NEXHBEDIN BASHA: KUR UNIFORMA I LË VENDIN PENËS DHE POEZIA BËHET DITARI I JETES

25
Sep
2026
Nga: Kol M. Marku Studiues në Itali-

ish-ushtarak, nënkolonel (R)
Një bashkëbisedim për jetën, përkushtimin ushtarak, atdheun,
kujtesën historike dhe filozofinë e krijimtarisë letrare
Intervistë – portretizuese-letrare | 25 shtator 2026. Më z. Nexhbedin Basha, ish-ushtarak (Nënkolonel), gazetar, publicist dhe poet, SHKRIMTAR.
Intervistoj Kol Marku
Shënim: Takimi me autorin u mundësua gjatë Kongresit II të Gjuhës, Historisë dhe Letërsisë, të mbajtur në Malishevë të Kosovës. Me dt 20 Shtator 2026
*****
Ka njerëz që jetën e tyre e shkruajnë me veprat që kryejnë, ka të tjerë që e përjetësojnë përmes fjalës së shkruar. Por ka edhe nga ata që arrijnë t’i bashkojnë të dyja: detyrën ndaj atdheut dhe përgjegjësinë ndaj kujtesës njerëzore. Një ndër ta është edhe miku dhe kolegu im, Nexhbedin Basha, ish-ushtarak, gazetar, publicist dhe poet, një njeri që një pjesë të rëndësishme të jetës ia ka kushtuar shërbimit ndaj vendit, ndërsa përmes krijimtarisë letrare vazhdon të ruajë kujtesën e njerëzve, të vendlindjes dhe të historisë sonë kombëtare.
Në pamje të parë, uniforma ushtarake dhe pena e poetit mund të duken si dy botë të largëta. E para lidhet me disiplinën, përgjegjësinë dhe gatishmërinë për sakrificë; e dyta, me lirinë e mendimit, ndjeshmërinë dhe kërkimin e kuptimit të ekzistencës njerëzore. Megjithatë, ato bashkohen në një pikë thelbësore: dashurinë për njeriun dhe për vendin tënd. Duke njohur rrugëtimin e Nexhbedin Bashës, mendova se portreti i tij nuk duhej të kufizohej në një renditje të ftohtë biografike. Pas çdo date ka një ngjarje, pas çdo detyre ka një përgjegjësi, ndërsa pas çdo poezie qëndron një përjetim njerëzor.
Prandaj, këtë portretizim-letrar kam zgjedhur ta paraqes në formën e një interviste të shkruar, ku pyetjet ndjekin rrugëtimin e tij profesional dhe krijues, por njëkohësisht na ftojnë të reflektojmë mbi marrëdhënien ndërmjet njeriut, detyrës, kohës dhe kujtesës.
I).RRËNJËT E NJERIUT DHE
UNIVERSI I VENDLINDJES
Kol Marku: Zoti Basha, filozofët thonë se njeriu mund të largohet nga vendlindja, por vendlindja nuk largohet kurrë prej tij. Ju keni lindur në Dibër dhe keni kaluar nëpër disa profesione e përvoja jetësore. Sa vend zë kjo trevë në formimin tuaj intelektual dhe në krijimtarinë letrare?
Nexhbedin Basha: Rrugëtimi im fillon më 1 janar 1958, në fshatin Shimçan të Dibrës. Aty janë rrënjët e mia dhe një pjesë e rëndësishme e kujtesës sime. Formimin e mesëm e mora në Peshkopi, në shkollën e përgjithshme «8 Nëntori» dhe në shkollën pedagogjike «17 Nëntori». Më vonë vazhdova studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku u diplomova për gjuhë dhe letërsi shqipe. Në krijimtarinë time, vendlindja, familja dhe kujtimet zënë një vend të rëndësishëm. Ato janë pjesë e botës njerëzore që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Kol Marku: Në këndvështrimin tim, lidhja e njeriut me vendlindjen nuk është thjesht një marrëdhënie gjeografike. Ajo është marrëdhënie historike dhe shpirtërore. Vendlindja është arkivi ynë i parë, ku ruhen gjuha e nënës, përvoja e prindërve dhe kujtesa e brezave që na kanë paraprirë.
Prandaj, kur një poet i këndon vendlindjes, ai nuk përshkruan thjesht një peizazh. Ai kërkon të shpëtojë nga harresa një pjesë të ekzistencës së vet.
Nexhbedin Basha: Vendlindja është rrënja e ekzistencës sonë, ndërsa kujtesa është ura që na lidh me përjetësinë. Njeriu mund të largohet fizikisht prej saj, por shpirtërisht mbetet gjithmonë peng i dheut ku ka lindur. Për mua, poezia është një bisedë me të parët, një përqafim me fëmijërinë dhe një amanet për brezat që vijnë. Sepse atdheu fillon aty ku kemi dëgjuar për herë të parë zërin e nënës, ndërsa vendlindja nuk vdes për sa kohë jeton në kujtesën dhe fjalën tonë.
II). NGA MËSUESI TE
PROFESIONI USHTARAK
Kol Marku: Përpara se të vishnit uniformën ushtarake, ju keni qenë mësues. Keni njohur edhe punën në minierën e Bulqizës, ku keni pësuar një aksident. A mund të themi se përvoja me njerëzit e punës dhe me nxënësit ishte shkolla juaj e parë e jetës…Po nën uniformë a ndjeni se kishin lidhje detyrat e mesuesut me atë të ushtarakut ?
Nexhbedin Basha:
Po është e vërtetë. “Mësuesi dhe ushtaraku kanë diçka të përbashkët: të dy mbajnë përgjegjësi për të ardhmen. Mësuesi përgatit qytetarin e ri, por për ushtarakun, do t’i përgjigjesha kështu:
Në lidhje me pyetjen tuaj, nuk do të bëja ndarje.
Secili ka një mision. Misioni i mësuesit është të edukojë, të formojë dhe të përgatisë brezin e ri për sfidat e jetës. Ushtaraku ka për mision të përgatisë ushtarin, oficerin dhe nënoficerin për përmbushjen e misionit të sigurisë dhe mbrojtjes, në kohë paqeje, krize apo lufte.
Ndërsa unë kisha një mision tjetër: atë të gazetarit ushtarak.
Për mua, gazetaria ushtarake nuk ishte thjesht një profesion apo një detyrë brenda uniformës. Ishte një mënyrë për t’i dhënë zë jetës së ushtarakut, për të pasqyruar përgatitjen, sakrificat, përgjegjësinë dhe vlerat e tij, por edhe për ta afruar ushtrinë me shoqërinë.
Për vite me radhë shkrova për ushtrinë dhe njerëzit e saj. Pasqyrova stërvitje, misione, reforma, ngjarje e momente të vështira. Por mbi të gjitha, u përpoqa të shkruaja për njeriun me uniformë: për atë që përgatitet çdo ditë për një detyrë që mund t’i kërkojë të vendosë interesin e vendit mbi interesin e tij personal.
Prandaj mendoj se edhe gazetari ushtarak ka një përgjegjësi për të ardhmen. Ai nuk përgatit drejtpërdrejt ushtarin si instruktori dhe nuk edukon nxënësin si mësuesi, por ndikon në formimin e ndërgjegjes, kujtesës dhe kulturës së mbrojtjes.
Në fund të fundit, mësuesi edukon, ushtaraku mbron, ndërsa gazetari ushtarak dokumenton, informon dhe përcjell te brezat atë që është bërë në shërbim të vendit.
Ky ishte edhe misioni im: të shërbeja me uniformë, por edhe me fjalën; të mbroja atë që më besohej si ushtarak dhe të dëshmoja për të si gazetar.
Kol Marku: Si vazhdoj më tej formimi juaj profesional para dhe më pas që kaluat në mesuesi dhe në pas në ushtri !
Nexhbedin Basha:
Në vitet 1977-1978 kreva stazhin profesional në minierën e kromit «Todo Manço», në Bulqizë. Aty pësova edhe një aksident, një ngjarje që mbetet pjesë e biografisë sime.
Më pas, gjatë viteve 1978-1980, punova si mësues në disa fshatra të Dibrës, ndër të cilat Zall-Kalizi, Lugjja, Radoveshi, Ostreni, Qafë-Murra, Kacnia dhe Selishta.
Ishte një periudhë e rëndësishme për formimin tim profesional, përpara se të vazhdoja rrugëtimin në Forcat e Armatosura.
III). UNIFORMA USHTARAKE: DETYRË,
PËRGJEGJËSI DHE SAKRIFICË
Kol Marku: Si ish-ushtarak, e di se uniforma nuk është thjesht një veshje profesionale. Ajo përfaqëson një betim dhe një përgjegjësi që shpesh shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës. Cilat ishin etapat kryesore të karrierës suaj ushtarake?
Nexhbedin Basha: Nga viti 1983 deri në vitin 1994 shërbeva në strukturat e Divizionit të Peshkopisë. Gjatë karrierës ndoqa kualifikime ushtarake, përfshirë përgatitjen profesionale për gradat major dhe nënkolonel. Më vonë kryeva edhe detyra drejtuese në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe informimit. Pas prillit 2003 shërbeva në funksione të ndryshme, ndër të cilat shef i Drejtimit të Brendshëm, shef i Marrëdhënieve me Publikun dhe Informimin në Tiranë, si dhe kryetar i Degës Ushtarake në Kavajë. Shërbimin aktiv në Forcat e Armatosura e përfundova në qershor 2014, për arsye shëndetësore.
Kol Marku: Karriera e një ushtaraku nuk mund të vlerësohet vetëm përmes gradave që arrin apo funksioneve që ushtron. Ajo përfshin edhe përgjegjësinë institucionale, marrëdhëniet me kolegët dhe gatishmërinë për të përballuar situata të vështira. Në filozofinë e shërbimit ushtarak, detyra merr kuptim kur lidhet me një qëllim që e tejkalon interesin individual: sigurinë e vendit dhe mbrojtjen e qytetarëve të tij.
Nexhbedin Basha: Miku im Kol, vitet në uniformë më kanë mësuar se madhështia e njeriut nuk qëndron te pushteti që ushtron, por te ndërgjegjja me të cilën vepron. Koha i zbeh gradat dhe titujt, por nuk mund ta fshijë gjurmën e ndershmërisë dhe të sakrificës. Sepse lavdia më e madhe e një ushtaraku nuk është të mbetet në historinë e ushtrisë, por të jetojë me dinjitet në kujtesën e njerëzve të cilëve u ka shërbyer.
IV). GAZETARIA: KUR USHTARAKU
BËHET DËSHMITAR I HISTORISË
Kol Marku: Në vitin 1994, ju fituat një konkurs të Ministrisë së Mbrojtjes dhe filluat punën në gazetarinë ushtarake. Për afro nëntë vjet punuat në gazetën Ushtria dhe revistën Mbrojtja. Çfarë rëndësie pati kjo periudhë në jetën tuaj?
Nexhbedin Basha: Gazetaria ishte një fushë që kishte filluar të më tërhiqte shumë më herët.
Që në vitet 1980 shkruaja si korrespondent vullnetar i gazetës Ushtima e Maleve. Reportazhet dhe kronikat e mia trajtonin jetën e njerëzve të thjeshtë, ndërkohë që kisha filluar të merresha edhe me krijimtari poetike. Në vitin 1994 nisa punën në shtypin ushtarak. Gjatë kësaj periudhe pata mundësi të pasqyroja jetën dhe veprimtarinë e Forcave të Armatosura, përfshirë zhvillime të rëndësishme kombëtare, si ngjarjet e vitit 1997 dhe lufta në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Kol Marku: Historia dhe gazetaria janë dy profesione që takohen në një pikë vendimtare: përgjegjësinë ndaj së vërtetës. Historiani kërkon të rindërtojë të kaluarën përmes dokumenteve, ndërsa gazetari regjistron ngjarjet që nesër mund të bëhen pjesë e dokumentacionit historik.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur flasim për gazetarinë ushtarake në periudha krizash, kur informacioni duhet të përballojë njëkohësisht nevojën për saktësi, përgjegjësinë institucionale dhe interesin publik.
Nexhbedin Basha: Jam plotësisht dakord me ju, miku im Kol. Historia është kujtesa e një kombi, ndërsa gazetaria është dëshmitarja e së tashmes që nesër do të bëhet histori. Të dyja mbartin një përgjegjësi të madhe morale: të mos lejojnë që e vërteta të bëhet viktimë e interesave të çastit. Për mua, si ushtarak dhe gazetar, pena ka qenë njëkohësisht përgjegjësi profesionale dhe detyrim moral. Në periudha krizash, kur faktet rrezikojnë të deformohen nga propaganda dhe interesat politike, gazetari duhet të ruajë integritetin e tij dhe të dallojë të vërtetën nga manipulimi. Ushtaraku mbron atdheun me përkushtimin ndaj detyrës, gazetari mbron të vërtetën me forcën e fjalës, ndërsa historiani e mbron atë nga harresa dhe falsifikimi. Në fund të fundit, historia nuk na gjykon vetëm për atë që kemi bërë, por edhe për të vërtetat që kemi pasur guximin të dëshmojmë dhe për ato që kemi zgjedhur t’i heshtim.
V). AFGANISTANI: NJË PËRVOJË
PËRTEJ KUFIJVE TË ATDHEUT
Kol Marku: Në vitin 2012, ju shërbyet për gjashtë muaj në Herat të Afganistanit, në kuadër të misionit të NATO-s. Çfarë vendi zë kjo përvojë në rrugëtimin tuaj profesional?
Nexhbedin Basha: Pjesëmarrja në misionin ndërkombëtar në Afganistan ishte një etapë e veçantë e karrierës sime. Në vitin 2012 shërbeva për gjashtë muaj në Herat, si pjesëtar i kontingjentit shqiptar të angazhuar në kuadër të misionit të NATO-s. Ishte një përvojë ndërkombëtare, e ndryshme nga shërbimi në strukturat kombëtare të mbrojtjes, ku ushtarakët shqiptarë vepronin përkrah forcave aleate.
Kol Marku: Lufta, siguria dhe paqja janë ndër problemet më të mëdha që kanë shoqëruar historinë e njerëzimit. Nga këndvështrimi filozofik, një prej paradokseve të profesionit ushtarak qëndron pikërisht në faktin se përgatitja për luftën duhet t’i shërbejë mbrojtjes së jetës dhe sigurisë.
Përvoja ndërkombëtare e një ushtaraku zgjeron gjithashtu horizontin e tij profesional dhe e vendos përgjegjësinë kombëtare në raport me detyrimet ndërkombëtare të vendit. Me sa di unë atje keni pasur dhe një situatë të rrezikshme për jeten !
Nexhbedin Basha: Miku im Kol, përvoja ime në misionin ndërkombëtar në Afganistan më bëri të reflektoj edhe më thellë mbi vlerën e jetës, përgjegjësinë e ushtarakut dhe çmimin e paqes. Atje ku lufta lë plagë, njeriu kupton se fitorja më e madhe nuk është shkatërrimi i kundërshtarit, por shpëtimi i jetës dhe krijimi i kushteve që brezat e ardhshëm të mos përjetojnë tragjeditë e së kaluarës. Kam besuar se forca e vërtetë e një ushtrie nuk qëndron vetëm tek armët që zotëron, por edhe te ndërgjegjja morale e njerëzve që i mbajnë ato. Ushtaraku duhet të jetë i përgatitur për luftën, por ndërgjegjja e tij duhet t’i shërbejë paqes. Përvoja në Afganistan më dha mundësinë të kuptoj se dashuria për atdheun nuk bie ndesh me respektin për popujt e tjerë. Përkundrazi, sa më shumë e njeh vuajtjen njerëzore përtej kufijve të vendit tënd, aq më thellë e kupton vlerën e paqes në atdheun tënd. Sot, kur uniformën e kam zëvendësuar me penën, mendoj se misioni im vazhdon në një formë tjetër: dikur shërbeja me armë për sigurinë, ndërsa tani përpiqem të shërbej me fjalën për kujtesën, dashurinë dhe paqen. Sepse lufta mund të fitojë territore, por vetëm paqja mund të fitojë zemrat e njerëzve.
VI. POEZIA: KUR SHPIRTI
FLET PËRTEJ UNIFORMËS
Kol Marku: Të vijmë tani te një tjetër dimension i jetës suaj: letërsia. Ju jeni autor i katër vëllimeve poetike:
1. Violina e luleve
2. Hija e vetes
3. Ujëvarë dashurie
4. Kur flet dheu dëgjojnë rrënjët
Katër tituj që të ftojnë të mendosh për natyrën, dashurinë, identitetin dhe marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe tokës. Çfarë vendi zë poezia në jetën tuaj?
Nexhbedin Basha: Poezia më ka shoqëruar që në rini. Krahas punës si mësues dhe veprimtarisë në gazetari, kam vazhduar të shkruaj krijime poetike. Në to trajtoj tema që lidhen me atdheun, familjen, vendlindjen, Kosovën, emigracionin, dashurinë dhe sakrificat njerëzore.
Poezia Kosovë, e shkruar në prill të vitit 1991, është një dëshmi e hershme e pranisë së çështjes së Kosovës në krijimtarinë time. Në poezinë Me mall puth ato duar rikthehem te kujtimet për prindërit dhe dashuria familjare.
Kol Marku: Duke parë temat dhe titujt e krijimtarisë suaj, më tërheq veçanërisht marrëdhënia ndërmjet tokës dhe kujtesës. Toka nuk është vetëm një realitet fizik. Për njeriun ajo mund të përfaqësojë origjinën, punën e brezave dhe historinë e familjes. Pikërisht këtu titulli Kur flet dheu dëgjojnë rrënjët merr një kuptim të veçantë filozofik. Dheu nuk flet me gjuhën e njerëzve, por ruan gjurmët e tyre. Rrënjët nuk dëgjojnë në kuptimin e zakonshëm të fjalës, por përfaqësojnë vazhdimësinë e jetës. Në këtë mënyrë, poezia mund të shndërrohet në një urë ndërmjet brezave: të vdekurit mbeten pjesë e kujtesës së të gjallëve dhe përvoja individuale bëhet pjesë e trashëgimisë kolektive.
Nexhbedin Basha: Më ketë shprehje tuajen, ndjehem i plotësuar dhe i vlersuar, pasi ju keni prekur thelbin filozofik dhe shpirtëror të krijimtarisë sime. Për mua, dheu nuk është thjesht toka mbi të cilën ecim, por një libër i pashkruar, ku çdo brez ka lënë gjurmët e ekzistencës së vet. Në të prehen të parët tanë, jetojnë kujtimet tona dhe ushqehen rrënjët e brezave që do të vijnë. Titulli i librit tim Kur flet dheu dëgjojnë rrënjët është pikërisht një dialog ndërmjet jetës dhe përjetësisë, ndërmjet atyre që ikën dhe atyre që do të lindin. Dheu është kujtesa, rrënjët janë identiteti, ndërsa poezia është zëri që i bashkon.
Unë besoj se njeriu vdes dy herë: herën e parë kur i pushon zemra dhe herën e dytë kur harrohet nga kujtesa e të gjallëve. Prandaj shkruaj! Shkruaj që prindërit e mi, vendlindja ime, njerëzit që kam dashur dhe historia e popullit tim të vazhdojnë të jetojnë përmes fjalës. Sepse një popull që harron rrënjët humbet kujtesën, ndërsa një njeri që nuk ua përcjell brezave kujtimet e tij, lë pas një heshtje që koha e mbulon.Dëshira ime është që, kur unë të mos jem më, fjalët e mia të vazhdojnë të flasin. Që nipërit dhe mbesat tona, duke lexuar vargjet, të dëgjojnë zërin e gjyshërve dhe të ndiejnë aromën e dheut të të parëve. Dua që poezia ime të jetë një grusht dhe nga vendlindja, që brezat e ardhshëm ta mbajnë në shpirt. Sepse ne jemi kalimtarë mbi tokë, por rrënjët tona duhet të mbeten të përjetshme në kujtesën e kombit.
VII. EMIGRACIONI, BRAKTISJA E VENDLINDJES
DHE KUJTESA KOMBËTARE
Kol Marku: Në vëllimin tuaj Violina e luleve trajtoni edhe shpopullimin e fshatrave shqiptare. Unë, si studiues që jetoj prej shumë vitesh në emigracion, e shoh këtë fenomen jo vetëm si një problem demografik dhe ekonomik, por edhe si një çështje të rëndësishme të kujtesës dhe vazhdimësisë kulturore. Çfarë vendi ka kjo temë në krijimtarinë tuaj?
Nexhbedin Basha: Në krijimtarinë time kam trajtuar braktisjen e vendlindjes, marrëdhëniet njerëzore dhe kujtesën historike. Këto tema zënë vend veçanërisht në vëllimin Violina e luleve, ku përfshihen edhe shqetësimet që lidhen me shpopullimin e fshatrave shqiptare. Vendlindja dhe njerëzit e saj mbeten pjesë e rëndësishme e botës sime poetike.
Kol Marku: Emigracioni është një ndër fenomenet që ndryshon jo vetëm shpërndarjen e popullsisë, por edhe marrëdhënien e njeriut me identitetin e tij. Kur braktiset një fshat, nuk humbet vetëm një numër banorësh. Rrezikojnë të zhduken zakone, rrëfime familjare, mënyra jetese dhe forma të trashëgimisë shpirtërore. Kjo është arsyeja pse letërsia që trajton emigracionin mund të ketë edhe një funksion të rëndësishëm historik e kulturor: të ruajë kujtesën e vendeve dhe të njerëzve që ndryshimet shoqërore rrezikojnë t’i lënë në harresë.
Nexhbedin Basha: Për mua, emigracioni nuk është thjesht kalimi i një kufiri shtetëror. Ai është një dramë shpirtërore, një ndarje e dhimbshme ndërmjet trupit që largohet dhe shpirtit që mbetet peng i vendlindjes. Njeriu mund të ndërtojë një shtëpi të re në një vend të huaj, por nuk mund të ndërtojë një fëmijëri të dytë. Nuk mund të gjejë një nënë tjetër, një prag tjetër ku hodhi hapat e parë, apo një varr tjetër ku prehen kujtimet e të parëve. Më dhemb kur mendoj fshatrat tona që po heshtin, shkollat ku nuk dëgjohen më zërat e fëmijëve dhe shtëpitë ku dyert i hap vetëm era. Aty ku dikur dëgjohej kënga e dasmave, sot dëgjohet heshtja e braktisjes. Dhe më e dhimbshmja është se bashkë me njerëzit po largohen edhe dëshmitarët e gjallë të historisë sonë.
Pikërisht për këtë shkruaj! Dua që përmes poezisë të shpëtoj nga harresa atë që koha dhe emigracioni rrezikojnë të na marrin: kujtimet, dashurinë për vendlindjen, gjuhën e nënës dhe amanetin e të parëve. Një komb nuk varfërohet vetëm kur humbet pasuritë materiale, por edhe kur fëmijët e tij harrojnë rrënjët nga kanë ardhur. Emigranti mund të jetojë mijëra kilometra larg atdheut, por për sa kohë ruan gjuhën, kulturën dhe kujtesën, atdheu vazhdon të jetojë brenda tij.
Miku im, dëshira ime është që librat e mi të jenë një urë shpirtërore ndërmjet atyre që mbetën dhe atyre që u larguan. Sepse tragjedia më e madhe nuk është kur njeriu largohet nga vendlindja, por kur vendlindja largohet nga kujtesa e tij. Dhe nëse një ditë fshatrat tona do të mbeten pa banorë, dua që të paktën në vargjet e mia të vazhdojnë të jetojnë njerëzit, të këndojnë zogjtë dhe të flasë dheu i të parëve tanë.
VIII. PUBLICISTIKA DHE
PËRGJEGJËSIA NDAJ KULTURËS
Kol Marku: Ju nuk shkruani vetëm poezi, por merreni edhe me publicistikë, analizë letrare dhe promovimin e krijimtarisë së autorëve të tjerë. Sa e rëndësishme është që një shkrimtar të mos mbyllet brenda krijimtarisë së vet?
Nexhbedin Basha: Krahas krijimtarisë poetike, vazhdoj të shkruaj për autorë të tjerë dhe të pasqyroj veprimtari kulturore e letrare. Në nëntor 2025 botova një analizë për krijimtarinë e Halil Ramës, ku trajtova edhe rëndësinë e traditës dibrane në letërsi. Më 7 dhjetor 2025 botova një kronikë për promovimin e dy librave poetikë të Arben Alliut dhe Anxhela Topalli Alliut, në sallën «Maks Velo», në Laprakë të Tiranës. Veprimtaria ime vazhdon kështu edhe në fushën e publicistikës dhe të kritikës letrare.
Kol Marku: Një kulturë kombëtare nuk ndërtohet vetëm nga autorët që krijojnë, por edhe nga ata që dokumentojnë, studiojnë dhe vlerësojnë krijimtarinë e të tjerëve. Publicistika kulturore ka rëndësi sepse krijon komunikim ndërmjet shkrimtarit dhe shoqërisë. Ajo ndihmon që veprat të mos mbeten vetëm në bibliotekat personale, por të bëhen pjesë e diskutimit publik.
Nexhbedin Basha: Ju keni prekur një të vërtetë të madhe: kultura e një kombi nuk është pasuri individuale e krijuesve, por trashëgimi shpirtërore e një populli të tërë. Unë besoj se një shkrimtar nuk duhet të shkruajë vetëm për të lënë emrin e tij në letërsi, por edhe për të ndriçuar veprën e të tjerëve. Sepse talenti individual merr një kuptim më të thellë kur vihet në shërbim të kulturës së përbashkët. Për mua, të shkruash për një koleg, të vlerësosh një poet apo të promovosh veprën e një shkrimtari tjetër është një akt fisnikërie intelektuale.
Është një mënyrë për të dëshmuar se kultura nuk ndërtohet mbi rivalitetin dhe zilinë, por mbi respektin, bashkëpunimin dhe njohjen e ndërsjellë. Në filozofinë time, një krijues që ndriçon veprën e tjetrit nuk e pakëson dritën e vet; përkundrazi, e shumëfishon atë. Ashtu si një qiri që ndez një tjetër pa humbur flakën e tij, edhe intelektuali që promovon vlerat e të tjerëve pasuron ndërgjegjen kulturore të kombit.
Prandaj, përmes publicistikës sime përpiqem të bëhem jo vetëm dëshmitar i krijimtarisë së kolegëve, por edhe një urë që i lidh ata me lexuesit dhe brezat e ardhshëm.Sepse librat mund të mbeten të mbyllur në biblioteka, por mendimet duhet të udhëtojnë ndërmjet njerëzve. Dhe pasuria më e madhe që mund t’i lërë një intelektual kombit të tij nuk është vetëm ajo që ka shkruar vetë, por edhe ajo që ka bërë për të mos lejuar që vlerat e të tjerëve të mbulohen nga heshtja dhe harresa.
IX. VLERËSIMET DHE KUPTIMI I
TRASHËGIMISË NJERËZORE
Kol Marku: Gjatë jetës suaj profesionale jeni vlerësuar për kontributin në gazetarinë ushtarake dhe për pjesëmarrjen në veprimtari ndërkombëtare. Megjithatë, filozofia na kujton se titujt janë të përkohshëm, ndërsa vepra e njeriut mund t’i mbijetojë kohës. Cilat janë disa nga vlerësimet që kanë shoqëruar rrugëtimin tuaj?
Nexhbedin Basha: Gjatë veprimtarisë sime kam marrë disa vlerësime që lidhen me fusha të ndryshme të karrierës. Ministria e Mbrojtjes më ka vlerësuar me Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin në organet e shtypit ushtarak.
Mbaj gjithashtu titullin «Ambasador për Paqen», dhënë nga Federata Universale për Paqen. Në profilin tim biografik përmendet edhe medalja e shërbimit të NATO-s, e lidhur me pjesëmarrjen në misionet ndërkombëtare.
Kol Marku: Vlerësimet institucionale kanë rëndësinë e tyre, sepse dokumentojnë kontributin e individit në një periudhë të caktuar historike. Por trashëgimia jetësore siciale dhe krijuese e njeriut ka edhe një dimension tjetër. Ju si e mendoni ?
Nexhbedin Basha: Ky dimension lidhet me gjurmën që ne lemë në kujtesën e familjes, të bashkëpunëtorëve dhe të shoqërisë. Një ushtarak mund ta përfundojë shërbimin aktiv, por përvoja e tij mbetet. Një gazetar mund të largohet nga redaksia, por shkrimet e tij vazhdojnë të dëshmojnë për kohën. Një poet mund të mos jetë më fizikisht i pranishëm, por vargjet e tij mund të vazhdojnë të komunikojnë me breza që autori nuk pati mundësi t’i njohë. Pikërisht këtu qëndron lidhja e thellë ndërmjet krijimtarisë dhe përjetësimit të kujtesës njerëzore.
X). ÇFARË E SHTYN NJERIUN
TË SHKRUAJË
Kol Marku: Në përfundim të këtij bashkëbisedimi i nderuar mik dhe koleg dua t’ju bëj një pyetje që, sipas meje, prek thelbin e filozofisë së krijimtarisë. Pas një jete të gjatë si mësues, ushtarak, gazetar dhe poet, çfarë ju shtyn ende të merrni penën dhe të shkruani? Është dashuria, kujtesa, dhimbja, detyrimi moral ndaj shoqërisë apo dëshira për t’i lënë diçka brezave që vijnë?
Nexhbedin Basha: “Shkruaj në heshtje e në heshtje flas…” “Shkruaj në heshtje e në heshtje flas, ndërsa ekzistencën e mbështes në ditarin e jetës sime. Shkruaj për jetën, për njerëzit, për të dashurit e mi, për dhimbjen e lumturinë, për vendlindjen, atdheun dhe kombin tim. Nëse nuk do të mundja të shkruaja, do të venitesha. Shkruaj që aroma e fjalëve të mia të shpërndahet e të mbetet amanet për brezat dhe të mos tretet kurrë.”
Kol Marku: Fjalët tuaja shprehin një marrëdhënie të thellë ndërmjet njeriut dhe krijimtarisë. Këtu shkrimi nuk shfaqet thjesht si një profesion, as si një përpjekje për të fituar njohje publike. Ai paraqitet si një nevojë ekzistenciale. Shprehja juaj “Nëse nuk do të mundja të shkruaja, do të venitesha” përmbledh marrëdhënien ndërmjet krijimit dhe ekzistencës: për poetin, fjala nuk është vetëm instrument komunikimi, por edhe një mënyrë për të vazhduar jetën shpirtërore. Më tërheq veçanërisht metafora e aromës së fjalëve që mbeten amanet për brezat. Aroma është diçka që nuk mund ta shohim apo ta mbajmë në duar, por që arrin të zgjojë kujtime shumë kohë pasi burimi i saj nuk është më pranë nesh. Në këtë kuptim, edhe fjala poetike mund të mbetet një prani e padukshme që e lidh autorin me njerëzit dhe me kohën që vjen.
XI. PROJEKTET E ARDHSHME:
KUR JETA SHNDËRROHET NË LIBËR
Kol Marku: Para se ta mbyllim, kam edhe një pyetje të fundit. Pas katër vëllimeve poetike dhe një veprimtarie të gjatë në gazetari e publicistikë, a keni ndonjë projekt të ri letrar?
Nexhbedin Basha: Po. Kam në përfundim dy libra eseistikë-autobiografikë dhe publicistikë: “Gjurmë në udhë” dhe “Kufijtë e zemrës”.
Kol Marku: Edhe këta dy tituj përmbajnë një simbolikë interesante. Gjurmë në udhë na kujton se jeta nuk është thjesht rruga që përshkojmë, por edhe gjurmët që lëmë pas. Ndërsa Kufijtë e zemrës na fton të reflektojmë mbi një tjetër dimension të ekzistencës: marrëdhënien ndërmjet njeriut, dashurisë, kujtesës dhe kufijve që vendos ose kapërcen jeta. Do të jetë interesante të shohim se si përvojat tuaja shumëvjeçare do të shndërrohen në rrëfime autobiografike dhe reflektime publicistike.
XII). MBYLLJE: NJERIU QË E VAZHDON SHËRBIMIN ME PENË
Në përfundim të këtij portretizimi , dua të ndalem te një mendim që më duket se përmbledh rrugëtimin e Z. Nexhbedin Basha. Njeriu nuk e ndërton identitetin e tij vetëm përmes profesionit që ushtron, por edhe përmes marrëdhënies që krijon me kohën, shoqërinë dhe kujtesën. Mësuesi ua përcjell dijen nxënësve. Ushtaraku i shërben sigurisë së atdheut. Gazetari dokumenton ngjarjet e kohës së vet. Poeti kërkon të ruajë atë që historia e madhe shpesh nuk arrin ta regjistrojë: dhimbjen, dashurinë, mallin dhe botën e brendshme të njeriut.
Nexhbedin Basha i ka bashkuar këto përvoja në një jetë të vetme. Dhe pikërisht këtu qëndron mesazhi i këtij rrugëtimi: njeriu mund ta heqë uniformën, mund të largohet nga detyra dhe mund të përfundojë një etapë profesionale, por nuk është i detyruar të ndërpresë shërbimin ndaj shoqërisë. Ndonjëherë, ky shërbim vazhdon përmes një libri, një artikulli apo një poezie që ua përcjell brezave kujtesën e atyre që jetuan përpara tyre.
I dashur mik i nderuar Nexhbedin, ju uroj shëndet, jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë! Uroj që dy veprat tuaja të ardhshme të pasurojnë më tej trashëgiminë tuaj letrare dhe publicistike. Sepse, në fund të fundit, jeta e njeriut është e kufizuar në kohë, ndërsa fjala që ai lë pas mund ta vazhdojë udhëtimin e saj shumë më gjatë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/09/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk