Ndoshta është e lehtë të flasësh kur luftën e ke vetëm në kujtime…!

23
Aug
2026
Nga: Frasher Oseku

Shumë herë këto fjalë m’i kanë thënë mua, madje edhe pse jam invalid i UÇK-së. Më kanë quajtur “shpijun i Hagës”, më kanë thënë “s’ke qenë UÇK” e shumë të tjera.
Ndoshta është e lehtë të flasësh kur luftën e ke vetëm në kujtime. Por lufta nuk është një tregim që mund ta ndryshosh sipas interesit të ditës.
Dhe pikërisht për këtë më dhemb kur shoh se si disa njerëz, që dje e quanin veten komandantë dhe flisnin me krenari për UÇK-në, sot, përballë Hagës, papritmas u bënë askushi.
Dje komandantë.
Sot “nuk kam pasur asnjë rol”.
Dje krenarë për UÇK-në.
Sot sikur nuk kanë qenë askund.
Po si mund të ndryshohet historia kaq lehtë?
Nëse ke qenë komandant kur duhej të merrje lavdi, si mund të mos jesh askush kur duhet të mbash përgjegjësi?
Për mua, më e dhimbshme nuk është ajo që më thonë mua. Më e dhimbshme është kur dikush e zvogëlon rolin e vet vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe, në këtë mënyrë, e dobëson edhe kujtesën e luftës sonë.
Unë kam qenë dhe jam kundër Hagës, jo kundër drejtësisë. Jam kundër një gjykimi që, në bindjen time, rrezikon ta njollosë një luftë të tërë dhe ta paraqesë UÇK-në si një organizatë kriminale.
Dhe këtu është frika ime më e madhe:
Nëse krerët e UÇK-së dënohen, Serbia nuk do ta shohë atë thjesht si një vendim gjykate. Do ta shfrytëzojë si armë politike dhe propagandistike kundër Kosovës.
Do ta përdorë për të thënë se lufta jonë ishte kriminale, se ata që luftuan për liri ishin kriminelë dhe se Kosova nuk ishte viktimë, por fajtore.
Do ta përdorë në diplomaci, në media dhe para çdo brezi të ri që do të mësojë historinë e Kosovës.
Dhe atëherë duhet të pyesim veten: çfarë roli idiotik kemi luajtur ne vetë, nëse me duart tona kemi ndihmuar të krijohet diçka që sot mund të përdoret kundër shtetit tonë?
Sepse pas kësaj nuk janë vetëm emrat e disa njerëzve.
Pas kësaj është lufta e një populli të tërë.
Janë dëshmorët që ranë dhe nuk u kthyen më në shtëpi.
Janë nënat që pritën djemtë e tyre dhe i pritën vetëm me arkivole.
Janë gratë e dhunuara, që bartën një dhimbje që asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë.
Janë fëmijët që u rritën pa baballarë.
Janë familjet që humbën gjithçka, shtëpitë e djegura, fshatrat e shkatërruara dhe mijëra njerëz që u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre.
Dhe janë të plagosurit, invalidët dhe të gjithë ata që edhe sot jetojnë me pasojat e asaj lufte.
Prandaj nuk mund ta shoh këtë vetëm si një proces gjyqësor ndaj disa individëve. Për mua, çdo vendim që mund të përdoret për ta njollosur luftën e Kosovës është një çështje që prek kujtesën, dinjitetin dhe historinë e një populli të tërë.
Mund të më quajnë “shpijun”, mund të më thonë “s’ke qenë UÇK”.
Por unë e di çfarë kam parë.
E di çfarë kemi përjetuar.
E di çfarë kemi humbur.
Dhe disa plagë nuk shërohen kurrë, sepse pas tyre qëndron kujtimi i atyre që nuk patën mundësi të kthehen.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/08/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk