MONSTRAT E SISTEMIT – MONSTËR!

07
May
2024
Shkruan: Gjon Bruçi

-Gazeta SOT, 7 Maj 2024-
Këto ditë, qytetarët shkodranë, u ballafaquan me një krim të jashtëzakonshëm e tronditës brenda familjes. Një nënë e re, me tre foshnjet e saj kërthinj, i dha fund jetës duke u hedhur nga ura e Bunës për t’u mbytur në ujrat e lumit në fjalë. Një krim i tillë në familjen shqiptare, nuk është as i pari e as i fundit. Me dhjetra vrasje e vetëvrasje dëgjojmë pothuajse çdo ditë në kronikat e zeza të lajmeve. Tashmë pas tri dekadave e gjysëm të “demokracisë” borgjeze, kriza e familjes, jo vetëm është më e rënda, por njëherësh edhe më e rrezikshmja, çka ka vënë në pikëpyetje gjithë shoqërinë, bazë e së cilës ajo është.
Çka ndodhur e po ndodh me familjen shqiptare?
Shqiptarët në çdo kohë e situatë, familjen e kanë konsideruar si gjënë më të shtrenjtë, ndaj dhe në librin e madh të Kodeve Zokanore, Kodi i Familjes zinte vend të veçantë. Falë këtij kodi, edhe në kushtet e mungesës së shtetit, apo të pushtimeve të huaja, shqiptarët arritën ta ruanin bërthamën e familjes, çka siguroi edhe mundësinë e egzistencës dhe mbijetesës së tyre.
Po sot në kohët moderne dhe në sistemin e “demokracisë borgjeze”, çka ndodhur e po ndodh në familjen shqiptare?! Falë politikave socialekonomike e kulturore të sistemit aktual, në familjen shqiptare çfaqen fenomene tronditëse, të cilat po e çojnë atë drejt degjenerimit e shkatërrimit, çka ka vënë në pikëpyetje themelet e shoqërisë. Apologjetët e sistemit borgjez, krizën e familjes mundohen ta arsyetojnë më stresin, dhe me gjendjen psiqike të individit, i cili “ndodh” që nuk arrin të orientohet në situatat e reja të zhvillimit. Në vijim të këtij arsyetimi, ata detyrohen të prekin edhe shkaqet ekonomike, por nuk shtyhen më tej. Për ta kapërcyer këtë “kockë të fortë” në fytin e sistemit, apologjetët në fjalë, perifrazojnë duke thënë se “këto fenomene” ndodhin edhe në vendet e zhvilluara. Me këtë të fundit, ata padashje vertetojnë faktin se sistemi kapitalist, kudo që instalohet, prodhon të njëjtat fenomene negative, sepse këto fenomene negative i ka në themel vetë sistemi.
Të gjithë ata që përjetuan kohën e socializmit dhe po “shijojnë” edhe këto të regresit të dukshëm të sistemit borgjez, janë në gjendje që, pa qenë psikologë e sociologë, të mund të shpjegojnë shkaqet kryesore të krimit të sotëm në familje. Ja disa nga shkaqet e dukshme:
Së pari: Familja shqiptare, pikën e parë të kodit të familjes kishte moralin. Socializmi, duke ruajtur thelbin e këtij kodi, e pasuroi atë me norma të reja e moderne të moralit komunist. Të kundërtën bën sistemi aktual borgjez. Mjafton të shohim programet televizive të Top Channellit, si “Përputhen” dhe “Big Brotherin”, të cilat janë kthyer në “kampione” të lakuriqësisë së spektakleve telivizive.
Së dyti: Martesa dhe krijimi i familjes së re është konsideruar një moment tepër i rëndësishëm në jetën shoqërore, ndaj shqiptari i ka shoqëruar me rite të bukura pagane e fetare. Sot, jo vetëm me propagandë, por edhe me aplikime ligjore, ka dalë në “skenë” bashkëjetesa dhe martesa brenda gjinisë e seksit, të cilat jo vetëm nuk kanë asgjë moderne,, por janë praktika shkatërrimtare për institucionin e shënjtë të familjes.
Së treti: Sistemi Socialist “eleminoi” atavizmat në hierarkinë familjare të mësjetës, me “Zot shtëpie” e “rob shtëpie”, por nga ana tjetër arriti të krijonte harmoni të plotë brenda familjes, harmoni e cila njihte dhe siguronte të drejta të barabarta e detyrime reciproke midis pjesëtarëve të saj. Sistemi i sotëm, me politikat socialekonomike dhe propagandën e çfrenuar, nxit e thellon kontradiktat midis brezave, midis moshave e seksit, të cilat çojnë në moskuptime, në sherre e gjer në krimin e vrasjes e të vetëvasjes.
Së katërti: “Guri i rëndë në tokë të vet”, perifrazon populli ynë. Familja, kur ngrihet e jeton në trojet e trashëguara, brenda fisit e gjitonisë, jeton e edukohet me të njëjtat doke e zakone dhe konsolidohet në shkallën më të lartë. Ndaj dhe sistemi socialist e pati nën kujdes levizjen demografike, duke siguruar kushte optimale për jetesë në çdo zonë rurale e urbane të vendit. Lëvizja demografike dhe kaotike, që imponoi sistemi kapitalist dhe veçanërisht emigrimi drejt vendeve të Europës e më tej saj, i copëtoi familjet shqiptare në shumë pjesë, vërtet “moderne”, por me unitet të sakatuar brenda saj.
Së pesti: Në socializëm, çështjet e familjes konsideroheshin çështje të të gjithëve. Në ruajtje e në konsolidim të saj ishin jo vetëm pjesëtarët e familjes, por edhe një mori organizmash shoqërore, kolektiva punonjësish e gjer tek organet partiake e shtetërore. E kundërta ndodh me sistemin e sotëm. Familja shqiptare, ndonëse mund ta ketë banesën në mes të kryeqytetit, ajo gjendet e vetmuar, si të ishte në shkretëtirën e Saharasë. Në familjen shqiptare mund të ketë probleme nga më të ndryshmet, por askush nuk troket në derën e saj për ta ndihmuar në zgjidhjen e këtyre problemeve. Vetëm kur ndodh ngjarja e shëmtuar, vetëm kur ndodh krimi, vetëm atëherë organet e specializuara të shtetit vrapojnë të bëjnë “ekspertizën”, ashtu siç vrapon media për të montuar skupin mediatik të radhës.
Vini re: Ndonëse shteti ynë i sotëm, ka mbi 12 mijë policë të rendit, plus polici rrugore, bashkiake, të ndërhyrjes së shpejtë, etj. etj., në lagjen, apo fshatin ku jeton qytetari, gjenden vetëm dy persona që mbajnë përgjegjësi për rregullin dhe qetësinë e qytetarëve: Kryeplaku i fshatit (lagjes) dhe i plotfuqishmi, nëse vërtet këta dy persona gjenden në çdo kohë në lagje apo fshat, se ka plot raste, sidomos kryeplaku, i cili gjendet edhe jashtë shtetit për “hallet e tij personale”.
Krimet e përditshme që ndodhin në rrugë, veçanërisht ato në familje, tregojnë se shteti nuk e ka nën kontroll teritorin. Se kontrolli i teritoret nuk mund të realizohet kurrsesi me policë, e as me mjete të “inteligjencës artificiale”, siç pretendojnë qeveritarët tanë. Teritori kontrollohet me qeverisje profesionale dhe të përgjegjshme. Dhe qeveritarët që mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krimet ordinere e ato të organiuzuarat, janë Kryeministri dhe Ministri i Rendit publik. Ministri i rendit, ndonëse lëviz lart e poshtë nëpër repartet e komisariatet e policisë, nuk arrin ta realizojë si duhet detyrën, sepse, ai nuk është specialist i “armës”, por i politikës, ndonëe edhe këtë të fundit nuk e realizon siç kërkohet. Përsa i takon Kryeministrit, ai e ka të zgjidhur problemin e krimit, duke perifrazuar, apo menduar shprehjen: “hëngshin kokën e njëri-tjetrit”, koncept që mendohet edhe nga pushtetarë të tjerë, mjafton që krimi të mos ngjitet gjer tek sera e tyre.
Ajo që bie edhe në sytë e miopit: Megjithëse në vendin tonë paaftësia e organeve kompetente të shtetit, ka dështuar pothuaj në të gjitha fushat, veçanërisht kjo në fushën e korrupsionit e të krimit, askush gjer tani nuk e ka marrë përgjegjësinë politike e penale, më së paku atë të dorëheqjes. Se dorëheqja e qeveritarit ëshhtë tepër e vështirë, ngase lidhet me pagën e majme që merr nga taksat e qytetarëve, paçka se qytetarin e ka lënë në fatin e tij dhe mëshirën e krimit.
Edhe për rastin më të fundit të Shkodrës, me siguri do të arrihet në një përfundim zyrtar e mbase edhe zbulim të saktë të autorit të vërtetë të mbytjes së nënës së re, me tre vogëlushët e saj kërthinjë, duke e quajtur autorin e krimit “monstër”. Por realisht, “monstra” e vërtetë është sistemi shoqëror që na është imponuar, me emrin drithërues “kapitalist”!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/05/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk