MOS JEMI NJË KOMB I MALLKUAR?!

11
Apr
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


Si për ironi të fatit, në veri të vendit tonë, gjenden “Bjeshkët e Namuna”, pjesë e Alpeve tona. Po, pse e morën malet tona këtë mbiemër të egër? Sipas legjendes, një nënë nga raca jonë, për t’i shpëtuar hasmit, së bashku me fëmijët e saj të vegjël, mori malin, i cili për fat të keq, nuk pati asnjë burim uji. Rrugëtimi nëpër kreshtat e malit pa ujë, e lodhi dhe i zhuriti nënën dhe fëmijët e saj, sa erdhi një çast e ranë për tokë. Në grahmat e fundit të jetës, nëna thërriti nga thellësia e shpirtit: ”Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”. Dhe ra përmbys, pranë fëmijëve të saj të shuar nga etja.
Sidoqë të jetë, legjenda na la për Alpet tona, emërtimin “Bjeshkët e Namuna”. Pyes: Mos vallë, ne pasardhësit e asaj nëne, që jetojmë prej qindra e mijëra viteve në rrëzë të këtyre maleve, kemi trashëguar edhe mbiemrin drithërues “të namun”, që është i barabartë me “të mallkuar”? Mos jemi ende një popull i mallkuar nga trashëgimia e lashtë, apo kemi edhe disa gjynahe të mëvonshme, e të reja?
Ne tashmë e dimë nga legjenda, por edhe nga shumë fakte, se populli më i nëpërkëmbur gjer në shekullin modern, kanë qenë hebrejt. Të vërtetën e saktë të kësaj nëpërkëmbëje nuk e dimë, por legjenda na jep një shembull, që ne e kemi lexuar në libra, dhe parë në filma. Në filmin “Jezu Krishti i Nazaretit”, personazhi kryesor, Krishti, ishte bir i Zotit të plotfuqishëm, i cili kishte ardhë në trojet e hebrejve, për të sjellë mesazhin e Paqes, Njerëzisë, Barazisë dhe Lirisë. Mirëpo, priftërinjtë e kohës, nuk i besuan mesazhet e tij, edhe pse ai, domethënë Jezu Krishti, bëri disa gjëra të papara ndonjëherë, duke shëruar njerëz të sëmurë, e madje edhe duke ringjallur të vdekurit, siç ishte rasti i Llazarit. Për fat të keq, edhe turmat e manipuluara nga priftërinjtë dogmatikë të kohës, dyshuan dhe e quajtë Jezu Krishtin mashtrues. Ndaj, kur priftërinjtë e paditën tek Guvernatori romak, Ponc Pilati, jetën edhe vdekjen e Jezusit e la në dorë të turmës. Turma, dihet nga historia, fali hajdutin e kriminelin Baraba, dhe votoi për vdekjen e Krishtit. Kështu “biri i Zotit”, misionari i lirisë e barazisë, përfundoi në kryq. Që nga ajo kohë, hebrejt, nuk panë një ditë të lumtur, sa edhe sot pas dymijë e ca vjetësh, njerëzit perifrazojnë: “Do të bredhim si çifutët në shkretëtirë”. Një pjesë prej hebrejve, më në fund SHBA e stabilizoi në shtetin e Izraelit, por, ndonëse me vend e shtet të tyre, ata asnjëherë nuk kanë shpëtuar nga sherri me arabët. Shih situatën e sotme në Gaza.
Gjithë këtë ligjëratë e harxhova për të dalë tek populli ynë, i cili, duhet pranuar se, nëse nuk është detyruar të bredhë “si çifutët në shkretëtirë”, nga pushtimi romak e gjer më sot, në shumicën e kohës nuk ka jetuar, por ka mbijetuar, duke u ngujuar mes maleve “Të namuna”, apo në “Kullën e ngujimit”. Sigurisht kjo situatë, nuk i ka ardhur vetëm nga “Mallkimi legjendë” i nënës që vdiq për ujë me fëmijët e saj, por edhe prej veprimeve të mëvoshme, në ndonjë rast, ngjashëm me ato të hebrejve të lashtë.
Çdo kohë, ka patur mesazhet e saj dhe misionarët që i kanë përcjellur ato. Në shekullin e njëzet, shqiptarëve, si shumë popujve e vendeve të tjera, u erdhi mesazhi i idealeve komuniste. Me këto ideale në mendje e në zemër, shqiptarët u ngritën peshë në LANÇ, për çlirimin e trojeve të tyre nga pushtuesit nazifashistë dhe tradhëtarët e vendit, duke siguruar për të parën herë në dymijë vjet, Lirinë, Pavarësinë dhe Sovranitetin e vërtetë të vendit të tyre. Dhe jo vetëm kaq, por me idealet komuniste në mendje e në zemër, ata ndërtuan edhe Socializmin, paradhomën e Komunizmit, një sistem shoqëror, që popujt vetëm në ëndërr mund ta parashikonin. Arkitekti i këtyre arritjeve ishte Partia Komuniste dhe Enver Hoxha.
Për fat, a për koiçidencë, Udhëheqësi i komunistëve dhe i popullit shqiptar, qëlloi madhështorë jo vetëm në veprën gjysëm shekullore që realizoi, por pati madhështore e burrërore edhe trupin, dukun, zërin, sjelljen, dashurinë për popullin dhe urrejtjen për armiqtë e tij. Ishin pikërisht këta tregues, që populli, në vlerësimin e tij e kapërceu kufirin njerëzor, e futi atë në legjendë dhe e quajti Enver Hoxhën shpëtimtarin e vendit. Sigurisht në këtë glorifikim, pati edhe ndonjë teprim, por populli nuk mund të komadohet në ndjenjat e tij. Mjafton të rishohësh sot mitingjet madhështore ku është gjendur Enver Hoxha, dhe brohortijet e pakrahasueshme të popullit që e ndiqte, duke i kushtuar mijëra urime e këngë, në të gjitha dialektet e tij të shumta. Edhe kur Enver Hoxha ndërroi jetë, si njeri i vdekshëm, populli u shkreh me ditë të tëra në vaj e në kuje, që nuk janë parë për asnjë figurë tjetër kombëtare e më tej saj. Dhe të dyja këto “gjeste”, brohorima dhe vaji e kuja, nuk mund të imponohen, nëse njerëzit që i realizojnë, nuk i kanë në lokthin e zemrës e të shpirtit.
Tani le të kapërcejmë rreth dyzet vjet pas ndarjes së tij nga jeta, kur të paktën gjysma e atyre që e jetuan kohën e Enverit janë të gjallë e në jetë. Shumica prej atyre, që gjer dje copëtonin duart nga duartrokitjet, apo skuqnin sytë nga lotët e pandërpreë, nuk guxojnë sot as t’ia përmendin emrin “Dalëzotësit” të tyre gjysëm shekullor. Lufta e lavdishme Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe Epoka e ndritur e Socializmit, kishin në udhëheqje Partinë Komuniste dhe shqiptarin e madh Enver Hoxha. Por ne, edhe këto fakte historike të njohura nga bota, nuk kemi kurajon t’i përmëndim si histori të lavdishme të shqiptarëve. Madje i injorojmë e për më tepër edhe i denigrojmë!
Pse ky mohim i historisë sonë moderne?! Pse ky transformim ndaj të vërtetës, brenda një periudhe shumë të vogël, vetëm 30 apo 40 vite, ku personazhet e asaj periudhe janë ende të gjallë e në jetë?! A nuk të çon kjo sjellje drejt mallkimit?!
Sigurisht, në mes tonë ka plot “Judë” e “Pjetër”, si ata të kohës së Jezu Krishtit, që i pari tradhëtoi Jezusin, e i dyti e mohoi atë pa “kënduar tri herë gjeli!” Por populli nuk është e nuk mund të jetë as “Judë” e as “Pjetër”. Ai manipulohet nga “priftërinjtë” e propagandës borgjeze.
Ta shpëtojmë popullin nga këta “priftërinj”, që ai të eci në rrugën e së vërtetës. Dhe këtë e kanë në dorë intelektualët e popullit, që duhet të vihen në ballë të luftës për ta mbrojtur popullin dhe vendin nga “E namuna” dhe “Mallkimi”!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/04/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk