Ndalimi i Listës Serbe – Shpatë me dy teha

21
Dec
2024
Shkruan: Dr. Sadri RAMABAJA

Në skenën politike e mediatike të Kosovës sërish çet krye ideja e ndalimit të Listës Serbe, duke e konsideruar atë si forcë politike antikushtetuese. Kjo ide megjithatë mbetet vetëm në nivelet e propagandës politike në funksion të fushatës zgjedhore. Përvoja e Evropës me ndalimet e partive na ofron leksione me interes.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!


Në Kosovë, së paku që prej 24 shtatorit të vitit 2023, kur në krye të njësitit të strukturave ushtrake e të sigurisë të Serbisë, të kryesuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Millovan Radojçiq, qe ushtruar akti i agresionit për aneksimin e veriut të Republikës, gjithnjë e më intenzivisht është diskutuar çështja e ndalimit të Listës Serbe. Por, përveç si ide dhe pjesë e diskursit politik publik, asnjë strukturë shtetërore përgjegjëse, qoftë Prokuroria e Shtetit, qoftë Këshilli Qendror i Zgjedhjeve [KQZ] apo formacionet politike prezente në Parlament, nuk kanë ndërmarrë iniciativë konkrete.

Në nivel europian gjatë vitit 2024 është diskutuar intensivisht ideja për ndalimin e AfD-së. Por, për dallim nga Kosova, në Gjermani, një grup prej 113 anëtarësh të Bundestagut nga pothuajse të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në Parlament, së fundmi paraqitën një mocion për të filluar procedurat e ndalimit. Bundestagu duhet të apelojë në Gjykatën Kushtetuese Federale që AfD të shpallet jokushtetuese.[1]

Për dallim nga demonstratat mbarëkombëtare në përgjigje të “takimit të emigracionit” të Potsdamit që kishin rindezur debatin për ndalimin e AfD, në Kosovë nuk pati as iniciativa për demonstrata dhe pozicionim qytetar.
Çfarë pengesash ligjore dhe politike has një hap i tillë, edhe në funksion të strategjive efektive të vetëviktimizimit të Listës Serbe? Si do të reagonte faktori i jashtëm, para së gjithash Brukseli dhe Uashingtoni? Si përballen vendet e tjera me kërcënime të ngjashme ndaj rendit kushtetues dhe demokracisë?

Por, le t’ia hedhim një sy si trajtohen këto problematika në nivel të Europës. Megjithëse ka dallime esenciale mes vendeve, mund të identifikohen pesë modele bazë:

Së pari: Ndalimet e partive, me theks kur ato janë parlamentare, janë jashtëzakonisht të rralla në Evropë. Midis 1945 dhe 2024, 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, kryen rreth 150 procedura të ndalimit të partive – mesatarisht pothuajse dy në vit. Shumica e partive të ndaluara ishin të vogla dhe kishin mbështetje të ulët të votuesve. Ndalimet për partitë më të mëdha janë një përjashtim. Shembuj të kësaj përfshijnë ndalimin e partive paraardhëse të AKP-së në Turqi dhe partisë nacionaliste baske Herri Batasuna në Spanjë.[2]

Së dyti: Fenomeni i ndalimit të partive politike është shumë më i zakonshëm në shtetet autoritare se sa në demokraci. Në këtë rrafsh Rusia kryeson me statistikat: midis 2007 dhe 2022, në Rusi janë ndaluar 53 parti – kjo korrespondon me më shumë se një të tretën e të gjitha ndalimeve të partive që janë vendosur në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës deri më sot.
Turqia pason në vendin e dytë me 23 ndalime partiake.

Në demokracitë liberale të etabluara, ndalimet e partive politike janë fenomene të rralla. Shumica e shteteve anëtarë të Këshillit të Evropës nuk kanë ndaluar ende asnjë parti. Përjashtim bëjnë Franca [me 13 ndalime) dhe Rumania (me 9 ndalime), që konsiderohen shumë.
Sidoqoftë edhe në vende tjera kishte raste kur u bë ndalimi i veprimtarisë së partive politike. Në Spanjë – 4 parti u ndaluan, në Ital – 3, në Holandë – 3, në Belgjikë – 3, në Gjermani – 2 dhe në Austri – 2 sosh. Ndërkaq vetëm nga një parti u ndalua në Norvegji, Sllovaki, Letoni, Lituani, Estoni, Moldavi, Republikën Çeke, Kroaci, Bullgari, Mbretërinë e Bashkuar dhe Greqi.

Së treti: Fenomeni i ndalimit të partive politike shpërfaqet zakonisht në periudha të jashtëzakonshme historike, fill pas revolucioneve përmbytëse, luftërave të përgjakshme etj.

Gjykata Kushtetuese Federale në Gjermani (BverfG) gjatë egzistencës së saj, bazuar në nenin 21, paragrafit 2, të Ligjit themelor [Kushtetutës], ku precizohet se parakushti për ndalimin e partive është konstatimi i faktit se partitë “sipas qëllimeve të tyre ose sjelljes së mbështetësve të tyre, të synojnë të cenojnë ose eliminojnë rendin themelor të lirë demokratik ose të rrezikojnë ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë”. Sipas Gjykatës Kushtetuese Federale, ata do të duhej të kishin konsumuar, respektivisht të kishin ndërmarrë iniciativën që të eliminojnë rendin themelor të lirë, demokratik në një mënyrë agresive, luftarake. Në vitet 1950, BVerfG ndaloi 2 parti, përkatësisht SRP, një parti pasardhëse e NSDAP, dhe KPD. Kohët e fundit ndaj NPD-së janë bërë aplikime për ndalim, por ato rezultuan të pasuksesshme, edhe pse BVerfG shprehet shprehimisht se partia ndjek qëllime antikushtetuese. Arsyeja e vetme që nuk u ndalua është sepse BVerfG i konsideron shanset e saj për të arritur këto qëllime si shumë të ulëta.[3]

Pas Luftës së Dytë Botërore, në nivel të Europës, u ndaluan një varg i partive fashiste, si në Holandë, Itali, Gjermani dhe Austri.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik pati një veprim nga krahu tjetër ideologjik, ndalimet e partive prekën partitë komuniste në Letoni, Lituani, Moldavi dhe Ukrainë. Ndërkaq më shumë ndalime partiake ka patur në Ukrainë pas sulmit rus në 2022, përkatësisht 17.

Në ish RSFJ [Jugosllavi], pas rënies së sistemit monist, në rrugë zyrtare u shua LKJ-ja në të gjitha ish republikat jugosllave dhe në Vojvodinë. Por e njejta procedurë nuk u ndoq në Kosovë. Përkundrazi, ndoshta Kosova paraqet rastin më unik në gjithë hemisferën ku në fuqi ishin partitë komuniste. Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, seksioni për Koosovë, zyrtarisht nuk është shuar kurrë; ajo pësoi një transformim bashkë me levat e saj [Lidhjen Socialiste të Popullit punues, Lidhjen e Rinisë etj], duke u sistemuar në kuadër të LDK-së!

Së katërti: Në praktikën e aplikuar në nivel të Europës, vihet re se ndalimet preknin partitë e të gjitha shtresave, me theks ato parti që me aktivitetin e tyre publik apo të fshehur vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit dhe përkrahin dhunën. Partitë separatiste dhe nacionaliste me lidhje me grupet terroriste bëjnë pjesë në këtë kategori. Lista Serbe do të mund të kualifikohej pikërisht si e tillë. Rastii 24 shtatorit 2023 është prova më e qartë e ndërlidhjes së saj me grupe terroriste që për qëllim kishte dhe ka, jo thjesht rrëzimin e rendit kushtetues, por edhe shkëputjen dhe aneksimin e një pjese të Republikës në dobi të shtetit fqinjë – Serbisë.

Nëse do të donim të kërkonim shembuj të kësaj natyre, atëherë rasti i ndalimit të Sinn Féin-it, e cili u ndalua në Mbretërinë e Bashkuar në 1956, ose i Herri Batasuna-s dhe partive pasardhëse të saj, të cilat u ndaluan në Spanjë në 2003, janë shumë konkret.

Së pesti: Sidoqoftë, për njohësist e kësa sfere, ndalimet e partive si akt politiko-juridik konsiderohen si një thikë me dy teha. Ato mund të ndihmojnë në mbrojtjen e demokracisë, rendit kushtetues dhe lirisë, por mund të kenë edhe efektin e kundërt. Për shembull, ndalimi i Herri Batasuna kontribuoi në
depërshkallëzimin e konfliktit në Baski dhe dha një kontribut të rëndësishëm për t’i dhënë fund terrorit të ETA-s. Në të kundërt, në Turqi AKP-ja u forcua nga ndalimet e partive paraardhëse dhe procedurat e ndalimit kundër saj. Për AKP-në dhe mbështetësit e saj, këto procese ishin provë se gjyqësori turk ishte i njëanshëm dhe jodemokratik dhe se duhej të ristrukturohej në interes të tyre. Provat e dobëta në këto procese e kanë dobësuar më tej demokracinë në Turqi.[4]

Këto modele nuk mund të transferohen në debatin për ndalimin e Listës Serbe në Kosovë – dallimet midis vendeve janë shumë të mëdha – por ka pika që janë gjithashtu të rëndësishme për debatin kosovar.

Ndalimet e partive janë fenomene juridiko-politike të rralla në Evropë, veçanërisht në vendet anëtare të BE-së. Ato prekin edhe më rrallë partitë me nivele të larta të mbështetjes së votuesve. Jo vetëm që ndalimet e partive janë të rralla në vendet anëtare të BE-së, por gjithashtu nuk ka diskutime të mëdha për ndalimin e partive atje. Kjo ngre pyetje: Sa ndryshon qëndrueshmëria e demokracisë gjermane nga ajo në Francë, Itali, Holandë, Austri apo Spanjë, për shembull? Dhe sa të mëdha janë dallimet mes Listës Serbe apo AfD-së dhe partive si Rassemblement National, Vëllezërit e Italisë, Partij voor de Vrijheid, FPÖ apo Vox? Edhe pse Lista Serbe është në shumë aspekte më ekstremiste se këto parti, a janë dallimet aq të mëdha sa që kërkojnë ndalimin e Lisëts Serbe-së?

Ndalimet për partitë e mëdha në BE deri më tani kanë ekzistuar vetëm në situata të jashtëzakonshme. Megjithatë, Gjermania nuk është në një situatë kaq të jashtëzakonshme. Republika e Vajmarit shpesh përmendet në diskutimet gjermane, por ky krahasim është mashtrues. Me Ligjin Bazë, anëtarësimin në BE dhe një shoqëri më të lirë, më të emancipuar dhe më tolerante, demokracia në Gjermani është shumë më e qëndrueshme sot se sa ishte 100 vjet më parë.

Një parti politike mund të ndalohet në Republikën e Kosovës vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria ose Parlamenti mund të paraqesin kërkesën për një ndalim të tillë. Një aplikim i tillë ka sukses ligjor nëse partia që do të ndalohet, ka ra ndesh me parimet bazë të kushtetutës.
Ndalimet e partive kanë një rëndësi të madhe politike. Në rastin konkret ka peshë edhe shtrirja dhe ndikimi i forcës politike përkatëse brenda komunitetit serb. Procedura të tilla janë ndër momentet më të ndjeshme në demokraci. Prandaj, çështja kundër një pale duhet të jetë shumë e fortë. Provat nuk duhet të qëndrojnë vetëm në gjykatë, por edhe në debate politike. Nuk ka të bëjë vetëm me bindjen e mbështetësve tuaj, por edhe të shumicës së gjerë shoqërore dhe, në mënyrë ideale, pjesëve të mbështetësve të partisë që do të ndalohet, në rastin konkret Lista Serbe. Rasti për ndalimin e partisë nuk duhet të jetë kryesisht rezultat i një debati mes njerëzve me pikëpamje të njëjtë.

Këtu debati kosovar ka nevojë për maturim politik. Ai është shpesh vetë-referencues dhe palët që inicojnë këtë debat janë më shumë ie interesuara të konfirmojë një lloj patetizmi banal patriotik, sesa ta arsyetojnë me argumente shterruese juridike-e politike arsyet reale për ndalimin e kësj force politike destruktive. Diskutimi shpesh merrë rrjedhë të nxituar. Lista Serbe lehtësisht do të mund të kualifikohej nga institucioni I Prokurorisë së Shtetit si një “rast i dyshuar” dhe madje pas implikimit të saj në dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFO-rit në maj 2023, e veçmas aktit të agresionit në 23 shtator 2023, edhe si një “përpjekje e caktuar ekstremiste”.

Debati kosovar në këtë rrafsh shpesh injoron aspekte të rëndësishme të natyrës juridike. Për shembull, programi i Listës Serbe luan rol të ndjeshëm, megjithëse ai është i rëndësishëm për debatin politik dhe procedurat ligjore. Shembulli që ndoqi Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane në procedurat e ndalimit të NPD-së, do të mund të ishte një leksion i mirë.

Ndalimi i partive politike përfaqëson aktin, respektivisht “armën më të mprehtë dhe për më tepër, me dy presa të shtetit kushtetues demokratik kundër armiqve të tij të organizuar”. Ky fakt është përpunuar në detaje në dispozitat e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane, kur ajo shqyrtoi rastin në fjalë përpara vendimit, madje në 298 faqet e tekstit të arsyetimit, ku gjyqtarët e Karlsruhes shpjegojnë kushtet në të cilat një parti mund të ndalohet në Gjermani. Por, siç është konstatuar në këtë rast, nëse një partie i mungon fuqia e nevojshme efektive, nuk ka “asnjë arsye për të ndaluar një parti të tillë” pavarësisht veprimtarisë së saj ndesh me kushtetutën. Ndalimi i një partie duhet marrë në konsideratë vetëm kur ai akt mund të konsiderohet si zgjidhja e fundit.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk