Lajmi i zi zemrat na theri
E gjaku ndër deje ngriu kallkan,
Vdiq Komandanti, i shtrenjti Enveri
Vdiq kryetrimi që nëna s’e bën.’
–
Flamuri mbi shtizë rëndohet nga pesha
Shqipja krenare përkuli kurorën,
Atdheu u vesh me rroba të zeza
E nisi vajin për Enver Hoxhën!
–
Loton fëmija, djali dhe plaku
Dielli një çast e humbi shkëlqimin,
Dhe malet, dhe fushat, dhe rruga e pragu
Nga dhimbja e madhe s’e mbajtën ngashërimin.
–
Qan Shqipëria birin, luftëtarin
Të parin komunist, të parin Komisar,
Kombi vajton me dhimbje atdhetarin
Yllin e karvanit, prijësin legjendar.
–
E gjëma përhapet ndër barrikada
Të luftës klasore të botës mbarë,
Në dhjetra gjuhë shprehet mandata
Me grusht nderojnë mijëra proletarë . . .
–
Por jo, nuk vdes kurrë kryeburri
Ai vetëm Lindje ka në histori,
Kokën ngre lart shqipja te flamuri
Dhe lotët i fshin Nëna Shqipëri!
–
Në gjakun tonë, në mendje, në zemër
Përherë i gjallë mbetet Enveri
Nuk shuhet kurrë i madhi emër
Gjer sa të shuhet e tretet dhe Dielli
–
Ai rron ndër ne se rron ideali
I Nënës së madhe, Nënës Parti,
Me ty pishtar o Enver djali
Ky truall do mbetet përherë i ri.
–
Ndaj grushtin ngremë lart me guxim
Dhe para ecim në rrugën e nderit,
Nga gjokset shpërthen i madhi Betim
Në jetë të jetëve, ushtarë t’Enverit!
Prill – 1985
–
11 prill 1985! Shqipëria mbajti frymën, përkuli Flamurin dhe veshi rrobën e zisë! Kishte vdekur Prijësi, Krenaria Kombëtare, Rilindasi i kohëve moderne, Burri më i madh i historisë së shqiptarëve, Enver Hoxha.
Po ç’ishte Enver Hoxha? Një komunist? Një partizan? Një komandant? Një komisar? Një udhëheqës masash? Një strateg e reformator? Një legjendë? Apo një e vërtetë?
“Historinë e bëjnë masat, individët lozin rol të veçantë”, na mëson historia e shoqërisë njerëzore. Por roli i Enver Hoxhës në Epokën 50 vjeçare të Shqipërisë së Re e Moderne ishte vigan. Ai përmblidhte në një njeri të vetëm virtytet më të larta e më të arrira të shqiptarit, dhe ishte në të njëjtën kohë edhe realizuesi më i shkëlqyer i aspiratave të popullit të tij.
Enver Hoxha ishte përfaqësuesi më autentik i shprehjes së njohur shqiptare “Burri i dheut”. Që të fitosh këtë titull kërkohen shumë veti e virtyte të larta e të dallueshme midis njerëzve të zakonshëm. Midis të tjerave, të jesh apo të bëhesh i tillë, duhet të kesh mençuri, trimëri e guxim burrash të vërtetë. Këto veti, ashtu si shumë të tjera, Enver Hoxha i pati në shkallën më të lartë.
Ai kishte në harmoni të plotë pamjen gjigande dhe ekspresive, me argumentin dhe të vërtetën që mbronte, shoqëruar ato me guximin e rrallë. Kjo ndodhte sepse ai vinte nga Shqipëria ku, burrëria nuk matet me peshë e me poste, por me qëndresë e guxim, me vepra e akte në dobi të vendit. Në fund të çdo ballafaqimi të ashpër, me Kapidanët e Botës, Enver Hoxha, me zë të lartë e të sigurtë deklaronte:
“Unw mbroj interest e vendit tim”!
Siç e vertetoi historia, e gjithë filozofia e jetës dhe e veprës së Enver Hoxhës përmblidhet në këtë frazë: “Unë mbroj interesat e vendit tim”!
Nuk mund të thuhet më saktësi nëse Epoka nxjerr Kollosë, apo Kollosët bëjnë Epokë. Por në rastin tonë, ne pa frikë mund të deklarojmë: Enver Hoxha për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar bëri Epokë. Një Epokë që e futi Shqipërinë në hartën e Botës, duke i ngritur shqiptarët dhe vendin e tyre në shkallën më të lartë të dinjitetit si komb!.
Apologjetët e borgjezisë na akuzojnë ne komunistëve për “kultin e individit”! Po kush e ngriti dhe vijon t’i fryjë të ashtuquajturit “Kult të individit” për udhëheqësit e proletariatit? Ishin dhe janë xhuxhmaxhuxhët e historisë, duke filluar nga Hrushov tullaci e gjer tek të çakërdisurit, mjekërroshët e shallaqafët e sotëm, të cilët, në pamundësi t’i ngjiten Malit të Lartë, e pështyjnë atë nga poshtë, paçka se pështyma u rikthehet mbi surrat!
Epitetet e larta për Enver Hoxhën nuk do të mjaftonin edhe sikur të mblidheshin tok të gjithë fjalorët e gjuhëve të botës. Natyra rrallë ka gaditur persona të tillë të përsosur, për Dukun e Trupin, për Mendjen e Zemrën, për Guximin e Trimërinë, për Vetmohimin e Përkushtimin, e mbi të gjitha për Veprën madhështore në dobi të kombit të vet, si Enver Hoxha.
”Kulti i individit”? Sa qesharake dhe po aq djallëzore! Për një prift, që paska shëruar një apo dy të verbër (sigurisht me ilaçe, të cilët në kohrat e vjetra nuk njiheshin), Kisha dhe propaganda e saj bën shënjtërimin, dhe pastaj këtij prifti i ngrihet kulti ku falen mijëra besimtarë.
Po për Enver Hoxhën, që bëri mrekullira reale e jo të shpikura; që zhvendosi e bëri epokë; që shëroi nga verbëria jo një apo dy njerëz, por plot tre milion shqiptarë; që vepra e tij teorike e praktike ngre në këmbë jo dy apo tre sakatër, por mijëra e miljona proletarë në të gjithë botën, ne pra nuk paskemi të drejtë t’i gremë kultin?
Po! Enver Hoxha e meriton plotësisht Kultin. Ai ishte dhe do të mbetet Kulti i shqiptarëve të ndershëm. Ai ishte dhe do të mbetet Kulti i anëtarëve të Partisë Komuniste dhe mbështetësve të tyre, sepse idealet e Tij Madhështore përfaqësonin idealet e vërteta Kombëtare.
. . . .
Shqipëria jonë sot, është pa Zot Shtëpie. Plot 4i vjet pa zot shtëpie. E si mund të jetë shtëpia pa “të Zotin”? Shih e shkruaj, thotë populli. Dhe të “shkruarat” duken sheshit. Në mungesë të “Zotit të Konakut”, lukunia e ujqërve, së bashku me ujkonjën e madhe të kapitalizmit, e kanë vënë Shqipërinë ndër këmbë dhe po e çapëlojnë pa mëshirë. Siç bëjnë hienat në errësirë!
Deri kur kështu? Mos ka humbur shpresa për të dalë përsëri në dritë?
Jo! Shqiptarët do ta gjejnë përsëri Zotin e Konakut, pa të cilin vendi, ashtu si familja, nuk mund të mbahet më këmbë e të përparojë. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Historia përsëritet. E në ditët e sotme kjo “përsëritje” e ka harkun kohor shumë më të shkurtër se në kohët e hershme.
Shqipëria do ta lindë shumë shpejt “Burrin”, që do ta nxjerrë nga tuneli i errësirës, drejt dritës së vërtetë!