Nëse disa policë në Kosovë kanë abuzuar me fuqinë që u jep uniforma…!

10
Jul
2025
Shkruan: Arbër Zaimi


Nëse disa policë në Kosovë kanë abuzuar me fuqinë që u jep uniforma, patjetër se duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.
Por po lexoj disa gjëra absurde, ndër të cilat veçoj dy: kérkesën për përgjegjësi politike dhe fajësimin e policisë së Kosovës në përgjithësi.
Pse janë absurde?
Përgjegjësi politike do të kishte nëse do të kishim, ta zëmë një urdhër apo edhe një frymë të përgjithshme që rrjedh “nga lart” për të mos respektuar të drejtat e qytetarëve apo për të abuzuar me pushtetin siç edhe ka patur dikur. Këtë nuk e kemi. Do të kishte përgjegjësi politike nëse policia do të përdorej kundër aktivistëve politikë si dikur. Këtë nuk e kemi. Do të kishte përgjegjësi politike nëse policia do të urdhërohej kundër protestuesve e protestave si dikur. Këtë nuk e kemi. Do të kishte përgjegjësi politike nëse do të urdhërohej policia të mbyllte sytë ndaj disa shkelësve të ligjit veç pse janë familjarë, dosta apo bashkëpartiakë të pushtetarëve si dikur. As këtë nuk e kemi. Nuk po flas për vrasjet e pazbardhura politike, siç ndodhnin dikur, se ato dihen. Ky rast fatkeq, për të cilin ngushëllojmë familjarët e viktimës dhe presim të mbahen përgjegjës fajtorët, nuk është aspak i motivuar politikisht.
Fajësimi i policisë së Kosovës si institucion apo në tërësi është sërish i pavend e i pakuptimtë, e këtë e them pavarësisht se filozofikisht e politikisht nuk më pëlqen uniforma e kaltër. Do të kishte vend për kritika të përgjithshme nëse rastet do të ishin të anekëndshme e të herëpashershme, gjë që do të linte të kuptohej për një kulturë abuzivizmi e pandëshkueshmërie, por kjo nuk po ndodh. E kemi një rast i cili menjëherë po shqyrtohet me seriozitet institucional maksimal. Nxitimi për ta fajësuar policinë në tërësi nuk bie erë të mirë. Sidomos sot, kur policia është institucioni që garanton shtrirjen territoriale të Kosovës në të gjitha anët, kontrollon kufirin atje ku dikur s’mundej, lufton me sukses terroristët dhe zhbën strukturat kriminale paralele. Bie erë edhe fakti që një pjesë e atyre që akuzojnë policinë e Kosovës sot, ishin aprovues të saj dikur, kur ajo nuk ndërhynte në punët e strukturave paralele e as në korrupsionin e kontrabandën e pushtetit të atëhershëm, teksa përdorej për të shtypur opozitarët dhe protestuesit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/07/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk