“NË LËNDINË NË BARË TË BUTË, HEDHIN VALLE TRE HAJDUTË!

25
Mar
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
-Gazeta SOT, date 25 Mars 2023-
Në një këngë të trevave të jugut, kënduar nga këngëtari Ylli Bako, flitet për tre hajdutë të zonës, të cilët, në vijim të “zanatit” të vjetër të labit, vidhnin bagëti të imta tek tufat e çobanëve. E solla këtë ngjarje, për të treguar se populli ynë u ka kënduar edhe hajdutëve, kur “preja” e tyre ka qenë e shumta një cjap apo dash kopeje. Mirëpo, siç kemi parë në këto vitet e “demokrazisë”, hajdutët e sotëm, megjithëse e kanë kaluar qindra herë vlerën e plaçkës së vjedhur të hajdutëve të moçëm, përsëri kanë gjetur rapsodë e këngëtarë për ti jetësuar ata në këngë. Lexuesi bësoj nuk e ka harruar këngën e shoqëruar me valle, kushtuar Rapush Xhaferrit, dhe shokëve të tij, që na patën përlarë paratë nëpërmjet piramidave të “fajdeve” në vitet 1996-97.
Mirëpo, vetëm pak vite pas asaj “aventure”të fajdexhinjëve, kënga e Rapushit me shokë u harrua, për t’u zëvendësuar me këngët kushtuar Berishës, Ramës e Metës, të cilët ia kaluan njëmijë herë hajdutërisë së Rapushit të ndjerë dhe shokëve të tj. Hajdutët aktualë, tashmë nuk merren me cjep e desh çobanësh, e as me fajdet e Sudes, apo të Rapushit. Ato ishin mënyra arkaike të hajnisë e të pasurimit. Hajdutët modernë, me përvojë politike e shtetërore, kanë rrëmbyer e rrëmbejnë çdo ditë llokma nga pasuritë mbi e nëntokësore të vendit, plus allishverishet që realizojnë nëpërmjet korrupsionit, këtij “ingranazhi”, i cili grasaton e mban në jetë sistemin kapitalist. Kënga që përmendëm në titull të shkrimit, flet për tre hajdutë të zakonshëm, “preja” e të cilëve mund t’i shtynte me ushqim dy-tri ditë e shumta një javë. Ndërsa “adashët” e tyre të sotëm, me hajninë moderne të shekullit 21, për tri dekada, kanë siguruar një jetë me luks edhe për brezin e tretë apo të katërt të tyre.
Këtë arritje të pakrahasueshme me hajdutët e shekullit të 19, këta të sotmit e siguruan dhe po e sigurojnë për katër arsye të dukshme:
Së pari: Pasuria që, “rastësia”, apo poshtërsia ua vuri në dispozicion, ishte kaq e madhe, sa ua çoi atyre shigjetën e lakmisë në diagramën më të lartë. Një varg i këngës së hershme, thotë: “Në lëndinë me barë të butë / hidhnin valle tre hajdutë”. Kjo lëndinë, tashmë nuk ishte lëndina e fshatit, apo lëndina e tufës së një çobani, por “Lëndina e madhe” e pasurisë Kombëtare, ku tre “hajdutët tanë” e shkatërruan, shitën dhe e grabitën pa mëshirë.
Së dyti: Kjo pasuri kombëtare, për fat të keq të shqiptarëve, prej tri dekadash ka qenë dhe është pa çoban, çka u krijoi hajdutëve modernë, mundësinë e grabitjes pa ju hyrë ferrë në këmbë, madje hajninë e tyre e shoqërojnë me valle, sa herë dalin në fushatat elektorale, ku u duhet të mbulojnë me propagandë veprën e tyre të hajnisë.
Së treti: Tre hajdutët tanë, ndërsa natën grabisin bashkërisht në të njëjtin “stan”, kur del drita e bie dielli, akuzojnë njëri-tjetrin për hajni, si gratë e Çajupit tek filmi artistik “Përrallë nga e kaluara”, duke e çoroditur popullin në gjykimin për hajninë dhe hajdutët.
Së katërti: duke qenë në politikë e në pushtet, hajdutët tanë të sotëm, sigurojnë mbrojtjen e tyre nga pushka e ndonjë çobani të krisur, por njëherësh, me “rentën” e kapitalit të tyre të hajnisë kombëtare, miklojnë edhe ndërkombëtarët, të cilët, për kortezi miqësie, nuk harrojnë të na thonë se demokracia po funksionon, se drejtësia po jep frytet e para dhe se hajnia . . . Jo, këtë nuk e përmendin, se mund të rrezikojnë t’u dalin emrat në shesh dhe ta marrë vesh fukaraja atje në fund të lagjes.
Padrejtësia, poshtërsia, hajnia dhe tradhëtia në këta tri dekada që kemi kaluar, ka arritur rekorde të pakrahasueshme me gjithë periudhat e vendit tonë, qoftë edhe periudhat e gjata të pushtimeve të huaja. Mbi të gjitha, pandëshkushmëria ndaj hajnave të mëdhenj, ka arritur nivele të paimagjinueshme në historinë tonë të vjetër e të re. Kjo pandëshkushmëri “shembullore” ndaj hajnisë, krimit e korrupsionit, i ka shtrirë këto të fundit në gjithë shtresat e shoqërisë sonë, duke na dhënë një piramidë më të madhe se piramida e Keopsit.
A ka shpresa për shembjen e kësaj piramide të krimit e korrupsionit? A mund t’u tregohet vendi hajdutëve modernë dhe “valles” së tyre makabre të hajnisë e të krimit?
Miqtë euroatllantikë po na ndihmojnë me SPAK-un, por “bathët tregojnë se janë larg pashkët”! Me hapin prej breshke të SPAK-ut, piramida e korrupsionit politik e pushtetar, do të mbetet në këmbë, duke rivalëzuar piramidën e lashtë të Egjiptit. Cila mund të ishte mënyra e shembjes së kësaj piramide? Ka vetëm një mënyrë: si në rastin kur duam të prishim shtëpinë. Kur e ndërtojmë shtëpinë, puna nis nga themelet për të përfunduar me çatinë. Ndërsa kur duam ta prishim, pa i shkatërruar orenditë që mund të na shërbejnë në shtëpinë e re, çmontimi nis nga çatia. Edhe në rastin e piramidës sonë të hajnisë e të korrupsionit, puna duhet të nisë nga çatia. Le të marren në hetim (brenda hekurave të burgut e jo pas kangjellave të vilave) tre bosët e krimit e korrupsionit, Berisha, Meta dhe Rama. Zbërthimi i tyre do të çojë në shembjen e gjithë piramidës në fjalë. Fakte e argumente për t’i hetuar e dënuar këta tre, ka sa të duash, të shkruara e të filmuara. Po, a mund të realizohet kjo?
Tepër e vështirë, madje e pamundshme. Për tri arsye të thjeshta por të vërteta:
-Së pari: SPAK-u, mund të ketë dëshirë dhe përkushtim për ta realizuar këtë goditje, por nuk besoj që, për hir të moralit apo të pagës së veçantë që gëzon, të rrezikojë e të bëhet Falkone. Aq më tepër kur në krye të politikës e të pushtetit, janë pikërisht ata që duhet të jenë të parët pas hekurave të burgut.
-Së dyti: “Tre hajdutët tanë modernë, që hidhen e tunden në valle”, veprimtarinë e tyre korrupsioniste e kriminale, e kanë realizuar nën hijen e ndërkombëtarëve, të cilët nuk kanë shpëtuar kurrsesi pa u ndotur nga stërkalat e veprimtarisë së tyre të zezë. Mjafton të sjellim në mendje ’97-tën, ’98-tën, Gërdecin dhe 21 Janarin, ku asnjë prokuror, e asnjë ndërkombëtar nuk do të deshironte t’u lëvizte kapakun e “arkivolit”.
-Së treti, dhe që është kryesorja, nëse vërtet do të tentohet të shembet piramida tridhejtë e tri vjeçare e korrupsionit shqiptar, e gjithë propaganda për demokracinë borgjeze, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor, që ndërkombëtarët kanë predikuar pa pushim, do të shembej në kënetën e vërtetë të sistemit borgjez.
Loja me dhjetra dosje të krimit dhe korrupsionit, që SPK-u, kap, lëshon apo përcjell, gjatë këtyre gashtë viteve, sidomos që nga ngritja si institucion me kapacitet të plotë, verteton më së miri atë që thashë më sipër. SPAK-u do të vijojë të hetojë, të gjykojë e të marrë rrogën për cironkat dhe levrekët e lumejve e të liqejve, po kurrsesi për peshkaqenët e detit. Mjafton të ndjekësh lojën me “Inceneratorët”, të kuptosh e të besosh, se edhe SPAKU-u, kur është fjala për “majën e piramidës”, bëhet plotësisht KAPS!
Kur e zonja e çobanit atje në stan, i pa hajdutët që po i vidhnin bagëtitë dhe po hidhnin valle, u thotë: “O ju kaçakët e malit / e doni në lule të ballit”!. Por ajo u ndodh vetëm në stan atë natë, ndaj dhe u flet përsëri hajdutëve: “O mor djemë me nishan / O mor ju hajdutë me nam / Daleni bre, ç’borgj ju kam? / Sonte s’e kam as çoban!? . . .Se po të kishte çobanin, ua tregonte “nishanin”
Shqipëria ka tridhjetë e tre vjet pa çoban, ndaj vijon të këndohet e kërcehet kënga:
“Në lëndinë me barë të butë / hedhin valle tre hajdutë!”

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk