MIS BASHKIA – 20 . . !

18
May
2023

Shkruan: Gjon Bruçi

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Le të heqim pak stresin që na krijuan zgjedhjet e 14 majit 2023
-Tregim satirik-
Shpesh njeriu e humb rastin, si “Xhaferri simiten”. Dhe jo vetëm një rast, por dy raste i humba kësaj radhe, dy raste që m‘u paraqiten në të njëjtën kohë: “Big Brother” dhe “Miss Bashkia 20 . .”. Në të parën përpjekjet i bëra në kohë, dhe i pata të gjitha mundësitë të bëhesha personazh i saj. Dhe pse jo, të fitoja edhe njëqind milionshin e famshëm, që do të më ndryshonte jetën. Por gruaja ime namuzlie, nuk më lejoi ta provoja këtë shans, që vetëm demokracia mund të ta ofrojë. “Rri aty, – shfryu gruaja, – goxha burrë me thinja, dashke të hargalisesh nëpër Bigbrothëra e Bigby…!”. Fjalën e fundit nuk e çoi gjer në fund se në praninë tonë ndodhej edhe nipi i vogël që shkon në kopësht.
– Pse nuk provon të konkurosh për Kryetar Bashkie? – lëshoi batutën e dytë bashkëshortja ime, e cila deshi të ekuilibronte shfryrjen e parë me një ledhë që, vë në sedër edhe më indiferentin e kësaj botës sonë.
Unë qesha me sarkazëm, sepse këtë ëndërr nuk guxoja ta shkoja nëpër mend. Jo se nuk i kam mundësitë për një post të tillë, por më mungon partia që të më kandidojë.
– Kandido i pavarur, si Bojaxhiu e Sazani – nxiti gruaja, që për ndjekjen e fushatës së zgjedhjeve të 21 qershorit dhe për Big Brother, ka lënë mënjanë dhe novelat turke.
Këshillës së sime shoqeje i erdhi në krah dhe shoku i vjetër i shkollës, i cili nuk mungon të më vërë në dukje aftësitë e mia për të drejtuar jo vetëm bashkinë, por edhe qeverinë.
– Ti nuk i din vlerat e tua, – më foli me seriozitetin më të madh Nazoja, ish shoku im i shkollës, – por ja ku po ta them: Je dhjetë fish më i zoti se ca syresh si puna e Veliut, Halimit, Viktorit, Mziut . . . për të mos përmendur këto çupëlinat, që po na sfilojnë vetëm me hiret e tyre femërore!”
I nxitur nga brenda, domethënë nga familja, e i mbështetur nga jashtë, domethënë nga shoqëria, vendosa të dal në fushën e betejës. Plotësova letrat që duhen për këtë punë dhe, ndonëse më mbrapa të tjerëve në kohë, u vura gjithë optimizëm në startin e fushatës elektorale, që këtë vit ka qenë ndër më interesantet, plot kolorit e risira që do të mbahen mend. Mendova ta nis nga fshati, si vendi ku ka mbetur ende një farë burrnie, dhe me parullën e Maos “Fshati të rrethojë qytetin”, që ka përdorur me plot sukses Saliu ynë, nisa nga aktiviteti.
– Dëgjo mua, – sugjeroi prerë shoku im i vjetër, që kishte marrë rolin e menaxherit të fushatës sime, – lëre fshatin në hallin e vet. Ata që kanë mbetur në fshat, shumica nuk shkojnë fare tek kutia e votimit. Sidomos tani verës që kanë njëmijë e një halle me fermën e tyre në zgrip.
Dhe u kthyem në qytet, ku vala e fushatës kishte arritur pikun.
Ditët e para, mbeta si i shastisur nga pamja që kishte marrë qyteti im. Jo vetëm sheshi kryesor, por të gjitha rrugët e rrugicat, ballkonet dhe taracat, e gjer tek ura e famshme në hyrje, ishin mbuluar me flamuj, postera e banderola dy ngjyrëshe: kuq e blu. Ishin dy ngjyrat e uniformës së “Vllaznisë”, ndaj fillimisht kujtova se mos kishte ardhur skuadra e Beogradit për atë ndeshjen e famshme që presim me padurim. Por kur pashë portretet e kandidatëve për kryetar bashkie, e kuptova se ato ishin “armët” e fushatës. Pas disa ditësh, flamujt, ngaqë u lagën nga shiu e u zhigatën nga pluhuri, u ngjanin rrobave që vihen nëpër tela për tu tharë. Çka ma lehtësoi dhimbjen për faktin se unë, për mungesë fondi, nuk kisha mundësi të vija asnjë flamur apo shenjë tjetër në atë zallamahi ngjyrash. Ama portretet e kandidatëve qëndronin ekstra, si ditën e parë të vendosjes.
Ato, siç konstatova nga afër, ishin prej materiali special, që nuk mund t’i nakatoste as shiu, as era, e as pluhuri. Fotografitë e kandidatëve kishin pushtuar qytetin. Në çdo kryqëzim, në çdo fasadë, në stacionet e urbanit, nëpër vitrina të dyqaneve, madje dhe në kofat e veturave… kudo… kudo fotografi kandidatësh, fiksuar në çastin më të bukur e më fatlum, siç është ai i kandidimit për kryetar.
“Qeni qepën le ta hajë“, thashë me vete, “do ta bëj haram edhe unë një dyqind dollarësh nga ato që më ka dërguar djali emigrant”! Dhe vrapova tek fotografi për një fotografi ekstra, të cilën të nesërmen e shumëfishova në disa copë, me fotokopjen që kam në fund të rrugicës. Por kur ja tregova menaxherit tim, ai ja plasi të qeshurit:
– Pse, ore me këtë surrat do të kandidosh ti?
– Po, – i thashë unë, – nuk kam ku të gjejë tjetër, këtë më ka bërë plaka . . .
– Or shoku im, i ke parë fotografitë e rivalëve?
Dhe më nxori njërën prej tyre e ma vuri përpara. E njihja personazhin e fotografisë nga afër, ndaj në fotografi mu duk një tjetër. Jo vetëm flokët që, nga të bardhë i kishte kthyer të zez, por edhe lëkura e fytyrës i ndriçonte si furfur. Kur rrija me të në tavolinë, ja dalloja pa vështirësi rrudhat në ballë, dhe një vranjë në anën e majtë të nofullës. Ndërsa këtu në fotografi dukej si kukull “pesëqindshe”!
– Me Foto-shop or shoku im, me foto-shop,- foli shoku im menaxher, duke shpërndarë mjegullnajën time për fotografinë në fjalë dhe personazhin që më tregonte.
Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje të zbukuroja veten në fotografi. Në rininë e hershme nuk kishim as mjete të tilla, por edhe tani që i kemi, mua më duken absurde. Përjashtuar këtu ata, ose ato, që përgatisin revista mode, apo dalin në skenë për të kënduar apo për të lozur role. Por që të zbukurosh me foto-shop fotografinë e një kandidati për kryetar bashkie, nuk më kishte shkuar në mendje. Se kryetarin në këtë rast nuk e zgjedhim për bukurinë, por për mençurinë, për zotësinë. Pastaj kryetari nuk i ka mundësitë që, çdo ditë të punës e të ballafaqimit me qytetarët, të bëjë makiazhe e të retushojë rrudhat, thinjat apo tiparet kryeneçe, që na i ka falur natyra apo perëndia!
– Kjo punë bëhet gjatë fushatës, se pastaj kur bëhesh kryetar s’ka më as takime e as sfilime, – konkludoi shoku im, kur mendimet e mësipërme ja përsërita me zë. – Prandaj or miku, e shoku im, kruaje xhepin e të shkojmë tek “Photo –Shopi”. Ndryshe lëri shëndenë fushatës dhe karrikes së kryetarit.
Pa e zgjatur, përfunduam tek lokali ku bëhej “Foto-shopi”. Dy vajza biondina na pritën plot buzëqeshje, dhe bënë gati foto-aparatët. Fillimisht, duke parë moshën time, kujtuan se bëhej fjalë për fotografi dokumentësh. Por kur ne u thamë qëllimin e vërtetë, stopuan dhe shikuan njëra-tjetrën në sy. Megjithatë ato nisën nga puna…
Nisën, por nuk arritën ta bitisin. Asnjë nga mënyrat që përdorën, nuk i arritën parametrat që kërkoheshin. Thinjat i rregulluan disi, por brazdat e rrudhave dhe gropat e krijuara në të dy anët e fytyrës, nuk e kalonin notën gjashtë. Ndërsa kurrizit të hundës që i ngjante asaj të Skënderbeut, nuk kishte foto-shop në botë që t’ia dilte.
Bjondinat, megjithatë bënë një vandak me poza, dhe na i vunë përpara. Unë rrija si guak përpara fotografisë së surratit tim. Ndërsa shoku e menaxheri im vullnetar, ndërsa i rrotullonte fotot para hundës, bënte “ncë, ncë, ncë…!
– Dëgjo byrazer, – mu kthye shoku dhe menaxheri im vullnetar, – kjo punë na doli pesë me hiç. Ty, të rrofshin dekoratat, medaljet dhe titujt që ke marrë në jetë, por sa për foto-shope nuk bëke. Prandaj lërë fare këtë punën e kandidatit për kryetar bashkie!
Tha këto dhe pasi u shkeli syrin çupëlinave të lokalit të “Foto-shopit”, zbërtheu paketën e cigareve për ta tymosur.
– Po pse u dashka ky “foto-shopi” im, unë nuk po konkuroj për bukuri, por për kryetar…
– Ti mor byrazer, – foli shoku e menaxheri im, – nuk i paske kuptuar këto zgjedhje. Në dallim nga të gjitha zgjedhjet e deritashme, këto do të quhen jo “Zgjedhjet e 21 Qershorit 20 . .”, por “Miss Bashkia 20 . .”. Se i gjithë arsenali i fushatës dhe i propagandës është përqëndruar tek reklama, tek skenografia, tek bukuria . . . Në të tria këto të fundit, ti ke notën dysh. Me atë surrat që më ke, nuk je për foto-shop, e për rrjedhojë as për kryetar Bashkie. Veçanërisht hundën që ma ke si shkabë . . . Jo, jo si të Skënderbeut, – shtoi.
Dhe pasi ia plasi gazit, pa u merakosur për sedrën time vijoi:
– Shiko, lëre konkurimin për Bashkinë dhe futju kinemasë. Mund të lozësh për bukuri filmin e Skëndërbeut, në një variant të ri nga ai i Okikavës rus . . .
Mua nuk mu qesh, por mu kujtua Big- Brotheri, që pati filluar pak përpara fushatës. Të kisha provuar aty, mendova me vete, mbase do të isha pranuar. Dhe pse jo, edhe mund të fitoja. Dhe fitorja e njëqind milionshit të Big-Brotherit i afrohet disi, për nga ana materiale, asaj të kryetarit të bashkisë.
Por ja që nuk ishte e thënë. Të dy rastet më fluturuan. I pari se më pengoj gruaja. I dyti se nuk më rregulloj dot “Foto-shopi”, i cili do të më mundësonte konkurimin në spektaklin “Miss Bashkia 20 . .”!.
——————————–
(Marrë nga libri “Intermexo në dy kohë“, – në proçes botimi)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk