“NË ÇDO SOFËR ME HERONJ, DO TË KETË DHE TRADHËTORË!”

15
Aug
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


( Hysni Milloshi, nga poema “ATDHEU”)
-Gazeta SOT, 15 Gusht 2023-
“Mercenarët dhe tradhëtarët” në radhët tona, na ka dëmtuar më shumë se pushtimet e huaja. Dhe jo në një rast, por në mjaft të tilla, me pasoja gjithë kombëtare. Po ndalem në vitin historik 1999, kur krahina shqiptare e Kosovës, falë djemve të saj çlirimtarë, por edhe ndihmës së ndërkombëtarëve, veçanërisht të SHBA, e pa veten të çliruar nga pushtimi shekullor serbosllav. Prej atij viti, e gjer më sot, që bëjnë plot 24 vjet, koha punoi mrekullisht për ne shqiptarët. Por vetë në shqiptarët, nuk ditëm dhe nuk po dimë ta administrojmë këtë kohë të artë, që zor të përsëritet në afatshkurtër.
Pse ndodhi e po ndodh kjo? Thjeshtë prej mercenarizmit dhe tradhëtisë, të cilat kanë bërë “strehë” në strukturat e larta të politikës dhe shtetit tonë me “demokraci” amalgamë. Po citojmë disa momente që tashmë duken sheshit, për të kuptuar “lojën”, e cila është luajtur e luhet në kurriz të shqiptarëve, prej vetë shqiptarëve mercenarë e tradhëtarë:
Në fundvitet nëntëdhjetë, kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë, vendi ynë ishte mbërthyer nga qindshet e zeza të Saliut, i cili, me paratë e marra nga Millosheviçi, dhe me ndihmën e ambasadorit amerikan, Rajerson, do t’i vinin flakën Shqipërisë, duke eleminuar kështu mbrojtësen më të zjarrtë të Kosovës, në përpjekjet e saj për t’u shkëputur nga sundimi serbosllav. Krahas kësaj, Berisha nisi dhe “aksionin e karburantit” për furnizimin e makinës luftarake serbe, që do të masakronte boshnjakët dhe shumë shpejt edhe shqiptarët e Kosovës. Fatos Nano, me marrjen e pushtetit në fundvitin 1997, në një takim “tet-a-tet” me Milosheviçin në Kretë, do t’i thoshte këtij të fundit, se “kosovarët e kanë kryeqytetin në Beograd”, duke bërë diplomatikisht, atë që bëri Saliu praktikisht. Nuk po flasim për pjesën tonë matanë Drinit, ku Rugova, me iluzionin e “rrugës paqësore” të Gandit indian, vuri në gjumë shqiptarët, në vend që t’i mobilizonte, ashtu si kroatët, sllovenët, boshnjakët, etj., që nisën luftën për shkëputjen nga vartësia serbe.
Lufta e viteve 1998 – 1999, në Kosovë, nxori në ballë Heronjtë e vërtetë, bijt e popullit dhe rrudhi “vemjet” e intrigave të paqes. Shqiptarët e thjeshtë, këtej e matanë Drinit u vunë në shërbim të luftës çlirimtare. Nëse nga Shqipëria “londineze”, do të kishte organizim shtetëror, drejt Prishtinës dhe në krah të UÇK-së e të ndërkombëtarëve, do të rreshtoehsin dhjetra njësi e reparte të rregullta të shtetit shqiptar. Mundësitë ishin të plota, sepse pavarësisht nga shkatërrimet e Berishës, vendi zotëronte ende një arsenal të madh e modern armatimi, dhe mbi të gjitha, kishte korpusin e kuadrove ushtarakë, të sapo liruar nga “reforma demokratike”, të cilët do ta realizonin të plotë “Amanetin e Bac Adem Jasharit”, që ishte dhe amenti shekullor i Rilindasve tanë. Por kjo nuk ndodhi, sepse tashmë shteti ynë ishte kthyer në një shtet mercenar në dorë të ndërkombëtarëve, urdhërave të të cilëve nuk mund t’u bishtnonte.
Rezultati? Luftëtarët e UÇK-së, ndonëse luftuan krahas ndërkombëtarëve, duke lënë në fushëbetejë rreth 12 mijë Dëshmorë, jo vetëm nuk u pranuan në takimin përmbyllës të luftës në Kumanovë, por edhe u detyruan të çarmatosen qysh në ditën e parë të lirisë. Dhe e gjithë përpjekja vigane e një populli të tërë, përfundoi me një “Republikë me fusnote”, për t’u shoqëruar me bisedime të pasosura, drejtuar nga misionarët ndërkombëtarë, në tentativa të dështuara të pajtimit midis “Ujkut” që ende i kullojnë gjak dhëmbët, dhe qingjit, i cili dridhet prej kafshimeve të tij shekullore.
Koha prej një çerek shekulli e paqes së rreme, ka ndihmuar përsëri në ringjalljen e “larvave” të tradhëtisë. Kjo, në të dy anët e Drinit tonë plak. Tradhëtia dhe poshtërsia e shekullit, do ta quaja unë, është vënë kësaj radhe kundër drejtuesve të UÇK-së dhe për pasojë kundër vetë luftës së saj unike e heroike. Prej më se dy vitesh, në “hapsanat” e Gjykatës Speciale të Kosovës, me personel e Seli “ndërkombëtare”, po mbahen drejtuesit kryesor të UÇK, nën akuzën se “luftuan për mbrojtjen e popullit të tyre nga gjenocidi i pushtuesve serbosllav”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ia ku na vjen edhe urdhëri i gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë të Hagës, për arrestimin e luftëtarëve nga Shqipëria, që morën në sy sakrificën sublime e iu bashkuan luftës për çlirimin e Kosovës. Me urdhërin e “Padishahut” nga Europa, “Vilajeti” i Tiranës, arreston ish oficerin e Ushtrisë Shqiptare, luftëtarin komandues e drejtues në njësitë e UÇK-së, Dritan Goxhaj. Akuza: Dritani na paska nxjerrë në shesh emrat e dëshmitarëve të rremë, që prokurorët e Hagës mbajnë, si asi nën mëngë, për akuzat e tyre të kurdisura kundër komandantëve të UÇK-së. Sigurisht, pas Dritanit, do të kërkohen edhe të tjerë si Dritani. Se, megjithë pengesat artificiale, që vendoste tradhëtia brenda strukturave të shtetit shqiptar, në luftën për çlirimin e Kosovës, kanë marrë pjesë plot 151 vullnetarë nga Shqipëria, midis të cilëve 17 oficerë të karierës. Nga ky kontigjent vullnetarësh, ranë Dëshmorë 37 luftëtarë, ose 24, 5 % e gjithë kontigjentit të vullnetarëve.
Babai i oficerit Dritan Goxhaj, koloneli Dilaver Goxhaj, ish zëvendës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nëpërmjet shtypit, televizionit dhe botimeve të veçanta, na ka treguar se në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përveç 151 shqiptarëve nga Shqipëria, kanë marrë pjesë: Nga Kosova Lindore 50 vullnetarë; Nga Maqedonia 50 vullnetarë; Nga Mali i Zi rreth 40 vullnetarë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës shkuan nga Shqipëria, 4 oficerë, ndërsa në UÇK-n e Maqedonisë shkuan nga Shqipëria 10 vullnetarë, prej tyre 5 oficerë.
Siç na kumton Kolonel Goxhaj, nga Diaspora dhe emigracioni iu përgjigjën thirrjes së 2 prillit 1999 të ShP të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, rreth 12 mijë vullnetarë. Akoma më tej, midis luftëtarëve shqiptarë të UÇK-së, u gjenden edhe vullnetarë të kombësive të tjera nga 11 shtete të Botës, si SHBA, Gjermania, Kanadaja, Franca, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Italia, Austria, Algjeria dhe Turqia. Kjo pjesëmarrje e ktheu Luftën për çlirimin e Kosovës në një LUFTË INTERNACIONALISTE, njësoj si ajo për mbrojtjen e Republikës Spanjole në vitet 1936 – 1939.
Shtrohet pyetja drejtuar qytetarëve shqiptarë: Keni dëgjuar nga institucionet e shtetit shqiptar për këta Vullnetarë e Dëshmorë nga Shqipëria, diaspora, apo nga kombësi të tjera, pjesëmmarës në luftën për çlirimin e Kosovës, më saktë të Dardanisë?
Kolonel Dilaver Goxhaj, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i luftës dhe madje Zëvendës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, na thotë se: Asnjë Ministër Mbrojtje apo shef shtabi të Përgjithshëm i Ushtrisë sonë, nuk ka thënë asnjë fjalë për vullnetarët e shtetit amë, që luftuan në tri luftra, Kosovë, Preshevë, Maqedoni e Veriut. Ilir Meta kur ishte kryeministër, i quajti luftëtarët vullnetarë “enveristë të çmendur”. Fatos Nano i quajti “folkloristë”. Gramoz Ruçi tha “t’i shpërblejnë ata që i dërguan në luftë”. Mejdani, kërkesës pë rikthim në radhët e Ushtrisë shqiptare, ju përgjigj se: “nuk i kthejmë në ushtri, sepse nuk i dërguam ne në luftë. . . “. Edhe ish kryeministri Majko, premtimet që u dha luftëtarëve vullnetarë, kur vizitoi Kosovën e çliruar, sapo u kthye në Tiranë, i harroi. Për t’i vënë “kapakun e turpit”, edhe organizata e Veteranëve të Luftës, nuk pranon t’i rreshtojë këta Vullnetarë e Luftëtarë në listat e saj të veteranëve, nga frika se mos këta veteranë të vërtetë, mund t’u zënë karriket e zyrës, pasardhësve të veteranëve, apo të ndonjë pseudoveterani.
Pse ka ndodhur kjo heshtje varri, e ky refuzim total për kontributin e jashtëzakonshëm, që luftëtarët vullnetarë nga Shqipëria, dhe jo vetëm, dhanë për çlirimin e trojeve tona në Ballkan? Sepse në krye të partive politike dhe të shtetit tonë të vetquajtur “demokratik”, është vendosur raca e mercenarëve, të cilët pa lejen e ndërkombëtarëve, madje edhe të ish pushtuesve, nuk guxojnë të flasin shqip. Këta mercenarë i tremben Bashkimit Kombëtar, ndaj preferojnë më mirë, një pushtet familjar apo klanor, qoftë dhe në principatë, se sa në një shtet unik të kombit, ku nuk mund të manovrojnë me hilet e përdredhjet e tyre bizantine.
Dhe kësaj, or tungjatjeta, i thonë tradhëti. Jo tradhëti individi, që shohim përditë, qoftë dhe në rolin e Kryeqeveritartit, por një tradhëti kolektive e shtetit, dhe e Parlamentit, që gabimisht mban emërtimin “Kuvendi i Shqipërisë”.
Po, është e saktë: Ndërsa heshtin si varri për kontributet e luftëtarëve të gjallë e Dëshmorëve të rënë, nuk hezitojnë të bëhen “mashë” e disa ndërkombëtarëve, që kurrë në historinë e tyre politike e shtetërore, nuk e kanë patur në listë Lirinë, Pavarësinë dhe Begatinë e vendit të shqiponjave.
Fatkeqësisht, thënia e poetit komunist Hysni Milloshi, marrë nga poema e tij madhore “Atdheu”, se ““Në çdo sofër me heronj, do të ketë dhe tradhëtorë!”, është e vërtetë. Ndaj duhet prerë rruga e tradhëtisë, nëse nuk duam të na e mbulojë të gjithë “sofrën” tonë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk