Përveç planeve të vjetra të Garashaninit, Çubriloviqit dhe Andriqit mbi dëbimin e shqiptarëve
dhe kolonizimin e Kosovës me serb dhe malazez, për të ndryshuar strukturën etnike, kemi
qenë dëshmitarë edhe të tre programeve të ngjashme nga fundi i shekullit XX dhe fillimi i
shekullit XXI, kurse dje na u paraqit edhe i katërti.
Në vitin 1986 u paraqit në publik dokumenti i quajtur Memorandum i Akademisë së
Shkencave dhe Arteve të Serbisë (AShAS), që ishte vazhdimësi e planeve paraprake të
Serbisë përshtatur kushteve të reja, ku mes tjerash shkruan:
“- çështja serbe nuk është zgjidhur në RSFJ, prandaj ajo kërkon zgjidhje të re, – kufijtë e Serbisë nuk janë në pajtim me përbërjen etnike, prandaj duhet të ndryshohen; – Kushtetuta e vitit 1974 e ka dëmtuar shumë Serbinë, me krijimin e krahinave autonome të
Kosovës dhe Vojvodinës dhe ka dezintegruar Jugosllavinë duke krijuar kufij administrativë
artificialë, të cilët nuk pasqyrojnë pamjen reale etnike; – është rrezikuar populli serb nga popujt e tjerë brenda RSFJ-së: nga asimilimi, eksploatimi,
shpërngulja, pamundësia e shprehjes, anashkalimi në sferën politike, ekonomike, kulturore e
shkencore; – është bërë fuqizimi i forcave antiserbe brenda Jugosllavisë (Shqiptarët, Kroatët)”.
Nëse këto pika i lexojmë “shqip” rezulton se Serbia duhet të shtrihet kudo ku ka serbë,
respektivisht edhe në pjesët e Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe se duhej suprimuar
autonomia e Kosovës. Edhe pse AShAS në atë kohë e mohoi ekzistencën dhe pronësinë e
këtij dokumenti, ngjarjet e mëvonshme të zhvilluara nën udhëheqjen e kasapit të Ballkanit
Sllobodan Millosheviqit, vërtetuan pa asnjë dilemë se ky memorandum shërbeu si bazë
teorike për politikën e tij dhe si platformë për luftërat që do pasojnë dhe që do fillon me
suprimimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1989.
Në vitin 2000, menjëherë pas lufte, është botuar libri “Kosova para gjyqit të historisë”, me
autor arkitektin serb Borislav Kërstiq, ekspert i rregullimit hapësinor. Pjesë e këtij libri ishte
edhe projekti “Pajtimi i të drejtave”. Nëse e lexoni këtë projekt vërehet se ai nuk është
produkt i një njeriu pasi që është multidisiplinor dhe modular, kurse përmban elemente
politike, diplomatike, propagandistike, institucionale dhe subversive. Titulli rrjedh nga
premisa e gabuar (lexo e rrejshme) serbe, se serbët kanë të drejta historike mbi Kosovën,
kurse shqiptarët të drejta etnike, prandaj këto dy të drejta duhen pajtuar. Konkluzioni i këtij
projekti është se:
“Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe në këtë pat pozicion beson se aleatët e saj
tradicionalë do të ndërhyjnë me një “zgjidhje të mesme dhe të drejtë”, me të cilën do të
kërkohen “sakrifica nga të dyja palët”.
Edhe 26 vjet pas, pikërisht këtë pozicion ende e mban Serbia!
Në vitin 2011 është zbuluar dhe botuar për herë të parë në gazetën javore të Sarajevës
“Sllobodna Bosna”, Memorandumi 2 i AShAS. Me një fjalë ky dokument është një udhëzim
se “si të kthehet në paqe ajo që është humbur në luftë”. Disa nga këto udhëzime janë:
“– të destabilizohen qeveritë e vendeve fqinje, të provokohen pakënaqësi e tollovi në to, ashtu
që të dobësohet tehu i akuzave kundër Serbisë, – të ndihmohet shkëputja e Republikës Serbe nga Bosnja Hercegovina – të insistohet në fitimin e statusit të popullit shtetformues të serbëve në Kroaci, Mal të Zi dhe
në Kosovë, – të pengohet ndarja e Vojvodinës dhe rajonalizimi i Serbisë,
– Shtetet fqinje, Kroacia, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova të vihen në situatë që të heqin dorë
nga paditë e ngritura apo të pretenduara kundër Serbisë pranë Gjykatave Ndërkombëtare, – të minimizohet përgjegjësia e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e kryera gjatë luftërave,
duke ngritur akuza, fletarreste ndërkombëtare dhe procese gjyqësore kundër qytetarëve të
Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë dhe Kosovës, – të shmanget vëmendja e mediave rajonale e ndërkombëtare nga përfundimet e gjykimeve në
Tribunalin e Hagës kundër kreut shtetëror, ushtarak e policor të Serbisë, – me aksione pendese të vihet Serbia në pozitë të njëjtë të viktimës me shtetet fqinje të
dëmtuara nga lufta, – të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës, ashtu që gjykimi i gjeneralit Ratko Mlladiq
të zhvillohet në gjykatat e vendit”.
Nëse e kujtojmë tentimin e grushtit të shtetit në Mal të Zi në vitin 2016 me mercenarë serbë e
rusë; tentimin tjetër për grusht shteti në Maqedoni në vitin 2017; politikën shumëvjeçare në
Kosovë; destabilizimin e Malit të Zi që u tentua të bëhej në janar të vitit 2020 nëpërmjet
kishës serbe, sjelljen destruktive të Republikës Serbe brenda Federatës së Bosnjë
Hercegovinës, nuk është vështirë të nxjerrim përfundimin se politika serbe vazhdon të
mbështetet në “memorandume” të hartuara nga AShAS në bashkëpunim me kishën serbe.
Dje, me 17 maj na doli edhe një memorandum, tani nga “studentët në bllokadë” serb, të cilët
po kundërshtojnë politikën e presidentit serb Vuçiq, por vetëm në planin e brendshëm. Ata
publikuan “Memorandumin rreth Kosovës dhe Metohisë” të cilin po ua sjell në tërësi:
“Ne, studentët e Serbisë, të mbledhur në Kragujevc, kryeqytetin e parë të Serbisë moderne
dhe qendrën e mendimit shtet-formues serb, të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë personale
dhe kolektive, si dhe për borxhin historik ndaj paraardhësve dhe pasardhësve tanë, e kemi
miratuar këtë Memorandum si shprehje e vullnetit të përbashkët.
1. “Kosova dhe Metohia” janë pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme e Republikës së
Serbisë. Ky fakt nuk është vetëm kategori kushtetuese, por edhe një imperativ historik
dhe moral që nuk i nënshtrohet negociatave mbi thelbin. Ruajtja e rendit kushtetues të
Serbisë në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë është themeli i mbijetesës së shtetit serb
dhe garanci për një paqe të drejtë në rajon.
2. “Kosova dhe Metohia” nuk janë vetëm një hapësirë — ato janë përbërës i identitetit
kombëtar serb. Si qytet ku u themelua shtetësia moderne serbe, Kragujevci trashëgon
detyrën të jetë ruajtës i vlerave të betimit që lindën në “Kosovë dhe Metohi”, jo vetëm
në fushën e betejës të lagur me gjak, por edhe në horizontin shpirtëror nga ku edhe sot
na ndriçojnë kishat e Prizrenit, narteksi i Pejës, ari i Banjskës dhe shtyllat e harqeve të
Graçanicës. Pa “Kosovën dhe Metohinë”, kodi ynë kulturor dhe historik humbet
burimin dhe kuptimin e vet.
3. Si një popull i pjekur dhe historik, jemi të vetëdijshëm se çështja e “Kosovës dhe
Metohisë” nuk mund të zgjidhet në izolim, por vetëm brenda rrjedhave të ndërlikuara
të bashkësisë ndërkombëtare. Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive dhe
konstruktive me të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, duke i njohur ato si
partnerë të pashmangshëm në gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme dhe të
qëndrueshme në kuadër të Kushtetutës së saj. Qëllimi ynë është një model që, me
respektim të vazhdueshëm të së drejtës ndërkombëtare, do të sigurojë paqe, siguri dhe
mbrojtje të plotë të të drejtave për popullin që jeton në këtë territor.
4. Çështja e “Kosovës dhe Metohisë” i përket çdo qytetari të këtij vendi. Lidhja jonë me
krahinën jugore nuk buron vetëm nga statusi i mbajtësit të pasaportës së Republikës së
Serbisë, por nga vetë thelbi i rolit tonë në historinë dhe kulturën serbe. Çdo individ, si
bartës i kujtesës kolektive, ka detyrë të kontribuojë në ruajtjen e kësaj trashëgimie
shpirtërore dhe kulturore, e cila tejkalon kufijtë e dokumenteve administrative.
Ky Memorandum shërben si kujtesë se lufta jonë për “Kosovën dhe Metohinë” është
njëkohësisht luftë për dinjitetin tonë, kulturën tonë dhe të ardhmen tonë në familjen e
kombeve të barabarta të botës.
Nga ky vend, nga zemra e Shumadisë, ne porosisim se ruajtja e “Kosovës dhe Metohisë”
është emëruesi i përbashkët i të gjitha përpjekjeve tona.”
Besoj se ky memorandum nuk kërkon ndonjë koment sqarues. Ajo që përvijohet në
memorandumet e pas luftës 1998/99 është se ata më shumë llogarisin në marrëveshje dhe
përkrahje me/nga faktori ndërkombëtar sesa që llogarisin në ndonjë marrëveshje dhe pajtim
me shqiptarët. Madje në memorandumin e fundit as që përmenden me një fjalë të vetme
shqiptarët.
PËR TË MENQURIN MJAFT!


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
