Mos jemi një komb i mallkuar?!

10
Jan
2026
Shkruan: Gjon Bruçi


Si për ironi të fatit, në veri të vendit tonë, gjenden “Bjeshkët e Namuna”, pjesë e Alpeve tona. Po, pse e morën malet tona këtë mbiemër të egër? Sipas legjendës, një nënë nga raca jonë, për t’i shpëtuar hasmit, së bashku me fëmijët e saj të vegjël, mori malin, i cili për fat të keq, nuk pati asnjë burim uji. Madje edhe bora në kreshtat e tij kishte shterur prej të nxehtit dhe zhegut të verës. Rrugëtimi nëpër kreshtat e malit pa ujë, e lodhi dhe i zhuriti nënën dhe fëmijët e saj, sa erdhi një çast e ranë për tokë. Në grahmat e fundit të jetës, nëna thërriti nga thellësia e shpirtit: “Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”. Dhe ra përmbys, pranë fëmijëve të saj të shuar nga etja. Sido që të jetë, legjenda na la për Alpet tona, emërtimin “Bjeshkët e Namuna” (Nemuna, në dialektin e veriut). Pyes: Mos vallë, ne pasardhësit e asaj nëne, që jetojmë prej qindra e mijëra viteve në rrëzë të këtyre maleve, kemi trashëguar edhe mbiemrin drithërues “të namun”, që është i barabartë me “të mallkuar”? Mos jemi ende një popull i mallkuar nga trashëgimia e lashtë, apo kemi edhe disa gjynahe të mëvonshme, e të reja? Të më falë lexuesi, por unë pretendoj se jam ateist. Sigurisht jo qind përqind i tillë. Se nuk mund të jesh qind përqind ateist, gjersa shkenca nuk i ka shterur plotësisht dijet për gjithësinë. Diku në një cep, çdo kush ruan një dozë të vogël besëtytnie. Ja, këtë qoshe do të vë kësaj herë në punë, për të zgjidhur dilemën e pyetjes që bëra më sipër. Ne tashmë e dimë nga legjenda, por edhe nga shumë fakte të vjetra e të reja, se populli më i nëpërkëmbur gjer në shekullin modern, kanë qenë çifutët, hebrenjtë. Të vërtetën e saktë të kësaj nëpërkëmbje nuk e dimë, por legjenda na jep një shembull, që ne e kemi lexuar në libra, dhe parë në filma. Në filmin “Jezu Krishti i Nazaretit”, personazhi kryesor, Krishti, ishte bir i Zotit të plotfuqishëm, i cili kishte ardhë në trojet e hebrenjve, për të sjellë mesazhin e Paqes, Njerëzisë, Barazisë dhe Lirisë. Mirëpo, priftërinjtë e kohës, nuk i besuan mesazhet e tij, edhe pse ai, domethënë Jezu Krishti, bëri disa gjëra të papara ndonjëherë, duke shëruar njerëz të sëmurë, e madje edhe duke ringjallur të vdekurit, siç ishte rasti i Llazarit. Për fat të keq, edhe turmat e manipuluara nga priftërinjtë dogmatikë, filluan të dyshonin tek predikimet dhe veprimet e Jezusit. Ndaj, kur paria e priftërinjve e paditën tek Guvernatori romak, Ponç Pilati, jetën edhe vdekjen e Jezusit e la në dorë të turmës. Turma, dihet nga historia, fali hajdutin e kriminelin Baraba, dhe votoi për vdekjen e Krishtit. Kështu “biri i Zotit”, misionari i lirisë e barazisë, përfundoi në kryq. Që nga ajo kohë, hebrenjtë, alias çifutët nuk panë një ditë të lumtur, sa edhe sot pas dymijë e ca vjetësh, njerëzit perifrazojnë: “Do të bredhim si çifutët në shkretëtirë”. Një pjesë prej hebrenjve, më në fund SHBA e stabilizoi në shtetin e Izraelit, por, ndonëse me vend e shtet të tyre, ata asnjëherë nuk kanë shpëtuar nga sherri me arabët. Për të mos folur për qindra e mijëra hebrenj të tjerë, të cilët ende bredhin nëpër botë. Gjithë këtë ligjëratë e harxhova për të dalë tek populli ynë, i cili, duhet pranuar se, nëse nuk është detyruar të bredhë “si çifutët në shkretëtirë”, nga pushtimi romak e gjer më sot, në shumicën e kohës nuk ka jetuar, por ka mbijetuar, duke u ngujuar mes maleve “Të namuna”, apo në “Kullën e ngujimit”. Sigurisht kjo situatë, nuk i ka ardhur vetëm nga “Mallkimi legjendë” i nënës që vdiq për ujë me fëmijët e saj, por edhe prej veprimeve të më vonshme, në ndonjë rast, ngjashëm me ato të hebrenjve të lashtë. E di se krahasimi, sido që të jetë, çalon. Sidomos kur krahasimin e bën midis dy kohëve, asaj të legjendës, me këtë të vërtetën, të renë, modernen. Por unë do ta artikuloj, pavarësisht se do tërheq mbi vete kritika, e madje edhe mallkime pa fré. Çdo kohë, ka patur mesazhet e saj dhe misionarët që i kanë përcjellur ato. Në shekullin e njëzet, shqiptarëve, si shumë popujve e vendeve të tjera, u erdhi mesazhi i idealeve komuniste. Me këto ideale në mendje e në zemër, shqiptarët u ngritën peshë në LANÇ, për çlirimin e trojeve të tyre nga pushtuesit nazifashistë dhe tradhtarët e vendit, duke siguruar për të parën herë në dymijë vjet, Lirinë, Pavarësinë dhe Sovranitetin e vërtetë të vendit të tyre. Dhe jo vetëm kaq, por me idealet komuniste në mendje e në zemër, ata ndërtuan edhe Socializmin, paradhomën e Komunizmit, një sistem shoqëror, që popujt vetëm në ëndërr mund ta parashikonin. Arkitekti i këtyre arritjeve ishte Partia Komuniste dhe Enver Hoxha. Për fat, a për koeçidencë, Udhëheqësi i komunistëve dhe i popullit shqiptar, qëlloi madhështorë jo vetëm në veprën gjysëm shekullore që realizoi, por pati madhështore e burrërore edhe trupin, dukun, zërin, sjelljen, dashurinë për popullin dhe urrejtjen për armiqtë e tij. Ishin pikërisht këta tregues, që populli, në vlerësimin e tij e kapërceu kufirin njerëzor, e futi atë në legjendë dhe e quajti Enver Hoxhën shpëtimtarin e vendit. Sigurisht në këtë glorifikim, pati edhe ndonjë teprim, por populli nuk mund të komandohet në ndjenjat e tij. Mjafton të rishohësh sot mitingjet madhështore ku është gjendur Enver Hoxha, dhe brohoritjet e pakrahasueshme të popullit që e ndiqte, duke i kushtuar mijëra urime e këngë, në të gjitha dialektet e tij të shumta. Edhe kur Enver Hoxha ndërroi jetë, si njeri i vdekshëm, populli u shkreh me ditë të tëra në vaj e në kuje, që nuk janë parë për asnjë figurë tjetër kombëtare e më tej saj. Dhe të dyja këto “gjeste”, brohorima dhe vaji e kuja, nuk mund të imponohen, nëse njerëzit që i realizojnë, nuk i kanë në lokthin e zemrës e të shpirtit. Tani le të kapërcejmë rreth dyzet vjet
pas ndarjes së tij nga jeta, kur të paktën gjysma e atyre që e jetuan kohën e Enverit janë të gjallë e në jetë. Shumica prej atyre që gjer dje copëtonin duart nga duartrokitjet, apo skuqnin sytë nga lotët e pandërprerë, nuk guxojnë sot as t’ia përmendin emrin “Dalzotësit” të tyre gjysëm shekullor. Po jap vetëm një shembull: Shumicës së shqiptarëve besoj u kujtohet vizita e Enver Hoxhës në Malësinë e Madhe. Për dy ditë me radhë, në Koplik, në Bajzë dhe në Reç, u mblodhën mijëra banorë të Malësisë së Madhe, nga fëmijët e vegjël, e gjer tek pleqtë e moçëm. Për dy ditë radhazi nuk pushoi kënga, vallja e gazmendi për Udhëheqësin e Madh, që u ul gju më gju më malësorët dhe çoi edhe dollinë “me ujë bjeshke qelibar”. Tani, le të hidhemi në datën 27 Gusht 2023, në 80 vjetorin e Luftës së Reçit të Malësisë së Madhe. Kjo luftë kundër pushtuesve fashistë italianë, u zhvillua nga batalioni Partizan “Përlat Rexhepi”, të mbështetur prej malësorëve vendas nga të gjitha shtresat e zonës, pa dallim feje, krahine e ideje. Në ceremoninë e vendosjes së kurorave pranë memorialit të kësaj lufte, ata që përshëndetën të pranishmit, nuk e zunë në gojë qoftë edhe njëherë, emrin e Partisë Komuniste dhe të Enver Hoxhës. Madje, edhe mua shkruesit të këtij shkrimi, që vendosa tek memoriali një kurorë me Yllin e Kuq të Partizanit dhe emërtimin “Partia Komuniste e Shqipërisë” (kjo parti sot është e ligjshme, ashtu si gjithë partitë e tjera), nuk më lejuan të thoja se, Udhëheqëse e LANÇ, në kuadrin e së cilës u zhvillua edhe Lufta e Reçit, ishte Partia Komuniste dhe Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha. Pse ky mohim i historisë së LANÇ?! Pse ky transformim ndaj të vërtetës, brenda një periudhe shumë të vogël, vetëm 30 apo 40 vite, ku personazhet e asaj periudhe janë ende të gjallë e në jetë?! A nuk të çon kjo sjellje drejt mallkimit?! Sigurisht, në mes tonë ka plot “Judë” e “Pjetër”, si ata të kohës së Jezu Krishtit, që i pari tradhtoi Jezusin, e i dyti e mohoi atë pa “kënduar tri herë gjeli”! Por populli nuk është e nuk mund të jetë as “Judë” e as “Pjetër”. Ai manipulohet nga “priftërinjtë” e propagandës borgjeze. Ta shpëtojmë popullin nga këta “priftërinj”, që ai të eci në rrugën e së vërtetës. Dhe këtë e kanë në dorë intelektualët e popullit, që duhet të vihen në ballë të luftës për ta mbrojtur popullin dhe vendin nga “E namuna” dhe “Mallkimi”!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/01/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk