NE, “MOSMIRËNJOHËSIT” !

07
Jul
2023
Shkruan: Ali Sh. Mehmeti

07.07.2023
Është e vërtet se çlirimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1999, nuk do ishte i mundur me atë shpejtësi me të cilën është arritur pa ndihmën e ShBA-ve, respektivisht pa vendimin e Presidentit të atëhershëm Bill Kllinton dhe Kryeministrit britanik Tony Bler për t’i bombarduar forcat okupuese serbe. Pa harruar edhe rolin e anëtarëve tjerë të Paktit Veriatlantik (NATO) dhe sidomos Presidentin e atëhershëm të Francës Zhak Shirak, që paraqet një moment unik, kur politika franceze ishte dashamirëse ndaj shqiptarëve dhe kundër serbëve.
Fushata e bombardimeve, para opinionit botëror, ishte paraqitur sikur aksion humanitar për të shpëtuar popullatën civile shqiptare e cila ishte ekspozuar krimeve masive nga ushtria dhe policia serbe. Çdo njeri me mendim kritik, do mund ta shtronte pyetjen: pse një fushatë e tillë, në emër të humanitetit, nuk ndodhi asnjëherë më parë, për asnjë popull tjetër të rrezikuar nga krimet e ngjashme. Nga perspektiva e sotshme e dimë që nuk ndodhi as gjer në ditët tona?! Kishte dhe ende ka popuj të tillë, të rrezikuar, apo jo? Pse ne ishim kaq të privilegjuar?
Fjala e urtë thotë: “dardha e ka bishtin”!
Ata që kanë lexuar Marrëveshjen e Rambujesë e dinë për çfarë “bishti” bëhet fjalë. Me atë marrëveshje nga Serbia kërkohej të ndalen masakrat ndaj shqiptarëve të cilëve duhet t’ju sigurohet një autonomi dhe njëkohësisht, Serbisë i garantohen kufijtë dhe i mundësohet prezenca ushtarake nëpër zonat kufitare dhe e gjithë marrëveshja mbështet mbi Aktin Final të Helsinkit, sipas së cilit kufijtë nuk mund të ndryshohen pa pajtimin e dy palëve. Këto pika, pa dyshim se i konvenonin Serbisë dhe mund t’i pranonte, edhe pse jo vullnetshëm por nën kërcënim serioz ushtarak. Sipas të gjitha gjasave, pika që nuk mund ta pranonte, duhet të ishte ajo ku shkruhej:
“Personeli i NATO-s, me vetura, anije, aeroplanë dhe pajisjet tjera, do ketë lirinë e lëvizjes së lirë dhe të pakushtëzuar në gjithë territorin e RFJ-së, hapësirës ajrore dhe ujërave territorialë dhe do të ketë të drejtë të vendos kampe dhe kazerma”
Kjo e fundit, që i kërkohej Serbisë, ishte në përputhje me strategjinë e aleancës për zgjerim në lindje. Sikur të pranohej kjo pikë, do bëhej fakt i kryer se Serbia është integruar dhunshëm në NATO, që do ishte në kundërshtim me traditën serbe, vullnetin e popullit serb dhe interesat ruse.
Nga ky vështrim mbi marrëveshjen e Rambujesë rrjedhin dy fakte të pakontestueshme.
I pari: Sikur Serbia ta pranonte këtë marrëveshje, sot Kosova, sa për vullnetin e “miqve ndërkombëtar”, do mbetej në kufijtë e Serbisë.
I dyti: Qëllimi i Perëndimit ishte dhe është, përhapja e NATO në lindje, që vërtetohet edhe më vonë me përfshirje në NATO të Polonisë, Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, Sllovenisë, Kroacisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe tani në fund edhe të Finlandës, që të gjitha këto shtete u pranuan pas vitit 1999.
Pra, ne si “mosmirënjohës” që jemi, a mund të konstatojmë se fushata e bombardimeve kundër forcave okupuese serbe nuk ishte vetëm çështje humanitare, por edhe çështje gjeostrategjike ku nuk përfitonim vetëm ne por edhe ata që ndërmorën këtë fushatë?
Sot, Serbia është e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-së dhe sikur e tillë parqet një “vrimë të zezë” që rrezikon paqen dhe sikur e tillë duhet mbyllur. Sot, në Ukrainë zhvillohet një luftë ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, ku Ukraina derdh gjak, kurse Perëndimi derdh mjeta financiare. Këto mjete nuk i derdhin të pasurit, por qytetarët evropian ku çmimet po rriten nga dita në ditë, ku inflacioni po rritet, ku euro humb vlerë në krahasim me valuta tjera dhe ku aftësia blerëse e qytetarëve bie nga dita në ditë. Një luftë e re në Ballkan do i përshpejtonte këto dukuri, që Perëndimi me çdo kusht mundohet t’i shmang. Por, a duhet kjo shmangie të arrihet vetëm mbi interesat e Kosovës, duke i “dhënë diçka” Serbisë? JO! Dhe sidomos JO, me pëlqimin tonë.

Sikurse që në vitin 1999 fushata e bombardimeve ishte interes i përbashkët euroatlantik dhe i yni, edhe sot duhet marrë në konsideratë interesat tona. Në të kundërtën, nuk kemi pse të nënshtrohemi në emër të “mirënjohjes”, që disa po e kërkojnë! Nëse duan të na detyrojnë, le ta bëjnë, por JO ME PËLQIMIN TONË!
Për interesat e Kosovës, lufton sot Albin Kurti !

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk