Pothuajse sa herë vjen pranvera, e ne që ishim rreshtuar pro Republikës kujtojmë demonstratat që shenjuan Revolucionin e 1981-ës, përfaqësuesit më tipik të klasës politike autonomiste, që e interpretojnë edhe sot shkallën e autonomisë që gëzonte Kosova konform Kushtetutës jugosllave të 1974-s, si “Autonomi që vetëm emrin nuk e kishte Republikë”, na drejtohen me po të njejtat akuza që ish gjyqëtarët marioneta atëbotë kishin përdor për shqiptim aktgjykimesh drakonike ndaj mbi 3900 të dënuarve me miliona vite burgu.
Megjithatë revolucioni vazhdoi, duke kulmuar me sjelljen në jetë të UÇK-së së vegjëlisë, që do t’ia dalë të përmbysë “pllakat teknoike” të gjeopolitikës dhe ta sjell lirinë edhe për këtë pjesë të Shqipërisë, që ne sot e gëzojmë nën siglën Republika e Kosovës.
Nga drejtimi i Revolucionit 1981 e deri tek lufta e UÇK-së, brezi i Jakup Krasniqit dhe ai i atyre që e pasuan Revolucionin e 1981-ës, dinjitetshëm e kryen obligimin e vet kombëtar.
E filluam me demonstrata të dinjitetshme dhe e mbaruam me luftë guerile po aq të dinjitetshme.
Nuk ia dolëm dot ta bënim Gjykatën Speciale këtu, në kuadër të institucioneve të Drejtësisë së Republikës sonë.
Drejtësia jonë ishte kapur, meqë edhe Republika vazhdonte të mbahej peng.
Nuk arritëm dot ta çlironim Republikën nga ish nomenklaturat e LKJ-së për Kosovë, që si kameleon na u shndërruan brenda 24 orëve në demokratë ose penetruan gjithandej në strukturat tona partiake; nuk arritëm dot ta çlironim Drejtësinë nga gjyqtarët e proviniencës projugosllave dhe bijtë e tyre. Prandaj na u impona Gjykata Speciale. Pjesërisht edhe nga naiviteti politik i atyre që drejtonin Republikën tok me ish zyrtarët e lartë të LKJ-së.
Rrjedhimisht Drejtësia sërish do të përballet me historinë, por kësaj radhe në Hagë.
Qytetarët tanë të mbledhur sot atje, demonstruan dinjitetshëm, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, duke i tërhequr vërejtjen po me dinjitet trupit gjyqësor që të mos lejojë të bie në kurthin e Serbisë, e duke i bërë apel që të veprojë bazuar në integritet profesional dhe dinjitet.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
