Burgu i Idrizovës, 1 shkurt 2026.
𝗟𝗘𝗙𝗧𝗘𝗥 𝗟𝗨𝗧𝗙𝗜 𝗞𝗢𝗫𝗛𝗔𝗝 – 𝗞𝗢𝗠𝗔𝗡𝗗𝗔𝗡𝗧 𝗧𝗘𝗟𝗜
–
Në Nishovë lindi djalë me besë,
me fjalë pak e me zemër shpresë,
Skrapari ia dha pushkën n’gjak,
dhe nderin ia lidhi për jetë e hak.
–
Bir i Lutfiut, djalë shqiptari,
rritur në djep me ligj të malit,
bukë me djersë, jetë me mund,
por shpirt i lirë, që nuk humb.
–
Në Poliçan u rrit si gur,
i fortë n’trup e i drejtë n’fjalë burrë,
punoi tokë, punoi dhe,
por mendjen e mbajti veç për Atdhe.
–
Kur kufijtë u hapën si plagë,
mërgimi e mori në udhë të gjatë,
Kretë e Athinë, Selanik, në emigrim,
por zemra i rrihte veç për Shqipërinë.
–
Kur Kosova digjej në flakë,
kur Presheva ngrinte barrikadë,
Lefteri s’dinte me ndejtë,
pushka e thirri me zë të drejtë.
–
Në mars të vitit dy mijë,
la punë, la bukë, la shtëpi,
dhe mori rrugën e luftës së parë,
ku burrat maten veç me zjarr.
–
Në Kosovë kërkoi rreshtin e zjarrit,
në Gjilan lidhi besën e shpatit,
por fjala e pushkës e çoi më larg,
në Maqedoni, ku ziente gjak.
–
Hynte e dilte në Kumanovë,
mbledhte trima, ndizte fjalë,
në çdo sy mbillte besim,
në çdo hap kishte qëllim.
–
Në Sllubçan ngriti flamur,
njësit luftarak, betim burrëror,
me shokë nga Hasi e Librazhdi,
trima që vdekjen s’e kishin frikë.
–
Ku s’u dëgjua pushka e Telit?
Në Mateç, n’Karadak, ndër shkëmb e re,
përballë tankeve, hekur e zjarr,
qëndroi shqiponjë, trim i paparë.
–
Në ballë të sulmit, top në dorë,
jo nga prapa, jo nën mbrojtje,
kur kriste plumbi e binte dheu,
Teli printe si pasardhës Skënderbeu,
–
U dogjën tanke, u thyen rreshta,
u shua frika, u ngrit shpresa,
ushtria iku, la armë e dhe,
se trimëria s’blihet me re.
–
Në Mateç u shkrua me gjak,
se morali vlen më shumë se çelik e tank,
shteti u drodh nga djemtë e vërtet,
që luftonin për tokë e dinjitet.
–
Në parlament ranë fjalë të rënda,
se UÇK-ja s’ishte veç ëndërr,
por forcë që s’e ndal topi,
kur burri lufton për liri.
–
Kjo famë s’ishte veç lavdi,
ishte shenjë në shpinë, rrezik i zi,
se armiku, kur s’të mund dot ballë,
të pret në hije, nata pa dalë.
–
Pa urdhër shkoi, pa fjalë u nis,
kah Shkupi n’natë pa dritë e zë,
me shokë të armës, besës e gjakut,
për punë të rrezikshme n’zemër t’armikut.
–
Në Gazi-Babë u fut fshehtë,
vendosi roje, ligj të drejtë,
u shtri për pak çlodhje trup,
por nata s’ishte mike asnjë çast.
–
Se tradhtia s’fle, rri zgjuar,
kur trimi lodhet prej luftërash,
dhe natën e shtatë gushtit zi,
u vra pabesisht Komandant Teli.
–
Jo në ballë, jo n’përballje,
por në gjumë, n’pabesi e hije,
kur s’e mposhtën dot në luftë,
ia prenë jetën me dorë të ftohtë.
–
U shua trupi, jo trimëria,
u pre gjaku, jo historia,
se toka e Shkupit e mban mend,
si gjëmim që s’fshihet kurrë në kohë e vend.
–
E mbajtën n’morg si me dyshim,
se legjenda s’vdes me një krismë,
se komandantët s’bien lehtë,
kur bëhen këngë n’vargje përjetë.
–
Sot malet pyesin kushtrim n’erë:
Ku është Teli i Skraparit t’nder?
Ai s’është veç në varr të ftohtë,
por n’çdo pushkë që ngrihet për tokë.
–
Komandantët s’vdesin kurrë,
kur bien për liri e flamur,
dhe Lefter Koxhaj jeton n’këngë,
sa herë Shqipnia thërret për nder.
𝘼𝙪𝙩𝙤𝙧: 𝙂𝙚𝙣𝙘 𝙎𝙚𝙛𝙖 – 𝙇𝙪𝙨𝙝𝙣𝙟𝙖
𝙇𝙪𝙛𝙩𝙚̈𝙩𝙖𝙧 𝙞 𝙧𝙤𝙗𝙚̈𝙧𝙪𝙖𝙧 𝙣𝙚̈ 𝙚𝙢𝙚̈𝙧 𝙩𝙚̈ 𝙖𝙩𝙙𝙝𝙚𝙙𝙖𝙨𝙝𝙪𝙧𝙞𝙨𝙚̈
𝘽𝙪𝙧𝙜𝙪 𝙞 𝙄𝙙𝙧𝙞𝙯𝙤𝙫𝙚̈𝙨, 31 𝙟𝙖𝙣𝙖𝙧 2026.
—————————————————
Sa hap e mbyll sytë,
jeta më del përpara
si ushtar i lodhur
që s’e dorëzon pushkën.
Pas meje — vite,
përpara — prapë vite,
e unë në mes
si urë që s’ka kë të pyesë.
–
Flokët m’u zbardhën pa më pyetur,
si fjalë të pashkruara.
Qielli mbeti i pandryshuar,
por shikimi im u thellua.
Deti vazhdon betejën me brigjet,
si zemra ime —
kurrë e qetë,
kurrë e dorëzuar.
–
Babai im i ndjerë më flet ende,
jo me zë, por me peshë:
“Çdo ditë është luftë që s’pret.”
I mjerë s’është ai që vdes,
por ai që jeton pa guxim,
që s’e mban barrën e vet
kur koha i thotë: tani.
–
Sa herë kujtoj,
shpirti më shtrëngohet si grusht.
Njëherë për faj të tij —
që më rriti të fortë.
Njëherë për faj timin —
që durova shumë.
Se edhe durimi,
kur zgjatet,
kthehet në plagë.
–
E tashmja më lidhet me të shkuarën
si tel me gjemba.
Kujtimet s’dinë ku mbarojnë,
ëndrrat s’dinë ku fillojnë.
Kam jetuar gjëra që s’duhej t’i jetoja,
kam ëndërruar gjëra
që s’më lanë t’i jetoja.
–
Në stacion gjithmonë arrij vonë,
jo se s’vrapoj —
por se rruga ime
s’është e shkelur nga të tjerët.
Ajo që më mban drejt mua,
për botën është gabim.
Se kush ecën me ndërgjegje,
gjithmonë ecën vetëm
mes turmës.
–
Kam mësuar burgun pa mure,
heshtjen që flet,
dhe plagët që s’duken
por s’të lënë të flesh.
Kam mësuar se njeriu
nuk thyhet kur bie,
por kur i kërkojnë
të harrojë kush është.
–
Sa hap e mbyll sytë,
ende jam në këmbë.
Me thinja si shenja lufte,
jo si dorëzim.
Me baltën ku u rrita në mendje,
si gjykatës i heshtur
i betejave që s’u shkruan kurrë,
por u mbajtën në shpirt.
–
E nëse nesër s’jam më,
mos më qani si humbje.
Më kujtoni si njeri
që jetën s’e mori hua,
që ra, por s’u përkul,
që u vonua,
por ja doli.
𝗔𝘂𝘁𝗼𝗿: 𝗚𝗲𝗻𝗰 𝗦𝗲𝗳𝗮 – 𝗟𝘂𝘀𝗵𝗻𝗷𝗮
Luftëtar i robëruar në emër të atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 30 janar 2026.
———————————————