Ish-kuadër i Brigadës së 5-të Sulmuese
Në fillim të muajit Tetor 1944, me urdhër të komandantit të përgjithshëm të UNÇLSH, shokut Enver Hoxha, dy Brigada të Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare dhe e 3-ta dhe e 5-ta, kaluan në Kosovë, për të luftuar krah për krah vëllezërve Kosovarë për clirimin e këtyre trojebve të lashta shqiptare nga okupatorët fashistë dhe shërbëtorët e tyre, për ta ndjekur armikun këmba-këmbës dhe për ta shpartalluar atë plotësisht. Forcat e këtyre brigadave vepruan nën drejtimin e një shtabi të përbashkët të drejtuar nga shoku Manush Myftiu.
Lajmi i kalimit të brigadave tona ne tokat e Kosovës u prit me gëzim dhe entuziazëm të madh nga partizanët, nga të rinjtë e të rejat, që përbënin shumicën e efektivit të këtyre brigadave. Ata e kuptonin drejt rëndësinë e detyrës që u kishte ngarkuar Partia e shokut Enver, për t’i ndihmuar vëllezërit Kosovarë, për të luftuar krah për krah me ta kundër hordhive të Hitlerit në tërheqje, duke u hakmarrur për të gjitha të këqijat që u kishin bërë ata popujve te Evropës, Ballkanit dhe popullit tonë. Luftimet e brigadave tona, që në ditët e para të kalimit të tyre u karakterizuan nga shpirti sulmues dhe heroizmi masiv partizan. Ata shpartalluan njëra pas tjetrës pikëmbështetjet armike në tërheqje gjatë rrugëve automobilistike Prizren-Gjakovë-Pejë dhe Prizren-Kukës. Armiku beri kudo rezistencë të ashpër, por ai nuk e ndali dot hovin sulmues të partizanëve. Brënda 10 ditëve, me kalimin e brigadave tona në krahinën e Kosovës, u çliruan pothuaj krej rajonet përreth Prizrenit dhe Gjakovës. Populli i këtyre rajoneve kosovare i priti me dashuri e gëzim te madh partizanët. Prezenca e partizanëve te UNÇLSH në tokat e Kosovës dhe lufta e tyre heroike ngjalli tek ata një entuziazëm të madh dhe besim për një fitore më të shpejtë mbi okupatorët dhe tradhtarët. Shumë të rinj delnin vullnetarë për të marrë pjesë në rreshtat e brigadave tona, numri i të cilave filloi nga dita në ditë të rritej. Brenda një kohe te shkurtër nga popullsia e zonave te çliruara dhe i vullentarëve që delnin nga qytetet e Prizrenit e te Gjakovës, u krijua në Krumë të rrethit të Kukësit Brigada e 4-t partizane kosovare.
Mbas pastrimit dhe çlirimit të rajoneve përreth qyteteve Prizren, Gjakovë, më 16 Tetor Brigada e 5-të Sulmuese së bashku me Brigadën e 4-t Kosovare kreu një sulm të befasishëm dhe të guximshëm mbi qytetin e Gjakovës, në të cilën armiku pësoi shumë humbje, mbi 200 të vrarë e të plagosur, shumë mercenarë dhe 12 gjermanë u zunë rob. Në këtë sulm u shfaq me forcë heroizmi e trimëria e partizanëve, ndër të cilat mund të përmendim atë të komisarit të kompanisë së batalionit të 4-t të Brigadës së 5-të Sulmuese Isa Imerit, i cili duke përdorur vetë mitralozin e rëndë të kompanisë dhe duke bërë zjarr të parreshtur mbi armiqtë nuk e la pozicionin derisa mbeti i vrarë për të siguruar tërheqjen e batalionit. Po kështu vepruan edhe skuadërkomandantët trima Arshi Maliqi , Xhevdet Çinoja, komandantët e togave Gani Bajrami e Hito Sinani, të cilët duke udhëhequr partizanët me shembullin e tyre u hodhën mbi telat me gjëmba dhe mbi qëndrat e zjarrit të armikut për ta asgjësuar atë.
Ndërkohë që Brigada e 5-të sulmuese kreu sulmin e parë mbi Gjakovë, Brigda e 3-të Sulmuese sulmoi pikëmbështetjet e armikut në Qafën e Morinës dhe pastaj në Junik e në Deçan, duke i shkaktuar shumë të vrarë e të plagosur dhe duke i shkatërruar atij dy nga pikëmbështetjet më të forta që mbronin rrugën Gjakovë- Pejë. Në këto luftime mbetën të vrarë Heroina e Popullit Ylbere Bylybashi, komisarët e kompanive Sejdi Ormën Murrah e Kozma Papadhima, zëvendëskomisarët e kompanive Mihal Tase e Agim Gilani, Birçe Sinomati, Mersin Ekukushi etj.
Luftime të ashpra zhvilluan forcat e Brigadës së 5-të kundër bazës shumë të fortifikuar armike tek Ura e Shenjtë. Në këto luftime u plagosën shumë partizanë dhe ranë në fushën e luftës komisari i batalionit Sheme Gjika e të tjerë. Shkatërrimi i kësaj baze dhe i shumë të tjerave bëri që qyteti i Gjakovës të izolohej plotësisht dhe më 8 nëntor u krye sulmi i dytë dhe i fundit për çlirimin e qytetit, nga forcat e Brigadës së 5-të Sulmuese dhe Brigada e 4-t kosovare , që përfundoi me çlirimin e saj më 10 nëntor 1944.
Nuk do të harrohet kurrë nga partizanët e Brigadës së 5-të Sulmuese dashuria dhe mikëpritja që u bëri atyre populli i Gjakovës. Gjatë 10-11 nëntorit nëpër rrugët e sheshet e këtij qyteti të njohur për tradita të lashta patriotike buçiti kënga e vallja e partizanëve , e popullit dhe e rinisë së Gjakovës.
Më 13 Nëntor forcat e Brigadës së 5-te u rreshtuan për të filluar luftimet për çlirimin e Prizrenit, kurse Brigada e 3-të Sulmuese dhe Brigada e 1-rë kosovarë për të çliruar Pejën. Luftimet për çlirimin e Prizrenit filluan në periferi të qytetit më 15 nëntor, si rezultat i të cilave u shkatërruan pikëmbështetjet e armikut dhe u krijuan kushte për sulmin mbi qytet, i cili u krye natën e 16-17 nëntorit dhe që përfundoi me çlirimin e tij më 17 nëntor, ditën që u çlirua edhe kryeqyteti i Atdheut tonë, Tirana. Luftimet për çlirimin e Prizrenit u zhvilluan të ashpra sidomos në kalanë e qytetit, dhe në qëndër të qytetit ku ishte rreshtuar dhe një kolonë armike e ardhur nga Ferizaj për të kaluar në drejtim të Kukësit. Forcat armike u dëmtuan rëndë, ato lanë shumë të vrarë dhe të plagosur, 300 mercenarë u zunë rob, midis tyre 185 oficerë e krerë të reaksionit që ishin grumbulluar aty për tu tërhequr bashkë me gjermanët. Aty u zunë shumë material luftarake, depo të tëra me municione, ushqime e veshmbathje dhe dy bateri artilerie komplet, që kolona gjermane që çau rrethimin në drejtim të Kukësit nuk i mori dot. Kjo Kolonë u prit në rajonin e kodrave në perëndim të Prizrenit, nga forcat e batalionit të 3-të të Brigadës së 5-të Sulmuese dhe batalionit të 4-t të Brigadës së 18-të Sulmuese dhe pothuajse u asgjësua plotësisht.
Po më 17 nëntor Brigada e 3-të Sulmuese bashkë me Brigadën e 1-rë kosovare hynë në Pejë. Garzioni armik duke e ndjerë rrezikun e rrethimit të asgjësimit të tij nga forcat e këtyre brigadave qe kishin asgjësuar të gjitha pikëmbështetjet e jashtme të mbrojtjes të qytetit u largua i ç’organizuar nga Peja në drejtim të Andrejevicës, duke lënë aty shumë material luftarake.
Mbas çlirimit plotësisht të pjesës perëndimore të Kosovës, duke e kryer me sukses detyrën e ngarkuar, brigadat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare vazhduan lëvizjen në drejtim të pjesës lindore të Kosovës, duke bërë luftime e sulme kundër mbeturinave të forcave armike të tërhequra në pjesën perëndimore e lindore të Kosovës, që edhe ajo tanimë ishte çliruar. Dita e shpalljes së pavarësisë, 28 Nëntori i vitit 1944 i gjeti brigadat tona në rrethet e Prishtinës e Mitrovicës. Ato e festuan së bashku me popullin Kosovar këtë ditë të shënuar në historinë e popullit shqiptar, për të cilën një kontribut të madh kishte dhënë edhe lufta heroike e popullit të Kosovës e udhëhequr nga Isa Boletini, Hasan Prishtina e patriot të tjerë.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!