“MUSKETERËT” E SHKATËRRIMIT DHE DEGJENERIMIT!

16
Feb
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
Në livadhet e “demokracisë” borgjeze shqiptare të 33 viteve të fundit, kanë livadhisur një sërë liderësh të partive e të pushteteve, sipas parimit të “rrotacionit të pushtetit”, që unë në një shkrim të kahershëm e kam quajtur “rrotacioni i rrotës”. Kjo e fundit në kuptimin e përdorimit me sens negativ të emërtimit “rrotë”. Në këtë mori ofiqarësh poliikë e shtetërorë, tre prej tyre do të mbeten gjatë në historinë “moderne” e “superdemokratike” të vendit tonë. Jo thjeshtë prej kohës së shumtë në qeverisje, por prej “bëmave” të tyre të pashembullta, të cilat është vështirë t’i inventarizosh të gjitha. Këta kanë qenë, janë, e siç po duket do të mbeten: SALI BERISHA, EDI RAMA dhe ILIR META. Dy të parët, BERISHA dhe RAMA janë aktorët kryesorë të “melodramës demokratike”, ndërsa i treti, META, një aktor dublant, i cili, për të ballancuar situatat midis pozitë-opozitës, lëkundet majtas e djathtas, ngjashëm me “Lavjerësin matematik”!
Meqenëse të tretit, tashmë ia vura nofkën, madje një “nofkë” të nderuar, duke e krahasuar me “Lavjerësin” matematik, po jap konsideratat e mia për dy të parët, për dy kryesorët, të cilët, falë “bëmave” që kanë bërë e vijojnë të bëjnë, pa frikë mund të quhen:
SALI BERISHA – SHKATËRRUES I SHQIPËRISË!
EDI RAMA – DEGJENERUES I ASAJ QË NUK ARRITI TA SHUANTE PËR FARE SALIU!
. . .
Miqtë e mi të FB, mendoni me qetësi dhe pa partipris se çfarë ka ndodhur e po ndodh me vendin tonë gjatë këtyre tridhejetë e tri viteve; shikoni me sytë e mendjes se si u shkatërrua një vend e një shtet solid i periudhës së Socializmit, dhe si po degjeneron në vijim në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike, e social-kulturore.
Periudha e shkatërrimit, me autor “Neronin” shqiptar me emrin “Berisha”, ktheu në gërmadhë gjithë punën, djersën dhe madje edhe gjakun e rreth tre brezave të popullit tonë në gjysëm shekulli kohë. Tani, prej më tepër se një dekadë, ka nisur “periudha e degjenerimit” të asaj që ka mbetur në mendjen e shqiptarëve, duke i privuar këta të fundit, të ringrihen nga hiri i tyre, si dikur Feniksi.
E titullova “statusin” tim: “TRE MUSKETERËT”, sepse kanë njëfarë ngjashmërie me ata të filmit francez. Musketerët francezë luftonin për Mbretin, por në aventurat e tyre, hasim edhe ndonjë veprim human, – “lojë” kjo e regjisorit për të tërhequr spektatorin e thjeshtë popull. Edhe “Tre musketerët” tanë, kryejnë ndonjë veprim formal, ngjashëm me reklamat televizive, në favor të qytetarit, por “luftën” e vërtetë e zhvillojnë për “Mbretin e madh”, që u ka dhënë kuajt e shalës, pajisjet, armatimet dhe pagesat për aventurat e tyre antikombëtare.
Nëse kjo treshe musketerësh, do të vijojnë të shalojnë kalin e politikës e të pushtetit, të jemi të sigurtë se shkatërrimi dhe degjenerimi i “bahçes” dhe vetë jetës sonë, do të na shkulë përgjithnjë nga trojet e të parëve. Kjo “shkulje” nuk është hipotetike, ajo ka nisur. Nëse nuk do ta ndalim, ikja do të jetë e pakthim. Dhe kjo do të shënojë fundin e kombit tonë!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk