NËSE KOSOVA HYN NË NATO: ÇFARË DO TË NDRYSHONTE NË ZONËN E SIGURISË NË RAJONIN E BALLKANIT?

17
Aug
2026
Shkruan: Nënkolonel Kol Marku (Studiues-Analist).

© Gjithë të drejtat të rezervuara. Nuk lejohet kopjimi, por vetem shpërndarja me të drejtën e autorit.
*****
“Serbia, Shqipëria, Adriatiku, Korridori VIII dhe konceptimi strategjik SHBA–Rusi–Kinë”
“Analizë gjeostrategjike”
_____
Anëtarësimi eventual i Kosovës në NATO nuk do të ishte thjesht shtimi i një flamuri të ri para selisë së Aleancës në Bruksel.
Në aspektin ushtarak, ai do të ndryshonte një prej zonave të fundit të papërcaktuara të sigurisë në brendësi të Ballkanit Perëndimor.
Duhet megjithatë të nisemi nga fakti: Kosova sot nuk është kandidate formale e NATO-s. Faqja zyrtare e Aleancës vazhdon të rendisë Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën si tre partnerët që kanë deklaruar aspiratën e anëtarësimit. Çdo ftesë kërkon konsensusin e të gjithë aleatëve.
Por më 30 prill 2026 në Kongresin amerikan u paraqit H.Res. 1246, nga Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler.
Dokumenti është i pazakontë për qartësinë e tij: e quan integrimin e Kosovës në NATO një prioritet për interesat e sigurisë kombëtare amerikane në Evropën Juglindore dhe propozon rrugën Partnership for Peace – Membership Action Plan – anëtarësim i plotë.
Rezoluta gjithashtu kërkon që SHBA-ja të punojë me Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën për të kapërcyer problemin e mosnjohjes.
Ajo është ende vetëm në fazën Introduced in House dhe nuk përfaqëson vendim të Kongresit apo të NATO-s.
1. Ndryshimi vendimtar: nga KFOR-i te Neni 5
Sot siguria e Kosovës mbështetet në një arkitekturë të veçantë. KFOR-i vepron sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të vitit 1999.
Në qershor 2026 NATO raportonte rreth 4600 ushtarakë nga 31 vende aleate dhe partnere në KFOR; Regional Command-East ndodhet në Camp Bondsteel, ndërsa komanda e KFOR-it në Prishtinë.
Anëtarësimi do ta ndryshonte logjikën juridike dhe strategjike.
Kosova nuk do të ishte më vetëm një territor ku NATO kryen një operacion paqeruajtës; do të bëhej territor i një shteti aleat, ndaj të cilit zbatohet sistemi i mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Samiti i Ankarasë i korrikut 2026 riafirmoi formulën themelore të Nenit 5: një sulm ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Kjo do të ishte pika më e rëndësishme për Beogradin: përdorimi i forcës kundër Kosovës nuk do të ishte më vetëm konflikt me Prishtinën dhe përballje me KFOR-in; në parim do të hynte në fushën e mbrojtjes kolektive të Aleancës.
Megjithatë, KFOR-i nuk do të zhdukej automatikisht ditën e anëtarësimit. Mandati i tij, Rezoluta 1244, kompetencat mbi hapësirën ajrore dhe strukturat ekzistuese do të kërkonin një proces të posaçëm politik dhe juridik tranzicioni.
Kjo është një nga çështjet më të ndërlikuara që do të duhej zgjidhur.
2. Serbia do të përballej me një realitet të ri strategjik
Harta këtu është shumë domethënëse.
Serbia aktualisht kufizohet me anëtarët e NATO-s:
Kroaci – Hungari – Rumani – Bullgari – Maqedoni e Veriut – Mal i Zi, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë jashtë NATO-s.
Nëse Kosova bëhet anëtare, Bosnjë-Hercegovina do të mbetej i vetmi fqinj tokësor i Serbisë jashtë NATO-s.
Kjo nuk do të thotë se NATO do të “rrethonte Serbinë” për të përgatitur një konflikt. Vetë doktrina zyrtare e NATO-s thotë se zgjerimi nuk drejtohet kundër një vendi të tretë.
Por në planifikimin ushtarak serb, realiteti gjeografik do të ndryshonte ndjeshëm.
Beogradi do të kishte përballë tri zgjedhje strategjike:
e para, afrimin më të madh me NATO-n dhe BE-në pa u anëtarësuar domosdoshmërisht në Aleancë;
e dyta, ruajtjen e politikës së sotme të ekuilibrit ndërmjet Perëndimit, Rusisë dhe Kinës;
e treta, një afrim më të fortë me Moskën dhe Pekinin si kundërpeshë.
Por vetë ngjarjet e vitit 2026 tregojnë se realiteti nuk është bardhë e zi. Serbia zhvilloi në maj stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake me NATO-n, me rreth 600 pjesëmarrës, në bazën Jugore dhe poligonin Borovac pranë Bujanocit.
Ministria serbe e Mbrojtjes theksoi njëkohësisht neutralitetin ushtarak të Serbisë.
Më 10 qershor 2026, SACEUR dhe komandanti i U.S. European Command, gjenerali Alexus Grynkewich, vizitoi Beogradin dhe diskutoi drejtpërdrejt me drejtuesit ushtarakë serbë edhe situatën në Kosovë.
Prandaj një zgjerim drejt Kosovës nuk do të thotë domosdoshmërisht dëbim të Serbisë nga sistemi perëndimor. Një objektiv po aq i rëndësishëm amerikan dhe evropian do të ishte të mos shtyhej Serbia plotësisht drejt Moskës dhe Pekinit.
3. Shqipëria do të fitonte rëndësi shumë më të madhe logjistike
Kjo është pjesa që shpesh humbet në debatet politike.
Pesha strategjike e Shqipërisë sot nuk përcaktohet vetëm nga madhësia e forcave të saj të armatosura. Ajo përcaktohet gjithnjë e më shumë nga gjeografia dhe infrastruktura.
Në mars 2024 NATO përfundoi modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, me rreth 50 milionë euro investim. Aleanca e përshkroi atë si një qendër të rëndësishme ajrore për logjistikën, operacionet, stërvitjet dhe ushtrimet e NATO-s dhe investim strategjik për Ballkanin Perëndimor.
Por zhvillimi më interesant erdhi në vitin 2026.
Sipas Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes, Korridori VIII është përfshirë në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke nisur nga Durrës–Porto Romano dhe duke shkuar drejt Detit të Zi.
Në Samitin e Uashingtonit 2024, Shqipëria, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kishin nënshkruar një marrëveshje në letrer. Qëllimi ishte për lëvizshmërinë ushtarake përgjatë Korridorit VIII, me synimin që forcat aleate të mund të lëvizin më shpejt nga Adriatiku drejt Detit të Zi.
Këtu lind një konfigurim strategjik shumë interesant:
Italia/Adriatiku – Shqipëria – Maqedonia e Veriut – Bullgaria – Deti i Zi.
Kosova nuk ndodhet mbi boshtin kryesor të Korridorit VIII, por shtrihet menjëherë në veri të tij. Integrimi i Kosovës në NATO do ta lidhte atë shumë më organikisht me këtë rrjet të mobilitetit aleat. Në këtë rast Kosova do të siguronte krahun e majtë të korridorit VIII dhe Adriatiku do të shërbente si levizhneri ushtarake nën mbështetjen dhe të
bazës ajrore të Kuçovës si bazë
e NATO-s.
Kjo është arsyeja pse Adriatiku po fiton një funksion të ri ushtarak: jo vetëm det kufitar i NATO-s, por portë logjistike për depërtimin e forcave dhe furnizimeve drejt brendësisë së Ballkanit dhe krahut lindor të Aleancës.
4. Nga Kuçova te Bondsteel-i
Në një situatë krize, logjistika përcakton shpesh rezultatin më shumë sesa numri nominal i ushtarëve.
Në këtë kuptim:
Kuçova ofron aftësi ajrore dhe logjistike;
portet shqiptare ofrojnë hyrje nga Adriatiku;
Korridori VIII krijon lëvizshmëri lindje–perëndim;
Maqedonia e Veriut lidh hapësirën shqiptare me Bullgarinë;
Camp Bondsteel është një nyje ekzistuese e KFOR-it në Kosovë.
Nëse Kosova bëhej anëtare, planifikuesit e NATO-s do të mund ta trajtonin këtë hapësirë jo më si kombinim ndërmjet “territorit aleat” dhe “zonës së operacionit KFOR”, por gjithnjë e më shumë si një hapësirë të integruar të planifikimit të mbrojtjes.
Kjo është analizë strategjike, jo një plan i publikuar nga NATO.
5. Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhej të ndryshonte cilësisht
H.Res. 1246 kërkon në mënyrë të posaçme vazhdimin dhe thellimin e mbështetjes amerikane për modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe organeve të tjera të sigurisë, me synim vetëmbrojtjen dhe ndërveprueshmërinë me NATO-n.
Ky është një formulim shumë domethënës.
Një ushtri që përgatitet për një sistem kolektiv mbrojtjeje duhet të standardizojë:
komandën dhe kontrollin; komunikimet e sigurta; zbulimin dhe inteligjencën; logjistikën; mbrojtjen kibernetike; doktrinën; artilerinë; mbrojtjen kundërajrore; procedurat NATO; si dhe kontrollin demokratik civil.
Procesi ka elementë konkretë që tani. Në shkurt 2026, pjesëtarë të FSK-së morën pjesë në Dynamic Front 26 në Gjermani, në stërvitje të zjarreve dhe artilerisë me ushtrinë amerikane dhe forca të tjera partnere.
Pra integrimi teknik mund të zhvillohet shumë përpara anëtarësimit politik.
6. Çfarë do të ndodhte me KFOR-in?
Kjo është një pyetje shumë interesante.
Ekzistojnë tri mundësi teorike:
KFOR-i mund të vazhdojë përkohësisht, edhe pas afrimit shumë të madh të Kosovës me NATO-n;
mund të zvogëlohet gradualisht ndërsa institucionet kosovare marrin më shumë përgjegjësi;
ose mund të transformohet në një prani tjetër aleate, nëse kushtet politike dhe juridike e lejojnë.
NATO në qershor 2026 njoftoi tashmë një rregullim gradual të pozicionimit të KFOR-it për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë, duke ruajtur aftësinë për ta ndryshuar sërish qëndrimin nëse nevojitet.
Prandaj paradoksi është interesant: anëtarësimi i Kosovës mund të çonte jo domosdoshmërisht në më shumë trupa të NATO-s në Kosovë, por eventualisht në më pak trupa paqeruajtës dhe më shumë integrim të forcave vendase në sistemin aleat.
7. Hapësira ajrore e Kosovës është një problem shumë më i rëndësishëm nga sa duket.
NATO vazhdon të luajë rol të veçantë në normalizimin e hapësirës ajrore mbi Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka kompetenca të lidhura me hapësirën e ulët ajrore sipas regjimit të krijuar pas vitit 1999, ndërsa për hapësirën e sipërme është përdorur shërbimi hungarez.
Një shtet anëtar i NATO-s duhet të integrohet në një arkitekturë krejt tjetër të:
mbikëqyrjes së hapësirës ajrore, radarëve, identifikimit mik–armik, mbrojtjes ajrore dhe raketore, komandimit të përbashkët dhe NATO Integrated Air and Missile Defence.
Kjo do të ishte një nga transformimet teknike më të mëdha të sigurisë kosovare.
8. Për Rusinë do të ishte humbje e një zone të dobishme presioni politik.
Dokumenti amerikan H.Res. 1246 e thotë drejtpërdrejt se Rusia dhe Kina, së bashku me aktorë të tjerë, kërkojnë të shfrytëzojnë boshllëkun strategjik të Ballkanit Perëndimor.
Koncepti Strategjik i NATO-s i vitit 2022 e përcakton Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së aleatëve; Samiti i Ankarasë 2026 përsëriti se Rusia përbën një kërcënim afatgjatë për sigurinë euroatlantike.
Pesha ruse në Ballkan nuk duhet ekzagjeruar si aftësi për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake. Analistët e Carnegie vërejnë se kapaciteti rus për operacione të mëdha ekspeditash ushtarake në Ballkan është shumë më i kufizuar sesa ndikimi politik, diplomatik dhe informativ.
Nëse Kosova do të hynte në NATO, Rusia mund të humbiste një nga zonat ku një konflikt i pazgjidhur krijon mundësi për presion diplomatik, dezinformim dhe polarizim politik.
Por kjo mund të shkaktonte edhe intensifikim të luftës hibride, jo domosdoshmërisht tërheqje ruse.
9. Për Kinën Serbia është shumë më e rëndësishme sesa Kosova
Për Kinën çështja është ndryshe.
Pekini nuk ka në Ballkan të njëjtën strategji ushtarake si Rusia. Fuqia kineze është kryesisht ekonomike, infrastrukturore, teknologjike dhe gjithnjë e më shumë ushtarako-industriale.
Studimet e CSIS dhe ECFR e kanë përshkruar Serbinë si qendrën kryesore të pranisë kineze në Ballkanin Perëndimor.
Dimitar Bechev i Carnegie argumenton se Kina po fiton hapësirë në Evropën Qendrore dhe Juglindore pikërisht sepse ka kapacitete financiare që Rusia nuk i disponon në të njëjtën masë.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk do t’i ndalonte investimet kineze në Ballkan. Por integrimi i institucioneve kosovare në sistemet e inteligjencës, komunikimit, sigurisë kibernetike dhe prokurimit të NATO-s do të rriste ndjeshëm kufizimet për përdorimin e teknologjive të vendeve të konsideruara rrezik sigurie në infrastrukturën kritike.
10.Në këtë aspekt do të kishim rritje të rëndësisë së Shqipërisë
Ndoshta treguesi më i qartë se roli i Shqipërisë po ndryshon është një zhvillim që nuk lidhet drejtpërdrejt me Kosovën:
Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri.
Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte e konfirmoi zyrtarisht më 8 korrik 2026 se pas Ankarasë, samiti i ardhshëm i Aleancës do të jetë në Shqipëri; koha e saktë ende do të përcaktohet.
Për një vend që hyri në NATO në vitin 2009, ky është një ndryshim i konsiderueshëm simbolik dhe strategjik.
Dhe përkon me:
Kuçovën;
Korridorin VIII;
projektet detare dhe portuale;
rritjen e investimeve të mbrojtjes;
praninë shqiptare në KFOR;
dhe modernizimin e industrisë së mbrojtjes.
Kjo nuk e bën Shqipërinë “fuqi të madhe ushtarake”. E bën një vend të vogël me një gjeografi që po bëhet gjithnjë e më e vlefshme për NATO-n.
11. Deklarata e marrveshjes ushtarake Shqipëri–Kosovë–Kroaci është një element tjetër interesant.
Më 18 mars 2025 ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë nënshkruan në Tiranë një Deklaratë të Përbashkët për Bashkëpunimin në Mbrojtje.
Dokumenti parashikon forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, industrisë ushtarake, teknologjisë dhe ndërveprueshmërisë, ndërsa Shqipëria dhe Kroacia angazhohen të mbështesin integrimin euroatlantik të Kosovës.
Ky nuk është një “NATO shqiptare” dhe as një traktat i tipit të Nenit 5.
Por tregon një prirje:
Kosova po ndërton marrëdhënie dypalëshe dhe shumëpalëshe ushtarake me vende të NATO-s përpara se të ketë statusin formal të partnerit apo anëtarit.
12. Faktori shqiptar: çfarë ndryshon në të vërtetë?
Këtu do të bëja një dallim të rëndësishëm.
Nuk gjëndet e publikuar ndonjë strategji të NATO-s apo të Pentagonit që të flasë për një faktor apo “bllok të rëndësishem shqiptar” në Ballkan.
Por ekziston një realitet gjeostrategjik.
Shqipëria është aleate e NATO-s.
Kosova është fuqimisht e orientuar drejt integrimit euroatlantik.
Maqedonia e Veriut është aleate e NATO-s dhe shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e sistemit të saj politik e institucional.
Në Malin e Zi ekziston gjithashtu komunitet shqiptar brenda një shteti të NATO-s.
Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ekziston një çështje shqiptare që ka marrë përsëri vëmendjën e kongresmenëve amerikane.
Prandaj faktori shqiptar nuk duhet parë kryesisht nëpërmjet nocionit të ndryshimit të kufijve, të cilin politika amerikane nuk e mbështet, por si një hapësirë njerëzore dhe shtetërore që është vendosur gjithnjë e më fuqishëm brenda arkitekturës euroatlantike.Kjo është risia historike.
13. Pse Kosova ka rëndësi edhe pse është shtet i vogël?
Sepse në strategji gjeografia shpesh ka më shumë rëndësi se madhësia.
Kosova ndodhet:
midis Shqipërisë dhe Serbisë;
pranë Korridorit VIII;
në kontakt me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi;
në zemër të hapësirës që lidh Adriatikun me Ballkanin qendror.
Nëse ajo bëhet anëtare, harta e sigurisë së NATO-s në Ballkan do të bëhej dukshëm më koherente.
Nuk është rastësi që H.Res. 1246 përdor termin “strategic gap” – boshllëk strategjik për rajonin.
14. Por ekzistojnë edhe rreziqe
Nuk duhet paraqitur vetëm ana pozitive.
