NË UDHËN E FLAKËS DHE TË LIRISË

10
Nov
2025
Shkruan: Genc Sefa - Lushnja


Ka pamje që nuk shuhen kurrë. Ka zëra që vijnë
nga larg — nga malet e përgjakura, nga rrëmuja
e topave, nga era e barutit që mbante aromën
e lirisë. Këto pamje më kthyen prapa në kohë —
në vitet e zjarrit, kur si një djalë i ri vullnetar
lashë gjithçka pas, për t’iu bashkuar
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Isha pjesëtar i njësisë speciale Diversante, në “Operacionin Shigjeta”, në kufijtë e përgjakur të Pashtrikut, ku secili prej nesh e dinte se përtej atij mali s’ishte vetëm toka jonë — ishte nderi ynë. Ishim bij të dhimbjes e të besës, të betuar se më mirë të rrëzoheshim në luftë, se sa të jetonim në robëri. Shokët ranë, gjaku u përzie me baltën,
por zemra s’u përkul. Aty ku ra shiu, u ngjall liria.
Plaga e parë më la pa këmbë, por jo pa shpirt.
Nuk mund të ndalesha. Kur Atdheu të thërret
një herë, zëri i tij nuk shuhet kurrë. U ktheva sërish në vijën e parë — këtë herë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB) pranë Shtabit të përgjithshëm
në Dobrosin.
Më pas në Karadakun e Preshevës, aty ku tokat e vjetra shqiptare digjeshin nga padrejtësia, morëm përsipër të ngremë dhe të drejtojmë Brigadën 115 “Nijazi Azemi”, që u bë zemra e rezistencës dhe simbol i qëndresës së re shqiptare. Në atë brigadë u mblodhën bij të Shqipërisë, Kosovës, të Preshevës, të gjithë atyre që s’e ndanin kufirin në shpirt. Ishte lufta jonë e dytë, po me të njëjtin amanet: lirinë dhe bashkimin kombëtar.
Por historia s’u ndal as aty. Rrugët e mia të luftës më çuan më vonë deri në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku sërish pushka foli në emër të dinjitetit. Aty, ndërmjet plumbave dhe flakës,
ndjeva sërish atë frymë të shenjtë të UÇK-së —
besën, vëllazërinë dhe nderin që nuk shiten
për asgjë në botë. (Unë mendoja ashtu)
Sot, ndërsa mbaj mbi supe një dënim prej gjysmë shekulli, unë e ndiej veten më të lirë se shumë të tjerë që pëshpërisin e ecin rrugëve me kokë ulur. Trupi mund të më kem të burgosur, por shpirtin
s’e lidh askush. Ai endet ende në malet e Pashtrikut,
në fushat e Karadakut, në rrugicat e Kumanovës — aty ku fryn era e lirisë dhe ku pushka shqiptare
s’ka heshtur kurrë kot.
Më dhemb shpirti kur shoh si shkelet mbi gjakun tonë, se si ca e përdorin luftën për lavdi të rreme
e ca të tjerë e harrojnë fare. Por unë e di se liria
nuk ishte dhuratë. Ishte betim, plagë, sakrificë
dhe amanet. Ishte djersë, gjak dhe besë burrash
që s’e shkelën fjalën.
Sot, kur kujtoj ato ditë, sytë më mbushen me lot,
jo nga pendesa, por nga krenaria. Sepse pak janë ata që kanë parë vdekjen në sy e prapë kanë dashur jetën për të tjerët. Pak janë ata që kanë humbur
një këmbë, por kanë vazhduar të ecin përpara
me shpirtin e plotë.
Liria është plagë që s’shuhet kurrë.
Dhe unë — jam ende dëshmia e saj.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe bashkimin kombëtar.
Lavdi e përjetshme Heronjve të Lirisë!
—

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë,
për pjesmarrjen në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
(Komploti i fundit kundër Shqiptarëve) Shpresoj.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/11/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk