NGA FOLKLORIZMI TEK VEPRIMI KOMBËTAR.

07
Apr
2026
Shkruan: Petrit Aliaj
 Kur flasim për folklorizmin, flasim për një dukuri zv që ka mbizotëruar për vite me radhë në jetën e diasporës shqiptare. Ai është shndërruar në mënyrën kryesore të shprehjes së identitetit, duke e kufizuar diasporën në rituale simbolike dhe duke e larguar nga realiteti i nevojës për organizim, përfaqësim dhe ndikim të vërtetë shoqëror. Pikërisht këtu nis edhe analiza e kontrastit mes simbolikës dhe realitetit, një kontrast që e ka shoqëruar diasporën shqiptare në të gjitha vendet ku ajo jeton.
Kjo situatë bëhet edhe më e dukshme kur shihet në raport me potencialin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në Europë, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe vende të tjera. Miliona shqiptarë jetojnë në ekonomitë më të zhvilluara të botës dhe kanë krijuar komunitete të konsoliduara profesionale e shoqërore, por ky potencial nuk është shndërruar në ndikim të strukturuar shoqëror. Institucionet shqiptare nuk kanë krijuar hapësirat e nevojshme ligjore, administrative dhe përfaqësuese, ndërsa partitë politike – si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi – e trajtojnë diasporën kryesisht si mjet elektoral dhe jo si një faktor të pavarur që meriton mekanizma të mirëfilltë përfshirjeje. Kjo mospërputhje ndërmjet kapacitetit real dhe rolit faktik mbetet një nga sfidat kryesore të diasporës.
Rasti i arbëreshëve në Itali është domethënës. Për shekuj me radhë, identiteti i tyre është ruajtur falë Kishës Italo‑Shqiptare, gjuhës dhe traditës, por mungesa e investimeve në arsim, zhvillim lokal dhe turizëm kulturor, si edhe mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe Shqipëri–Itali që të adresojë çështjet arsimore dhe kulturore, ka sjellë tkurrjen e komuniteteve dhe largimin e brezave të rinj. Ligji italian 482/1999, i cili teorikisht synon mbrojtjen e pakicave kombëtare, në praktikë nuk garanton asgjë për komunitetin shqiptar: ai është i cunguar, pa mbështetje financiare dhe i mbështetur në përqindje e kritere burokratike që e përjashtojnë gjuhën shqipe. Për këtë arsye kërkohet një marrëveshje dypalëshe Shqipëri–Itali që të çojë në ndryshimin dhe zgjerimin e ligjit, në mënyrë që gjuha shqipe të njihet si zgjedhje e dytë në shkollat ku mësojnë fëmijët me origjinë shqiptare, ashtu si në Angli dhe Kanada. Ky realitet tregon se edhe identitetet më të konsoliduara mund të dobësohen në mungesë të politikave të qëndrueshme dhe bashkëpunimit institucional.
Edhe më i rëndë është procesi i asimilimit të arvanitasve në Greqi. Ndërsa elemente të kulturës së tyre janë përvetësuar në narrativën greke, gjuha arvanitase është në zhdukje, ndërsa mungesa e politikave mbrojtëse dhe dokumentuese nga shteti shqiptar ka bërë që kjo trashëgimi të mbetet e pambrojtur dhe e paartikuluar në nivel institucional.
Në planin zyrtar, dokumentet strategjike e paraqesin diasporën si partner kyç për zhvillimin dhe integrimin europian, por në praktikë mungojnë mekanizmat realë të përfshirjes. Krijimi dhe më pas shkrirja e Ministrisë së Diasporës tregoi mungesë koherence institucionale. Samitet e Diasporës nuk sollën rezultate konkrete, ndërsa Agjencia Kombëtare e Diasporës nuk ka arritur të përditësojë as listën bazë të shoqatave, ku shumë prej tyre figurojnë vetëm në letra. Kjo tregon mungesën e një strukture të besueshme referimi dhe një boshllëk të thellë institucional.
Në këtë sfond, Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) po shfaqet si një pikë referimi që synon të thyejë rrethin e folklorizmit dhe të politizimit të diasporës. Roli i saj është të shmangë rënien e shoqatave në folklorizëm dhe t’i orientojë drejt veprimit kombëtar, larg tubimeve të organizuara nga partitë politike shqiptare për interesa votash. Ky fenomen është ushqyer nga indiferenca e Tiranës dhe Prishtinës, si dhe nga organizata joqeveritare të varura nga financimet shtetërore, të cilat shpesh shërbejnë për të mbuluar mungesën e një boshti të mirëfilltë kombëtar. Ndërkohë, plagët e hapura si çështja Çame, represioni administrativ në Luginë, diskriminimi në Maqedoninë e Veriut dhe sfidat e shqiptarëve në Sanxhak mbeten jashtë axhendave diplomatike.
Në projektet e FNAI‑t për muajt qershor dhe nëntor parashikohen dy ngjarje të rëndësishme: në qershor organizohet konferenca kushtuar shqiptarëve në Maqedoni, me fokus te largimi i heshtur i popullsisë autoktone, diskriminimi institucional, pabarazia ekonomike dhe pengesat në zbatimin e gjuhës shqipe; ndërsa në nëntor zhvillohet konferenca kushtuar gjuhës shqipe, në kuadër të përvjetorit të Kongresit të Manastirit, si një moment qendror për identitetin dhe unitetin kulturor të shqiptarëve.
FNAI ka organizuar deri tani shtatë konferenca të rëndësishme, të shoqëruara me rezoluta të përbashkëta me Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, Këshillin Kombëtar Shqiptar në Kosovën Lindore (Lugina e Medvegjës), Lidhjen e Historianëve Shqiptarë në Botë, dhe institucione të tjera. Këto nisma kërkojnë llogaridhënie ndërkombëtare dhe tregojnë se diaspora mund të veprojë si ndërgjegje kombëtare e pavarur nga partitë politike. Në këto konferenca kanë munguar ambasadorët dhe drejtuesit e dikastereve nga trevat shqiptare, një mungesë që tregon distancën e institucioneve nga çështjet reale të diasporës.
Diaspora shqiptare nuk mund të reduktohet në dërgesa financiare apo në dekor ceremonial. Ajo është një forcë aktive me kapacitete të mëdha profesionale, ekonomike dhe qytetare. Integrimi i saj në proceset vendimmarrëse dhe në projektet strategjike kombëtare është i domosdoshëm. Vetëm përmes organizimit, bashkimit dhe një vizioni të qartë afatgjatë, diaspora shqiptare mund të shndërrohet në një aktor të vërtetë zhvillimi, duke lidhur potencialin e saj me nevojat e kombit.
Petrit R Aliaj.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/04/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk