Shkruan:Fatlind Selmani
Mendjemadhi është kokëbosh, hundëpërpjetë e kokosh.
Ecën rrugës duke u tundur e kapardisur. Kalon afër të njohurve dhe bën sikur nuk i sheh. Në fakt ka raste që “sheh”, por e pengon hunda të flasë, bile hunda e pengon edhe të hedhë hapin, i duket sikur ia ka shaluar kalit dhe, kur kthehet, rrëzohet, në çast e sheh veten se është “në këmbë”! Ndodh që ndonjë e pyet: “Pse s’na flet, o njeri”, përgjigjja e këtij është “s’të pashë”! Populli e përkufizon mendjemadhin me fjalët: “Është dhe fodull, dhe qeros”! Dhe “Mendja i ka dalë mbi flokë”, kujton se di shumë, sikur ka dituri, “jo me kile, por me okë”. E mat veten me hijen e mëngjesit. Dhe prandaj “s’ka nevojë të mësojë, të shtojë diturinë”. Nuk janë të paktë ata që, duke menduar se “dinë shumë”, “i dinë të gjitha”, i kanë mbyllur librat. Të vjen keq kur nga këta ka dhe me arsim të lartë! Mendjemadhësia është e kundërt me thjeshtësinë. Tipar dallues i mendjemadhit është padituria. E keqja më e madhe e tij është se ai nuk njeh paditurinë e vet. Mund të ketë shkollë, por nuk e ka parë shkollën, e ka parë shkolla atë. Kryelartësia e bën që të mjaftohet me ato që di. E vërteta është se i ditur është ai që nuk mjaftohet me ato që di, i kërkojë vetes gjithnjë e më shumë, se dituria s’ka fund.
Ka dijetarë, që diturinë e tyre e pasurojnë gjithnjë, librit s’i ndahen, mësojnë, studiojnë dhe punojnë edhe në pleqërinë e thellë. Dhe me shembullin e urtësinë e tyre shprehen: “Ne s’dimë as një të miliontën e gjërave që duhet të dimë”. “Unë di një gjë, që s’di asgjë”(Sokrati). “Sikur njeriu të mos bëjë gjë tjetër, veç të lexojë tërë jetën, nuk ia del dot miliona librave që botohen”. Koncepti i mendjemadhit se qenka më i dituri, e çon atë në sjellje e qëndrime që ulin figurën e tij. Edhe kryelarti nuk duket thjesht nga paraqitja, as nga fjalët, por nga qëndrimet, nga veprimet, nga bota e brendshme; çmohet nga shpirti, nga mendja, nga zemra, nga sjelljet. Nuk është vështirë t’ia “blesh” mendimet. Ai e tregon vetë “un-in”, flet e tregon më shumë për vete. Vetlëvdohet. Të tjerët i nënvlerëson, veten e mbivlerëson. Doni më për mendjemadhin? Karakteristikë e mendjemadhësisë është nënvleftësimi i të tjerëve. Mendjemadhit nuk ia zënë syrin njerëzit e thjeshtë, se nuk e lë mbivlerësimi i vetes së tij. Ndaj njerëzit e thjeshtë nuk ia varin shumë. Mendjemadhi ka fare pak miq. Ai nuk shqetësohet kur sheh se punët nuk shkojnë mirë. Dhe kur shqyrton arsyet ose shkaqet, fajin ua hedh vartësve. Sheh “një fije kashtë në syrin e të tjetrit dhe jo trarin në syrin e tij”. Mendjemadhësia shpesh çon në kokëfortësi. Kryelartit e padrejta e tij i duket e drejtë. E drejta e tjetrit, i duket e padrejtë. Flet për “hatër” edhe kur s’ka hatër. Hyn në thashetheme.
Kur është fjala për shpërblim, kryelarti përpiqet që “thelën” e madhe ta marrë për vete, ose t’ua japë atyre që janë servilë apo karrieristë të tij, që t’i ketë gjithnjë rreth vetes, mbështetës. Ndodh edhe ndryshe, mund të mos kërkojë gjë hapur për vete, por qejfi ia ka që të propozohet për shpërblim, se sipas servilëve “është ai, pa jemi ne”!
Ai që është mendjemadh nuk e ha kritikën, pa le të bëjë autokritikë. Ai thotë me vete: “Ruajna zot nga kritika, se nga autokritika ruhem vetë”. Dhe po e kritikove, bëni mirë hesapet, se nuk përton të hakmerret sidomos kur është me pozitë dhe ka në dorë, “të bën gjëmën”. Kritika e bën të hidhet përpjetë, si i pickuari nga grerëa. Dhe fillon nga justifikimet, vë theksin tek “arsyet objektive”, anashkalon ato subjektive. Ose përgjigjet me ironi: “Më mirë të jesh mendjemadh, se mendjevogël”(!). Edhe kur ndodh që të bëjë një farë autokritike, këtë përpiqet ta bëjë sa për formë, mendon se do krijojë përshtypjen e mirë e, sipas tij, të mund të fitojë pak simpati. Ka mendjemëdhenj që mund të mos vishen mirë, pse mendon, se të tjerët do krijojnë përshtypjen se “është thjeshtë”! Vepron sa për sy e faqe. Por nuk ka parasysh se mund të vishesh mirë e të jesh i thjeshtë, siç mund të vishesh keq e të jesh fodull. Por kjo ndodh përkohësisht.
Mendjemadhësia i ka rrënjët thellë në trurin e në ndërgjegjen e mendjemadhit. Kryelarti mund të ketë miq vetëm servilë, lajkatarë. Por “Lajkatari është një gjuetar, laku i të cilit është lajka: në këtë lak nuk mbetet njeri përveç atyre që janë mendjelehtë dhe iu fluturon mendja”. (thoshte Solomon).
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!