Një përpjekje e shpejtë për anëtarësim pa marrëveshje politike mund të shkaktojë:
rritje të nacionalizmit në Serbi;
forcim të lidhjeve Beograd–Moskë ose Beograd–Pekin;
tensione në veriun e Kosovës;
presion mbi komunitetin serb;
shtim të operacioneve hibride dhe dezinformimit;
dhe mosmarrëveshje brenda vetë NATO-s.
NATO kërkon nga kandidatët institucione demokratike funksionale, trajtim të drejtë të pakicave, zgjidhje paqësore të konflikteve, kontroll demokratik të forcave të armatosura dhe aftësi për të kontribuar ushtarakisht në Aleancë.
Kështu që rruga drejt NATO-s do ta detyronte Kosovën jo vetëm të forconte ushtrinë, por edhe shtetin ligjor dhe garancitë për të gjitha komunitetet.
15. Përfundimi i përgjithshem !
Nëse Kosova një ditë hyn në NATO, ndryshimi më i madh nuk do të jetë numri i ushtarëve kosovarë. Ndryshimi do të jetë gjeografia.
Një hapësirë që prej vitit 1999 është administruar ushtarakisht si zonë stabilizimi do të kalonte në sistemin e mbrojtjes kolektive.
Serbia do të kishte NATO-n në pothuajse të gjitha kufijtë e saj.
Adriatiku do të lidhej më fuqishëm me brendësinë ballkanike.
Shqipëria do të fitonte edhe më shumë rëndësi si portë logjistike, ajrore dhe infrastrukturore.
Kosova do të transformohej nga konsumues i sigurisë së KFOR-it në një shtet që gradualisht duhet të prodhojë dhe kontribuojë në siguri.
Rusia do të humbiste një pjesë të hapësirës së paqartë gjeopolitike ku ka mundur të ushtrojë ndikim.
Kina do të ruante peshën ekonomike, veçanërisht në Serbi, por do të përballej me një hapësirë më të standardizuar sipas kërkesave të sigurisë euroatlantike.
Dhe SHBA-ja do të arrinte pikërisht atë që autorët e H.Res. 1246 e quajnë mbylljen e një “boshllëku strategjik” në Evropën Juglindore.
Kjo është arsyeja pse çështja e Kosovës në NATO nuk duhet lexuar vetëm si marrëdhënie Prishtinë–Beograd.
Ajo lidhet gjithnjë e më shumë me një hartë shumë më të madhe:
Adriatiku – Ballkani Perëndimor – Deti i Zi – krahu lindor i NATO-s.
Dhe brenda kësaj harte, Shqipëria dhe Kosova po marrin një peshë gjeostrategjike shumë më të madhe sesa do të sugjeronin sipërfaqja apo numri i popullsisë së tyre.
_____
Burime kryesore
______
1). U.S. Congress, House, Expressing the Sense of the House of Representatives in Support of the Integration of Kosovo into the North Atlantic Treaty Organization, H. Res. 1246, 119th Cong., 2nd sess., April 30, 2026.
2). North Atlantic Treaty Organization, “Enlargement and Article 10,” updated October 3, 2024.
3). North Atlantic Treaty Organization, “NATO’s Role in Kosovo,” updated June 12, 2026.
4). North Atlantic Treaty Organization, The Ankara Summit Declaration, July 8, 2026.
5). North Atlantic Treaty Organization, “NATO Completes Modernisation of Major Airbase in Albania,” March 4, 2024.
6). Ministry of Defence of the Republic of Albania, “Corridor 8 Officially Included in NATO’s Critical Military Infrastructure,” February 13, 2026.
7). Ministry of Defence of the Republic of Albania, “Albania, Italy, Bulgaria and North Macedonia Sign … Military Mobility along Corridor VIII,” July 11, 2024.
😎. Ministry of Defence of the Republic of Serbia, “First Serbia-NATO Joint Military Exercise,” May 12, 2026.
9). Ministry of Defence of Croatia, Joint Declaration on Defence Cooperation between Croatia, Albania and Kosovo, March 18, 2025.
10). Dimitar Bechev, “Is China Stealing Russia’s Thunder in Eastern Europe?” Carnegie Endowment for International Peace, May 15, 2024.
11). Endowment
Center for Strategic and International Studies, Red Flags: Tracking Chinese Influence in the Western Balkans.
12). NATO, “Press Conference by Secretary General Mark Rutte following the 2026 NATO Summit,” Ankara, July 8, 2026.
______
© Të gjitha të drejtat të rezervuara. Nuk lejohet kopjimi,por vetem shpërndarja me të drejtën e autorit.
____
Nënkolonel Kol Marku (R) – Itali
17/08/2026

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/08/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk