“MU NË VIGUN E MIRDITËS, RRON E FLET NJË EPOPE!”

25
Aug
2023
Zgjodhi Gjon Bruçi

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

-Homazh për 5 Heronjtë e Vigut-
(Gazeta SOT dhe Telegraf, 21 Gusht 2023)
. . .
Mu në Vigun e Mirditës, Stalingradi me pesë vetë,
Atdheut, kurorë legjende, se ç’i shton dhe një legjendë;
Kjo legjendë e madhërishme, nëpër shekuj do gjëmojë,
Edhe pse me plumb në zemër, edhe pse me plumb në gojë.

Maten pesë me pesëqind, po i thonë vdekjes: Nuk na tremb!
Mëten pesë me pesëqind, po i thonë plgës: Nuk na dhemb!
Maten pesë me pesëqind, po i thonë Gjadrit: Jemi valë!
Maten pesë me pesëqind, po i thonë tokës: Jemi farë!

Jemi farë, mbjellim Lirinë, komunist emrin na e thonë,
Mu në firmën e çlirimit, kemi vënë jetën tonë . . .
Stalingradi i të pestëve, ra pastaj si farë mbi dhé,
Mu në Vigun e Mirditës, rron e flet një Epopé!

Këto vargje monumentale, janë të poetit komunist, Hysni Milloshi, i cili ua dedikon në poemën e tij “Atdheu”, pesë Heronjëve të Vigut, rënë në përpjekje me mercenarët e nazifashizmit në Vig të Mirditës, me 21 Gusht të vitit 1944.

Po, kush ishin këta pesë partizanë trima, me yllin e kuq mbi kapele, që në atë ditë të nxehtë të gushtit të vitit 1944 do të shënonin një nga betejat më të përmendura të LANÇ të Popullit Shqiptar? Pesë Yjet Partizane, ndonëse patën përballë mbi pesëdhjetëfishin e numrit të tyre, qëndruan për rreth gjashtë sahat, gjer sa iu mbaruan fishekët dhe vetë jeta e tyre e re, por tepër e lavdishmne.

Kronika e shkurtër e jetës dhe veprimtarisë së tyre:

Ndoc Mazi (Minuku), nga një familje e varfër shkodrane, kishte kryer disa vite të Gjimnazit të Shkodrës. Anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, dhe me krijimin e saj, edhe anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Hidhet në ilegalitet në vitin 1942, duke vepruar fillimisht në Durrës dhe pastaj në Shkodër. Nga viti 1943 punon për organizimin e LANÇ në Mirditë.

Naim Gjylbegu (Besniku), anëtar i Grupit komunist të Shkodrës dhe pastaj anëtar i PKSH. Në tetor 1942 bëhet anëtar i KQ të Rinisë Komuniste. I arrestuar nga milicia fashiste, qëndron i papërkulur, duke u bërë shembull vetmohimi për rininë. Nga torturat ai humbi për një kohë edhe shikimin, por armikut nuk i dha asgjë. Sapo del nga burgu, në fillim te vitit 1943 e shohim komandant çete, më vonë kalon si përgjegjës terreni në Lezhë dhe Malësinë e Lezhës.

Ndoc Deda (Teli), nga Miloti. Nga mezi i vitit 1943 arratiset nga ushtria ku ishte mobilizuar dhe hidhet në radhët e forcave partizane. Në tetor 1943 pranohet në radhët e PKSH dhe u ngarkua të punojë në sektorin e Shirokës.

Ahmet Haxhia (Tigri), bir i një familje të mesme shkodrane, kishte kryer dy klasë të gjimnazit në Shkodër. Bënte pjesë në Rininë Komuniste deri në fillim të vitit 1943 kur u bë anëtar i PKSH. Që nga shtatori i vitit 1943 ishte anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Shkodrës, dhe nga dhjetori i këtij viti kalon në njësitin e Mirditës.

Hydajet Lezha (Hida), ishte lezhian, i rritur jetim. Merrte pjesë me rininë komuniste dhe qysh nga fundi i vitit 1943 ishte hedhur në radhët e njësiteve partizane.

Kjo ishte “Ci-vi-a” e tyre e shkurtër, ashtu si dhe jeta e tyre, por një jetë madhështore, e cila i kapërceu vitet dhe shekujt. Në vend të detajeve për secilin nga këta djelmosha të rinj, po sjell një fragment nga tregimi i Nënë Drandes, e cila pati kontaktin e fundit me luftëtarët tanë.

Nënë Drandja tregon:

“Unë jam prej Vigut, por e martueme në Gomsiqe. Atë ditë kur pesë trimat u rrethuan nga mercenarët e gjomarkajve, u ndodha në Vig. Nga një kushëri i imi, morëm vesh se “Në Buzëbardhë janë rrethue disa komunistë”! Mendja menjëherë më shkoj tek Ndoc Deda e shokët e tij, të cilët disa herë kishin ardhë tek ne në Gomsiqe. Pavarësisht nga rreziku, vendosa të shkoj tek ata. Trimat e nanës, ishin rrethue keq në atë fushë mes malesh pa asnjë mbrojtje. Ose me u dorëzue e me u koritë, ose me vdekë e me i zbardhë faqen vetes dhe LANÇ. Rrugë tjetër nuk kishte. Partizanët kishin vetëm pesë pushkë, kurse kriminelët ishin më shumë se pesëdhjetëfishi i tyne, me pushkë e fishekë plot. . . Bijt e nanës, po banin gjashtë sahat të rrethuem, ishin djegur për ujë nga zhegu i madh i atij gushti. Buzëbardhi është një vend pa asnjë hije apo pemë. Tri herë ua mbusha tasin me ujë e ua dhashë. Njëri prej tyre, me flokët kaçurelë, në njenën dorë mbante pushkën e gjatë, e në tjetrën një bombë. Pranë tij një djalë i shkurtën e i hollë, vështronte rreptë nga armiqtë. Nga faqja e malit ishte shtrirë me pushkë për faqe një djalë tjetër i ri, bardhosh e i bukur. Kurse nga faqja tjetër e malit kishte drejtue pushkën një djalosh tjetër. Ndoc Deda rrrinte në kambë dhe u jepte përgjigje katilave të Gjon Marka Gjonit. . . Po afronte mesdita. Forcat e kapedanit sa vinin e shtoheshin. Nga shtigjet e Buzëbardhit kishin ardhur bajraktari i Kashnjetit dhe Kryetari i Komunës, Pjetër Lleshi me të tjerë.

“Ta dini, more tradhëtarë të shitun, ne kemi qitë terezinë me vdekë për Shqipninë e Lirë. Armët mund t’i merrni vetëm kur të kaloni mbi trupat tanë të vramë”- lëshoi përgjigjen e fuqishme Ndoc Deda, dhe shokët e tij u bënë gati me shprazë pushkët.

Sapo filloi pushka, ai djali i hollë e i shkurtën, që ma vonë mësova se ishte Ndoc Mazi, mbështeti pushkën tek kamba dhe diçka shkruajti në një letër. Letrën ma zgjati mue, duke më thanë: “Amanet nana Drande, këtë letër, gjallë a vdek, me ua dorëzue shokëve tanë”. Unë mora letrën, e futa në gji, dhe kur po ndahesha prej tyne, më rrëshqitën dy pika lot. Ata njëherësh më folën: “Qëndro, moj nana Drande. Për Partinë Komuniste e për Shqipninë, na vdesim si me le”. Dhe nësa po largohesha, dëgjova pa meje kangët dhe pushkët e fuqishme të pesë djemve tanë.
Ata vdiqën mes krismave të pushkëve dhe me këngë në gojë.
Atëbotë, qava me të madhe dhe vrapova drejt Gomsiqes me letrën e sokolave të nanës në gji, të cilën ua dorëzova shokëve të partisë . . . !?”
. . .
Letra e “Pesë Heronjve të Vigut”, të cilën e ruajti nënë Drandja, gjendet edhe sot në muzetë dhe në të shkruarat e Historisë së Popullit Shqiptar.
Teksti letrës:

“Të dashur shokë! Jena të rrethuem dhe po presim të na përshkojnë plumbat e tradhëtarëve. Por na kena da ma mirë me dhanë jetën si me le, se sa me tradhëtue luftën që kena nisë. Njëherë thamë ”Ja vdekje, ja Liri! Pra shokë, ju do të ndjekni punën tonë, prej ku e lamë na, me guxim të pathyeshëm.
Shokë, prej maleve të Mirditës, ku asht çerdhja e tradhtareve, ju çojmë përshëndetjet tona, tue brohoritë të gjithë një zani: Vdekje fashizmit, Liri Popullit!” Të fala, të pesë shokët: Teli, Besniku, Tigri, Minuku, Hida”.
. . .
Qëndresës dhe heroizmit të pashoq të Pesë Luftëtarëve të Lirisë, “Pesë Heronjve të Vigut”, populli u pati kushtuar një përmendore madhështore. Ishte një nga monumentet më të arrira artistikisht dhe historikisht të historisë së popullit tonë. Hijeshia dhe madhështia e tij shumëfishohej edhe nga vendi ku ishte vendosur: Në sheshin kryesor të qytetit të Shkodrës, aty ku kryqëzohen rrugët që vijnë nga të gjitha hyrjet e qytetit të lashtë e të ri të Rozafës.

Por, qindëshet e zeza të “demokracisë” së importuar, së bashku me pinjollët e Gjon Marka Gjonajve, dhe Pjetër Lleshajve të errësirës së dikurshme, nuk mund ta duronin këtë momunment madheshtor, që u kujtonte veprën e tyre të shëmtuar të tradhëtisë, ndaj dhe i degdisën në rrethinat e qytetit. Por edhe aty ku ndodhen, monumenti nuk e ka humbur madhështinë. Sepse mbi atë monument qëndrojnë Pesë Yje Partizane e Komuniste, ashtu siç qëndruan të paepur në 21 gushtin përvëlues të vitit 1944. Qëndrojnë se qëndron ideali i tyre i Lirisë, për të cilën sakrifikuan edhe jetën e tyre të re.

Ata qëndrojnë madhështorë, se madhështor ishte dhe mbetet akti i tyre heroik. Por problemi qëndron me ne, pasardhësit e tyre të sotëm, me ne të gjallët, që detyrohemi të vemë kokulur pranë shtatores së tyre, të cilën nuk mundëm ta mbanim në “oborrin” e madh të qytetit, por e nxorëm në cep të kojrijes. . . .

Gjer dje, “shkaku” i këtij qëndrimi absurd, ka qenë “kompetenca” e pushtetit vendor, i cili, për tridhjetë e dy vite rresht, ishte i krahut të djathtë, ose më açik, i krahut të pinjollëve të gjomarkajve, e pjetër lleshajve.

Po sot, që në krye të Bashkisë së Shkodrës, kemi përfaqësuesin e Partisë Socialiste, “mbrojtësen e thekur” të LANÇ dhe veprës së Dëshmorëve, njëherësh, po ajo, edhe në pushtetin qendror; do të bëhet e mundur që monumenti madhështor i këtyre Heronjëve të pashoq, të kthehet aty ku ai pati shkëlqyer e ndriçuar gjithë qytetin?!

Nuk e besoj. Ne do të vijojmë të shkojmë tek monumenti i “5 Heronjve të Vigut” me kokën ulur, gjer sa të kthehet pushteti i vërtetë i popullit, për të cilin Heronjtë në fjalë dhanë jetën dhe rininë e tyre.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk