Ndërgjegjja e mjegulluar e politikanëve shqiptarë në MV dhe etnocentrizmi agresiv maqedonas

21
Dec
2024
Shkruan: Ramazan Bekteshi


Ndërgjegjja e mjegulluar e politikanëve shqiptarë në MV dhe etnocentrizmi agresiv maqedonas

Krimi: I vetmi pikë-takim harmonik dhe i hareshëm dhe pa kundërshtime në mes politikanëve shqiptarë dhe maqedonas është krimi i organizuar. Plaçkitja e shtetit është bërë në mënyrë progresive dhe masive 24 vitet e fundit nga VMRO, LSDM dhe BDI. Ironikisht, BDI ka qëndruar në pushtet edhe më gjatë se këto dy të parat, dhe paradoksalisht ka treguar fuqi magjike ndaj plaçkës me të dy partitë maqedonase. Kanë vjedhur aq sa kanë mundur, njëherë me Gruevsk-in e Mijalkoski-n e pastaj me LSDM-në perfide e të moderuar në vjedhje, duke mos i gjet asnjë e keqe. Por, këtu kishte një hile të madhe, sepse duke ua zënë bishtin me derë shqiptarëve për shkak të korrupsionit, ata njëkohësisht ua mbyllnin gojën atyre për të mos ngritur çështje jetike kombëtare. Kështu u degradua edhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit, në vend që të kapitalizohej me avancimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, ata që e drejtonin atë u kujdesën për pasurimin e tyre dhe jo implementimin e marrëveshjes që u shndërrua në një tradhti kombëtare.
BDI-së, partneri në koalicion, LSDM-ja, i ndau tri pozita të larta shtetërore dhe ajo lavdërohej deri në kupë të qiellit se shqiptarët përfaqësohen në MV me standardet më të avancuara ndërkombëtare, por në esencë ajo s’kishte siguruar as përdorimin e gjuhës shqipe e as të simbolit kombëtar, flamurit. Pra, duke marrë pozita të larta, ata u bënë edhe multi-milionerë por në kurriz të popullit, që ata supozohej se e përfaqësonin. Fatkeqësisht, gjatë udhëtimit të saj, BDI, e përkrahu Ballkanin e hapur dhe kishte përkrahjen e Ramës dhe PDK-së si dhe të mafies mediatike të Tiranës e Prishtinës, me Baton Haxhiun, Berat Buzhalën dhe Blendi Fevziun. Këta i qëndronin pranë njeri-tjetrit sa herë ishte nevoja në afera të mëdha, dhe shiheshin edhe në veturat zyrtare nëpër Shkup të zv. Kryeministrit Grubi, e një qasje të tillë s’e kishin as gazetarët maqedonas.
Gjuha: Kur shqipja flitej me shekuj në Manastir, Shkup, Dibër, Kërçovë, Veles, Prilep, Krushevë dhe të gjitha trojet etnike të shqiptarëve në MV, ishin po këta shqiptarë etnik që e mbrojtën gjuhën dhe trojet e tyre nga shume sundues shekullor. Shqiptarët dhe tokën e tyre s’e mbrojti as Dame Gruev, as Goce Delçev, as Vëllezërit Miladinov, as Mickoski, por ishin shqiptarët brez pas brezi që derdhën gjak për tokat e tyre dhe e mbajtën shqipen gjallë që sot të kontestohet/shqyrtohet në kushtetuesen e MV. Sot, paradoksalisht gjuha shqipe kërcënohet, jo dhe pa fajin a partive politike shqiptare në pozitë e opozitë, që bënë gjithçka për MV, aprovuan çdo marrëveshje ndërkombëtare pa kushte, por në dëm të vetvetes. Sot, shteti i MV, që kurrë s’ka pasur tapi shekullore mbi këto toka, në emër të ligjeve etnocentrike duan të mohojnë lirinë, historinë dhe gjuhën tonë.
Republika e Krushevës: Edhe pse jetoi vetëm dhjetë ditë, më 3 gusht 1903 Republika e Krushevës u shpall shtet edhe me ndihmën e shqiptarëve, dhe kjo s’është më çudi, sepse Krusheva, shqip Krushova rrethohet me 19 vendbanime që shumica që e rrethojnë Krushevën janë me popullate shqiptare. Gjurmë shqiptare ka edhe brenda qytetit të Krushevës, si emërtimet “Shpati i shqiptarëve” dhe Mëhalla e Arnautëve”. Krushevës padrejtësisht dhe me qëllime politike ia morën Zhitoshën gjatë ndarjes territoriale që ajo mos të mundet të qeveriset nga shqiptarët. Por, sot atje ndodh një fenomen i ri në Komunën e Krushevës që vlen të veçohet, edhe pse numri i popullatës shqiptare është më i vogël por numri i filloristëve shqiptar është më i madh se ai maqedonas. Gjatë vitit shkollor 2016/17, numri i nxënësve filloristë shqiptarë ishte 47.5% dhe 42.8 maqedonas (Koha). Fatkeqësisht, shqiptarët e komunave të Velesit, Prilepit dhe Krushevës vazhdojnë të diskriminohen nga pushteti qendror dhe lokal por edhe nga politikanët shqiptarë sikur mos të eksitonin, derisa për Tiranën e Prishtinën as që ekzistojnë!
Himni maqedonas: Vargjet e këtij himni janë të brishtë me përmbajtje monoetnike duke i përmendur vetëm maqedonasit. Ky tekst i dobët me mesazh të varfër, egoist e absolutisht përjashtues, e pa frymë bashkuese. Në strofën e fundit në vend të përfundimit me vrull te himnit, ai sikur ulet në një fabul LaFonteniane: “Pyjet Maqedonase këndojnë, këngë të reja, lajme të reja!” Qytetarët s’e kuptojnë këngën e pyjeve, por, nëse ajo këngë do të kuptohej nga egërsirat e malit do të ishte një mrekulli, por fatkeqësisht as egërsirat e malit s’e kanë të sigurtë jetën në shtetin selektiv e pa drejtësi. Himni përfundon lodhshëm me këto vargje: “Maqedonia e lirë, e lirë jeton!” por, sa e lirë derisa e ndërron emrin sa herë që i thuhet! Paradoksalisht, MV është e dëgjueshme ndaj kërkesave të grekut, bullgarit, serbit, por, xhindoset ndaj kërkesave legjitime të shqiptarëve etnik edhe pse ajo kohabiton me ta, por tani edhe duke i detyruar ata të këndojnë himnin: “Maqedonasit luftojnë për të drejtat e veta!” …e shqiptarët e përçarë nëpër parti vazhdojnë me këngën e vjetër: “Çaje çukarije”!
Valuta maqedonase: Denari me dukjen e çuditshme dhe vetëm në alfabet cirilik, me ikona kishtare të vjedhura nga kulturat të huaja, dhe pa asnjë shenjë të vetme me motiv shqiptar, vazhdon të tregtohet mbi tri dekada. Bankënotat dhe monedhat duken si relikte të shkreta në pamje e në vlerë pa vënë asnjë shenjë se shqiptarët eksitojnë në këtë shtet e në këtë tokë. Imazhi i valutës pasqyron një realitet të trishtë mono-etnik dhe një të vërtetë të shtrembëruar. Në kartëmonedha janë vendos afreske me lajtmotiv kishtar të shek. X apo mesjetës, dy xhami të kohës osmane dhe Hamami i Shkupit.
Asgjë me motiv shqiptar, asnjë germë shqipe, as edhe emri i republikës, edhepse remitancat apo dërgesat e diasporës shqiptare janë mjete financiare që e shpëtojnë nga kolapsi ekonominë dhe shtetin e MV-së.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk