikës”, Jens Hltsø , më pyeti: ‘A mblidhni lekë për UÇK-n’?
Po – ia ktheva! – Para pak ditësh, mërgimtarët këtu, vullnetarisht i dhanë mbi 1 milion korona daneze për UÇK-n.
Pyetja tjetër ishte: ‘A blini armë’?
Jo, jo, sepse keni vendosur embargo ndaj nesh, ndërsa serbët po prodhojnë armë dhe po blejnë sa po munden.
Por ne i kemi dhënë përkrahje morale, politike dhe ekonomike UÇK-së. Kështu vepruam edhe në demonstratat e vitit 1981, ashtu kemi vepruar për ndihma minatorëve, me partitë politike, kur u krijuan më 1990 dhe tani e ka radhën UÇK-ja.

Këtu për lexuesit po e paraqes letrën me të cilën Shaqir Shaqiri ka njoftuar për vizitën e H. Thaçit gjatë asaj kohe në Danimarkë:
“Më 15 qershor të vitit 1999, falë angazhimit të veprimtarëve kosovarë në Danimarkë (mes të cilëve edhe veprimtarit shumëvjeçar, Xhemil Zeqiri), u realizua vizita e kryeministrit të parë të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës, zt. Hashim Thaci, në Danimarkë. Kjo vizitë u realizua me ftesën e kryeministrit danez, Poul Nyrup Rasmussen me të cilin zt. Thaçi zhvilloi një bisedë të gjatë e të përzemërt.
Kryeministrin Thaçi e shoqëroi Përfaqësuesi Diplomatik i Kosovës në Suedi, dr. Shaqir Shaqiri, kurse kryeministrin Rasmussen një pjesë e madhe e ministrave të qeverisë së tij.
Përveç takimit me kryeministrin danez, zt. Thaçi mbajti edhe një ligjëratë në Institutin e Shkencave Politike dhe dha një intervistë për Televizionin qendror danez.
Ditën e dytë të vizitës së kryeministrit Thaçi në Kopenhagë, kryeministri danez Rasmussen shtroi drekë për delegacionin kosovar. Në këtë drekë pune morën pjesë edhe gjashtë ministrat kyç të qeverisë Rasmussen.
Përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Suedi, zt. Shaqir Shaqiri e përgëzoi zt. Xhemil Zeqiri për angazhimin e tij rreth kësaj vizite dhe për punën e tij të palodhshme shumëvjeçare për çështjen e Kosovës.
Jam i vetëdijshëm që e zgjata ca më shumë se që kujtoja këtë ngjarje, mirëpo rëndësi ka fakti të dihet që atëbotë vizita e H. Thaçit në Danimarkë, pati jehonë të madhe në sferën e politikës shqiptare dhe në qarqe të ndryshme ndërkombëtare.

Është tejet i habitshëm fakti që, as sot e mot, kryesia e LPK-së nuk e di që atë takim e kam organizuar unë, veprimtar i LPK-së, Xhemil Zeqiri!
Pata një bisede ca të “nxehtë” me Ibrahim Xhemajlin. Më tha: Ai “shoku” që “më këshilloi” dhe më tërhoqi vërejtjen për disa gjëra, më tha edhe një “njoftim”, kinse dikur Kryesia e fondit ”Atdheu në rrezik – Vendlindja thërret” paska dashur të më shpallë si njeri të dyshimtë! Tani këtë e “vërteton” në atë letrën, por njëkohësisht në atë letër që e ka shkruar “shoku” ynë, më jep këshilla që të mos shkruaj për emra, e të tjera. Prandaj, me atë rast i thashë Ibrahimit: Çfarë janë këto akuza pa bazë dhe pse nuk më keni treguar?!
Ibrahim Xhemajli rrudhi krahët dhe më thotë: Nuk më kujtohet!
Si mund të akuzohem unë ashtu, kur jam i pari që e kam ndihmuar dhe përkrahur luftën çlirimtare me të gjitha mundësitë, politikisht, moralisht dhe ekonomikisht, si njëri ndër veprimtarët më të hershëm këtu në Danimarkë. Këto që i them këtu, shumë lehtë mund t´i argumentoj jo vetëm unë, por mund të argumentohen nga të gjithë ata me të cilët kam vepruar. Pastaj, dihet fakti që unë kisha lidhje direkt me kryetarin e fondit “Vendlindja thërret”, të ndjerin Jashar Saliun. Me të kisha së paku 3-4 biseda telefonike çdo ditë dhe si të injorohet tani aq lehtë fakti që atëbotë gazetarët danezë, me ndërmjetësimin tim bënin intervista me të. Ka dëshmi të forta se atëbotë kisha lidhje edhe me z. Bardhyl Mahmutin, ish-zëdhënës i UÇK-së për mërgatën që vepronte në Zvicër dhe më gjerë. Ky më së miri e njeh, si në dritën e diellit, veprimtarinë time dhe për këtë paraqitje të çoroditur nga kjo Kryesi e fondit, nuk di asgjë. Nga kjo kujtoj se ky Ibrahim Xhemajli, sikur pajtohet!
Dua të theksojë këtu faktin që unë as sot nuk e ndali dot, por edhe më tutje e vijoj veprimtarinë time me L.V. Ua përkujtoj këtu lexuesve rastin e vizitës së Albin Kurtit, vitin e kaluar në Danimarkë, kur ky djalë trim u prit nga parlamentarë, qeveritarë dhe gazetarë danezë. Pas kësaj vizite të tij, pas disa muajsh, një delegacion danez e vizitoi Prishtinën, me ç`rast u njoftua për gjendjen aspak të mirë që po mbretëron atje, përderisa popullit tonë po i mohohet e drejta e VETËVENDOSJES. Ata u njoftuan gjithashtu nga L.V. për padrejtësitë e mëdha që po i bëhen kombit tonë nga qarqe të caktuara antishqiptare, për persekutimet ndaj Albinit dhe veprimtarëve të tjerë të L.V. dhe për servilizmin e pushtetarëve të Prishtinës ndaj UNMIK-ut dhe EULEX-it. Këta politikanë dritëshkurtër e bënë lesh arapi Kosovën duke e ricopëtuar përsëri, si në kohën e satrapit Tito, kur titistët e ndanë Kosovën Lindore nga gjiri i Kosovës etnike me decentralizimin e tyre “famoz”.
Por, njëkohësisht tani e shtroj pyetjen: Po këta zotërinj që po më pengonin mua dhe po më këshillonin, çfarë janë duke bërë?
Këtyre zotërinjve u mungojnë veprimtaritë në shërbim të kombit, por jo, nuk iu mungojnë për asnjë çast, rrahagjokset e kota. Unë nuk e harroj faktin kur këta “dai” nga njëra anë rrihnin gjokset me veprimtarinë time, ndërsa në anën tjetër më thoshin: Mos u deklaro ti se po i bën këto veprimtari, por kinse po i bën Këshilli i LPK-së në Danimarkë.
Mirëpo, me pak fjalë dua t’ua bëj me dije lexuesve se këtij Ibrahim Xhemajlit që aq shumë iu gjeta pranë në kohë të vështira për shqiptarinë, tani si nuk i vjen turp kur indirekt nuk do që ta pranojë faktin se unë e solla H.Thaçin në Danimarkë. Por, kur ia argumentova këtë atij dhe jo vetëm atij, për një çast u zgërdhi dhe u tregua shumë i pacipë kur tha: “Ti e solle, po kush e ka kthyer”?!!
Unë ia ktheva: “O djalë i mirë, kryeministrin H. Thaçi e ka ftuar Shaqir Shaqiri. Unë i pata shkruar letër dhe i kërkova që ky, Shaqiri, në cilësinë e diplomatit të Zyrës së Kosovës në Stokholm, t´i shkruante kryeministrit danez që të vinte H. Thaçi në vizitë.
“Pallavra janë këto”! – tha i revoltuar I. Xhemajli.
Janë gjallë Ibrahim Kelmendi, Bilall Sherifi, Shaqir Shaqiri. Ky i fundit e ka argumentuar me një letër këto ditë dhe të tjerët mund ta argumentojnë nëse duan dhe nëse nuk kanë harruar! Thonë se “faji mbetet jetim”, por kjo “harresë” nuk mund të mohohet dot. Them kështu sepse, nëse zotërinjtë kanë harruar, unë lirisht mund të shkoj dhe t´i hapi arkivat e Partisë Socialdemokrate, e marr një kopje, e botoj dhe pastaj do të binden ata që nuk duan të dinë se ky takim aq i rëndësishëm, ka qenë pikërisht i iniciuar prej meje, ndërsa ju o bukëshkalë po më luftoni dhe më akuzoni pa asnjë arsye as fakt konkret se unë paskam vepruar në dëm të çështjes shqiptare, konkretisht në dëm të “Vendlindja thërret”!
Nuk dua të harroj faktin që t´i njoftoj lexuesit, përse mua dhe shumë bashkëveprimtarëve të mi, kaq shumë u drejtohen sulme dhe kritika qyqare nga disa prototipa ish-udhëheqës apo anëtarë të LPK-së sonë të lavdishme. Pa dyshim, për asgjë tjetër, por vetëm e vetëm për “mëkatet” e tyre, që as sot nuk po pajtohen dot me prapakthimet që politikanët e sotëm ia bënë Shqipërisë Etnike.

Cila Parti, Lëvizje apo Organizatë që vepron sot në trojet shqiptare, konsideroni që po vepron sipas motos ”nga fjalët në vepra”, me cilën prej tyre jeni i angazhuar pa rezerva?

Pa dyshim, të gjithë aktivitetin tim e kam zhvilluar në emër të LPK-së. E tani është LVV (Lëvizja Vetëvendosje). Është një ndër Lëvizjet më të ndritura, me një strategji të qartë, me një platformë shumë të kuptueshme për popullin shqiptar dhe një sfidë e fortë për armiqtë e popullit tanë. Është Lëvizje që e ka arsyetuar dhe argumentuar publikisht dhe botërisht idenë për ribashkim kombëtar. Personalisht, këtu në këtë Lëvizje e kam gjetur veten (bashkë me Ty, i nderuar vëlla ideali, Fadil), që prej fillimit të veprimtarisë së saj.
Sa për ilustrim, për lexuesit po e jap një fakt: më datë 24 shkurt 1997 me një letër të hapur i drejtohem ministrit të Punëve të Jashtme të Danimarkës, Niels Helveg Petersen, me pyetjen: Përse popullit shqiptar nuk i lejohet e drejta e vetëvendosjes?!
Ajo letër u botua nga disa gazeta të përditshme këtu në Danimarkë. Këtë letër e kam botuar edhe në librin tim: “Në mbrojtje të diplomacisë shqiptare”, Prishtinë, 2003, faqe 185.
Pra, këtë kërkesë tonë tejet të ligjshme e kam shprehur kurdoherë në intervistat e mia si dhe në shkrimet për shtypin danez.
Këtë ide e kam theksuar shpesh dhe natyrisht që shumë kishte dhe ka përkrahje, mirëpo ky zë, sado i fuqishëm, por “i vetmuar” në mërgim, sikur ngrihet kot, përderisa politikanët tanë atje në Shqipërinë tonë, nuk e ngrenë fuqishëm këtë kërkesë para faktorëve me peshë në qendrat e vendosjes. Përkundrazi, ata pafundësisht ende janë duke bërë politikë të marrë.

6. A jeni krenar apo jeni i zhgënjyer ndaj kësaj veprimtarie rreth 30 vjeçare?

Përgjigje:

Po, si të të them, kurrë nuk pendohem, por edhe krenar, jo se jo! Them kështu sepse nuk e arritëm atë fitore që e dëshironim, Ribashkimin e kombit ende nuk e arritëm, as të drejtën e popullit shqiptar të vendosë për fatin e vet. Pra që me referendum t´i jepet e drejta apo të pyetet populli se a do që të ribashkohet apo të ngelë kështu i ndarë dhe i përçarë si mos më keq.
Sa për dëshpërim, natyrisht se jemi të dëshpëruar, jo nga armiqtë, sepse ata po luftojnë për interesat e vet, por dëshpërohem kur kujtohem: Po ne, çfarë jemi duke bërë?!
Personalisht kam vepruar në kuadër të LPK-së, dega në Danimarkë dhe në fillim, si të themi të legalizimit, pati shumë të interesuar që të anëtarësohen, bile patëm mjaft anëtarë dhe ishin mjaft të interesuar të jenë aktivë. Aty u formua edhe një këshill që do merrej edhe me organizatat daneze, me gazetarët, e të tjera. Në atë kohë nuk pranonin të bëhet kryetar ai që kishte më shumë vota dhe vullnetarisht pranoi A. Kasami, ndërsa Ibrahim Xhemajli nuk pranoi ta merrte postin e kryetarit.
Unë dëshiroja të kryhen punët që kishin të bënim me informimin e opinionit danez. Në Këshillin që u krijua, menjëherë filloi aktiviteti dhe natyrisht që pati suksese. Por siç e kam theksuar dhe më parë në shkrimet e mia, për çudi udhëheqja e LPK-së i sabotonte aktivitet dhe në një mbledhje kërkova që t´i kemi vulat e degës së LPK-së, në Danimarkë. Por, në atë kohë Abdilhalim Kasami i sabotoi dhe ato u blenë me lekët e mia, ndërsa ai më tha: ”Si duket, ti nuk e kupton rolin, sepse i ke ngatërruar postet. Unë jam kryetar ”
Kam dëshmi të mjaftueshme se jam përpjekur që t´i ndihmoj, por këto ishin të kota. Çdo përpjekje ishte e kotë. Bile kam përshtypjen se edhe Ibrahim Xhemajli sikur frikësohej, apo ngase kurdoherë e merrte me inate me mua. Bile shpeshherë i ndërpritja marrëdhëniet me të, mirëpo kur dëgjoja se do të lëvizin me ndonjë aktivitet, gëzohesha dhe u ndihmoja.
Kujtoj se do ishte mirë të kemi një debat të hapur, por si duket këta zotërinj, as që kanë kurajën për këtë mundësi. Në fakt, unë jam i gatshëm ta bëj këtë me secilin prej këtyre që dëshiron, sepse kam mjaft dokumente, bile shumë argumente që ende s´janë të botuara.

7. A konsideroni se keni bërë mjaft për çështjen kombëtare?

Jo, kurrë nuk jam i kënaqur se kam bërë, për aq sa kam dëshiruar dhe sa do të dëshiroja! Personalisht jam përpjekur t´u qëndroja besnik dy parimeve:
a. Motoja ime ishte dhe ka mbetur e patundur se unë duhet të bëj për Shqipërinë dhe jo Shqipëria të bëjë për mua!
b. Pastaj, me këtë rast të kujtojmë të madhin atdhetar, Sulejman Vokshin i cili ka thënë para gjyqit: “Edhe tri jetë t´i kisha, të tria do t´i jepja duke luftuar për Shqipërinë, në luftë kundër pushtuesve turq” !

Tërë kohën, që nga viti 1981 që jam në Danimarkë, jam përpjekur që, jo vetëm njerëzit, por edhe gurët, t´i vë në lëvizje për çështjen kombëtare. Sa e sa herë kam bërë përpjekje të bashkëpunoj me shqiptarët, mirëpo mjerisht, në Danimarkë shumë herë më kanë penguar dhe më kanë nervozuar. Madje kjo më ka kushtuar shumë edhe ekonomikisht. I bënin ato pengesa me qëllim që të më dëshpëronin, apo ishin të nxitur nga armiqtë që tentuan dhe tentojnë edhe sot, ta bllokojnë veprimtarinë time në fushën diplomatike. Nuk e kuptoj as sot e kësaj dite.

– Mos ishin dhe janë të nxitur nga të tjerët?

Thua, i nderuar: Mos ishin dhe janë të nxitur nga të tjerët?! Lëri ore, të tjerët! Për këtë, ata e dinë më së miri nga kush! Por, për fatin e keq edhe vetë udhëheqësit e këshillit të LPK-së në Danimarkë, bile më kanë kërcënuar në një mbledhje, siç ndodhi në prezencën e Ibrahim Kelmendit kur me atë rast Ibrahim Kelmendi e ndërpreu Këshillin duke u thënë se në Danimarkë nuk ka Këshill të LPK-së. As atëherë, e as deri tani Ibrahim Xhemajli nuk është distancuar nga ato kërcënime që u drejtuan kundër meje!
  Unë e kuptoj qëllimin tinëzar të tij. Ky zotëri “i qetë”, e babaxhan, nuk dëshiron të prishet në shoqëri me askënd, nuk do që të ketë pasoja të çfarëdo natyre. I vjen më mirë të pasivizohet, siç ka qenë pasiv dhe pastaj të rrahë gjoks se sa punë ka bërë në Danimarkë.
Unë personalisht i kuptoj fort mirë edhe aktivistët që kanë qenë të përkushtuar, sepse injorimi dhe përbuzja e aktivistëve është një akt absurd. Këta të dytët janë dëshpëruar dhe janë izoluar. Pra e them përsëri se i kuptoj se vështirë e kanë.
Por, prototipat si Ibrahim Xhemajli nuk marrin së paku një nismë dhe si të tillë natyrisht që nuk kanë pse të gabojnë. Pra sipas motos: “Ky e ka pasur mirë. Ky e ka pasur mirë, këtij “notuesi” në ujëra të qeta po i shkon fort mirë “noti” edhe me LPK-në edhe me LDK-në edhe me S. Berishën edhe me I. Metën. Këta vërtet ngjasojnë me një tip kameleoni.

 8. Po, përkrah jush a keni bashkëmendimtarë, më shumë në mërgim, apo lidhjet i mbanë më shumë me veprimtarët në atdhe?

Përgjigje:

Natyrisht, kam shumë bashkëmendimtarë. Kjo më jep forca për të mos u ndalur deri në fitoren përfundimtare. Jo vetëm në Shqipërinë Londineze, por edhe në Kosovën heroike, në Iliridë të tjerë kam dhe mbaj kontakte të rregullta me intelektualë dhe organizata të ndryshme. Por edhe në Evropë dhe më tej nëpër botë, kontaktet nuk mungojnë. Do të dëshiroja të përkujtoja këtu një aktivitet, fort me rëndësi: Këtej nga Danimarka, atje në Tetovë organizova një tryezë debatuese për të madhin politologun tonë, Ukshin Hoti. Hiç më pak se 15.000 korona daneze ia dërgova Shoqatës së të burgosurve politikë, që këta ta mbajnë këtë tryezë dhe aty ishte dhe një përfaqësues i “PEN-it”, ishte shkrimtar danez – internacional dhe mbajti fjalim. Pastaj pati një shkrim shumë të fortë në gazetën daneze në “Fri Aktuelt”.
Pra, jo vetëm në Danimarkë, por edhe në atdhe jam përpjekur të veproj me lekët e organizatave qeveritare daneze. Pastaj kam financuar disa revista që kanë kushtuar rreth 15.000 korona daneze, etj.

I nderuar, atdhetar! Ishte vërtetë kënaqësi biseda me Ty, uroj që ta arrijmë fitoren e madhe, Ribashkimin kombëtar për të cilin kemi bërë dhe po bëjmë përpjekje!

Gjithashtu! Nderimi qoftë mbi veprimtarët e lirisë dhe të ribashkimit, e në veçanti nderim dëshmorëve të atdheut!

Kopenhagë, më 17 korrik 2010

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk