Mihail Sakellariou (1912-1991) ishte historian grek i historisë së lashtë

10
Mar
2026
Shkruan: Kol Marku- Studius Itali
Mihail Sakellariou (1912-1991) ishte historian grek i historisë së lashtë, i specializuar në prehistorinë e Egjeut, etnogjenezën e popullsive të hershme dhe Epirin antik.
Ai kishte doktoraturë në histori antike dhe mbante post profesor universitar, duke qenë pjesë e elitës akademike greke të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Sakellariou mori pjesë në projekte madhore si Historia e Kombit Grek, botoi studime për Epirin, kolonizimin dhe strukturat etnike të botës së hershme, dhe u dallua për përpjekjen për të ndërthurur arkeologjinë me analizën historike dhe gjuhësore.
Ai përfaqëson një linjë historiografike që synon të ndërtojë vazhdimësi nga prehistoria në periudhën klasike. Nga këndvështrimi kritik, ai vlerësohet si studiues serioz dhe i kujdesshëm në formulime, por mbetet brenda paradigmës indo-europianiste të shek. XX, e cila shpesh projekton identitete të mëvonshme në periudha pa dëshmi gjuhësore dhe mbështetet në modele migratore sot të debatueshme.
M. Sakellariou te (IEE, T. A)- Në një tekst që riprodhon drejtpërdrejt pjesë nga libri «Ιστορία του Ελληνικού Έθνους (Ι.Ε.Ε.), Εκδοτική Αθηνών, 1970, τόμ. Α΄», jepet ky citim me faqe 368-369. Kemi një një citim «Η αιολική διάλεκτος … εντοπίζεται στη Λέσβο… Ωστόσο η Λέσβος αποικίσθηκε … μετά από το τέλος της Μυκηναϊκής Εποχής…»
“Dialekti eolik … dëshmohet në Lesbos… megjithatë Lesbosi u kolonizua … pas përfundimit të Epokës Mikenase…” «Κοιτίδα της πρέπει να υπήρξε … Η Θεσσαλία…» “Djepi i saj duhet të ketë qenë … Tesalia…” «…είναι εύλογο να υποθέσουμε ότι τα ελληνικά στοιχεία … μπήκαν στη Θεσσαλία γύρω στο 1900 π.Χ.» Më pas Sakerlliu thotë: “Është e arsyeshme të supozohet se elementet greqishtfolëse … hynë në Tesali rreth vitit 1900 p.e.s.” Pra: ekziston një citim i verifikueshëm online që ia atribuon Sakellariou-s dhe e lidh me IEE A, f. 368-369, pra ky fregment është për dialektet (eoliken / mykenase) dhe Tesalinë.
____
Dimë dipas burimeve antike, para kolonizimit eolik ishulli Lesbos banohej nga popullsi para-helenike, të cilat autorët i përfshijnë zakonisht në kategorinë pellazge ose në popullsitë e hershme të bregdetit anatolik. Herodoti e paraqet kolonizimin e ishullit si proces të mëvonshëm të lidhur me lëvizjet pas botës mikenase, çka nënkupton ekzistencën e një shtrese vendase pararendëse. Tradita gjeografike dhe historike e Strabonit përmend praninë e popullsive të vjetra të Egjeut në ishull përpara kolonëve aeolikë, ndërsa Thukiditi e vendos kolonizimin e ishujve të Egjeut brenda proceseve më të gjera të migrimeve dhe riorganizimeve pas periudhës heroike. (që do të thotë, lufta e Trojes).
Në këtë kuadër, historiografia moderne që analizon traditën antike e interpreton termin “pellazgë” si kategori për substratin para-helen, duke përforcuar idenë se kolonizimi aeolik përfaqëson një transformim gjuhësor dhe kulturor mbi një popullsi më të hershme vendase.
Thesalia, para vendosjes së popullsive helene, banohej nga popullsi pellazge dhe fise para-helenike të Egjeut. Herodotus e përmend rajonin si hapësirë të lidhur me pellazgët dhe popullsi të vjetra vendase, ndërsa tradita gjeografike e Strabonit ruan kujtesën e një substrati pararendës mbi të cilin më vonë u vendosën fiset aeolike dhe popullsitë helene. , Dëshmitë e autorëve antikë tregojnë qartë se si në Lesbos, ashtu edhe në Tesali, përpara kolonizimeve dhe formimit të shtresave dialektore helene, ekzistonte një substrat i vjetër pellazg. Kolonizimi aeolik i Lesbosit, i vendosur nga
Herodotus dhe tradita historike si proces pas rënies së botës mikenase, nënkupton praninë e një popullsie vendase pararendëse, ndërsa përmendjet e Strabo dhe Thucydides e përforcojnë këtë kujtesë për popullsitë e hershme të Egjeut mbi të cilat u vendosën kolonët e mëvonshëm.
Një tablo e ngjashme paraqitet edhe në Tesali, ku burimet ruajnë kujtesën e një hapësire të lidhur me pellazgët dhe me popullsi para-helenike, mbi të cilën më pas u zhvilluan shtresat aeolike dhe identitetet helene.
Në këtë perspektivë, pellazgët shfaqen jo si figurë mitike e paqartë, por si kategoria historike që ruan kujtesën e popullsive autoktone të Egjeut, ndërsa kolonizimet dhe migrimet e mëvonshme duhet kuptuar si procese transformimi gjuhësor e kulturor mbi një bazë më të hershme vendase.
Kjo vazhdimësi e substratit pellazg, e dëshmuar paralelisht në Lesbos dhe Tesali, dobëson modelet e thjeshta migratore dhe përforcon interpretimin e etnogjenezës helene si proces gradual ndërveprimi dhe helenizimi gjuhesor mbi një realitet para-helen ( pellasg të qëndrueshëm si nje proces i vonshem që ka marrë forme vetem në perjudhen klasike ne shek V.p.e.s.
____
1.Teza “greqishtfolës rreth 1900 p.e.s.” si projeksion retrospektiv
Kur një autor modern (p.sh. Prof. Sakellariou në kuadrin e historiografisë së tipit IEE) sugjeron se “elementet greqishtfolëse” mund të kenë hyrë në Tesali rreth 1900 p.e.s., ai nuk bën një pohim historik të verifikueshëm, por një projeksion retrospektiv: i atribuon një faze pa dokumente një identitet gjuhësor që njihet vetëm nga periudha shumë më të vona. Kjo është dobësia e parë dhe më e rëndë: në 1900 p.e.s. nuk ekziston asnjë korpus i shkruar që të justifikojë termin “greqishtfolës” si fakt, ndaj “gjuha” këtu del nga një rrugë indirekte-kryesisht nga interpretimi i kulturës materiale dhe nga rindërtime të gjuhësisë historike. Kjo nuk është provë; është model. Dhe modeli, pa tekst, është i detyruar të mbetet hipotetik.
Më tej: termat “mykenas” dhe “eolik” janë etiketa të dyfishta (arkeologjike dhe dialektore), por aplikimi i tyre përpara provave direkte i ngjan një skeme ku përfundimi (greqishtja si IE) kërkon një datë të hershme, dhe data e hershme pastaj përdoret si “konfirmim” i përfundimit. Ky rreth i mbyllur është një nga mekanizmat më tipikë të indo-europianizmit klasik kur synon të zgjerojë kronologjinë e “pranisë greke” në lashtësi.
2. Gabimi i madh: “kultura materiale = gjuha”
Pika ku ky model bie më rëndë është ekuacioni implicit: ndryshim në qeramikë, varrime, teknologji, tipologji armësh, organizim vendbanimesh – ndryshim gjuhe.
Në metodologjinë moderne kjo barazi konsiderohet problematike, sepse arkeologjia mund të identifikojë institucione, praktika dhe rrjete shkëmbimi, por nuk e lexon gjuhën.
Debatet mbi “çfarë gjuhe flasin enët” janë bërë pikërisht për të treguar se lidhja gjuhë-artefakt është e pasigurt dhe, në shumë raste, e paverifikueshme.¹
Në Egje kjo bëhet edhe më e rrezikshme: rajoni është laborator kontaktesh të gjata (deti si “autostradë”), ku risitë mund të përhapen pa migrime masive.
Pra, edhe nëse shfaqen elemente të reja arkeologjike rreth Bronzit të Mesëm, ato mund të shpjegohen me shkëmbime, difuzion, “mode”, elitë tregtare, kolonizime mikro-shkallë, apo ristrukturime të brendshme-jo detyrimisht me “pushtim IE nga veriu”.
3. Herodoti dhe mekanizmi i “helenizimit”: ndryshimi i gjuhës si akt social, jo si “lindje etnie”
Teksti kyç i Herodotit (I.56-58) është pika ku tradita e lashtë pranon shprehimisht një realitet që bie ndesh me mitin e homogjenitetit:
Herodoti thotë se popullsia “attike”, duke qenë “pellazge”, në çastin kur u bë pjesë e helenëve, “la” gjuhen e vet ” edhe mesoj gjuhën helene .
Kjo fjali është e rëndë, sepse (a) pranon një substrat jo-helen në Attikë dhe (b) e lidh helenizimin me një ndryshim gjuhësor.
Ky pasazh është analizuar në literaturën moderne si një skemë konceptimi ku “pellazgët” integrohen në “helenë” jo sepse “u zëvendësuan” biologjikisht, por sepse adoptuan gjuhën e një grupi dominues.
Kjo është krejt tjetër nga modeli i “pushtimit IE” në kuptimin e thjeshtë: për Herodotin, helenizimi është transformim social-gjuhësor i një popullsie vendase. Pra vetë burimi klasik e pranon se “helen” nuk është kategori e dhënë që në fillim-është kategori që bëhet (formohet).
Ky është momenti ku konceptimi modern i indo-europianizmit, shpesh bën manipulimin kryesor: e merr termin “Hellenes/Greeks” (i periudhës historike) dhe e kthen prapa si të ishte kategori e përhershme që nga 1900 p.e.s.
Ndërsa Herodoti, në thelb, e thotë të kundërtën: “attikët” ishin të “pellazgjikut” dhe u “bënë helenë”, duke ndryshuar edhe gjuhën.
Studimet historiografike bashkëkohore kanë theksuar se diskutimi i Herodotit për pellazgët lidhet drejtpërdrejt me problemin e origjinës së gjuhës greke dhe me rolin e substratit para-helen në formimin e identitetit helen.
Përmbledhje moderne të referencave të Herodotit për pellazgët dhe diskutimin mbi ndryshimin gjuhësor gjenden edhe në materialet akademike sintetike të universiteteve, të cilat theksojnë funksionin e pellazgëve si kategori për substratin para-helen në traditën historike.
4. “Mikenët” si popull Janë një shpikje konceptuale e lexuar si etni
Një tjetër shtyllë e problematikës është shndërrimi i një kategorie arkeologjike (“Mycenaean”) në një etni historike (“Grek”). “Mycenaean” është një etiketë për një sistem material-administrativ dhe estetik të Epokës së Bronzit të Vonë; nuk është vetvetiu dëshmi e një “populli grek” si entitet i vetëdijshëm.
Vetëm sepse një administratë e vonë (Linear B) dëshmon një formë shprehje që zyrtarisht dhe pa bazë shkencore e quajnë “të greqishtes së vjeter” në një moment të caktuar të Bronzit të Vonë, kjo nuk e autorizon automatikisht tezën se “greqishtja” ishte tashmë e instaluar në Tesali në 1900 p.e.s. siç prenetendon Profesor Dr. Saqelliu si gjuhë e ardhur nga veriu. Është një kalim i paligjshëm logjik: nga “dëshmi e vonë” në “prani e hershme e sigurt”.
5. Kundërshtitë moderne ndaj modelit migrator në: arkeologji, teori, gjenetikë
(a) Arkeologjia teorike-
Kritika bazë moderne është se modelet e vjetra migratore shpesh janë të mbështetura në një logjikë të shek. XIX: popujt “vijnë”, pushtojnë, sjellin gjuhën, ndërrojnë kulturën.
Sot kjo logjikë shihet si reduktive, sepse shpesh nënvlerëson vazhdimësitë lokale dhe mekanizmat e ndryshimit pa zhvendosje masive. Debati “gjuhë = enë” është një pikë ku arkeologjia moderne e ka dobësuar seriozisht arrogancën e identifikimeve gjuhësore nga materiali.
(b) Leximi kritik i burimeve-
Studime moderne që trajtojnë Herodotin tregojnë se “pellazgët” te ai funksionojnë si kategori historike për “të vjetrit” dhe se helenizimi shpjegohet si proces adoptimi-jo si fakt i lindur.
Kjo përforcon argumentin se narrativat e identitetit në Egje janë të ndërtuara mbi transformime, jo mbi “origjina raciale” të ngrira.
(c) Gjenetika si komplikim, jo si “vulosje” e migrimit.
Studime gjenetike të Egjeut të Epokës së Bronzit tregojnë një tablo të përzier dhe të ndërlikuar të vazhdimësisë dhe ndikimeve; vetë autorët pranojnë se modelet për origjinën e greqishtes variojnë shumë dhe se shkalla e ndryshimit të popullsisë është çështje e debatueshme, jo e mbyllur.
Kjo është e rëndësishme: gjenetika nuk e bën automatikisht “të vërtetë” një datë 1900 p.e.s. për “greqishtfolës” në Tesali; përkundrazi, e shtyn debatin drejt modeleve shumëfaktorëshe (kontakt, elitë, rrjete), ku gjuha mund të ndryshojë pa zëvendësim masiv.
Studime gjenetike të Egjeut të Epokës së Bronzit tregojnë tabllo komplekse të vazhdimësie dhe përzierjeve rajonale, duke theksuar se proceset demografike nuk mbështesin domosdoshmërisht modele të thjeshta migrimi dhe zëvendësimi popullsie.
6. Kritika e drejtpërdrejtë ndaj indo-europianizmit “pushtues nga veriu” në Egje
Modeli IE pushtues në Egje (sidomos i lexuar si “zbritje nga veriu = grekët”) mbart tre prirje problematike:
a.Anakronizëm terminologjik: “helen/greqisht” përdoret për faza pa tekst, si të ishte e njëjta kategori historike në 1900 p.e.s. dhe në shek. V p.e.s.
b.Reduktim i substratit-
substrati para-helen (i ruajtur në traditë si “pellazg”) trajtohet si mjegull ose si “barbar” pa peshë; ndërkohë vetë Herodoti e bën atë shtyllë shpjegimi për transformimin e Attikës.
c. Dogmë migratore:
ndryshimi shpjegohet kryesisht me “ardhje nga veriu”, ndërkohë që Egjeu është hapësirë ku difuzioni detar dhe rrjetet shoqërore mund të prodhojnë transformime të thella pa pushtim masiv.
Në këtë kuptim, teza “greqishtfolës rreth 1900 p.e.s. në Tesali” duket si pjesë e një strategjie më të vjetër:
të shtyhet sa më herët “prania greke” për t’i dhënë antikitet më të madh një identiteti historik që, sipas burimeve klasike, është produkt i proceseve të mëvonshme.
7. Përfundim-
Një model alternativ më koherent me burimet
Një model më i arsyeshëm (dhe shumë më i përputhshëm me Herodotin) është ky:
• Në Egje dhe Ballkanin jugor ekzistonte një substrat i vjetër (tradita e quan “pellazg”) me vazhdimësi të gjatë.
• Transformimet e Epokës së Bronzit mund të kenë sjellë riorganizime politike dhe kontakte të reja, por jo domosdoshmërisht “pushtime gjuhësore” të provuara.
• Helenizimi (siç e pranon Herodoti) mund të kuptohet si ndryshim gjuhësor-kulturor i popullsive vendase nën presionin e elitës, institucioneve dhe rrjeteve-jo si “lindje e një populli të ri” në 1900 p.e.s. ,
Ky model nuk ka nevojë të shpikë “greqishtfolës” pa tekst; nuk ka nevojë të barazojë enët e qeramikes me gjuhën; dhe nuk ka nevojë të zbehë substratin pellazg që burimet e lashta e ruajnë si kujtesë historike.
_____________
Biblografia:
Ku bazohet studimi : Herodoti, Straboni,Tuqididi,M. Sakellariou te (IEE, T. A, Jonathan M. Hall, R. A. McNeal,Brill, Ohio State University, Department of Linguistics, “Pelasgians,”Kristian Kristiansen, Iosif Lazaridis et al., F. Clemente et al., R. A. Mc Neal, etj.
____________
@ Shenim: Të nderuar lexues! Këtë artikull mund t’a komentoni, është materjal me të gjitha të drejtat e rezervuara. © Kol M. Marku, 2026 . Ripostimi lejohet vetëm me autorësi të plotë. Ndalohet kopjimi pa cituar burimin dhe Autorin.
09/03/2026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/03/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk