Mekuli Viti 1878!

30
Aug
2024
Shkruan: Gëzim Mekuli


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po ndjek hapat e Sllobodan Millosheviqit, duke ndjekur një retorikë nacionaliste dhe veprime që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin e brisht në Ballkan.
Deklaratat e tij se “Kosova është vend i shenjtë serb” dhe refuzimi i tij për të njohur pavarësinë e Kosovës, janë të ngjashme me strategjitë propagandistike e fashiste të Millosheviqit, të cilat çuan në tragjedi dhe gjakderdhje në ish-Jugosllavi.
Vuçiq po ringjall një politikë të rrezikshme që kërkon të rikthejë fuqinë dhe krenarinë serbe në kurriz të fqinjëve të tij, duke ndjekur një axhendë që mund të çojë në konflikte të reja.
Dhe Franca i falë AVIONË dhe raketa!
Në të njëjtën kohë, presidenti francez Emmanuel Macron duhet të kritikohet ashpër për armatosjen e Serbisë, një regjim që po bëhet gjithnjë e më jodemokratik dhe kërcënues për rajonin e konkretisht për shqiptarët. Furnizimi i Serbisë me armë është një akt i papërgjegjshëm që rrezikon sigurinë në Ballkan, veçanërisht për Kosovën.
Kjo mbështetje prej fajdexhive e një regjimi autoritar qëndron në kundërshtim me parimet demokratike që Franca pretendon të mbrojë dhe minon përpjekjet për një paqe të qëndrueshme në rajon. Dhe Franca i falë AVIONË dhe raketa!
Kritika duhet të drejtohet edhe ndaj opozitës gërditëse në Kosovë, e cila, me qëndrimet e saj, duket se është në kundërshtim me interesat gjeopolitike të shqiptarëve.
Në një kohë kur uniteti dhe mbrojtja e interesave kombëtare janë jetike, fretorika dhe veprimet e opozitës dëmtojnë përpjekjet për të siguruar stabilitet dhe mbrojtje për Kosovën. Dhe mediat e tyre shpifin, mjegullojnë dhe prodhojnë, pa u ndalë, lajme që më shumë i gjasojnë mediave të Beogradit!
Për më tepër, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, meriton qortim publik e të ashpër për lidhjet e tij me Vuçiqin, të cilin biles edhe e quan me shumë lezet, “miku im Vuçiq”.
Ky afrim me një lider që kërcënon pavarësinë dhe stabilitetin e Kosovës është një tradhti ndaj interesave kombëtare dhe një veprim që dobëson pozitën e shqiptarëve në rajon. Dhe Edi Rama heshtë ndaj këtij misioni serb dhe keqinterpreton realpolitikën serbe!
Sjellja e Ramës, më shumë se ajo e Macronit dhe e Vuciqit, është një zhgënjim për shqiptarët që presin një udhëheqës që mbron interesat e tyre dhe jo një që i nënshtrohet retorikës dhe gjeopolitikës nacionaliste serbe.
Të dashur lexues,
Është viti 1878, 1912, 1924, 1944, 1999….
Kosovë, armatosu për tu mbrojur! Duke mbrojtur Kosovën, mbrojmë vlerat shqiptare e qytetare; mbrojmë Shqipërinë, mbrojmë Shqiptaren si gjeopolitkë dhe, natyrisht , Demokracinë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk