NGA DATAT E RËNDËSISHME TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS, 15, 16 dhe 17 DHJETOR 1994

20
Dec
2023

Shpalime
Çfarë duhet të dinë lexuesit, opinioni dhe brezat e sotëm e të ardhshëm, se cilat janë datat e rëndësishme të historikut të Universitetit të Tetovës, nga ideja dhe themelimi deri te njohja zyrtare e këtij institucioni të parë të arsimit universitar në gjuhën amtare në Maqedoni?
KËTU E KA BURIMIN IDEJA PËR SHËNIMIN E 17 DHJETORIT SI DATË E THEMELIMIT* TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS
Dëshmi
NGA DATAT E RËNDËSISHME TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS, 15, 16 dhe 17 DHJETOR 1994
Kryesia e Universitetit të Tetovës, në përbërje: Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Agni Dika dhe Prof. dr. Murtezan Ismaili (e zgjedhur dhe emëruar nga Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994), në mbledhjen e mbajtur me përfaqësuesit e disa subjekteve politike dhe jopolitike të shqiptarëve, më 15 dhjetor 1994, për sigurimin e mbështetjes së gjerë për shpalljen publike dhe fillimin e punës së Universitetit, sipas Vendimit të sjellë nga Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, i shpallur publikisht më 17 dhjetor 1994, për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm.
Kjo mbledhje (shih fotografinë) është mbajtur më 15 dhjetor 1994, në shtëpinë e Bari Ganiut, në Reçicë të Vogël, Tetovë.
Mbledhja është thirr nga Kryesia e Universitetit dhe atë e kanë udhëhequr anëtarët e Kryesisë së Universitetit të Tetovës, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë në këtë mbledhje kanë qenë përfaqësues të disa subjekteve politike dhe jopolitike të shqiptarëve në Maqedoni, siç përmenden në këtë shkrim, në bazë të fotografisë dhe dëshmive të tjera.
Kryesia e Universitetit, ka vazhduar edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, më 16 dhjetor në zyrën e PPD-së dhe 17 dhjetor në zyrat e subjekteve të tjera, për sigurimin e mbështetjes, me nënshkrimin e Listës për mbështetje të Vendimit për themelimin e Universitetit, sepse nga rrethanat e krijuara atëkohë, për shkak të dhuna policore dhe vënies së qytetit të Tetovës në shtetrrethim, sipas vendimit të Qeverisë së atëhershme të Maqedonisë, për ndalimin e çdo aktiviteti, duke ndërmarrë të gjitha masat, edhe të dhunshme, në lidhje me Universitetin e Tetovës dhe fillimin e punës së tij, me çka u pamundësua hapja solemne e Universitetit të Tetovës, që ishte planifikuar të mbahej më 17 dhjetor 1994, në Pallatin e kulturës në Tetovë (shih: Ftesa dhe Programi).
Këtë vendim, Qeveria e Maqedonisë, në të cilën kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve, e ka miratuar në mbledhjen e saj të mbajtur më 12 dhjetor 1994.
Dy ditë më vonë, më 14 dhjetor 1994, në bazë të këtij vendimi të Qeverisë, janë ndërmarrë veprime të ashpra e barbare mbi objektet e Universitetit, drejtuesit e Universitetit dhe të Komunës së Tetovës, si dhe ndaj qytetarëve shqiptarë, me ç’rast ka pasur edhe një viktimë në qytetin e Shkupit, për t’i frikësuar shqiptarët dhe drejtuesit e Universitetit, kinse të heqin dorë nga ky projekt kombëtar.
Në fotografi, nga e majta: Zeqir Kadriu (PDP), Arben Rusi (SHH ,,Hëna e Re”), Nevzat Halili (PPD-PUP), Dr. Agni Dika, Dr. Fadil Sulejmani, Dr. Murtezan Ismaili, Iljaz Halimi (PDP), Arbën Xhaferi (PPD), Milaim Fejziu (FDMLDNJ), Muqereme Rusi (LGSH), Xhevat Halili (PDP), Vahit Kamberi (PPD-PUP), Qemal Halili (PPD-PUP), Agim Shabani (PPD, krahu i Arben Xhaferit) etj.
Punimet e kësaj mbledhje janë xhiruar nga TV Art, Tetovë.
(17. XII. 2014 – 15. XII. 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk