Në përvjetor të përjetësisë tënde

02
Apr
2023

shkruan:Dritan Goxhaj
Kosova e rrethuar me male pothuajse çdo ditë të vitit ka një përvjetor. E në këtë përvjetor ajo pret dëshmorët e saj që dalin shëtitje andej nga gjaku i tyre u përzie me baltën e kësaj toke. Dhe ashtu si thotë edhe poeti popullor në vargjet e tij:
“ Nga kjo baltë e kësaj toke merr nje grusht e shtrydhe fort, pika gjaku do kullojnë, luftën e madhe tregon”.
Dhe po të shtrydhim një grusht baltë nga maja e Gallushës në mal të Pagarushës do na tregojë për luftën e madhe që UҪK-ja bëri në ditët e fundit të muajit mars në vitin e largët 1999.
Dhe po ta shtrydhim, do pikojnë pikat e gjakut të Dëshmorit të Atdheut Indrit Cara, rënë heroikisht në fund të shekullit të kaluar në 31 mars të 1999.
Ai erdhi atëherë kur atdheu digjej dhe gjaku derdhej me okë. Erdhi sepse ai gjak ishte gjaku i djemve të këtij vatani, të atyre që nuk ju gjendet shokë.
Ndaj edhe kjo tokë i pret me mall heronjtë e saj, sepse ata ia ditën hallet.
Ata, Indriti me nja 36 dëshmorë të tjerë Shqipërie nga kjo mëhalla jonë këtej Drini e ditën se ç’hall kishte liria.
Dhe sa herë që i hedhim sytë nga historia ajo na tregon se kur ka pasur ethe Shqipëria (Kosova është Shqipëri), ajo ka gjetur ilaç te gjaku i djalërisë e i vegjëlisë së saj.
E megjithatë, sot Indriti dhe vepra e tij na kanë vënë në dilemë të madhe. Na kanë vënë në dilemë e nuk dimë:
A mjafton t’i shkojmë te varri?
A mjafton ta lavdërojmë atë për qëndresë?
A mjafton të lexojmë për të nëpër libra?
A mjafton për dëshmorin të dëgjojmë këngën?
Ne të gjallët sot do shkruajmë e do themi se Ai u kthye nga mërgimi, ndërkohë që Ai nga atdheu kurrë nuk u nda.
Ne të gjallët do shkruajmë e do flasim për rrugën e idealin e Indritit, por kurrë nuk do mund ta përshkruajmë ashtu si e ka përshkruar populli në vargjet e tij:
“Rruga jote rrëke gjaku, rrugë e pastër si kristal,
vepra jote madhështore, udhërrëfyes në piedestal”.
Më 31 mars u tund mali me borë në Pagarushë, u tund maja e Gallushës e u skuq bora nga gjaku i Indritit që kish ardhur nga Londra për të plotësuar amanetin e Ademit, i cili u bë edhe amaneti i Indritit.
Indriti erdhi se i pati dhënë besën atdheut që kur ishte në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” dhe besa rron sa rron burri, ndërsa heroizmi i tij do rrojë sa të rrojë guri.
Dhe Kosova vend me pishtarë, ku brezi brezit i çon fjalë, sa herë që vetëtimat dhe rrufetë, pushka e topi i vënë zjarrin çdo guri, sa herë që asaj i imponohen flamuj të tjerë, edhe këtë herë i erdhi Indriti si shqiponjë për të na thënë me veprën e gjakun e tij se kjo tokë njeh veç shqipen dy krenare që kur ka lindur.
Indriti, ashtu si gjith heronjtë e tjerë në breza të këtij vendi, kishte vendosur që të mbeste përherë i gjallë, ndaj edhe ra për të mos vdekur kurrë, pasi burri vdes për fjalën e dhënë.
Ndaj edhe e vetmja mënyrë për të nderuar veprën e Indritit e të shokëve të tij të idealit të rënë heroikisht si ai është vetëm të ecin në rrugën e tyre.
Ndaj dhe ne në këtë përvjetor të përjetësisë tënde gjithnjë do themi:
Ti i rënë e i gjallë një je,
I madhërishëm i gjallë, i madhërishëm nën dhe.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk