Ndue Preng Gjeta: Kur përmend Bardhok Bibën, laje mirë gojën o Sali gjakatari

22
Sep
2024
Shkruann: Ndue Preng Gjeta


Edhe nga ballkoni ku ndodhet në “arrest shtëpie”, “NON-GRATA” Sali Berisha e hodhi helmin, për të ngatërruar edhe pas 75 vitesh Mirditorët me njeri-tjetrin. Ai tha shprehimisht se: “Pas vrasjes së atij horri”, fjala është për Bardhok Bibën, më 17 Gusht 1949, u pushkatuan 14 burra në qafën e Valmerit në Mirditë. Ne, po i themi Sali gjakatarit, se Bardhok Biba nuk ishte horr, por një tribun popullor; ai ishte kthyer në legjendë për së gjalli dhe me burrninë dhe patriotizmin e tij po e kthen gjithë Mirditën në legjendë. Është e vërtetë se pas vrasjes së Bardhok Bibës pati edhe viktima, ndoshta edhe të pafajshëm, për të cilët fërkon duart sot Sali Berisha. Po ajo kohë ishte ende kohë lufte kundër reaksionit që endej nëpër male si bisha të tërbuara dhe kërkonte gjak, dhe të organizuar nga Komiteti i Maleve, bënë terror të zi në Mirditë. Nga dora e këtij komiteti famëkeq, i cili gjithnjë drejtohej nga një prej pinjollëve të Markagjonëve, nga viti 1945 deri në vitin 1953, në Mirditë janë vrarë 68 burra e gra, mësues, veprimtarë, ushtarake, aksionistë etj, dhe këto nuk ishin hora o Sali Viçidoli, por Mirditorë të pafajshëm, që i vranë vetëm se mbështetën luftën N-ÇL dhe pushtetin e ri popullor.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Gjithsesi, kjo nuk duhet të kishte ndodhur, por duhet pranuar se kishte edhe ekstremistë, bile edhe armiq brenda partisë e shtetit, që donin ta armiqësonin popullin e Mirditës me pushtetin e tij popullor. Çirret nga ballkoni Saliu se Enver Hoxha dha urdhër për pushkatimin e 14 burrave të Mirditës. Jo, nuk është kjo e vërteta, dhe Saliu s’ka si ta dijë se në atë kohë ai ka qenë vetë, 5 vjeç. Të vërtetën e dinë të gjithë Mirditorët. Enver Hoxha sapo e mori vesh ngjarjen, veproi energjikisht dhe dha urdhër për ndërprerjen e kësaj masakre, se ishin projektuar të pushkatoheshin 100 burra, gjoja për t’i marrë hakun Bardhok Bibës, dhe tërhoqi vëmendjen e organeve të partisë e të shtetit se: “Ku doni ta çoni popullin e Mirditës, me pushtetin apo me reaksionin?”. Një qëndrim burrëror mbajti Bib Marku, i cili me gjithë dhimbjen që kishte për vrasjen e të birit, u tha: “Mos e merrni në qafë Mirditën, ajo nuk ka më borxh. Unë e di kush më ka vrarë, dhe pse më kanë vrarë”. Sali Berishën, ose bishën nga Tropoja, nuk e han meraku për ato 14 burra të Mirditës, po do të mbajë gjallë konfliktet e të prekë ndjenjat e Mirditorëve, sepse për vrasje Saliu me pushtetin e tij ka bërë kërdinë gjatë këtyre 35 viteve. Ai ka vrarë jo 14, po me qindra. Vetëm në vendlindjen e tij në Tropojë, janë vrarë rreth 200 djem nënash dhe janë shuar familje të tëra, dhe këto nuk i vrau “hori” i Mirditës Bardhok Biba, por horri i qeverisë Sali Berisha, dhe kjo dihet botërisht.

Sali gjakatar, nuk e tha aty nga ballkoni se kush e vrau Bardhok Bibën dhe pse e vranë. Nuk e thotë, se kryetarin e Komitetit të Maleve Ndue Pjetër Gjomarkun, bash atë që dha urdhër për vrasjen e Bardhok Bibës, ai e priti në zyrën e presidencës së shtetit që quhet demokratik, si hero, jo si një kriminel lufte siç është në listën e kriminelëve në shkallë vendi. Bash në zyrën e Saliut, krimineli i Komitetit të Maleve, Ndue Pjetër Gjomarku deklaroi se: “Po, unë kam dhënë urdhër për vrasjen e Bardhok Bibës e të tjerëve”. Ndërsa Sali Berisha edhe sot vazhdon ta mbrojë, se të një brumi janë. Le ta themi edhe një herë me zë të lartë, se Bardhok Biba nuk ishte as horr e as kriminel, se po të ishte horr siç thotë Sali Berisha, nuk do ta vrisnin kriminelët e Komitetit të Maleve, por e vrarë se ai ishte një nga djemtë më fisnikë të Mirditës, një figurë epokale, një luftëtar e demokrat shumë i madh, jo si ato demokratët e Sali Berishës. Bardhok Biba ishte një udhëheqës komunist dhe një deputet krejt i veçantë, që gëzonte reputacion e besim absolut në popull.

Prandaj e vrarë kriminelët, me mendimin se po vrisnin pushtetin popullor dhe Enver Hoxhën në Tiranë. Bardhok Biba mbetet simbol i luftëtarit për bashkimin e popullit dhe unitetin e tij. Ai shkëlqeu si një prej pishtarëve më të mëdhenj në aksionin e faljes së gjaqeve, duke falur i pari gjakun e vëllait të tij, dhe këtë e bëri që malësorët të bashkojnë zemrat e shpatullat në shërbim të atdheut, e jo të vriten me njeri-tjetrin. Sot kjo plagë e mbyllur në socializëm, ku iniciatori i parë ishte Bardhok Biba, është hapur përsëri, dhe vrasjet, gjakmarrja dhe ngujimet janë të pranishme në shoqërinë tonë; mësimet e Bardhok Bibës përbëjnë një tjetër apel për mbylljen e kësaj plage që po vazhdon të marrë jetë njerëzish. Bardhok Biba ishte një revolucionar i orëve të para, që dha jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të pushtetit popullor dhe për një Shqipëri tërësisht të re, pa shtypje e shfrytëzim të njeriut prej njeriut.

Bardhok Biba nuk ishte thjesht një komunist, por në radhë të parë një demokrat patriot dhe atdhetar brilant, me jetën dhe veprën e tij pa njollë, na mëson se cili është kuptimi i vërtetë për demokracinë dhe për cila demokraci duhet luftuar: për demokracinë borgjeze në shërbim të mafies, apo për demokracinë popullore në shërbim të popullit, për të cilën Bardhok Biba u vra nga reaksioni i brendshëm i mbështetur nga reaksioni i jashtëm. Ky ishte Bardhok Biba, i Mirditës, që e vranë shokët e Sali Berishës, kriminelët e Komitetit të Maleve. Mirdita e njeh mirë birin e vet, nuk e ka quajtur horr, por xhevahir dhe i ka ngritur këngën: “Xhevahir ka rrit Mirdita, trima që kanë za, djalë më të mirë se Bardhok Biba, nuk lind nana më”. Prandaj kujdes kur të përmendësh Bardhok Bibën, ta lani mirë gojën o Sali “NON-GRATA”.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/09/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk